Te Nushët e Lushnjes – mësues në pesë breza

Dhimitër Shtëmbari

Fshati Mazhaj shtrihet në juglindje të rrethit të Lushnjes, buzë lumit Seman.

Edhe pse është i vogël, megjithatë ka nxjerë shumë arsimtarë, mes të cilëve edhe dy mësues të shquar: Jani Nushin – Mësues i Popullit dhe Rrapi Mërtirin – Mësues i Merituar.

Personazhe të shkrimit tonë do të jenë figura të shquara të fisit Zegali, ose Nushi, siç do të njiheshin kohë më vonë.

Nga ky fis do të dilnin mësues në pesë breza, filluar nga shekulli i XIX e deri në këto vite të fillimshekullit XXI.


Plejadë priftërinjsh nga fisi Zegali në Mazhaj

Nga gjiri i fisit Zegali (Nushi) kanë dalë mjaft priftërinj me emër në mbarë Myzeqenë. Ndër më të hershmit klerikë nga fisi Zegali (Nushi) njihen Papa Mitrushi, Papa Josifi, Papa Anastasi, At Dheodhori (Ikonomi), Papa Thanasi, (Dhaskali), Papa Petrua, Papa Nikolli e të tjerë. Kanë qënë të njohur këta Papa jo vetëm në Mazhaj, por deri edhe në Manastirin e Ardenicës të rrethit të Lushnjes.

Kishën e përdornin për të bashkuar e vëllazëruar banorët e fshatit. Herë – herë shkonin e meshtonin edhe në kishën e Shën Todrit të fshatit Kadipashaj. E kryenin këtë detyrë vullnetarisht, pa pretenduar taksën, ose hakën, siç ishte bërë zakon të thuhej kur binte fjala për shpërblimin që mernin për shërbesën që kryenin. “Kemi gjetur belanë me priftërinjtë Zegali të Mazhajt, dëgjohej të shpreheshin fshatarë të ndryshëm, sepse nga që u vinte zor të vinin vet në fshatra për të marrë hakën që u takonte, ishim të detyruar t’ua çonim vet në shtëpi”.

Arriti një kohë, në dhjetë vitet e fundit të shekullit XIX, konvikti i shkollës në kishën e Shën Todrit falimentoi, kështu që dhaskejtë Nushi hapën një tjetër konvikt pranë kishës së Kokotovës së Mazhajt. Këtu mbaruan shkollë disa klerikë, mes të cilëve edhe Papa Petro e Papa Ilia. Në kohën që Papa Petron e lanë fuqitë, për të mos ndërprerë veprimtarinë e kishës, me interesimin e vet banorëve të fshatit te Dhespoti i Beratit – At Dhangjeliu, prift u caktua i biri i Papa Petros : Papa Nikoll Nushi. Ca më pas në këtë kishë shërbeu xhaj Konomi dhe, në fund, Papa Ilia Zegali.

Një dinasti e tërë klerikësh atdhetarë.



Për veprimtari atdhetare e internojnë në Zvërnec

Ndër më të hershmit figurë e shquar e familjes Zegali (Nushi) është Thanas Llazar Nushi, ose dheskali, siç thirrej nga tërë ata që e njihnin.

Thanasi qe lindur në fshatin Kadipashaj të rrethit të Lushnjes më 16 janar të vitit 1865. Mësimet e para i mori në shkollën e hapur pranë kishës së Kokotovës. Pak më pas, me interesimin e prindërve rregjstrohet në shkollën Qindrikon të Beratit dhe, mbas tre vjetësh studim këtu, caktohet mësues pranë kishës së Mazhajt. Mirëpo… dheskal Thanasi teksa shqipëronte librat e shënjta gjatë psaltjes bëhej shprehës i ndjenjave atdhetare të besimtarëve.

Veprimtaria e Thanasit ra në vesh të eprorëve të vetë klerikalë të Beratit. Duke e konsideruar të rrezikshëm, e internojnë në Zvërnec të Vlorës, ku i duhej të kalonte pesë vjet: 1890 – 1895. Mirëpo Thanasi rastisi të ishte me fat: njihet dhe bashkëpunon me atdhetarin e madh, Jani Minga.

Mbas Zvërnecit e dërgojnë në Lushnje, ku do të mund të ishte nën vëzhgimin e autoriteteve të vendit. Mirëpo ngjau e kundërta: djaloshi nga Mazhaj lidhet me episkopin e kishës, Vasil Priftin, dhe e vazhdon veprimtarinë e vetë atdhetare. E pushojnë nga puna! Teksa e ndjeu se mund ta burgosnin, arratiset nga Shqipëria dhe e mban frymën në Janinë! Aty ia filloi punës si gjeometër pranë një inxhinieri francez.

Me shpalljen e Pavarësisë kthehet në Atdhe. Me interesimin e Jani Mingës emrohet mësues dhe shërben në shkollat e Kallaratit, Mekatit, Nartës, Vlorës, ndërsa më vonë, shumë vonë, emrohet në shkollat e Myzeqesë; të Halilajt, Bishqethmit, Këmishtajt, Krutjes etj.

Në vitin 1928 del në pension .

Një jetë kushtuar vetëm Atdheut.


Papa Ilia Zegali: Zoti i ka një e të pandarë; fenë dhe Atdheun

Edhe pse klerik i mirënjohur, me veprimtari të gjërë, Papa Ilia Zegali gjatë LANÇ u lidh menjëherë me Lëvizjen Antifashiste. Në kamollaf vendosi yllin e kuq të partizanit. “Nuk jam duke bërë ndonjë gjynah, u thoshte bashkëfshatarëve të vetë: “Zoti i ka një e të pandarë: fenë e atdhen”.

Duke e njohur si antifashist të vendosur, një ditë Papa Ilias i vjen një letër me anën e së cilës i kërkohej që ditën e Roshajave, kur do të mblidheshin shumë njerëz në kishë, të flisnin dy militantë të Luftës Çlirimtare. Kishte pranuar Papa Ilia.

Ditën e festës fetare, pasi pat mbaruar shërbesën, Papa Ilia u qe drejtuar tërë të pranishmëve: Besimtarë të nderuar! Ju bashkë me mua po shikoni dy shokë të armatosur. Ju mund të mendoni se këta janë duke bërë gjynah! Ma lini mua ta marrë këtë mëkatë”.

Të armatosurit ishin dy antifashistë të njohur në mbarë Myzeqenë: Naim Kuçi e Rauf Nallbani. Atyre çasteve kishin folur të dy. Kishin folur me gjuhën e Papa Ilias: A na lejohet neve, besimtarë të nderuar, që të qendrojmë duarlidhur para atyre që na kanë pushtuar?! Cili Zot na pengoka ne që të kërkojmë të drejtat tona?!

Dhe që të nesërmen e kësaj ngjarjeje shumë djem të këtij fshati vunë pushkën krahut dhe dolën partizan.

Nga familja Zegali (Nushi) dolën partizan disa djem; Themiu, Llazari, Kozmaj, Josifi, vet Papa Ilia…

Ballistët nuk ia falën klerikut partizan. Pasi e torturuan mizorisht, Papa Ilia Zegalin e vranë në prill të vitit 1944! Dhe mbeti ky Dëshmor i pavdekshëm.


Nxënës i Aleksandër Xhuvanit, bashkëpunëtor i Sotir Koleas

Ndër figurat më të shquara të fisit Zegali (Nushi) është Jani Nushi. I lindur më 6 qershor të vitit 1902 në fshatin Kasimbejaj, ky do të rritej në mesin e një familjeje që kishte nxjerrë mjaft priftërinj e deri edhe dheskal.

I ati, Thanasi, i këshilluar nga Jani Minga, e merr Janin e vogël në Vlorë, ku shërbente si mësues, kështu që tre klasat e para Jani i kreu në Vlorë. Klasat e tjera i plotësoi në Lushnje, ndërsa Normalen e kreu në Elbasan. Këtu do të kishte të bënte me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Simon Shuteriqin…

Dhe nisi e vazhdoi të shërbente si mësues në Bularat, Vuno,…

Ajo që e bën të veçantë Jani Nushin është puna për mbledhjen e fjalës së rrallë dhe e folklorit. I pasionuar mbas kësaj pune, bëhet ndër më të shquarit në shkallë vendi. Në vitin 1931 folkloristi i shquar shqiptar, Sotir Kolea, në një letër që i drejtonte Jani Nushit, ndër të tjera i shkruante, se “…u ndodhe ti, një mësues i vogël, një copë mësuesi, për të bërë këtë punë të madhe. Të lumtë! Mos harro; se janë mësuesit e vegjël ata që bëjnë kombet e mëdhenj. Në këtë rrugë nuk je i vetëm, por je ndër të parët e pas shëmbëlltyrës sate po dalin përditë të rinj me zell e zemër…”.

Në revistën “Folklor”, faqja 4 e vitit 1939 do të shkruhej: “… më i pari ndër këta folklorist vjen Jani Llazari (Nushi – shënimi ynë), i cili ç’prej motit asht dhanë mbas punës folklorike, tue mbledh e tue botue ndër revista landë të çmueshme folklorike”.

Ish drejtori i Institutit të Folklorit, Profesor Zihni Sako qe shprehur: “Shqipëria të kishte nja pesë xha Jana, t’í vendoste në krahina të ndryshme të vendit, folklori dhe gjuha shqipe do të mund të vilej deri në fund…”.


Falë pasionit ngjitet në lartësinë e Mësuesit të Popullit

Duke qënë me banim vetëm një kat më lart zyrave të gazetës “Shkëndija”, organ shtypi i Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjes, shkonim herë mbas here në shtëpinë e folkloristit të madh Jani Nushi dhe e gjenim mes librave e fletoreve. Sapo futeshim në dhomën e tij të punës, ai ngrinte sytë e, përmes syzeve, na shikonte ngultazi dhe, pa pritur ta përshëndesnim, na drejtohej:

– Hë, çfarë na keni prurë?

– Asgjë, mësues Jani…

– Si asgjë! Ju keni rast të bisedoni me shumë njerëz, mirëpo ata kanë xhevahire në gojën e tyre, prandaj…

Qendroi një hop dhe vazhdoi:

– Tani sapo u ktheva nga jashtë dhe, në radhën ku isha për të blerë mish, mora falas; më dëgjon, fare falas gjëra të bukura.

Pasi zumë vend, nisëm të dëgjonim me vëmendje.

– Atje në radhë, dikush i thoshte shokut të vetë: “Filani është i zgjuar, por… s’e le hunda!” “Ai mund të bënte përpara, por ka hundë!”, “Atij nuk i flet buza, por hunda…”, “Ia ka bllokuar hunda buzën…” …

Vazhdojmë ta dëgjojmë dhe presim të dëgjojmë se ku kërkon të dalë. Dhe ai nuk na e zgjat:

– E dini përse po jua tjerë pak gjat bisedën?

Nuk iu përgjigjëm .

– Jua kujtoj këto, sepse shikoj që në shkrimet tuaja në gazetë nuk lexoj nga këto shprehje. Këto shprehje e zbukurojnë shkrimin. I japin kripë e piper. I japin lezet. Lexuesi kur ndesh në të tilla shprehje në shkrim, ndjen një lloj kënaqësie… Apo e kam gabim?

Kishte plotësisht të drejtë.

Jani Nushi është autor i disa librave me materiale folklorike.

Në vitin 1972 i qe dhënë titulli “Mësues i merituar”, ndërsa në vitin 1980 iu dha titulli më i lartë: Mësues i Popullit.


Dy kolonelët Zegali dhe Llazar Nushi

Nga rrënja e thellë e fisit Zegali kanë dalë shumë kuadro të mirënjohur, por le të ndalemi në tre prej tyre: te vëllezërit Josif e Kozma Zegali dhe te Llazar Nushi (Zegali).

Të zgjuar prej natyre, vëllezërit Zegali, Josifi e Kozmaj, nuk iu ndan shkollës. Dhe kudo – të dalluar në mësime. Josifi, nga që doli shkëlqyer në një shkollë të Beratit i doli e drejta për t’i vazhduar studimet në Itali. Shkoi e vazhdoi, por nuk mbaroi. I ndërpreu studimet, sepse u kthye në Atdhe për t’i kontribuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Po kështu edhe Kozmaj e Llazari. Ndërprenë Normalen e Elbasanit dhe nxituan t’i bashkoheshin Batalionit Partizan të Dumresë. Më 15 gusht të vitit 1943 ishin ndër partizanët e përzgjedhur, që do të përfshiheshin në radhët e Brigadës I Sulmuese Partizane.

Në Luftën e Marglliçit Llazari do të plagosej rëndë! Shumë rëndë! Dërgohet në spitalin e përgjithshëm të Tiranës, por nuk arriti t’i mbaronte mjekimet, sepse hafijet kishin spiunuar te nazistët. Detyrohet të kthehet në vendlindje dhe të aktivizohet si antifashist.

Josfi, Kozmaj dhe Llazari mbas çlirimit dërgohen për studime të larta në ish Bashkimin Sovjetik. Dy të parët bëhen ushtarakë madhorë, ndërsa i treti kuadër i lartë në Qarkorin e Beratit, në Komisionin e Planit të Shtetit dhe në Tregtinë e Jashtme. Ndahet shpejt nga jeta teksa ishte me shërbim në Bullgari.

Dinjitozë mbetën deri sa mbyllën sytë, duke lënë mbas emrat e tyre, që i bëjnë nder jo thjesht fisit, por mbarë Myzeqesë.


Historiani i shquar myzeqar, Kliti Nushi

Një nga djemtë e Jani Nushit ka qënë Kliti, që do të ishte ndër universitarët e parë të rrethit të Lushnjes. I lindur në fshatin Mazhaj, ai do të shërbente si punonjës, por edhe si kuadër i Arsimit në rrethet Tropojë, Berat e Lushnje. Ka punuar nga mësues i thjeshtë, deri shef i Seksionit të Arsimit në rrethin e Lushnjes.

Si redaktor i librave të tij historik, i pata shkuar disa herë në shtëpi në Lushnje. Ndërsa ndodhesha para tij, diçka e brendshme më ngacmonte shpirtin. Ndihesha tepër i vogël para atij njëriu aq shumë të përkushtuar.

– Çfarë kërkoni?! – i drejtohesha teksa e shikoja që lëvizte nëpër dhomë me një lupë të madhe në dorë.

– Këtu pata vendosur ca materiale që i pata pas nxjerrë dikur nga Arkiva e Shtetit në Tiranë…

Dhe vazhdonte të kërkonte.

Ja, kështu, me një pasion të jashtëzakonshëm, bashkuar me një stërmundim të madh për shkak të shikimit të kufizuar, Kliti arriti të botojë tre vëllime me material interesant historik, titulluar “Myzeqarë që i përkasin historisë”, sikurse botoi edhe monografinë kushtuar klerikut të shquar Papa Ilia Zegali – Dëshmor i Atdheut, si dhe një libër voluminoz: “Liria e ka emrin grua”, kushtuar grave e vajzave antifashiste myzeqare.

Kur mësova, se Klitit i qe dhënë titulli “Qytetar Nderi i Lushnjes” ndjeva një ngazëllim të veçantë: ishte shpërblyer një njëri që i ka bërë vërtet nder Lushnjes dhe tërë Myzeqesë.


Mbas një letre përgëzuese të Enver Hoxhës

Më 28 prill të vitit 1971 Enver Hoxha i dërgon një letër shumë të ngrohtë Jani Nushit. Mes të tjerave ai i shkruan, se “Në faqet e revistës “Studime filologjike” herë mbas here kam kënduar me interes materiale leksiko – frazeologjike të mbledhura nga goja e popullit prej gjemtuesve të pasionuar, në radhët e të cilëve bën pjesë edhe ti…”. Ndërsa në fund të kësaj letre thuhej: “Dëshiroj me këtë rast të uroj shëndet e punë të mbarë për të përpunuar gjithë materialin e grumbulluar…”.

Mbas kësaj letre, edhe pse i moshuar dhe me shëndet jo të mirë, Jani Nushi iu përvesh punës shkencore. Në ndihmë i erdhi djali i vogël, Ptolemeu, si dhe bashkëshortja e këtij të fundit – Tefta. Dhe nuk vonuan të botojnë disa vëllime me leksikë nga Myzeqeja dhe me këngë e rite popullore po nga kjo krahinë.

Jani Nushi ka vite që është ndarë nga jeta, por materialet e tij të lëna në dorëshkrim vazhdojnë të përpunohen nga Ptolemeu.


Ditët e fundit njëri nga djemtë e Jani Nushit – Petroja, ish kuadër i lartë në organet shtetërore të para vitit 1990, nxjerrë nga shtypi një libër shumë interesant me materiale nga saga e Nushajve të Mazhajt.

– Është një libër që u kushtohet familjes dhe fisit tonë, – na thotë Petroja.

Dhe shton:

– Fisi ynë ka pasur mësues në pesë breza, filluar nga stërgjyshi – Llazari, gjyshi – Thanasi dhe deri te djali im – Ferdinanti.


17 shtator 2018