Content deleted Content added
Zeke (diskuto | kontribute)
New page: {{Koka|Shqiptarët|Shqiptarët/3|PËRPJEKJET PËR LIRI|Shqiptarët/5}} :Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij dhe në qoftë se Shqiptarët janë :mërzitur e...
 
(Pa ndryshime)

Versioni aktual i datës 14 qershor 2007 17:21

Shqiptarët
< PËRPJEKJET PËR LIRI >
Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij dhe në qoftë se Shqiptarët janë
mërzitur e lodhur nga zgjedha turke dhe qeverimi i keq i saj dhe dëshirojnë me qenë të
pavarur, kanë urimet e mia më të përzemërta për ta. Është e vërtetë që drejtpërsëdrejti
nuk mund të bëj kurrgjë për ta, por kur plani i juaj ka dalë me të vërtetë fitues, flamuri
turk të jetë zhdukur dhe pavarësia Shqiptare të jetë shpallur, le të deklarohet qeveria juaj
zyrtarisht dhe Anglia do të jetë e para fuqi që do njohë pavarësinë Shqiptare. Unë do të
mundohem me gjithë shpirt me ndikuar edhe mbi të tjerët që të ndjekin këtë shembull.
Gladstone, Kryeministër i Britanisë, 1880
Për sa përmban historia e re, kjo është fjala më e mirë për Shqipërinë e dalur nga një burim zyrtar. Kjo kishte të paktën shpirtin e simpatisë dhe në qoftë se Kryeministri i tanishëm i Anglisë thotë kaq e jo më tepër për formimin e një qeverie të perkohshme në Shqipëri do të jetë një punë e lehtë për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Kur kam folur për robërinë e Shqiptarëve nën Turqi, nuk kam patur në mendje mizori, tortura, vrasje dhe therje. Këto veprime bien mbi persona të veçuar të cilët vuajnë, vdesin dhe harrohen. Shkenca e torturës, thelbi i tiranisë dhe djallëzia e vrasjes janë në kulmin e tyre kur i drejtohen një grupi dhe shpirtit e jetës së një shteti. Duket si e pamundur që një qeveri të tregojë haptazi vendimin e vet për të shkatërruar lumtërinë e për të mohuar shpresat dhe dëshirat e një populli nën sundim. Por kjo është historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri. Malësorët trima nuk u shtruan kurrë dhe shumica e tyre kundërshtuan edhe pagesen e taksave. Ata vdisnin në grupe pse rrinin së bashku për t’u mbrojtur nga mësymjet e herë pas herëshme të ushtrive turke, të cilave kurrë s’ia lëshuan shtëpitë e tyre. Por ata nuk mund të rnbronin edhe fushat ku ishte mundësia më e madhe e përparimit dhe qytetërimit. Për Turqinë, fushat kishin dy vlera: e para si burim të ardhurash dhe e dyta për të mbledhur ushtarë. Popullit i vinin taksa të mëdha që i mblidhnin pa mëshirë. Taksat dërgoheshin në Turqi dhe shumë pak shpenzoheshin në vend. Në këtë mënyrë e ropi Turqia pasurinë e vendit. San Xhuliano, tani vonë ministër i jashtëm i Italisë, thotë se qyteti i Vlorës paguante 1’000’000 franga në vit dhe vetëm 20’000 shpenzoheshin aty. Gjithashtu edhe në Vilajetin e Janinës mblidheshin 9’000’000 franga, prej tq cilave vetqm 2’000’000 shpenzoheshin për atë vilajet.
Mbledhja e ushtarëve
Por e ardhura tjetër ishte edhe më e vlefshme. Shqipëria nxirrte pothuaj ushtarët më trima në Europë. Malësorët Shqiptarë të lartë, të fortë e të pafrikshëm, përbënin gardën e Sulltanit. Mirditasit dhe malësorët përgjithsisht viheshin në pjesët më me rëndesi të ushtrive turke. Shumë prej tyre morën lavdërime dhe pozita të larta si në ushtri ashtu edhe në administratë. Edhe në ditët e Romës pat qenë ideja për ta bërë Shqipërinë një fole për rritje dhe nxjerrje luftëtarësh, por Turqit e përmbushën këtë ide. Duhet shënuar se po të ishte Shqipëria e përparuar, e edukuar dhe e lumtur, nuk do t’i jepte ushtarë Turqisë. Për këtë arsye padituria, veçimi i saj nga bota e përparuar dhe varfëria u zgjodhën prej turqëve si vegla për të mbajtur nën thembër këtë popull trim.
Coptimi i vendit
Siç duket, ishte vendosur në çdo fuqi mendore zhvleftësimi moral, intelektual, shpirtëror, ekonomik dhe politik i këtij populli. Zyrtarët që të gjithë ishin të pasjellshëm; të ashtëqujturat salla të drejtësisë, gjyqet, nuk mbronin as persona as pasuri. Njerëzit viheshin në burg me dëshmira të fshehta. Gjithë lëvizjet për bashkim prisheshin nga nëpunësit e pashpirt dhe gjithë masat për punë e industri pengoheshin nga tagrambledhësit. Mund të thuhet se këto janë kondita edhe në vende të tjera të nënurdhëruara, por jo kaq sistematikisht. Miniera ari patën qenë punuar prej Romakëve e argjendi prej venedikasve. Këto patën qenë mbyllur shumë kohë përpara me urdhër qeveritar dhe tani as vendi nuk u dihet. Pyje të mëdha shkonin më kot dhe kalbeshin për arsyera ligjore dhe transportimi. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës ka një endje të madhe hekurudhash, ky vend nuk ka asnjë rrugë hekuri prej Veriu në Jug. Fuqira të mëdha ujrash nuk përdoren; porte shumë të mirë janë pa mbrojtje dhe pa ndërtesa doganore. Lumenj, nëër të cilët duhej të lundronin avullore me transportuar lëndët e pyjeve në tregjet botëore, janë të vdekur e të padobishëm. Përveç ç’ka lanë Romakët, rrugë të tjera nuk ka; një njeri për të shëtitur prej bregut në brendinë e vendit ose prej një qyteti në tjetrin, duhet të shkojë mbas gjurmave ose nëpër ndonjë rrugë qorre. Portet e sigurtë dhe hekurudhat do të ishin mjete për të bashkuar Shqipërinë me botën e jashtme dhe rrugët e gjëra do ta bënin të lehtë kalimin prej një qyteti në tjetrin. Por ndërlidhje të tilla do t’i kujtonin popullit dobinë e qytetërimit dhe do të bëheshin shkak kundërshtimesh dhe kryengritjesh. Parimi i mallkuar për të mbajtur këtë vend të veçuar, si brenda me njëri-tjetrin ashtu dhe me botën e jashtme, ishte shkak që e la këtë vend të verbët e të errët, ndërsa nëpunësit e Turqisë mbushën botën e jashtme me propaganda mbi egërsinë e këtij populli dhe rreziqet e udhëtimit në këtë vend. Por historitë dhe shënimet nuk tregojnë për ndonjë të huaj që u gjend ndonjë herë në rrezik në tokën Shqiptare; doemos ata që nuk prunë me vehte ndonjë komplot ose tjetër qëllim të keq për popullin. Përgjithësisht çmohet mikpritja e Shqiptarëve prej atyre të huajve sa më tepër që ata e vizituan këtë vend me qëllim miqsor. Në këtë tokë me fjalën qytet quajmë një vend që nuk ka më shumë se 40’000 banorë.
Një tokë e begatë
Në Shqipëri ka fusha të mëdha dhe pjellore të cilat mund të ushqenin miliona, por tani ato vetëm gërricen me një parmendë druri e nuk punohen. Shumica e tyre janë të mbuluara me barishte të padobishme ku kullos bagëtia e dobët e vendit. Minierat janë të pagërmuara e të paditura. Ata më me dituri në mineralogji thonë se toka Shqiptare ka qymyr guri, vajguri, hekur, asfalt e bakër, por zbulimi dhe shfrytëzimi i tyre nuk është lejuar kurrë. Prodhimi i të lashtave, misrit, ullijve, pemëve e vreshtave, po të përpunoheshin do të ishte shumë i madh, ndërsa peshku nuk ka të sosur. I shkreti bujk, me që të shumtën e veglave si dhe kaun me nga tokën shpesh herë i merrte me qera nga se do të paguante medoemos e me çdo sakrificë taksat e rënda, edhe pse vetvetiu i varfër nga rrjedhat e kohëve, ndalëngadalë la punimin e tokës që nën një punim të mirë mund të nxirrte miliona e u vu të ruajë ato pak bagëti që pati dhe toka pjellore u la pothuaj krejtësisht si vend kullotë. Por edhe bagëtia e tij është në një gjendje shumë të keqe; leshi nga ashpërsia e tij ka një vlerë shumë të pakët dhe raca e bagëtisë se tij nuk është përtërirë kurrë. Sasia e madhe e lëkurëve shkon më kot për pamundësinë e transportit dhe për padijen e përgatitjes së tyre. Pa shikoni! Sa keq! Në mes të Europës një tokë e pasur, një tokë pjellore të ndodhet në këtë gjendjë si me qenë në mes të një shkretëtire!
Parimi i zhvleftësimit
Shqipëria ka plot gojëdhana të së kaluarës por turqit nuk lejonin gërmime, gjë që mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë. Mësimi i gjuhës Shqipe ishte krejt i ndaluar në çfardo shkolle. Sot nuk ka ndonje alfabet të caktuar, s’ka shtypshkronja që të shtypin gazeta dhe libra për këtë popull. Rregullat turke arrestonin dhe internonin ata të cilëve u gjenin qoftë edhe në postë libra të çdo lloji në gjuhën Shqipe. Gjuha e Shqiptarve duhej të heshte për hir të sunduesit. Që mos me u dhënë raste për bashkim për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e tyre, turqit ndiznin dhe shtonin çdo ditë e më tepër armiqësinë në mes familjeve, lagjeve, katundeve dhe besimeve të ndryshme. Fanatizma dhe shpërblimet që merrnin kryetarët e vendit kanë qenë helmi më i fortë për të mëkëmbë çdo të keqe dhe kanë rënduar zgjedhën e kanë penguar përparimin. Djali katundar i lindur në Shqipëri u rrit krejt i paditur për arsye se Turqia lejoi të hapen shumë pak shkolla në gjuhën e saj, përveç atyre të huaja; kështu që mos të zgjohej mendja, shpresa dhe ambicja e të riut Shqiptar. Babai i shkretë, i mbytur në varfërinë e tij, mund t’i jepte djalit të vet vetëm një rrugë jashtë shtetit duke e dërguar në Stamboll ku medoemos do t’i përshtatej jetës ushtarake, do të gufosesh nën një uniformë me xhufka dhe do të ushqehesh nga kazani i mbretit. Megjithatë kurrë nuk e pa të arsyeshme sundimtari turk zgjimin e djalit Shqiptar.
Europa përkrah sundimin turk
Diplomacia e Europës e ka njohur gjithmonë karakterin e keq të sundimit turk. Për turp të kësaj diplomacie i është thënë kjo e vërtetë në shesh, por gjithë këtyre protestave fuqitë e mëdha i janë përgjegjur: “Shqiptarët janë një racë e egër”. Asnjë njeri në Europë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën Shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Me një penë të fortë ky zotni e ka hartuar kulmin e mizorisë me të cilën sundimi turk poshtëroi dhe shkretoi një popull, për trimërinë dhe kapacitetin e të cilit ky shkrimtar ka një respekt. Por, sikurse e thotë edhe vete, nga pozita diplomatike që kish iu desh me i mohuar të drejtat e Shqiptarëve me këto fjalë: “Prandaj Italia interesohet me e lënë të paprekur nderin e Sulltanit në Shqipëri nga çdo pikpamje; përkundrazi, me sa të jetë e mundur do ta mëkëmbë edhe më dhe do të ndalojë çdo gjë që mund të shkaktojë zhdukjen e sundimit të tij ose që mund të shkaktojë kondita të cilat, herët a vonë, mund të bëhen shkak për ndërhyrje të huaj ose për shqetësim të përgjithshëm”. Me këtë shpirt i dënoi Europa shqiptarët me robërinë e ndyrë dhe veçimin e tyre nga bota e jashtme, me shtypjen e pasurisë dhe të industrisë së tyre, me paditurinë që e mëkëmbi çdo ditë, me fanatizmin që futi në mes tyre, me varfërinë dhe me shtypjen e ndjenjave të tyre.
Mundime për liri
Nuk do ta përshkruaj historinë e gjatë se si Shqiptarët me lidhjet, kongreset dhe kryengritjet në çdo formë janë munduar me zhdukur robërinë e tyre. Mjafton që Turqia gjatë shekujve e njohu pazotësinë e saj dhe pamundësinë për të shkelur Malësorët. Asnjë këmbë ushtari turk nuk guxoi të hyjë në brendinë e maleve. Biles, një herë kur Sulltani desh të mësynte Malin e Zi, më parë mori leje nga malësorët e pastaj mundi të kalojë ushtria e tij. Asnjë herë nuk doli fituese Europa në planet e saja që me anë traktatesh e lidhjesh është munduar ta fshije emrin e këtij populli nga radha e popujve. Shqipëria nuk e njohu traktatin e Berlinit dhe tani po kundërshton edhe marrëveshjen e Londrës. Pikërisht në këtë kohë që po e shkruaj këtë libër, Italia ka zënë qytetet e bregut Durrësin e Vlorën, për të vetmen arsye që të gjejë popullin me armë në dorë dhe i cili patjeter do ta kundershtojë shkeljen e tyre. Mbetet për të parë në qofte se imperializmi, militarizmi dhe detaria, gjëra që e kanë prurë Europën në dhëmbin e vdekjes, do ta ruajnë këtë apo jo nga dënimi për mëkatet që ka bërë. Në qoftë se gjykimi i drejtë i njerëzisë do të sjelli një jetë të re të përgjithshme, paqe e vllazërime, duhet të hedhë poshtë e të zhdukë edhe diplomacinë e fshehtë që ka qenë dhuna dhe urrejtja e përgjithshme që ka sjellë gjithë mizoritë e sotme. Është kjo lloj diplomacie që e mbajti Shqipërinë me shekuj nën sundimin e ndyrë të Turqisë, e mbyti në varfëri, i mbylli dritën e qytetërimit dhe në gjithë rrugët që të çonin për në këtë vend vunë shenjën: “Është e rrezikshme - rrini larg”. Më në fund, kur qe thyer zgjedha turke vetë Europa iu vu punës në këtë vend duke qethur nga kjo tokë pjesët gati më me rëndësi dhe mbi copën që mbeti mori përsipër me krijuar një qeveri aq despotike në karakterin e saj saqë as qeveria e Stambollit nuk e kish paraparë kurrë. Në vend që me iu dhanë ndonjë farë sigurimi për liri e një statut Shqiptarëve, Europa pruri një princ, një komision ndërkombetar dhe një organizatë të huaj xhandarmërie për të sunduar Shqipërinë, si duket pa e menduar aspak që edhe ky popull duhet të ketë një zë në qeverinë e tij. Kjo qe haptazi një tirani absolute.
Një komb atdhetdashës
Malsorët trima u pergjigjën menjëherë. Pikërisht si zëri që ushtoi nëpër shpatet e maleve të Zvicrës në veshët e Hapsburgëve, edhe zhurma e burisë së tyre mbërriti deri në muret e sallave të Uestminsterit të Londrës. Populli trim i Shqipërisë nuk u tmerrua nga fuqia Europiane. Ata që kishin luftuar një tirani do të luftonin edhe një tjeter. Ata kishin vënë para fjalën DREJTESI dhe për çdo marrëveshtje që thirreshin me bërë, përgjigjeshin: “Dëboni një herë princin tuaj”. Prej Epiri e deri në thellësinë e maleve të Veriut u zgjua një kundërshtim ndaj princit. Nga kjo gjë agjentët e Europës dridheshin në portin e Durrësit dhe më në fund e lanë tokën Shqiptare. Këto atdhetare nuk priheshin nga diplomatë dinakë ose të tërhiqeshin nga hnda prej ministrash a parlamentarësh. Ata ishin vetëm njerëz të lirë që luftonin për lirinë e tyre dhe të cilët duhet të priten nga Amerikanët në tempullin e patriotëve.
Amerika nuk e din
Por Amerika rri në heshtje. A nuk ka vapore me kryqzuar detërat për të shpëtuar barinjtë, emigrantët e Vlorës? Asnjë shtet nuk u mundua me iu ardhur në ndihmë në vuajtjet e rënda këtyre viktimave të diplomacisë së padrejtë të Europës. Populli i Shteteve të Bashkuara nuk e di faktin që unë po i shkruaj këto fletë vetëm për t’i parashtruar këtyre ndodhinë e dhimshme të Shqiptarëve trima, të cilët lypin lirinë e tyre, të fëmijve dhe të nipërve të tyre. Mundet që unë jam gabim duke vënë mëshirën dhe bamirësinë më në fund, mirëpo tirania ka luajtur një rol të tmerrshëm mbi këtë popull, edhe pse pak mijra njerëz duke lutur hyjnitë nëpër shpatet e maleve të tyre nuk numërojnë mjaft. Ajo që numëron më teper është nëse duhet të ketë apo jo ky popull lirinë dhe shpëtimin e vet të brezave të ardhshëm.

< 3
faqe
- 4 -

5 >