Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Liritë dhe të drejtat themelore: Dallime mes rishikimesh

Content deleted Content added
Puntori (diskuto | kontribute)
No edit summary
 
Puntori (diskuto | kontribute)
No edit summary
 
Rreshti 1:
'''Neni 27'''
 
:Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut e të shtetasit janë vlerë themelore e rendit kushtetues të Kosovës.
:Përveç lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë, njerëzit në Kosovë i gëzojnë edhe të gjitha të drejtat e pranuara në të drejtën ndërkombëtare.
 
'''Neni 28'''
 
:Organet e pushtetit në Kosovë, në përmbushjen e detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e të shtetasit dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
 
'''Neni 29'''
 
:Të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen në frymën vëllazërore ndaj njëri-tjetrit.
 
'''Neni 30'''
 
:Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit.
:Njerëzit janë të barabartë në të drejta dhe detyra dhe gëzojnë mbrojtje të njëjtë para organeve shtetërore dhe organeve të tjera, pa dallim kombësie, etnie, race, gjinie, gjuhe, feje, bindjeje politike dhe bindjeje tjetër, arsimi, prejardhjeje sociale, gjendjeje materiale ose vetie tjetër personale.
 
'''Neni 31'''
 
:Jeta e njeriut është e pacenueshme dhe mbrohet me ligj.
:Dënimi me vdekje mund të parashikohet me ligj vetëm nën kushtet dhe rastet e përcaktuara me dispozitat e Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
 
'''Neni 32'''
 
:Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
 
'''Neni 33'''
 
:Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të ndonjë shërbimi që rrjedhë nga gjendja e luftës, nga gjendja e jashtëzakonshme ose nga fatkeqësia natyrore, që kërcënon jetën dhe shëndetin e njerëzve.
 
'''Neni 34'''
 
:Liria e njeriut është e pacenueshme.
:Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe procedurën e parashikuar me ligj, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente.
:Heqja e kundërligjshme e lirisë dënohet.
 
'''Neni 35'''
 
:Liria e njeriut nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme:
:1) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
:2) për moszbatimin e urdhërave të ligjshme të gjykatës ose për moszbatim të ndonjë detyrimi të caktuar me ligj;
:3) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
:4) kur njeriu është përhapës i ndonjë sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë;
:5) për hyrje të paligjshme në kufirin e Kosovës, si dhe në rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
 
'''Neni 36'''
 
:Njeriu, të cilit i hiqet liria, duhet të njoftohet menjëherë, në gjuhën që ai e kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që bëhet. Njeriu, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet se nuk është i detyruar të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t'i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.
:Njeriu, të cilit i është hequr liria sipas nenit 35, alinea 1, pika 3, duhet të dërgohet brenda 48 (alternativa: 24) orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 (alternativa: 24) orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim.
:Njeriu i paraburgosur ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai duhet të gjykohet brenda afatit të arsyeshëm ose të procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit. Paraburgimi sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë mund të zgjasë më së shumti tre muaj nga dita e vënies në paraburgim. Ky afat me vendim të Gjykatës Supreme mund të zgjatet edhe tre muaj. Në qoftë se deri në kalimin e këtyre afateve nuk ngritet padia, i paraburgosuri lirohet.
:Në të gjitha rastet e tjera, njeriu të cilit i hiqet liria në mënyrë jashtëgjyqësore, mund t'i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 (alternativa: 24) orëve për ligjshmërinë e kësaj mase.
 
'''Neni 37'''
 
:Askujt nuk mund t'i hiqet liria vetëm për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.
 
'''Neni 38'''
 
:Çdo person të cilit i është hequr liria ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij.
 
 
 
'''Neni 39'''
 
:Askush nuk mund të akuzohet ose të shpallet fajtor për vepër penale e cila, në kohën e kryerjes së saj, nuk ka qenë e parashikuar me ligj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare.
:Askush nuk mund të konsiderohet fajtor për vepër penale përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.
:Askush nuk mund të dënohet me dënim më të rëndë se ai që ka qenë parashikuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës penale.
:Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.
 
'''Neni 40'''
 
:Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
 
'''Neni 41'''
 
:Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetëvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij.
:Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.
 
'''Neni 42'''
 
:Secili ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet.
:Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë.
 
'''Neni 43'''
 
:Secilit i garantohet e drejta për mbrojtje para gjykatës.
:Askush që nxirret para gjykatës ose organit tjetër kompetent për zhvillimin e procedurës, nuk mund të dënohet në qoftë se sipas ligjit nuk është marrë në pyetje ose nuk i është dhënë mundësia që të mbrohet.
:I pandehuri ka të drejtë të marrë mbrojtësin të cilit, në pajtim me ligjin, i bëhet e mundur mbrojtja dhe sigurimi i të drejtave dhe interesave të të pandehurit.
:Me ligj përcaktohet se në cilat raste i pandehuri medoemos duhet të ketë mbrojtësin ligjor të zgjedhur prej tij, ose duhet t'i sigurohet mbrojtja falas kur nuk ka mjete të mjaftueshme.
 
'''Neni 44'''
 
:Garantohet respektimi i personalitetit të njeriut dhe i dinjitetit njerëzor në procedurën penale dhe në çdo procedurë tjetër, në rast heqjeje, respektivisht kufizimi të lirisë, si dhe gjatë kohës së ekzekutimit të dënimit.
:Garantohet pacenueshmëria e integritetit të personalitetit të njeriut, të jetës personale dhe familjare, si dhe të drejtat e tjera personale.
:Ndalohet dhe është i dënueshëm çdo detyrim për të pranuar dhe për t'u deklaruar.
:Ndalohet që, ndaj ndokujt, pa lejen e tij, të bëhen eksperimente mjekësore ose eksperimente të tjera shkencore.
 
 
'''Neni 45'''
 
:Secili ka të drejtë për mbrojtjen e barabartë të të drejtave të veta në çdo procedurë.
:Secili ka të drejtën e ankesës ose në mjete të tjera juridike kundër akteve të veçanta juridike të nxjerra në procedurën në shkallën e parë para gjykatës, organit të administratës ose organizatës ose institucioneve të tjera që ushtrojnë autorizime publike.
 
'''Neni 46'''
 
:Secili ka të drejtë të rehabilitohet ose të zhdëmtohet, në pajtim me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të aktit, veprimit ose mosveprimit të paligjshëm të organeve shtetërore.
 
'''Neni 47'''
 
:Garantohet liria e shprehjes së mendimit.
 
'''Neni 48'''
 
:Garantohet liria e të folurit, e paraqitjes publike dhe informimit publik.
:Garantohet e drejta e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik, në mënyrë të parashikuar me ligj.
:Garantohet qasja e lirë ndaj informatave, liria e pranimit dhe bartjes së informatave.
:Garantohet e drejta e përgjegjes në mjetet e informimit publik.
:Garantohet e drejta e përmirësimit në mjetet e informimit publik.
:Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik.
:Censura është e ndaluar.
 
'''Neni 49'''
 
:Garantohet liria dhe fshehtësia e korrespondencës dhe çdo mjeti tjetër të komunikimit.
 
'''Neni 50'''
 
:Garantohet siguria dhe fshehtësia e të dhënave personale.
:Askush nuk mund të detyrohet, përveçse në rastet e parashikuara me ligj, të bëjë publike të dhëna që kanë të bëjnë me personalitetin e tij.
:Secilit i garantohet mbrojtja nga shkelja e integritetit personal që rrjedhë nga regjistrimi i informatave për të me anë të përpunimit të të dhënave.
 
'''Neni 51'''
 
:Garantohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë.
:Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve fetare.
:Askush nuk mund të ndalohet ose të detyrohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.
:Të gjitha bashkësitë fetare dhe grupet religjioze janë të barabarta para ligjit.
:Askush nuk mund të nxjerrë kurrfarë ligji për institucionalizimin e fesë shtetërore.
:Pozita e bashkësive fetare, marrëdhëniet midis tyre, si dhe marrëdhëniet e tyre me shtetin rregullohen me ligj.
 
'''Neni 52'''
 
:Garantohet paprekshmëria e banesës.
:Kontrolli i banesës, si dhe i lokaleve që njësohen me të, mund të bëhet vetëm në rastet dhe në mënyrën e parashikuar me ligj.
:Askujt nuk mund t'i bëhet kontrolli personal jashtë procedurës penale, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e Kosovës dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar rrezikun që i kanoset rendit publik.
 
'''Neni 53'''
 
:Garantohet liria e qarkullimit dhe e banimit.
:Çdo shtetas ka të drejtë të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të Kosovës dhe lirisht të zgjedhë vendin e banimit.
:Çdo shtetas ka të drejtë ta lëshojë territorin e Kosovës dhe të kthehet në Kosovë.
 
'''Neni 54'''
 
:Garantohet e drejta e privatësisë së jetës personale dhe familjare, e dinjitetit dhe autoritetit të çdo qytetari.
 
'''Neni 55'''
 
:Shtetasi i Kosovës në botën e jashtme gëzon mbrojtje diplomtike e juridike.
:Shtetasi i Kosovës nuk mund të zhvishet nga shtetësia ose të dëbohet nga territori i Kosovës, e as të ekstradohet.
:Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht me marrëveshjet ndërkombëtare dhe vetëm me vendim gjyqësor.
 
'''Neni 56'''
 
:Të huajt në Kosovë i gëzojnë liritë dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, nën kushtet e caktuara me ligj dhe me marrëveshje ndërkombëtare.
:Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve. Dëbimi i individëve të huaj lejohet vetëm në kushtet e përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje ndërkombëtare.
:Shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, të cilët ndiqen për shkak të bindjeve e veprimeve politike demokratike, për shkak të angazhimit për çlirimin nacional, për lirinë dhe të drejtat e personalitetit të njeriut ose për lirinë e krijimit shkencor e artistik u garantohet e drejta e strehimit.
 
'''Neni 57'''
 
:Secilit i garantohet liria e shprehjes së përkatësisë kombëtare e etnike dhe liria e shprehjes dhe kultivimit të kulturës kombëtare e etnike.
:Askush nuk është i detyruar të deklarohet se cilës përkatësi kombëtare ose etnike i takon, as të përcaktohet që t'i takojë kombit, respektivisht pakicës kombëtare ose grupit etnik të caktuar.
:Është kundërkushtetues dhe dënohet çdo propagim ose zbatim i pabarazisë kombëtare dhe etnike dhe çfarëdo forme e mbjelljes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar e etnik, racial ose fetar, çdo formë e mohimit të historisë, gjuhës, kulturës dhe vlerave të tjera kombëtare dhe etnike.
 
 
 
'''Neni 58'''
 
:Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet, deri në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet.
:Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht.
:Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur.
:Vota është personale, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë.
 
'''Neni 59'''
 
:Njerëzve u garantohet liria e bashkimit me qëllim të realizimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të drejtave dhe bindjeve të tjera.
:Njerëzit mund të themelojnë lirisht parti politike dhe shoqata civile, t'u bashkohen atyre dhe prej tyre të largohen.
:Regjistrimi në gjykatë i partive politike dhe i shoqatave bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj.
:Partitë politike, organizatat dhe shoqatat, programet dhe veprimtaria e të cilave nxitin e përkrahin urrejtjen nacionale, etnike, racore ose fetare, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në praktikën shtetërore, si dhe ato me karakter të fshehtë, ndalohen me ligj.
:Burimet financiare të partive politike, si dhe shpenzimet e tyre, duhet të jenë publike.
 
'''Neni 60'''
 
:Garantohet liria e tubimit publik.
:Njerëzit kanë të drejtë që në mënyrë të qetë dhe pa armë të tubohen dhe në mënyrë paqësore të shprehin protestë publike pa paralajmërim dhe pa leje të veçantë.
:Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurës së parashikuar me ligj.
:Shfrytëzimi i kësaj të drejte mund të kufizohet vetëm në kushtet e luftës dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.
 
'''Neni 61'''
 
:Çdo shtetas ka të drejtë të marrë pjesë në ushtrimin e funksioneve publike.
 
'''Neni 62'''
 
:Çdo njeri, vetë ose së bashku me të tjerët, mund t'i drejtojë kërkesa, ankesa, peticione ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara t'i përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.
:Askush nuk mund të thirret në përgjegjësi, as të pësojë pasoja për qëndrimet e paraqitura në ankesa, kërkesa apo peticione, përveç nëse me to ka kryer vepër penale.
 
'''Neni 63'''
 
:Garantohet e drejta e pronës dhe e trashëgimisë.
:Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe në çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar me ligj.
:Askush nuk mund të privohet arbitrarisht nga prona e tij e fituar në mënyrë të ligjshme dhe të drejtat të cilat rrjedhin prej saj.
:Me ligj mund të parashikohen shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike.
:Shpronësimi ose kufizimet e së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt kompensimit të drejtë, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tregut.
:Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e kompensimit vendos gjykata kompetente e caktuar me ligj.
 
'''Neni 64'''
 
:Personi i huaj në Kosovë mund të fitojë të drejtën e pronësisë nën kushtet e parashikuara me ligj.
 
'''Neni 65'''
 
:Secili ka të drejtën për punë, zgjedhjen e lirë të profesionit dhe të punës, kushte të favorshme të punës, mbrojtje në punë dhe në sigurimin material në rast papunësie të përkohshme.
:Secilit, nën kushte të barabarta, i është i ofrueshëm çdo vend pune.
:Ndalohet puna me dhunë.
:Çdo i punësuar ka të drejtë që për punë të njëjtë të merrë shpërblim të njëjtë.
:Çdo i punësuar ka të drejtë në shpërblim të drejtë dhe të favorshëm, në mënyrë që t'i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit njerëzor.
:Çdo i punësuar ka të drejtë në orar të kufizuar të punës dhe në pushim të paguar ditor, javor e vjetor.
:Çdo i punësuar ka të drejtë në pushim të paguar në rast të sëmundjes, të lindjes dhe lehonisë.
:Të punësuarit nuk mund të heqin dorë nga këto të drejta.
:Realizimi i të drejtave të të punësuarëve dhe pozita e tyre rregullohen me ligj dhe me marrëveshje kolektive.
 
'''Neni 66'''
 
:Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen në sindikata me qëllim të mbrojtjes dhe të realizimit të të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale.
 
'''Neni 67'''
 
:Garantohet e drejta e grevës.
:Me ligj mund të vendosen kufizime për realizimin e të drejtës së grevës për kategori të veçanta të të punësuarve me qëllim të sigurimit të shërbimeve të domosdoshme për shoqërinë.
 
'''Neni 68'''
 
:Njerëzit kanë të drejtë në siguri sociale dhe në sigurimin social në rast sëmundjeje, papunësie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë të tyre dhe të familjes së tyre, për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tyre, në mënyrën e parashikuar me ligj.
 
'''Neni 69'''
 
:Organet shtetërore të Kosovës kujdesen për mbrojtjen sociale dhe sigurimin social të njerëzve në pajtim me parimin e drejtësisë sociale.
:Organet shtetërore garantojnë të drejtën e ndihmës për të pafuqishmit dhe të paaftët për punë.
:Organet shtetërore u sigurojnë mbrojtje të veçantë invalidëve dhe kushte për inkuadrimin e tyre në jetën shoqërore.
:Organet shtetërore u garantojnë realizimin e të drejtës së pensionit të pensionuarve.
 
'''Neni 70'''
 
:Organet shtetërore u garantojnë të drejta të veçanta sociale luftëtarëve, invalidëve të luftës, të përndjekurve dhe të burgosurve politik, të retarduarve dhe bonjakëve, të cilët nuk kanë mundësi tjetër për ekzistencë materiale e sociale.
:Të drejtat e veçanta rregullohen me ligj.
 
'''Neni 71'''
 
:Secili gëzon të drejtën për kujdes shëndetësor nga organet shtetërore.
:Secili ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas Kushtetutës dhe procedurës së caktuar me ligj.
 
'''Neni 72'''
 
:Secili ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.
:Bashkëshortët janë të barabartë midis tyre në të drejta dhe përgjegjësi.
:Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtje të veçantë.
:Martesa dhe marrëdhëniet juridike në martesë e në familje rregullohen me ligj.
 
'''Neni 73'''
 
:Është e drejtë e njeriut që të vendosë lirisht për lindjen e fëmijës.
 
'''Neni 74'''
 
:Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja gëzojnë mbrojtje të veçantë.
:Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të drejta të barabarta me të lindurit nga martesa.
:Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën e zhvillimin e tij normal.
 
'''Neni 75'''
 
:Prindërit kanë të drejtë dhe detyrë të kujdesen për mbajtjen dhe edukimin e fëmijëve.
:Fëmijët janë të obliguar të kujdesen për prindërit pleq dhe të pafuqishëm.
:Fëmijët pa prindër dhe fëmijët pa kujdes prindëror gëzojnë mbrojtje të veçantë.
 
'''Neni 76'''
 
:Personi më i ri se pesëmbëdhjetë vjet të jetës nuk mund të punësohet.
:Personat e mitur dhe nënat kanë të drejtë në mbrojtje të posaçme në punë.
 
'''Neni 77'''
 
:Çdo njeri ka të drejtë për ambient të shëndoshë jetësor.
 
'''Neni 78'''
 
:Secili ka të drejtën për arsim.
:Arsimimi është i arritshëm për secilin nën kushte të barabarta.
:Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
:Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
:Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
 
'''Neni 79'''
 
:Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
:Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla private.
:Secili ka të drejtë të themelojë shkolla private të të gjitha niveleve. Themelimi dhe funksionimi i shkollave private rregullohet me ligj.
 
'''Neni 80'''
 
:Garantohet autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike.
:Kushtet për themelimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë rregullohen me ligj.
 
'''Neni 81'''
 
:Garantohet liria e veprimtarisë shkencore, artistike dhe e llojeve të tjera të krijimtarisë.
:Garantohet vënia në përdorim dhe përfitimi nga vënia në përdorim e arritjeve shkencore e artistike.
:E drejta e autorit mbrohet me ligj.
 
'''Neni 82'''
 
:Organet shtetërore nxitin, ndihmojnë dhe mbrojnë zhvillimin e shkencës, artit dhe kulturës. Ato nxisin dhe ndihmojnë zhvillimin shkencor e teknologjik, kulturën teknike, kulturën fizike dhe sportin.