Romani i Radios/7
KAPTINA VII | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Luli, mori zemër dhe shty derën e lokalit të karaokes ku duhej të takonte Ira-n. Tavolinat ishin gjysëm plot. Ai kishte avantazhin që Ira, kushdo qoftë ky, priste Emanuelën e jo atë. Por kishte dhe disavantazhin që ai nuk e dinte se kush qe Ira. Po të qe i armatosur? Po të qe kamerier? Po të qe pronari i lokalit? Lulit i duhej të vepronte me shumë maturi. Fillimisht duhej gjetur ky Ira e duhet nxjerrë jashtë loje. Nga skena vinte zëri i këngëtares Mugades. Këndonte për dashurinë e humbur, dhe për një femër rivale që do ja nxirrte zorrët. Ai mbeti i hutuar duke e parë. Mugadesi dukej që e kishte seriozisht. Zuri një tavolinë në cep prej nga mund të vëzhgonte sallën. Njerëzit ishin gjysëm të pirë. Femrat e shoqëronin Mugadesin me zë, meshkujt me sy. Ai porositi një Jagermeister, pija e tij seksi e dimrit. Gjatë verës pinte vetëm limonata,zakon që e kish marrë qëkur punonte turni i natës në punishten e pastave. Gjatë 5 viteve punë ishte mësuar të mos fuste pije në gojë veç limonatave. Por Jagermeisteri bënte përjashtim, vetëm për dimrin.
Silvi doli nga banja e spitalit me një ndjenjë të lehtë pështirosjeje. Për gati 5 minuta ishte përpjekur të fshihte me make up rrathët e zinj poshtë syve. Në spital vërtiteshin njerëz nga më të çuditshmit, tipa që kishin thyer legenin, tipa të zverdhur, tipa me këpucët me baltë, dhe tipa që kishin ndonjë dërrasë mangut. Silvia po mendonte të ikte, avokati mund të mos dilte nga koma deri nesër në mëngjes, dhe ajo nuk kishte në plan ta kalonte natën aty. Aq më tepër që kishte kush e priste në vende shumë më interesante se spitali. Vendosi të pyeste edhe një herë sa për edukatë mjekun, para se të ikte, kur një grua me një pamje çmendurie me biletë vetëm vajtje iu sul dhe e kapi prej flokësh. Kush je ti, moj kurvë? Ç'do ti me burrin tim??!!! Zemra e Silvisë filoi të rrihte me forcë. Përpara saj qendronte një grua që ndoshta do donte ta vriste. Ose, më e pakta, ta turpëronte para të gjithëve, edhe para atij mjekut simpatik që kishte që në fillim që i lëshonte vështrime plot interes. Silvia ishte mësuar se ky nuk ishte rasti i parë. Por kurrë nuk i kishte rastisur të zihej me një grua që sulej pa kërkuar sqarime më parë. Aq më tepër në një vend kaq publik. Ndërsa shtrëngonte fort qafën dhe një pjesë nga veshi i gruas tjetër, që sipas të gjitha gjasave ishte gruaja e atij idiotit, avokatit, me dhimbjen e flokëve që ngjante si 1 mijë gjilpëra që i nguleshin në lëkurën e kokës, Silvi nuk po mendonte dot qetë, çfarë t’i thoshte kësaj histerikeje. Frika nga këto gjëra e kish' bërë të mos vinte extension flokësh, gjë që avokati kish qenë gati t’ia paguante në parukerinë më të mirë të qytetit, Floktari i Hollivudit. “Ik moj plakë histerike”. Fraza doli mes buzëve të saj, dhe hapi rrugën për një lumë fjalësh. “Ai është burri im. Ju kurvickat e vogla nuk ma merrni dot” bërtiste gruaja e avokatit. “Ai qenka i martuar? Po ai s'të përmend asnjëherë moj shtrigë e shëmtuar. Atij i vjen turp prej teje”. Fjalët e fundit Silvia i tha kur 2 infermiere dhe mjeku ishin futur dhe i kishin ndarë. Mjeku e tërhoqi me vete duke e qetësuar, derisa e futi te dhoma e urgjencave. “Qetësohu e mos lëviz” i tha. “Po marr pak jod për gërvishtjet”. Jodi e bënte Silvinë të dridhej. Por prania e mjekut ishte ngrohëse dhe siguruese. “Ajo gruaja tjetër, ka një të çarë në fyt. Po e qepin. Thonj prej çeliku ke?” Mjeku buzëqeshte. Silvi nuk foli. “Unë jam mjek roje, po s'ma merrte mendja që duhej të isha roje si polic objektesh” “Mund të rrish të qetësohesh këtu” i tha mjeku. “Të paktën sa të ikë ajo tjetra. Po të pa në korridor... s’ka më jod.. do të të bëjmë operacion plastik” Silvin e zuri gjumi mbi krevatin e dhomës së urgjencës. Për fat, atë natë nuk pati asnjë rast urgjence. Mjeku i ndenji pranë gjithë natën. Të nesërmen, kur u vesh, në celular gjeti një sms nga avokati: “jam shumë i lumtur që desh vdiqa pranë teje”, dhe një tjetër nga Sandri: “Ti spo vjen përsëri! Do vras veten për ty” Idiot, tha Silvia nën zë. As vetë nuk e dinte se me kë e kishte, me avokatin apo Sandrin. Sofia rrinte në sediljen prapa duke ndjerë vështrimin e trishteksituar të Bimit nga pasqyra. Më gjeni një mur t'i bie në kokë thoshte vështrimi i Bimit. Derisa mbërritën te dera e burgut nuk folën pothuajse asnjë fjalë. Vetëm sytë e bimit duket sikur u angazhuan në një monolog të gjatë përgjërimesh. - më prit këtu, i tha ajo para se të zbriste. - Mirë, ia ktheu mbyturazi, Bimi. Te dera ajo tregoi kartën e anëtarësimit të burgut – se kujt i kishte shkuar mendja të ndante karta VIP për miqtë e burgut që kishte zëvendësuar lejen e hyrjes – dhe ajo kishte një kartë 1 vjeçare. Karta bëri piip te makina e kontrollit. Roja me pretekstin e kontrollit i futi duart, si zakonisht. Ajo, si zakonisht, bëri sikur nuk e kuptoi. Aq më tepër që tani nuk mund të rrezikonte misionin për një copë roje. Priti që ai të mbaronte kontrollin në ijet e saj dhe hyri brenda. Kaloi disa dyer me hekura derisa u gjend te zyra e burimeve njerëzore, aty plotësoi formularin për takimin me pacientin. Te rreshti i motivacionit: Kontroll rutinë i reagimit psiko-emocional i të burgosurit Hamdi Katërura. Hamdiu po priset prej disa minutash te dhoma e takimeve. Ajo, qëllimisht e la të priste. Por, sa e pa të ulur në stol, desh u këput. U ul në stol pa guxuar të hapte gojë. - Ec ke lala, afrohu dhe i çik! - Çfarë do prej meje, pse më torturon, tha nën buzë Sofia. Rojet e kishin lënë vetëm. Edhe ata trasheshin nga diskutimet sociogjike të zyshës, siç e quanin të gjithë. - Afrohu të thashë! - Nuk kam si afrohem se na shohin rojet. Ai e pa me vetulla të ngrysura. Ajo u afrua. Pastaj edhe më. Sofia iu afrua fare pranë duke kujtuar se do marrë një puthje. Por Hamdiu i kaloi mes hekurave një libër. Një libër i Danniele Steel. Në anglisht. Brenda kishte një fletë A4. Sofisë zemra sa s’po i plasaritej nga të rrahurat. Një letër nga Hamdiu. Ç’të ketë shkruar në të? Më në fund ajo do i shohë shkrimin, do kuptojë personalitetin e tij, do futet më thellë brenda botës së tij prej të burgosuri ordiner, po që për të është një oqean i thellë e misterioz. E hapi dhe pa një zhgarravinë. - Është plani i arratisjes. Ti do më ndihmosh. - Po. Kaq tha Sofia e nuk e mendoi dy herë. Hamdiu ja kapi kokën befas me një lëvizje brutale e ja përplasi pas hekurave. Pastaj iu afrua dhe e puthi. Silvi mendoi se vdiq. Kur po dilte nga burgu, akoma e turbulluar, me librin e Danniele Still në dorë, mori një telefonatë nga e motra. Ajo dëneste. - Sandri ka varur veten... Sofia shtangu. - Te shtëpia jote... Sofia u llahtaris. Doli me vrap dhe i bërtiti Bimit. - Urgjent në shtëpi! Makina u nis. Bimi nuk e shihte më nga pasqyra Sofinë. Me një zë të mbytur, ndërsa i jepte si i çmendur rrugëve të Tiranës, ai tha nëpër dhëmbë: - më parë do ndalojmë në një vend ku di unë! Sofia, kuptoi dhe u zverdh.
|