Ilirët/Faqe 32: Dallime mes rishikimesh

Content deleted Content added
No edit summary
No edit summary
 
Rreshti 5:
 
''Nga fundi i shek.V dhe sidomos gjatë shek. IV p.e.sonë, në Epir vihet re një zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë në të gjitha degët e saj: në bujqësi, blegtori, e sidomos në zejtari; zhvillohet prodhimi i mallrave, zgjerohen lidhjet tregtare etj. Në Epir shfaqet tani një faktor shumë i rëndësishëm që luan një rol të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm, ky është qyteti epirot. Kështu në fundin e shek. V dhe në gjysmën e parë të shek. IV, sipas të dhënave burimore historike dhe arkeologjike, lindin qytetet Kasope, në krahinën e Kasopisë në skajin jugperëndimor të Epirit dhe Elea afër Velianit në krahinën Eleatis të Thesprotisë. Në Epirin Qendror lindin qytetet Passaron (Gardhiqi), kryeqendra tradicionale e shtetit të molosëve dhe qyteti i Kastrisë që identifikohet me Euremenin ose Tekmonin antik. Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë urbanizimi në Epir mori përpjesëtime më të mëdha dhe rritet akoma më shumë pesha e tij në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Lindin qytete të reja, midis të cilave në Thesproti, Elina (Dymokastro), Kutçi dhe Gitana (Gumani) që sipas Tit-Livit, duhet të ishte qendra kryesore e Koinonit të thesprotëve; në Kaoni, Teqeja e Melanit, Himara, Foinike (Finiqi), që ishte qyteti më i madh dhe më i fortë i Kaonisë dhe kryeqendra e saj. Qytetet e Epirit, ashtu sikurse dhe ato të Ilirisë, ishin të fortifikuara me mure të fuqishme prej blloqesh shumëkëndëshe ose të ndërthurura me teknikë muraturash trapezoidale apo kuadratike sipas kushteve të veçanta të terrenit ose të guroreve. Për përforcimin e mureve ngriheshin kulla në vendet më të atakueshme nga armiku. Në sistemet më të hershme fortifikuese këto kulla mungonin ose ishin dukuri të rralla. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. IV, ato hynë në përdorim të gjerë si një komponent i nevojshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të teknikës luftarake. Mënyra antike e prodhimit i dha një hov të menjëhershëm prodhimit zejtar dhe sidomos atyre degëve që lidheshin me ndërtimet. Brenda mureve mbrojtëse të këtyre qyteteve kishte muratorë, gurskalitës, farkëtarë, poçarë, tjegullabërës, arkitektë etj. Zhvillimi i degëve të ndryshme të zejtarisë dhe shtimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nxitën dhe më tej zgjerimin e tregtisë brendapërbrenda, me kolonitë helene të bregut të Jonit dhe sidomos me krahinat fqinje mesdhetare. Kjo e fundit zhvillohej më tepër përmes trafikut detar, të përcaktuar nga vetë pozicioni i favorshëm bregdetar i krahinave, megjithëse funksiononin në këtë drejtim dhe rrugët tokësore. Në qoftë se deri në shek. V p.e.sonë Epiri lidhjet ekonomike i mbante kryesisht me Korinthin dhe kolonitë e tij në brigjet e Jonit, nga fundi i këtij shekulli ai filloi të orientohet edhe nga Athina. Tani janë mallrat e prodhimit atik, ata që mbizotërojnë në tregjet e Epirit. Prej këtej Athina si këmbim tërhiqte prodhime bujqësore e sidomos blegtorale, lëkura, lëndë druri etj., për të cilat ajo kishte gjithnjë nevojë. Në zhvillimin e tregtisë detare rol të veçantë luanin edhe portet detare në brigjet e Kaonisë, si Onkesmi, Himara, Butrinti etj. Zgjerimi dhe intensifikimi i tregtisë çoi nga ana e vet në shtimin progresiv të prodhimit të mallrave, bëri të nevojshme lindjen dhe qarkullimin e monedhës autonome. Në fillim ishte Lidhja e Molosëve ajo që hedh e para në treg monedhën e vet (rreth viteve 400 p.e.sonë). Këto ishin monedha kryesisht prej bronzi, megjithëse pati në këtë kohë edhe prerje jetëshkurtër dhe të kufizuar monedhash prej argjendi. Më vonë filluan të presin monedha edhe qytete të veçanta dhe në fund të shek. IV edhe shteti federativ i epirotëve.''
{{FaqeIlirëtFaqe|31|32|33}}