Dhjata e Vjetër
< VAJTIMET >
Kapitulli 3
1 | 2 | 3 | 4 | 5


1 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".

19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

24 "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,

35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,

36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?

37 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?

38 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?

39 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?

40 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.

41 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.

42 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.

43 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.

44 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.

45 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.

46 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.

47 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.

48 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.

49 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,

50 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.

51 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.

52 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.

53 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.

54 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".

55 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.

56 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.

57 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"

58 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.

59 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!

60 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.

61 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,

62 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.

63 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.

64 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.

65 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.

66 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.