Rijadu Salihin I/4
Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Nr. | Hadithi | |||
151. | Transmetohet nga Havla bint Amir el-Ensarije - gruaja e Hamzës r.a., se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet disa njerëz shkelin në pasurinë e All-llahut pa të drejtë, andaj në Ditën e Gjykimit i pret zjarri i Xhehennemit”. (Buhariu)
All-llahu i Madhëruar thotë: “E kush i madhëron shejtënitë e All-llahut, është mirë për të ndaj Zotit të vet”. (el-Haxhxh, 30) “E kush i madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e zemrës fisnike”. (el-Haxhxh, 32) “...Kurse ndaj besimtarëve bëhu i butë”. (el-Hixhr, 88) “...Nëse dikush vret dikë, që s'ka vrarë askë ose nuk ka bërë në tokë trazira - sikur ka vrarë tërë njerëzinë; por kush bëhet shkaktar për të jetuar dikush - sikur tërë njerëzisë ia ka ruajtur jetën”. (el-Maide, 32) | |||
152. | Transmetohet nga Ebu Musa r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Besimtari me besimtarin është i lidhur sikurse ndërtesa, elementet e së cilës, njëri me tjetrin janë të lidhur fort”, dhe i përzieu gishtat e tij”. (Muttefekun alejhi) | |||
153. | Transmetohet nga Ebu Musa r.a. po ashtu se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush kalon kah xhamitë apo tregjet tona, e me vete ka shigjetë (apo çfarëdo arme), le t'i mbajë në vendin e tyre ose le ta kapë me shuplakën e tij për maje, që me të të mos pengojë ndonjë musliman”. (Muttefekun alejhi) | |||
154. | Transmetohet nga En-Nu'man ibn Beshir r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtarët në marrëdhëniet mes tyre; në dashuri, mëshirë e butësi janë sikur trupi, nëse sëmuhet një organ edhe pjesët e tjera të trupit shqetësohen dhe mbarë organizmi vuan nga dhembjet, pagjumësia dhe ngritja e temperaturës”. (Muttefekun alejhi) | |||
155. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “Pejgamberi s.a.v.s. e puthi Hasanin, të birin e Aliut r.a., kurse tek ai ishte el-Akre' ibn Habis që tha: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin prej tyre ende nuk e kam puthur”. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e shikoi dhe tha: “Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet ndaj tij (prej All-llahut)”. (Muttefekun alejhi) | |||
156. | Transmetohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: “Erdhën disa njerëz nga beduinët tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e i thanë: “A i puthni ju fëmijët tuaj?” Tha: “Po”. (Ata) Thanë: “Ne, pasha All-llahun, nuk i puthim!” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Çka mund t'ju bëjë, nëse All-llahu e ka shkëputur mëshirën nga zemrat tuaja”. (Muttefekun alejhi) | |||
157. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush u prin njerëzve në namaz, le të lehtësojë, sepse në mesin e tyre ka të dobët, të sëmurë dhe pleq. Kurse kur të falet ndonjëri prej jush vetë, atëherë le ta zgjasë sa të dojë”. (Muttefekun alejhi)
Në një transmetim tjetër shtohen edhe fjalët: “ka edhe të nevojshëm”. | |||
158. | Nga Ebu Katade el-Harith ibn Rib'ij r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet unë ngrihem për namaz dhe dëshiroj të qëndroj gjatë në të, por kur dëgjoj vajin e fëmijës, e lehtësoj (shkurtoj) atë, duke mos patur dëshirë që t'ia vështirësoj (punën) nënës së fëmijës”. (Buhariu) | |||
159. | Nga Ibni Umeri r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën atij padrejtësi e as nuk e lë në baltë. Ai që gjendet në nevojë të vëllait të tij, All-llahu do t'i gjendet në nevojën e tij. Ai që e çliron një barrë nga muslimani, All-llahu do ta çlirojë nga ai një barrë nga barrat e ahiretit. Ai që e mbulon një musliman (e nuk ia zbulon të metat ose fshehtësitë sh.k.) All-llahu do ta mbulojë atë Ditën e Kijametit.” (Muttefekun alejhi) | |||
160. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Mos i bëni zili njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin; mos e urreni njëri-tjetrin; mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, duke u hidhëruar; mos i ndërhyni me shitblerjen tuaj tjetrit në shitblerje. Bëhuni rob të All-llahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i bën atij padrejtësi, nuk e degradon e as nuk e poshtërson. Devotshmëria është këtu”. Tri herë tha duke bërë shenjë në gjoksin e tij. “Një njeriu i del mjaftë e keqja, nëse e degradon vëllain e tij musliman. Secilit musliman patjetër i janë të shenjta dhe të paprekshme: jeta, pasuria dhe nderi i muslimanit tjetër”. (Muslimi) | |||
161. | Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Askush nga ju nuk beson përderisa për vëllain e tij të mos dëshirojë atë që dëshiron për vetveten”. (Muttefekun alejhi) | |||
162. | Transmetohet po ashtu nga Enesi r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Ndihmoje vëllain tënd, dëmtues qoftë apo i dëmtuar!” Një njeri i tha: “O i Dërguari i All-llahut, i ndihmoj të dëmtuarit, por më njofto, si t'i ndihmoj dëmtuesit?” Tha: “Ta pengosh - ose ta ndalosh nga dhuna - kjo është ndihmë për të”. (Buhariu) | |||
163. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Muslimani ndaj muslimanit i ka pesë detyra: - kthimi i selamit, vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, të përgjigjurit në ftesë, të përgjigjurit me lutje (Jerhamukell-llah, All-llahu të mëshiroftë! - atij që teshë dhe thotë: el-hamdu li-l-lah)”. (Muttefekun alejhi).
Sipas një transmetimi të Muslimit, hadithi citohet kështu: “Muslimani ndaj muslimanit i ka gjashtë detyra. - kur ta takosh, jepi selam; kur të thërret (në punë apo gazmend) përgjigjju; kur prej teje kërkon këshillë, këshilloje; kur të teshë dhe falënderon All-llahun me “el-hamdu li-l-lah” përgjigjju me “jerhamukell-llah”; kur të sëmuhet, vizitoje dhe kur të vdes, përcille deri në varr”. | |||
164. | Transmetohet nga Ebu Umare el-Bera ibn Azib r.a. se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na i ka urdhëruar shtatë (gjëra) dhe na i ka ndaluar shtatë: Na ka urdhëruar vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, të përgjigjurit me lutje atij që teshëtinë, justifikimin e betuesit, ndihmën e të dëmtuarit, të përgjigjurit në ftesë dhe përhapjen e selamit. Kurse na e ka ndaluar: vënien e unazave të arit, pirjen prej enës së argjendtë, shtruarjen e jastëkut të mëndafshtë të mbushur me pambuk në shpinë të deves për hipje, bartjen e jelekut të mëndafshtë të qëndisur me lara të linjta, bartjen e rrobave të mëndafshta, rrobat prej armaçit dhe prej mëndafshit, të hollat dhe të trashat”. (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë: “Ata që dëshirojnë që te besimtarët të përhapet amoraliteti, i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër.” (en-Nur, 19) | |||
165. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk e mbulon asnjë rob (njeri) robin tjetër në këtë botë, e të mos e mbulojë atë All-llahu në Ditën e Gjykimit”. (Muslimi) | |||
166. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Gjithë ummeti im do të jetë i falur përveç mëkatarëve publikë, kurse prej mëkateve publike është kur një njeri e bën një punë natën, pastaj gdhihet duke qenë i mbuluar (mëkati i tij) nga ana e All-llahut, por ai thotë: “O filan, unë mbrëmë e kam bërë këtë dhe atë vepër”. Atë mbrëmë e pat mbuluar Krijuesi i tij, kurse ai, kur u gdhi, e zbulon atë që ia pat mbuluar All-llahu”. (Muttefekun alejhi) | |||
167. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se ka thënë: “Ia sollën Pejgamberit s.a.v.s. një njeri që kishte pirë (alkool) dhe tha: “Rraheni!” Ebu Hurejre ka thënë: “Të gjithë e rrahën; dikush me dorë, dikush me këpucë, e dikush edhe me rroba!” Pasi u nis, disa njerëz i thanë: “All-llahu të turpëroftë!” (Pejgamberi) Tha: “Mos thuani kështu, mos i ndihmoni djallit kundër tij”. (Buhariu)
All-llahu i Madhëruar thotë: “...Dhe bëni vepra të mira, ndoshta do të shpëtoni”. (el-Haxhxh, 77) “...Dhe çka të bëni nga të mirat, All-llahu me siguri e di atë”. (el-Bekare, 215) | |||
168. | Nga Ibni Umeri r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën atij padrejtësi e as nuk e lë në baltë. Ai që gjendet në nevojë të vëllait të tij, All-llahu do t'i gjendet në nevojën e tij. Ai që e çliron një barrë nga muslimani, All-llahu do ta çlirojë nga ai një barrë nga barrat e ahiretit. Ai që e mbulon një musliman (e nuk ia zbulon të metat ose fshehtësitë sh.k.), All-llahu do ta mbulojë atë Ditën e Kijametit.” (Muttefekun alejhi) | |||
169. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Atij, që besimtarit ia lehtëson një brengë të kësaj bote, All-llahu do t'ia lehtësojë një nga brengat e botës tjetër. Atij, që të varfërit ia lehtëson gjendjen, All-llahu do t'ia lehtësojë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Atij, që i mbulon turpet e një muslimani, All-llahu do t'ia mbulojë atij në të dy botët. All-llahu do t'i ndihmojë robit të vet, derisa ai rob i ndihmon vëllait të vet. Kush niset rrugës së fitimit të diturisë, All-llahu (për atë) do t'ia lehtësojë rrugën deri në Xhennet. Asnjëherë nuk mblidhet një grup i njerëzve në një prej shtëpive të All-llahut (në xhami) për ta lexuar Kur'anin dhe për ta mësuar në mes veti, e që mbi ta të mos lëshohet dhe t'i mbrojë mëshira e All-llahut, dhe që të mos i rrethojnë engjëjt ose që All-llahu të mos i lavdërojë në mesin e atyre që janë tek ai (engjëjt, pejgamberët dhe njerëzit e mirë). Atë që e zbraps puna e tij, nuk mund ta përparojë prejardhja e tij”. (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë: “Kush angazhohet për të mirë, ai do të ketë pjesëmarrje në shpërblim.” (en-Nisa, 85) | |||
170. | Transmetohet nga Ebu Musa el-Esh'arij r.a. se ka thënë: “Kur i vinte Pejgamberit s.a.v.s. ndonjë njeri për ndonjë nevojë (kërkesë), kthehej kah të pranishmit dhe u thoshte: “Ndërhyni (ndërrmirrni diçka) do të shpërbleheni! All-llahu përcakton nëpërmjet gjuhës së pejgamberit të vet ç'të dojë”. (Muttefekun alejhi)
Kurse në një transmetim tjetër është: “çka të dëshirojë”. All-llahu i Madhëruar thotë: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka ndonjë dobi, përveç se kur kërkojnë të ndahet sadakaja ose të bëhen vepra të mira ose të pajtojnë njerëz ndërmjet veti...” (en-Nisa, 114) “...Pajtimi është më i mirë.” (en-Nisa, 128) “...Prandaj frikësojuni All-llahut dhe koordinoni çështjet tuaja ndër veti.” (el-Enfal, 1) “Pa dyshim besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtoni dy vëllezër tuaj.” (el-Huxhurat, 10) | |||
171. | Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë që del dielli duhet dhënë sadaka. Nëse i pajton dy (veta) dhe sillesh drejt mes tyre, edhe ajo është sadaka. Nëse dikujt i ndihmon që të hipë në kalë, ose i ndihmon që ta ngarkojë barrën në kalë - edhe kjo është sadaka. Edhe fjala e mirë është sadaka. Secilin hap të cilin e bën për namaz, po ashtu është sadaka. Largimi nga rruga i asaj që i pengon kalimtarët - edhe ajo është sadaka”. (Muttefekun alejhi) | |||
172. | Nga Ummi Kulthum bint Ukbe Ebi Muajt r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Nuk është gënjeshtar ai që bën pajtim midis njerëzve, pastaj përcjell lajme të mira ose flet mirë”. (Muttefekun alejhi)
Në transmetimin e Muslimit shtohen këto fjalë: “Nuk e kam dëgjuar (Alejhisselamin) të lejojë diç nga ajo që e thonë njerëzit (që nuk është e vërtetë) përpos në këto tri (raste): në luftë (lejohet tradhtia e armikut) në pajtim midis njerëzve dhe burri t'i flet gruas (me kompliment) dhe gruaja t'i flet burrit (me kompliment)”. All-llahu i Madhëruar thotë: “Qëndro vendosmërisht në anën e atyre të cilët i luten Zotit të vet në mëngjes dhe në mbrëmje me dëshirë që të meritojnë simpatinë e Tij, dhe mos i hiq sytë tu prej atyre.” (el-Kehf, 28) | |||
173. | Transmetohet nga Harithe ibn Vehb r.a. që ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “A doni t'ju kumtoj (diç) për banorët e Xhennetit? Çdo musliman i dobët (nga modestia duket i tillë) dhe i përbuzur (nga njerëzit), nëse betohet në All-llahun për diç, All-llahu do t'ia plotësojë. A doni t'ju kumtoj diç edhe për banorët e Xhehennemit? (I tillë është) Çdo njeri kokëfortë, vetjak dhe mendjemadh”. (Muttefekun alejhi) | |||
174. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. që ka thënë se një grua zezake ose një djalosh i ri e ka fshirë me fshesë xhaminë. Pasi që humbi (një kohë), i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. pyeti për të, e i thanë: “Ka vdekë!” (Pejgamberi) Tha: “ Përse nuk më keni njoftuar për këtë?” Ata sikur e kanë parë punë të vogël rastin e saj. Ai u tha: “Ma tregoni varrin e saj apo të tij”. Pasi ia treguan varrin, ai ia fali xhenazen e pastaj tha: “Vërtet këto varreza janë të errëta për pronarët e tyre, dhe All-llahu i Madhëruar do t'i ndriçojë ata për hir të namazit tim për ta”. (Muttefekun alejhi) | |||
175. | Transmetohet nga Usame r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Qëndrova në derë të Xhennetit, kur në të hynin përgjithësisht të mjerët, kurse pasanikët ishin të burgosur dhe pritnin thirrjen e mbikëqyrësve të Xhehennemit për të hyrë në të. Dhe qëndrova në derë të Xhehennemit, kur në të përgjithësisht hynin gratë”. (Muttefekun alejhi) | |||
176. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Vetëm tre (fëmijë prej Beni Israilëve) kanë folur në djep: “Isai, biri i Merjemes dhe pronari i Xhurejxhit (të tretit transmetuesi nuk ia përmend emrin). Xhurejxhi ka qenë një njeri që bënte ibadet. Ai ndërtoi për vete një ndërtesë të posaçme (savme'a) dhe në të bënte ibadet. Duke qenë aty (një ditë) i vjen nëna e vet, e gjeti në namaz dhe i tha: “O Xhurejxh!” (Xhurejxhi) Tha: “O Zoti im, nëna ime apo namazi?” Dhe u përcaktua për vazhdimin e namazit, kurse nëna e tij shkoi prapë. Të nesërmen në agim, prapë i erdhi nëna dhe përsëri e gjeti në namaz dhe i tha: “O Xhurejxh!” (Ky përsëri në namaz me zemër) Thotë: “O Zoti im, nëna ime apo namazi im”. Vendosi ta vazhdojë namazin gjer në fund (dhe kur ta kryejë namazin atëherë t'ia çelë derën dhe t'i përgjigjet nënës, por nëna nuk e pret dhe kthehet si ditën e kaluar). Ditën e tretë, nëna e tij vjen përsëri dhe fillon të thërrasë: “O Xhurejxh!” (Xhurejxhi që falte namaz) Tha: “O Zoti im, nëna ime apo namazi im?” Dhe prap (Xhurejxhi) e zgjedh namazin. (Nëna) Tha: “O All-llahu im, mos e vdis derisa të shohë fytyrat e lavireve!”
Beni Israilët ndërmjet veti e përmendin Xhurejxhin dhe ibadetin e tij. Aty ishte edhe një grua lavire e cila shquhej me bukurinë e saj. (Kur dëgjoi për Xhurejxhin) Tha: “Nëse doni, unë e provokoj dhe e mashtroj?! “Pastaj, ajo iu ofrua, por ai as që ia vuri veshin. Atëherë kaloi (atypari) një bari me një kope i cili i kullotte rreth vendit të ibadetit (savme'a) të Xhurejxhit, të cilit ajo gruaja iu ofrua, me të cilën bariu pati marrëdhënie intime dhe ajo mbeti shtatzënë. Kur lindi, ajo tha: “Kjo foshnje është me Xhurejxhin!” Pastaj erdhën (njerëzit) te savme'a e tij, ia rrënuan dhe filluan ta rrahin. (Xhurejxhi) Tha: “Ç'keni, o njerëz?” Thanë: “T'i ke bërë mëkat (zina) me këtë lavire, dhe ajo ka lindë me ty”. Tha: “Ku është foshnja?”. Pasi ia sollën aty, tha: “Më lejoni derisa të fal namaz, dhe u fal, pasi e kreu (namazin) erdhi te fëmija, e preku në bark dhe tha: “O fëmijë, kush është babai yt?” (Fëmija) Tha: “Filan bariu”. Pastaj iu afruan (njerëzit) e filluan ta puthin, ta përqafojnë dhe pastaj i thanë. “Po ta ndërtojmë savme'an tënd prej ari”. Tha: “Jo, ma ndërtoni përsëri prej balte, çfarë ka qenë”. Dhe ia ndërtuan. Duke thithur foshnja gji te nëna e vet, kalon atypari një kalorës hipur në një deve të shtrenjtë e të bukur dhe nëna e tij tha: “O All-llahu im, bëre djalin tim sikurse ky!” Fëmija e la gjirin, u kthye kah njeriu, e shikoi dhe tha: “O All-llahu im, mos më bëjë si ai!” Pastaj u kthye kah gjiri dhe vazhdoi të thithë”. (Transmetuesi tregon e thotë) “Sikur po e shoh të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. se si e vë gishtin e tij tregues dhe fillon të thithë duke na treguar”. Pastaj (Pejgamberi) tha: “Pastaj (njerëzit) kaluan me një robëreshë duke e rrahur dhe i thonin: “Ke bërë zina, ke vjedhur”. Kurse ajo thoshte: Hasbijall-llahu ve ni'mel-vekil” (All-llahu më mjafton për gjithçka dhe Ai është mbrojtësi më i mirë), nëna e foshnjës atëherë tha: “O All-llahu im, mos e bëj djalin tim si kjo”. Foshnja e la thithjen dhe shikoi kah ajo e tha: “O All-llahu im, më bëjë mua si ajo”. Këtu përsëritet tregimi: Nëna e foshnjës tha: “Kaloi një njeri me pamje të bukur, e unë thashë: “O All-llahu im, bëre djalin tim sikur ky!” Kurse ti the: “O All-llahu im, mos më bëj si ai”. Pastaj kaluan me robëreshën të cilën e rrihnin dhe i thonin se ka bërë zina dhe ka vjedhë. Thashë: “O All-llahu im, mos e bëj djalin tim si ajo”, kurse ti the: “O All-llahu im, më bëj mua si ajo!” (Foshnja) Tha: “Vërtet, ai njeri është tiran, andaj dhe kam thënë, o All-llahu im, mos më bëj si ai! Kurse ajo për të cilën thonin se ka bërë zina e nuk ka bërë, ka vjedhë, e ajo nuk ka vjedhë - thashë: O All-llahu im, më bëj mua si ajo”. (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: “Kurse ndaj besimtarëve bëhu i butë”. (el-Hixhr, 88) “Qëndro vendosmërisht në anën e atyre që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe në mbrëmje me dëshirë që të meritojnë simpatinë e Tij dhe mos i hiq sytë tu prej atyre, duke dëshiruar bukurinë e jetës së kësaj bote.” (el-Kehf, 28) “Prandaj bonjakun mos e nënçmo. Dhe lypësin mos e refuzo”. (ed-Duha, 9-lo) “A e ke parë atë që përgënjeshtron atë botë? Po, ai është që refuzon ashpër bonjakun. Dhe nuk nxit për ushqimin e të varfërit”. (el-Maun, l-3) | |||
177. | Transmetohet nga Sehl ibn Sa'd r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Unë dhe përkujdesësi i bonjakut do të jemi në Xhennet kështu”, dhe bëri shenjë me gishtin tregues dhe gishtin e mesëm dhe i ndau në mes veti”. (Buhariu) | |||
178. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ai që kujdeset për të shkretët dhe të varfërit është si ai që lufton në rrugë të All-llahut”. (Transmetuesi thotë) Mendoj se (Pejgamberi) tha: “Dhe si ai që falet pa pushim dhe si ai që agjëron pandërprerë”. (Muttefekun alejhi) | |||
179. | Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush përkujdeset për dy vajza deri në moshën madhore, kur të vjen në Ditën e Gjykimit unë dhe ai do të jemi si këta dy” dhe i bashkoi gishtat”. (Muslimi) | |||
180. | Transmetohet nga Aisheja r.a. se ka thënë:”Hyri tek unë një grua me dy vajza të saj të vogla dhe lypte, kurse tek unë nuk gjeta asgjë përveç një hurme. Ia dhashë atë hurmë, të cilën ua ndau dy vajzave të veta, duke mos ngrënë për vete prej saj. Pastaj u ngrit dhe doli. Pas kësaj hyri Pejgamberi s.a.v.s. dhe unë e njoftova kurse ai tha:”Kush vehet në sprovë sadoqoftë me vajza dhe sillet me mirësi ndaj tyre, ato do t'i jenë perde (mbrojtje) nga zjarri”. (Muttefekun alejhi) | |||
181. | Nga Ebu Shurejh Huvejlid ibn Amr el-Huzaij r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “O All-llahu im, po e legalizoj (po e bëj të ligjshme) të drejtën e dy (kategorive) të dobëtve: të bonjakut dhe të femrës”. (Hadith hasen, e transmeton Nesaiu)
All-llahu i Madhëruar thotë: “...Çoni jetë të mirë me to...!” (en-Nisa, l9) “Ju nuk mund të jeni plotësisht të drejtë ndaj grave, edhe pse e përpiqeni për këtë, por mos i lejoni vetes shprehinë që ndonjërën ta lini si të varur. Dhe nëse i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni, All-llahu është, pa dyshim, shumë i mëshirshëm dhe fal shumë”. (en-Nisa, l29) | |||
182. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Pranoni rekomandimin që grave t'u bëni mirë! Vërtet gruaja është krijuar nga brinja. Laku më i madh i brinjës është më lart. Nëse provon ta drejtosh, do ta thesh, kurse nëse e lë çfarë është, ajo mbetet e shtrembër. Andaj pranoni rekomandimin ndaj grave”. (Muttefekun alejhi)
Në një transmetim të dy sahihëve thuhet: “Gruaja është sikurse brinja, nëse e drejton e then, e nëse pajtohesh me të, pajtohesh me të ashtu çfarë është, e shtrembër”. Ndërkaq në transmetimin e Muslimit thuhet: “Vërtet gruaja është krijuar nga brinja, asnjëherë nuk drejtohet sipas rregullit, e nëse pajtohesh me të, pajtohesh ashtu çfarë është, e shtrembër-kurse nëse fillon ta drejtosh, do ta thesh, kurse thyerja e saj është shkurorëzimi i saj”. | |||
183. | Transmetohet nga Amr ibn el-Ahves el-Xhushemij r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. në Haxhxhin Lamtumirës duke thënë, pasi që i shprehu lavdi e falënderim All-llahut, tërhoqi vërejtje dhe këshilloi, pastaj tha: “Këshillohuni ndërmjet veti që me gratë të silleni mirë, sepse ato janë në shërbim tek ju, ju nuk dispononi diç tjetër prej tyre pos kësaj (shërbimit), përpos nëse haptas bëjnë diç të pamoralshme, e nëse bëjnë - ndani nga shtrati dhe rrihni me një rrahje që nuk i dëmton (fizikisht). Nëse bëhen prapë të dëgjueshme, atëherë mos kërkoni mënyrë tjetër për t'i shtypur (ndaj tyre silluni mirë si më parë). Ju keni të drejta ndaj grave tuaja dhe gratë tuaja kanë të drejta ndaj jush. Gratë tuaja nuk guxojnë në shtratin tuaj ta pranojnë tjetërkënd, e as ta lejojnë në shtëpinë tuaj atë që ju nuk e doni.Kurse e drejta e tyre në ju është që të kujdeseni mirë për to, t'u jepni ushqim dhe t'i veshmbathni si ka hije”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) | |||
184. | Transmetohet nga Muavije ibn Hajde r.a. se ka thënë: “Thashë, o i Dërguari i All-llahut, çfarë detyra ka secili prej nesh ndaj gruas së vet?” (Pejgamberi) Tha: “Ta ushqesh kur të ushqehesh vetë, ta veshmbathësh kur këtë e bënë për vete, mos ta mallkosh dhe mos ta lësh vetëm askund përveç në shtëpi”. (Hadith hasen, transmeton Ebu Davudi i cili thotë: “Mos e qorto” e ka kuptimin: mos i thuaj “All-llahu të shëmtoftë”) | |||
185. | Transmetohet nga Ebu Hurejre, r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Më i ploti besimtar me iman është ai që është më i mirë në moral kurse më të sjellshmit prej jush janë ata që janë më të sjellshëm ndaj grave të tyre”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) | |||
186. | Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kjo botë është dëfrim kurse dëfrimi më i mirë i saj është gruaja e ndershme”. (Muslimi)
All-llahu i Madhëruar thotë: “Burrat janë mbështetja e grave me aq sa i ka dhënë All-llahu përparësi njërës palë ndaj tjetrës dhe për shkak se ata shpenzojnë pasurinë e tyre. Prandaj gratë e mira janë të dëgjueshme dhe në mungesë të burrit kujdesen për atë që kujdeset edhe All-llahu.” (en-Nisa, 34) Prej haditheve të kësaj teme është edhe ai i theksuari në kaptinën paraprake nga Amr ibn el-Ahves. | |||
187. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur burri e thirr gruan e tij në shtrat, e ajo këtë e refuzon dhe nëse fle (burri) dhe e kalon natën i hidhëruar në të, engjëjt do ta mallkojnë (atë grua) deri në mëngjes”. (Muttefekun alejhi)
Në një transmetim tjetër të dy sahihëve thuhet: “Nëse gruaja braktis shtratin e burrit të saj kur bjen të flejë, e mallkojnë engjëjt deri në mëngjes”. Në një transmetim tjetër, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Pasha Atë, në duart e të cilit gjendet shpirti im, kur një burrë e thirr gruan e tij në shtrat e ajo refuzon, Krijuesi i qiejve do të jetë i hidhëruar me të derisa burri i saj të jetë i kënaqur me të”. | |||
188. | Transmetohet po ashtu, nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk i lejohet gruas që të agjërojë (nafile) kur e ka burrin prezent, përveç me lejen e tij. Po ashtu ajo nuk lejon hyrje në shtëpi të tij, pa lejen e tij”. (Muttefekun alejhi, kurse ky citat është i Buhariut) | |||
189. | Nga Ibni Umeri r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Mëkëmbësi është bari, burri në familjen e tij është bari, gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe rojtare e fëmijëve. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij”. (Muttefekun alejhi) | |||
190. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Sikurse ta urdhëroja dikënd për t'i bërë sexhde dikujt tjetër (përveç All-llahut), do ta urdhëroja gruan për t'i bërë sexhde burrit të saj”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
All-llahu i Madhëruar thotë: “...Kurse babai i fëmijëve ka për detyrë ushqimin dhe veshjen e tyre në mënyrë të denjë.” (el-Bekare, 233) “Ai që ka, të shpenzojë sipas pasurisë së vet, por edhe ai që është në skamje të shpenzojë nga ajo që i ka dhënë All-llahu, sepse All-llahu nuk ngarkon askë më tepër se sa i ka dhënë.” (et-Talak, 7) “...Çkado që ju të jepni (dhuroni), Ai atë e kompenson.” (Sebe', 39) | |||
191. | Nga Ebu Hurejre, r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Të hollat që i ke shpenzuar në rrugë të All-llahut, të hollat që i ke shpenzuar për lirimin e robërve, të hollat që i ke dhënë për të varfërit dhe të hollat që i ke shpenzuar për familjen tënde, shpërblimi më i madh është për ato që i ke shpenzuar për familjen tënde”. (Muslimi) | |||
192. | Nga Ebu Abdull-llah (e thuhet Ebu Abdurrahman) Thevban ibn Buxhdud, rob (mevla) i të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.: “Paraja më e vlefshme të cilën e shpenzon njeriu është ajo që e shpenzon për familjen e vet, paraja të cilën e shpenzon për mbajtjen e kafshës për (luftë) në rrugë të All-llahut dhe paraja të cilën e shpenzon për shokët e tij në rrugë të All-llahut”. (Muslimi) | |||
193. | Transmetohet nga Sa'd ibn Ebu Vekkas r.a. në një hadith të tij të gjatë të cilin e theksuam në fillim të librit në kaptinën e Nijjetit, se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i ka thënë atij: “Vërtet, ti nuk do të bësh asnjë shpenzim në emër të All-llahut, e që për të të mos shpërblehesh, madje edhe për atë që e vë në gojën e gruas tënde”. (Muttefekun alejhi) | |||
194. | Transmetohet nga Ebu Mes 'ud el-Bedrij r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur e bën njeriu një shpenzim për mbajtjen e familjes së tij, duke llogaritur shpërblimin e All-llahut, ajo do të jetë për të sadaka”. (Muttefekun alejhi) | |||
195. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën gdhihen robtë e All-llahut e që të mos zbresin dy engjëj dhe njëri të thotë: “O All-llahu im, jepi kompensim atij që ka shpenzuar”, kurse tjetri thotë:”O All-llahu im, jepi shkatërrim atij që (dorën e vet) ka shtrënguar”. (Muttefekun alejhi) | |||
196. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Dora e sipërme (që jep) është më e mirë se dora e poshtme (që lyp). Fillo prej familjes tënde. Sadaka më e mirë është ajo që bëhet duke qenë i pasur (pasi t'i ketë plotësuar nevojat e familjes), kush bëhet dinjitoz, All-llahu ia ruan dinjitetin dhe kujt i mjafton ajo që ka, All-llahu do t'ia mjaftojë”. (Buhariu)
All-llahu i Madhëruar thotë: “Nuk do ta arrini mirësinë e plotë derisa të mos ndani një pjesë të asaj që e keni më të dashur.” (Ali' Imran, 92) “O besimtarë! Shpenzoni nga ato gjëra të bukura që i fitoni dhe prej atyre që ua japim nga toka, mos nisni të ndani atë që nuk vlen të shpërndahet, që ju vetë nuk do ta kishit marrë, vetëm me symbyllur.” (el-Bekare,267) All-llahu i Madhëruar thotë: “Urdhëroje familjen tënde të kryejë namazin dhe insisto në këtë!” (Ta Ha,l32) “O besimtarë, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri ” (et-Tahrim,6) | |||
197. | Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. që ka thënë: “Hasani, i biri i Aliut r.a. (si fëmijë) njëherë e mori një hurmë nga hurmat e dhënura për sadaka dhe e shtiu në gojë. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i tha: “Mos, mos, gjuaje atë! A nuk e di se ne nuk hamë sadaka?!” (Muttefekun alejhi)
Sipas një transmetimi tjetër thuhet: “Për ne nuk është e lejuar sadaka”. | |||
198. | Nga Ibni Umeri r.a. transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë:“Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Imami (udhëheqësi - sunduesi) është bari (i popullit të vet) dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari (rojtar) i pasurisë së zotëriut të vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij”. (Muttefekun alejhi) | |||
199. | Transmetohet nga Amr ibn Shuajb, ky nga babai i tij, e ai nga babai i vet r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj për (të falë) namaz kur t'i kenë shtatë vjet, kurse detyroni me forcë (rrahni) kur t'i bëjnë dhjetë vjet dhe ndajini në shtrat”. (Hadith hasen, transmeton Ebu Davudi)
All-llahu i Madhëruar thotë: “Adhurojeni All-llahun dhe asnjë send mos e trajtoni të barabartë me Të! Jini të mirë me prindërit dhe të afërmit, edhe bonjakët edhe të varfërit e ngratë, edhe me fqinjët e afërt edhe me fqinjët e largët, edhe me shokët përreth, edhe udhëtarët edhe ata që janë nën kujdesin tuaj!.” (en-Nisa, 36) | |||
200. | Transmetohet nga Ibni Umeri dhe Aisheja r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vazhdimisht më porositë Xhibrili për fqinjin, saqë kam menduar se edhe do t'i jep të drejtë në trashëgimi”. (Muttefekun alejhi) | |||
|