E hënë, 28 korrik, 2003

Uji fle, {AR}MIKU jo! Shkruan: Besnik Bardhi

Dhuna e intensifikuar  kohëve të  fundit që po ndodhë në shumë qytete të Kosovës, në formë të shpërthimeve dhe veprave tjera kriminale enigmatike, te popullata e Kosovës padyshim ka zgjuar dilema, pa siguri dhe shqetësime tej mase.  Këto ngjarje, na  rikujtojnë periudhen e rrënimit të  institucioneve të Kosovës në vitet e 90 –ta. Në atë kohë pushteti kolonialist  serb, për të arsyetuar veprimet e veta kriminale dhe ekspansioniste, nuk hezitonte , të shpallte brenda dite fajtorin kujdestar , dhe ai fajtor nuk ishte një shqiptar, por e tërë popullate shqiptare e  Kosovës.Kjo teori e mbrapsht ,e anatemimit kolektiv të shqiptarve kishte një synim të vetëm, të bindet opinioni ndërkombëtar, kinse  shqiptarët janë  telashegjinjët e Ballkanit.E gjithë kjo propagandë, plasohej nga Beogradi, dhe pikërisht këtu ishte dhe është epiqendra e krimit të organizuar shtetëror serb në luften e "shenjtë" antishqiptare e përkrahur dhe inspiruar nga ASHAS dhe Kisha Ortodokse Serbe. Shumë vende të botës , keto dezinformata si formë e luftës speciale, i merrnin me apo pa dashje si të vërteta...
 Ajo çka po ndodhë këtyre ditëve, para syve të policisë ndërkombëtare dhe UNMIK-ut, është pasqyrë jo e mirë për punën e tyre. E gjithë kjo po ndodhë gjatë mandatit të tyre dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë ndriqimin e këtyre rasteve dhe kapjen e autorëve. 
 Janë mjaft indikative veprat kriminale në prag të ndonjë ngjarje me rëndësi në Kosovë. Njëra nga shumë këto raste, që vlenë të përmendet  këtu , ishte dhe djegia e një kishe ortodokse, një ditë para vizitës së Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, Kofi Anan!.
 Administrata Ndërkombëtare  në Kosovë, ka  policinë e vetë dhe një kontingjent ushtarak profesional  si dhe shumë subjekte tjera informative dhe kundërinformative. Fitohet përshtypja se qarqe të caktuara përbrenda këtyre strukturave , nuk qajnë fare kokën për plasimin e informacioneve të ndryshme të pa verifikuara , duke prejudikuar dhe fabrikuar kështu shqiptarët si fajtorë !!!.

Kush dhe pse i bënë këto manipulime të disfavorshme në këto periudha shumë të ndieshme që po kalon Kosova.? Në llogari të kujt shkojnë të gjitha këto dhe kush paguan për këtë?


  Nga e gjithë kjo, qytetari i thjesht  kosovar me të drejtë dyshon se a mos  vallë në mesin e tyre ka dhe të atillë njerëz, të cilët janë infiltruar në këto organizma dhe veprojnë  me mjeshtri në rrënimin dhe sabotimin e çdo gjëje pozitive në Kosovë,  pra të njëjtët armiqë të cilët  punuan  në vitet e ’90 –ta,  për shkatërrimin e autonomisë së Kosovës dhe çdo gjëje që pasojë...
  Nëse bëhet një retrospektivë dhe analizë minucioze e këtyre ngjarjeve gjatë këtyre viteve të pasluftës, atëhere ato dyshime kan një bazë reale.
  Kohëve të fundit ky aktivitet është rritur tej mase për nga intenziteti dhe vërehet një ofanzivë e vërtetë e qarqeve të errëta antishqiptare. E gjithë kjo bëhet qëllimisht në prag të zgjidhjes definitive të statusit politik të Kosovës dhe dialogut të mundeshëm Prishtinë –Beograd.
 Kriminelët në terë botën  kan një emërtim të përbashkët dhe si të tillë duhet dënuar dhe denoncuar publikisht. Edhe ata që lëshojnë dezinformata qëllimkëqija dhe tendencioze, në njollosjen e një populli, nuk janë imun para ligjit.
 Si  është e mundur me gjithë këtë potencial zbulimi dhe kundërzbulimi që vepron në Kosovë , të mos gjinden  ende autorët e krimeve?!.
  Kush janë dhe ku strehohen këta demonë që po ia gërryjnë ngadal dheun ndër këmbë popullit shqiptarë  të Kosovës dhe aspiratës  së tyre shekullore për paqe, liri dhe mëvetësi?..
  Pse vazhdimisht synohet të bëhet  satanizimi  i  luftës së drejtë të shqiptarëve për të shporrë kasapet e Milosheviqit  nga këto troje dhe balansimi në mes të kasapit dhe viktimës?
  Nuk duhet harruar dhe fakti se në Kosovë jetojnë dhe sillen lirishëm shumë diverzantë dhe  kriminelë serbe. Për ata, lufta e tyre e shenjtë ende vazhdon , ashtu si nuk ka përfunduar dhe lufta e popullit të Kosovës për mëvetësi.
  Shqiptarët shumë lehtë e njohin dhe e duan mikun e vërtetë, mirëpo ështe koha e fundit të bëhet me gisht  në disa qarqe antishqiptare që veprojnë legalisht dhe në kuadër të institucionit, e të cilët kan paga të dyfishta.
Dr.Besnik Bardhi 

Gjakovë,26.07.2003