Rrëfimi i Qemal Poçit: Si e realizova prodhimin e antibiotikut të parë
Doktor, As. Prof. Qemal Poçi, ish-shef i Spitalit Qendror Veteriner, rrëfen punën shkencore në ushtri/ Akademiku rus Mozgovi, në vitin 1957 më tha: Futju punës, e ardhmja u përket antibiotikëve/ Informacioni për Hysni Kapon dhe Arif Haskon: Rezultatet e eksperimenteve dolën me sukses
Nga Leonard Veizi
Sapo kishte përfunduar studimet në një nga akademitë më në zë të ish Bashkimit Sovjetik, dhe nuk kishte ndër mend që njohuritë e mara atje, t’i linte pa i shfrytëzuar. Dhe një nga pikat më të panjohura në Shqipërinë e asaj kohe, ishte prodhimi i antibiotikëve. Në perëndim prodhimi i tyre kishte filluar gjerësisht. Në lindje diçka më pak. Por edhe Kina nuk kishte mbetur pas. Ndërsa në Shqipëri kjo fushë ishte krejt e virgjër. Qemal Poçi, thotë se do të ishte iniciativa e tij e cila do të bënte të mundur prodhimin për herë të parë të dy lloje antibiotikësh në vend i “terramicinës” dhe “eritromicinës”. Por dhe kjo nuk do të ishte një punë e thjeshtë…
Si do të lindte ideja për prodhimin e antibiotikëve në vend?
Në shtator të vitit 1957, dy muaj para përfundimit të specializimit për mbrojtjen e kafshëve nga arma kimike, mora takim me akademikun Mozgov i cili në atë kohe drejtonte katedrën e farmakologjisë në akademinë e veterinarisë së Moskës. Atje kisha kryer studimet e larta për veterinari ushtarake në vitin 1956 dhe tani po kryeja specializimin. Meqenëse deri në atë kohë po mbushja gati 7 vjet në akademinë e veterinarisë së Moskës, me stafin pedagogjik njihesha mirë dhe midis tyre edhe me akademikun Mozgov. Veç detyrës kryesore si farmakolog, Mozgovi qe edhe sekretar i Këshillit Shkencor të Akademisë. Po ashtu, ai drejtonte punën kërkimore-shkencore me projekte pilot në një ekonomi të akademisë. Sipas rregullit të gjitha propozimet dhe rekomandimet për praktikën që dilnin nga disertacionet në akademi, i nënshtroheshin një kontrolli nën drejtimin e Mozgovit në projektet pilot pranë ekonomisë didaktiko-shkencore të akademisë. Në qoftë se rezultatet vlenin për prodhimin e gjerë, po nga Mozgovi ato i rekomandoheshin prodhimit të gjerë për zbatim. Në ato vite, qarku i Rjazanit ishte qarku më i përparuar që kishte arritjet më të larta në prodhimet blegtorale të Bashkimit Sovjetik, në saj të zbatimit të të rejave të shkencës në lëmin e zooteknisë dhe veterinarisë. Duke e ditur se në atë kohë në Shqipëri neve nuk kishim institucione apo laborator të toksikologjisë apo didaktik si dhe meqenëse ato ditë isha njoftuar për emërimin në Shqipëri si zv/shef i Spitalit Qendror Veterinar të Ushtrisë dhe shef i seksionit të mjekimeve, nga Mozgovi kërkova ndonjë temë nga ato që drejtonte ai për rritjen e prodhimeve blegtorale. Mozgovi më dha disa tema si: “1.Përdorimi i stimulatorëve biogjezë sipas akademikut Filator për rritjen e prodhimeve blegtorale”. “2. Përdorimi i harcave dhe deshve me vazoktemi për rritjen e pjellorisë në dhen”. “3.Përdorimi i automatëve ushqyes në derrat e majmërisë për rritjen e prodhimit të mishit”. Por, më tha Mozgovi, e ardhmja u përket antibiotikëve nativë (rritja e myqeve producent të antibiotikëve në ushqimin steril të kafshëve) dhe përdorimi i tyre për rritjen e prodhimeve blegtorale dhe uljen e sëmundjeve dhe dëmtimeve tek kafshët e reja.
Kur do të fillonte puna për eksperimentin e ri?
Propozimin në fjalë unë e kam bërë qysh në vitin 1960, në mbledhjen e zgjeruar të katër instituteve (Instituti i Lartë shtetëror bujqësor, Instituti “Miçurin” në Lushnje, Instituti zooteknik i Shkodrës dhe Instituti i Kërkimeve Veterinare), kur u aprovua plani 15 vjeçar i punës shkencore. U vendos që kjo temë të ndiqej në perspektivë nga Instituti i Kërkimeve veterinare dhe instituti Zooteknik i Shkodrës. Meqenëse ky propozim u la pas dore më 1960, me një letër dërguar Iljaz Rekës, zv/ministrit të Bujqësisë i përsërita propozimin tim. Një vit më vonë në Mbledhjen e Kolegjiumit të Ministrisë së Bujqësisë u diskutua gjatë për këtë problem dhe u vendos që të fillonte prodhimi i antibiotikëve në Shqipëri. Por edhe pas kësaj pati zvarritje të tjera.
Si do të zhvillonit punën tuaj shkencore hap pas hapi?
Gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor të vitit 1971 në kushte laboratorike pranë laboratorit special të degës së shëndetësisë në Ministrisë së Mbrojtjes Popullore u përvetësua metoda e prodhimit të shtameve të terramicinës dhe të preparatit “920” i cili nga ana jonë është quajtur eritromicinë. Gjatë kësaj kohe u bënë disa herë mbjellje të të dy shtameve duke përgatitur për secilën shtame nga terrenet ushqyese përkatëse. Prodhimi i shtameve të kryera nga ne, në të gjitha rastet doli me sukses. Në të njëjtën kohë, po në kushte laboratorike u kalua në prodhimin e zgjeruar të këtyre dy antibiotikëve me terren të lëngshëm e të ngurtë në ballona. Në të gjithë rastet prodhimi qe mjaft i pastër. Sikurse dihet, rezultatet e kësaj pune i janë raportuar Drejtorisë së Prapavijave dhe mbi të është informuar edhe Ministri i Mbrojtjes Popullore.
Çfarë detyrash ju vuri dikasteri pas kalimit të kësaj faze?
Meqenëse faza e parë kaloi me sukses, na u vu për detyrë të kalonim në prodhimin e zgjeruar në kushte terreni. Për këtë qëllim u vendos të punohej e prodhoheshin antibiotikët pranë Spitalit Qendror Veterinar. Për të zbatuar këtë urdhër, gjatë muajve nëntor- dhjetor të vitit 1971 u bë modifikimi i lokaleve përkatëse të SQV dhe kompletimi i tyre me aparatet përkatëse dhe u organizua prodhimi në tepsi i terramicinës dhe preparatit “920”. Këtu procesi filloi që nga e para, domethënë në SQV u prodhuan shtamat, u bë rritja në terrenet e lëngshme e pastaj u kalua në rritjen e zgjeruar me dy metoda: me metodën e tepsive dhe me metodën e ballonave, kurse terramicina në ballona u rrit shumë mirë, kurse në tepsi u infektua. Më vonë, në kushte sterile, u përsërit mbjellja e të dy antibiotikëve me tepsi dhe këtë radhë nuk u infektua. Me rezultatet e punës së kësaj faze pranë SQV u njoh në vend, zv/ministri i Mbrojtjes Arif Hasko dhe Drejtori i Drejtorisë së Prapavijave Janul Dango.
Fusha e kërkimeve
Doktor, As. Prof. Qemal Poçi thotë: “Për të zbatuar detyrën që na u vu për të ndihmuar Institutin e Kërkimeve Veterinare për prodhimin e antibiotikëve të mësipërm, gjatë muajit dhjetor të vitit 1971 dhe janar 1972, në bazë të një plani të caktuar kam punuar bashkë me shokët e Instituti të Kërkimeve Veterinare për përvetësimin e të gjitha proceseve të punës: përgatitja e terreneve përkatëse, dhe prodhimi i antibiotikëve në terrene të lëngshme, përgatitja e terreneve të ngurta dhe prodhimi i zgjeruar i antibiotikëve në to, përcaktimi i titrit të antibiotikëve të prodhuar etj. Edhe në Institutin e Kërkimeve Veterinave prodhimi i preparatit “920” qe shumë i mirë si në rritjen me ballona ashtu dhe në tepsi. Prodhimi i terramicinës në ballona ashtu dhe në tepsi u infektua. U morën masat për një mbjelljen e terramicinës në kushte sterile. Nga analiza e punës së bërë në Institutin e Kërkimeve Veterinare mund të thuhet se shokët e institutit ishin në gjendje të riprodhonin si shtamat edhe në prodhimin e gjerë të antibiotikëve të mësipërm. Gjatë punës për prodhimin e antibiotikëve në mënyrë të zgjeruar si në SQV, ashtu dhe në Institutin e Kërkimeve Veterinare dolën dhe një seri çështjesh të cilat kërkonin zgjidhje në të ardhmen. Të tilla çështje ishin: ruajtja e infektimit të terreneve të ngurta, domosdoshmëria e identifikimit të myqeve dhe dallimi i myqeve producentë të antibiotikëve nga llojet e myqeve toksike, rreziku që paraqesin myqet e antibiotikëve për serumet dhe vaksinat në Institutin e Kërkimeve Veterinare, rreziku i degjenerimit të shtameve të sjella nga R.P e Kinës dhe ruajtja e cilësive të tyre për një kohë të gjatë, a paraqesin rrezik myqet e antibiotikëve për njerëzit që merren me prodhimin e tyre etj. Një rëndësi e veçantë kishte organizimi i prodhimit të antibiotikëve në mënyrë të zgjeruar nëpërmjet fermentatorëve si metodë më efektive dhe më rentabël”.
Ilaçi që shëronte njerëzit e kafshët
Pyetjes nëse ky lloj antibiotiku i prodhuar në Shqipëri do të përdorej vetëm tek kafshët apo dhe tek njerëzit, Doktor, As. Prof. Qemal Poçi i jep këtë përgjigje: “Vlen të theksohet se në ato kohë nëpërmjet rrugëve zyrtare kishte ardhur në Ministrinë e Bujqësisë dokumentacioni i prodhimit të antibiotikëve me fermentatorë, me të cilën punonjësit e një komune popullore në Republikën Popullore të Kinës prodhojnë terramicinë jo vetëm për kafshë, por edhe për njerëz. Dokumentacionin përkatës e kisha marrë edhe unë se ne duhet t’i prodhojmë antibiotikët me metodën e mësipërme, në fillim për kafshë e pastaj për njerëz. Kjo është metodë relativisht e thjeshtë dhe shumë ekonomike, e cila mund të organizohet lehtë në Ushtrinë tonë Popullore. Prandaj mendoj se është e nevojshme që një shok të shkojë në R.P të Kinës për t’u njohur më thellë me problemin e prodhimit të antibiotikëve nativë. Në kushte të zgjeruara terreni ne arritëm të përgatisnim një sasi antibiotikësh nativë me të cilët gjatë muajve mars-prill mendonim të vinim në eksperimente më të gjera në kafshë të ndryshme”. Duke sqaruar kushtet e prodhimit të antibiotikëve në vend, Doktor, As. Prof. Qemal Poçi rrëfen: “Esenca e përgatitjes së antibiotikëve qëndron si më poshtë: Sikurse dihet, antibiotikët (pendecilina, biomicina, streptomicina, etj) janë produkte të metabolizmit të disa llojeve të mykut. Këto produkte kanë cilësi të mbytin mikrobe të ndryshme dhe për këtë qëllim antibiotikët kishin gjetur një përdorim të gjerë në mjekimin e shumë sëmundjeve si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët. Mirëpo ishte vënë re se antibiotikët jo vetëm shëronin sëmundjet por kishin cilësi të jepnin edhe mbishtesë deri në 10-15 për qind të kafshëve në rritje. Për këtë qëllim lindi dhe nevoja e përgatitjes së tyre së tyre në sasi shumë të mëdha me kosto të ulët dhe me kondita të thjeshta. Në ato vitet shkencëtarët çekosllovakë propozuan rritjen e mykut producentit të antibiotikëve mbi tagji ose hime sterile dhe të lagura me disa solucione speciale. Gjatë zhvillimit të tij mbi këtë masë miceli prodhon antibiotik, i cili i jepej kafshë me gjithë ushqim. Për prodhimin e antibiotikëve nevojitej një dhomë, termostat, një autoklavë dhe disa reagente kimike dhe materiale të ndryshme”.
Eksperimentimi
“Kur u ktheva në Shqipëri i vura në jetë tre temat e para, në ushtri NB “29 Nëntori Lushnjë”, NBSH “Skënderbej”, Thumanë e gjetkë, e njëherësh vazhdova përpjekjet për prodhimin e antibiotikëve. Në një letër që i kam dërguar Hysni Kapos, tregoja këto përpjekje, kurse informacioni drejtuar degës së veterinarisë të MMP, punën e bërë në prodhimin e antibiotikëve nativë si dhe rezultatet e arritura. Metodikën dhe shtamet e antibiotikëve i përvetësova e i solla nga Kina”, rrëfen Doktor, As. Prof. Qemal Poçi.
Kinezët përgëzojnë shqiptarët
“Instituti i Kërkimeve Veterinare organizoi një takim me një grup specialistësh kinezë që kanë ardhur në vendin tonë për drejtimin e punimeve të fabrikës së antibiotikëve që do të prodhoheshin në vendin tonë. Me shokët kinezë u shtruan problemet e mësipërme. Ata e quajtën të drejtë rrugën që kishim ndjekim ne në prodhimin e antibiotikëve. Thanë fjalë të mira por asgjë konkrete nuk thanë lidhur me zgjidhjen e problemeve të mësipërme duke thënë se ata janë specialistë të profileve të ngushta. Të njëjtat probleme u ngritën edhe në mbledhjen e Këshillit teknik të Institutit të Kërkimeve Veterinare, në të cilën asistova edhe unë. Mbledhja e vlerësoi punën e bërë, caktoi detyra për të ardhmen dhe vendosi të dërgohen një ose dy specialistë jashtë shtetit për t’u specializuar më thellë lidhur me prodhimin e antibiotikëve nativë sidomos për përvetësimin e metodës së prodhimit të antibiotikëve me fermentatorë. Atëherë ne menduam ne për të gjitha çështjet e parashtruara më sipër ishte e nevojshme të shkonte një specialist veterinar ushtarak në R. P. të Kinës për një ose dy muaj”.
Medalja e artë
Qemal Poçi u lind në Sarandë në vitin 1929. Me përfundimin e Teknikumit Bujqësor, në vitin 1950 kaloi në dispozicion të MMP e shkoi për studime ushtarake në Moskë, ku në vitin 1956 përfundoi studimet me medaljen e artë në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake pranë Akademisë së Veterinarisë të Moskës. Në vitin 1952 u titullua oficer. Gjatë vitit 1956 – 1957 kreu një specializim 12 mujor në laboratorin Didaktiko – Shkencor të Akademisë së Veterinarisë të Moskës për mbrojtjen kundra lëndëve kimike veterinare. Krahas specializimit ka kryer edhe një studim shkencor, rezultatet e të cilit i botoi si në Moskë edhe në Shqipëri.
25 tetor 2018