60 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO kulmoi sot me një aktivitet në Tiranë, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore. Mes tre ministrave të tjerë; Nikolla, Klosi dhe Bushati, si dhe ambasadorëve e përfaqësuesve të UNESCO-s, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro bëri një kronologji të shkurtër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt kësaj organizate. Ajo përmendi Butrintin, si pasurinë e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992.

“Butrinti dëshmonte se ishim dhe jemi banorë të një vendi ku ka gjurmë të rëndësishme të qytetërimeve të hershme, që nga ai ilir, helen apo romak. Jemi pjesmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit europian. Është pikërisht ky stof i hershëm i thurrur së bashku, që bëhet baza e së ardhmes sonë. Një e shkuar që ndërton të ardhme”, tha Kumbaro.

Për Gjirokastrën dhe Beratin, ministrja u shpreh se këto dy qytete janë shembuj të rrallë që tregojnë edhe një dimension tjetër të ne shqiptarëve; bashkëjetesën fetare.

“Dëshmi edhe një here se paqja që mëtojmë ndërtohet përmes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri, i ndryshmi prej teje. Ne mund ta japim një shembull të tillë bashkëjetese fetare pra edhe përmes trashëgimisë së pasurisë sonë kulturore ku ruhen njëlloj pranë njëra tjetrës kisha, xhamia e teqe”, theksoi Kumbaro.

Bashkëpunimi në fushën e kulturës nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me pranimin e Butrintit, Gjirokastrës, Beratit apo Isopolifonisë në Trashëgiminë Boterore të UNESCO-s. Aktualisht Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera.

“Kjo përpjekje nuk mbyllet këtu por do të vijojë me përpjekjet për praninë në po këtë listë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase, dosja e së cilës është dorëzuar tashmë dhe pritet miratimi në në sesionin e korrikut të 2019-s. E më pas me sitet në tentativë si qyteti antik i Apollonisë, Amfiteatri i Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës”, tha Kumbaro.

Duke vlerësuar bashkëpunimin fantastik me UNESCO-n, ministrja e Kulturës përmendi gjithashtu edhe punën e përbashkët për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit që do të përfundojë në pranverën e ardhshme, miratimin e ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ngritjen e muzeve të rinj që nga rehabilitimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, Muzeu i Gjethit në Tiranë dhe punën e nisur për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar.

“Në gjithë këtë rrugëtim bashkëpunimi kemi mësuar se: Nuk ka rëndësi nëse jemi të vegjël apo të mëdhenj, të pasur apo të varfër, për të kontribuar për paqen: mjafton të bëjmë nga pak çdo ditë, të ofrojmë më të mirën tonë, më të bukurën, më të vlefshmen, me dashuri të madhe. Në këtë përvjetor vërejmë me kënaqësi se bashkëpunimi ynë do ta ketë rrugën e gjatë: le të punojmë për këtë, siç na frymëzojnë fjalët e arta të shenjtores Tereza: E djeshmja iku. E nesermja akoma s’ka ardhur. Kemi vetem te sotmen. Le t’ia fillojmë!”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

17 tetor 2018