Shkuma
Shkumë (Mousse) me çokollatë
redaktoPërbërësit : 50 g çokollatë, 80 g gjalp, 3 vezë, 30 g sheqer, 1 paketë vanilje.
Përgatitja : Grimconi çokollatën dhe shkrijeni në banjo-mari, hiqeni nga zjarri dhe shtoni gjalpin. Kur kremi të jetë një masë e njëllojtë, bashkojini 2 të verdha veze. Rrihni të bardhat e vezëve derisa të bëhet si shkumë, shtoni vaniljen dhe sheqerin. Bashkojeni me kremin e çokollatës. Hidheni nëpër tasa dhe mbajeni në frigorifer për 12 orë.
Shkumë me çokollatë të bardhë
redaktoPërbërësit : Për 6 persona: 300 g çokollatë e bardhë, 3 vezë, 50 g sheqer, 3 dl krem qumësht, 10 fletë xhelatinë, portokall.
Përgatitja : Vendosni në ujë xhelatinën, kur të jetë zbutur shtrydheni dhe treteni në rreth 2 lugë lëng portokalli. Grimconi çokollatën, vendoseni në një enë dhe hollojeni duke i hedhur përsipër kremin e qumështit të nxehtë. Lëreni përgatesën të vaket, pastaj njëra pas tjetrës, bashkojini të verdhat dhe të bardhat e vezëve të bërë shkumë. Hidheni të gjithën në formë të lagur dhe lëreni në frigorifer për të paktën 3 orë. Mund ta zbukuroni me fruta të stinës si: luleshtrydhe, qershi, copa kivi etj.
Shkumë i furrës
redaktoPërbërësit : Për 4-6 persona: 5 vezë, 250 g marmalatë kajsish, 4 lugë sheqer pudër.
Përgatitja : Rrihni mirë të bardhat e vezëve dhe bashkojani me shumë delikatesë marmalatës së kajsisë. Hidheni përgatesën në një tavë dhe me ndihmën e lamës së thikës jepini pak a shumë formën e një koni. Vendoseni në furrë në 175°C dhe hiqeni kur ,duke futur një kunj druri në të, ky të dalë i pastër. Ftoheni dhe shërbeheni me kremin anglez (shiko tek kremrat).
Shkumë me limon
redaktoPërbërësit : Për 6 persona, 2 limona, 3 të bardha vezësh, 3 fletë xhelatinë, 3/4 L krem qumësht, 160 g sheqer.
Përgatitja : Grini lëkurën e limonave, shtrydhini këto të fundit, filtrojuni lëngun dhe hidheni në tigan të vogël me sheqerin. Le të zjejnë për dhjetë minuta. Hiqeni nga zjarri, shtoni xhelatinën e zbutur në ujë e të shtrydhur. Bëni shkumë të bardhat e vezëve, hidhni sipër shurupin e nxehtë duke vazhduar të përzjeni me rrahëse. Vazhdoni të përzjeni derisa përgatesa të ftohet. Shtoni lëkurat e grira të limonit dhe krem qumështin. Hidheni masën në një formë të veshur me një letër të lyer me vaj dhe mbajeni në frigorifer për tre orë. Përmbyseni formën dhe zbukurojeni sipas dëshirës me fruta të freskëta.
Shkumë me agrume
redaktoPërbërësit : Për 6 persona: 4 portokalla të mëdha, 50 g sheqer, 3 vezë, 1/2 gotë qumësht, 10 g xhelatinë, gjysëm kutie kos, 1/2 limon.
Përgatitja : Rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin dhe bashkojini qumështin e nxehtë. Mbajeni kremin në banjo-mari. Kur të trashet hiqeni nga zjarri shtoni xhelatinën e njomur në ujë e të shtrydhur, lëreni të vaket. Shtoni tulin e portokalleve, kosin të bardhat e rrahura të vezëve dhe lëngun e 1/2 limoni. Hidheni masën në një tas të madh dhe mbajeni në frigorifer për 5 orë.
Shkumë me djath të bardhë
redaktoPërbërësit : Për 4 persona: 250 g djath të bardhë, 200 g sheqer, 2 vezë, 1 gotë rum, fruta të ndryshme për zbukurim.
Përgatitja : Fruloni sheqerin me të verdhat e vezëve, shtoni djathin dhe rumin, frulojini përsëri. Rrihni të bardhat e vezëve derisa të krijohet një masë e qëndrushme në pirun dhe bashkojani me kujdes kremit. Ndajeni nëpër tasa dhe vendoseni në frigorifer për të paktën 1 orë. Para se ta servirni zbukurojeni me fruta: luleshtrydhe ose qershi.
Shkumë me mollë
redaktoPërbërësit : Për 4 persona: 400 g mollë jeshile, 1 portokall, 160 g sheqer, 200 g pana.
Përgatitja : Qëroni mollët, ndajini në copa të vogla dhe vendosini në një enë me aq ujë të ftohtë sa ti mbulojë ziejini duke vazhduar ti përzjeni. Hiqini kur mollët të jenë shkrirë dhe lëngu të ketë avulluar krejtësisht. Shtoni sheqerin duke e punuar mirë. Ftoheni në frigorifer. Në momentin e servirjes rregullojeni purenë e mollëve në një tas dhe mbulojeni me pana të trashur spërkateni sipërfaqen me lëkurën e grirë të gjysëm portokalli.