Skënderbeu i Arbërisë, një hero dhe shembull për Evropën

Historiani dhe studiuesi Gjon Keka rrëfen ndikimin e Skënderbeut në Evropë. Sipas tij, edhe pse ka tendenca për të shtrembëruar figurën e heroit, historia e botës e ka vendosur në piedestal. Sipas tij, epoka e Skënderbeut është më e pasura

Nga Gjon Keka

Që nga Marin Barleti e deri në ditët tona Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vlerësuar si një figurë e shenjtë kombëtare, me rëndësi të madhe për vlerat, unitetin, vizionin, traditën dhe kulturën evropiane të kombit tonë. Në fakt Barleti, si nismëtar me jetëshkrimin e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun e ka hap botën e njohjes më mirë, të kronologjisë së periudhës Skënderbegiane, pastaj botën e tij të heroizmit, atdhedashurisë dhe të një liridashësi të zjarrtë të Arbërisë. Dhe me të drejtë Barleti në jetëshkrimin për Skënderbeun shihte figurën “që përfaqëson dhe mishëron, çdo gjë të lartë dhe të dashur të popullit të vet, vetit e tij më të ndritura, ëndrrat dhe dëshirat e tij, frymën dhe idealet e tij më të bukura, më të larta e më të plota. Prandaj pas vdekjes së tij, ai bëhet fuqia që mbanë gjallë mëmëdheun”, deri më sot. Në anën tjetër Gjergj Kastrioti si figurë emblematike e kombit, u përshkrua edhe nga bashkëkohësi tjetër i tij Dhimitër Frangu. Për Frangun, Gjergj Kastrioti nuk është vetëm figurë që shpalos karakterin e një kryetrimi, e një njeriu të urtë e të papërkulshëm, por edhe të një arbërori që i del zot atdheut të tij në ditët më të rënda, si dhe të një vizionari e lideri që di se si ta udhëheq urtësisht, jo vetëm luftën, por edhe shtetin e Arbrit, duke e bërë më të famshëm se Roma për kohën e tij. Emri i tij dhe i shtetit të Arbrit, më saktësisht i Arbërisë në atë kohë ishin shumë të popullarizuar, sepse nga viti i rikthimit të tij (nëntorin e vitit 1443) e deri në fund të jetës, emri i tij dhe i Arbërisë ishin ngritur si një yll që i orientonte popujt e kontinentit se si duhet ecur, se si duhet mbrojtur atdheu dhe ku duhet mbledhur forcat e unitetit të tyre. Shembulli i Kuvendit të Lezhës (2 Mars,1444) ishte ftesa historike dhe domethënëse, ishte shembulli konkret me të cilën ai dërgonte mesazhin tek kombet tjera të Evropës, për t’u bashkuar në luftën kundër pushtuesit otoman, i cili si një kancer shtrihej në trojet e Gadishullit Ilirik dhe në pjesët tjera të kontinentit Evropian. Gjergj Kastrioti e pa rrezikun e madh, por veshët dhe sytë për shumë princa e mbretër të kombeve evropiane ishin të mbyllura. Nëse shohim përmes gjithë historisë arbërore, nuk gjejmë asnjë epokë aq të pasur në brendësinë e saj se sa epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kështu edhe Frang Bardhi i jep edhe më shumë dritë historisë së jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit duke e mbrojt madje edhe nga shtrembëruesit dhe përvetësuesit e figurës së tij. Bardhi me dritën e dijes së tij rreth kësaj figure të pazëvendësueshme historike verboi armiqtë dhe përvetësuesit që donin ta bënin Gjergj Kastriotin Skënderbeun të tyre duke i mohuar origjinën e tij të pastër iliro-arbërore. Për Frang Bardhin, Gjergj Kastrioti është trimi i madh dhe i pathyeshëm i Arbërisë; është arbëror me rrënjë. Mirëpo nuk është se vetëm në kohën e Frang Bardhit kishte tendenca të tilla, por edhe sot ka tendenca të përvetësimit, shtrembërimit dhe njollosjes së kësaj figure mbikohore të kombit tonë. Dihet botërisht se Gjergj Kastrioti nuk është figurë e thjeshtë, nuk është një hero i zakonshëm, nuk është një personalitet që mund të hedh baltë secili që t’i teket, sepse për arbërorët Gjergj Kastrioti Skënderbeu është i shenjtë, është hero i heronjve, është vizionari dhe lideri i papërsëritshëm i kombit tonë. Figura e Skënderbeut si një personalitet i shekullit XV-të pati një ndikim të madh kombëtar, rajonal dhe Europian. Ai edhe sa ishte gjallë ka shkëlqyer dhe ka qenë në gojët e bashkëkohësve si princa dhe mbretër të Europës, të cilët emrin e tij të famshëm e kishin mësuar nga disa prej marrëdhënieve diplomatike që kishin tradicionalisht me shtetin e Arbërit, e disa të tjera nga veprat, urtësia e vizioni që ai kishte. Ky hero dhe vizionar ishte bërë pikëreferenca e Europës, Europa në atë kohë shpresat e saj i kishte në dy figura që qëndronin të pamposhtur përball Perandorisë otomane: Gjergj Kastriotin dhe Gjon Huniadin. Gjergj Kastrioti është figurë e cila qëndron shenjtërisht në kodin e kombit tonë prej edhe ka dal, po ashtu ai qëndron një në piedestal, ku historia e botës e ka renditur vetë sipas veprave faktike dhe madhështore të tij. Ai është figura qendrore dhe orientuese e përjetshme për kombin tonë. Ndërkaq me jetën dhe veprën e Skënderbeut nuk janë marrë vetëm autor dhe studiues shqiptar, por edhe autorë, studiues, kronistë, historianë e shkrimtarë europian, të cilët e kanë vendosur figurën e këtij arbërori të madh, në mesin e figurave më me ndikim të historisë evropiane dhe botërore. Interesimi i vrullshëm evropian e botëror për Arbërinë respektivisht Gjergj Kastriotin nis me përkthimin e veprës së Marin Barletit në gjuhë të ndryshme europiane dhe botërore. Ky interesim i madh tregon në fakt se popujt e Evropës, përveç se kishin dëgjuar për Gjergj Kastriotin donin t’ia ofronin popujve të tyre pasqyrën e Shqipërisë së asaj kohe, të heroizmit dhe të trimërisë së heroit shqiptar. Kjo tregon vendin e merituar që ai zë në historinë evropiane, si një mbrojtës i paepur i civilizimit europian, i lirisë dhe pavarësisë së vendit të tij. Dhe jo rastësisht historiani i njohur Çekë Josef Macůrek në vitin 1968 nënvizonte se: “Edhe përkundër distancës së madhe të tokave boheme nga Shqipëria, të dy vendet nuk ishin të panjohura në të kaluarën. Të paktën që nga shekulli i 15-të kishte një lidhje direkte dhe indirekte mes tyre. Në tokat boheme, për shekuj me radhë, pati një interes të gjallë për Shqipërinë dhe luftërat e saj për liri dhe pavarësi gjatë shekullit 15-të nën udhëheqjen e Skënderbeut. Ashtu si në pjesët e tjera të Europës, edhe në Bohemi emri i Skënderbeut dhe i Shqipërisë janë zënë në gojë me respekt dhe entuziazëm me shekuj. Emri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe lufta e tij për liri në shekullin e 15-të, si dhe shpresa për liri në tokat boheme në shekujt XV-XVII, ishin të lidhura ngushtë”. Nga kjo shihet se emri i Gjergj Kastriotit ishte tepër i njohur në shumë vende të kombeve evropiane, si dhe që ai shihej me admirim e respekt të madh nga vetë ata.

“Sipas kronistëve evropianë, Skënderbeu kishte në ushtrinë e tij edhe të huaj”

Por nuk janë vetëm bohemët që kishin lidhje direkte ose indirekte me Gjergj Kastriotin dhe Shqipërinë, janë edhe hungarezët dhe gjermanët etj. Sipas disa kronistëve europianë, Skënderbeu kishte në mesin e ushtarëve të tij edhe gjerman, hungarez, napolitan, raguzan etj., prandaj lidhjet e tij me popujt e Europës ishin edhe në kohën sa ai jetonte e vepronte dhe udhëhiqte shtetin e suksesshëm të Arbërit. “Në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë këtij populli i ra detyra të jetë ‘gardian’ i Europës kundër pushtimit turk”, shkruante në vitin 1932 publicisti i njohur Leo Freundlich. Po ashtu ai e sjell edhe më të freskët frymën Skënderbegiane ndër popullin austriak, ku edhe pohonte tepër qartë: “Se sa shumë jeta e këtij heroi i frymëzoi bashkëkohësit evropian dhe pasardhësit shihet nga fakti se Arkiduka Ferdinand II-të (trashëgimtar i fronit austro-hungarez) i Tirolit në koleksionin e tij të mrekullueshëm dhe me famë botërore të mbledhjes së armëve në Kështjellën Ambras ruante dhe mbante përkrenaren e Skënderbeut dhe shpatën e tij të fuqishme si një relike të çmuar të këtij heroi. “Ndërsa për shumë historianë, studiues dhe shkrimtarë të ndryshëm evropian, Skënderbeu ishte: Mburoja, Gideoni, Athleta Christi, Shpëtimtari, Makabeu etj. Te figura e Skënderbeut shihej lideri i madh, shtylla e fortë solide e familjes arbërore pjesë e kontinentit evropian, shquhej gjenerali që mbronte jo vetëm pragun e atdheut të tij, por edhe tërë familjen e gjerë të kombeve evropiane. Jehona e trimërisë së tij ka mbërritur nëpër Europë, për t’u bërë subjekt i admirimit të trimërisë, mençurisë, artit ushtarak dhe liderit që adhurohej nga shumë kombe. Megjithëkëtë Gjergj Kastrioti është simboli dhe përfaqësues i përhershëm i imazhit dhe identitetit evropian të kombit tonë. Me anë të tij, kombi ynë deri më sot e ka ruajtur në mënyrë të pandërprerë europianitetin e tij dhe njëkohësisht, si dje ashtu edhe sot, si referenca e vetme për të qenë pjesë e familjes të Bashkimit Europian duhet mbështetur në figurën dhe vizionin e këtij evropiani të madh. Rrjedhimisht sot ne mund të hyjmë në gjirin e familjes evropiane vetëm si shqiptar evropian (si pasardhës të Gjergj Kastriotit) ndryshe jo. Prandaj në kontekstin e mendimit modern kombëtar Skënderbeu është llamba që i bënë dritë kombit dhe imazhi ose simboli i identitetit tonë kombëtar europian. Duhet theksuar se deri më sot janë shkruar libra të panumërta për Skënderbeun dhe sigurisht që do të shkruhen edhe në të ardhmen, sepse jeta dhe vepra e tij janë një burim i pashtershëm për studime, hulumtime dhe përshkrime faktike të kësaj epoke të artë të historisë së kombit tonë. Më pak fjalë, ashtu si më parë për rilindësit, edhe tani për ne, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është frymëzimi dhe zjarri i atdhedashurisë, është udhërrëfyesi ynë dhe i të ardhmes së kombit tonë arbëror evropian.


5 dhjetor 2018