Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3
Nr. Hadithi
51. Nga Ebu Ja'la Shedad ibn Evs r.a. përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Mendjemprehtë është ai që e kontrollon vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, kurse kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t'ia falë”. (Tirmidhiu thotë: hadith ha­sen)
52. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nga e mira e Islamit të njeriut është lënia e asaj nga ajo që nuk i intereson”. (Hadith hasen. Trans­me­ton Tirmidhiu dhe të tjerët)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë, frikësojuni All-llahut me devotshmëri të vërtetë”. (Ali Imran, l02)

“Prandaj, shprehni de­votshmëri All-llahut sa të mundeni”. (et-Tegabun, l6)

“O besimtarë! Frikësojuni prej All-llahut dhe flisni vetëm të vërtetën!” (el-Ahzab, 70)

Ajetet që urdhërojnë për de­votshmëri janë të shumta dhe të njohura. Po ashtu All-llahu i Madhërishëm thotë:

“...Ai që i ruhet All-llahut, për atë ka rrugëdalje. Dhe do ta furnizojë prej nga nuk e kujton fare”. (et-Talak 2-3)

“...Nëse i frikësoheni All-llahut Ai do t'ju bëjë të aftë ta dalloni të pavërtetën nga e vërteta dhe do t'i largojë veprat tuaja të këqija e do t'ua falë. All-llahu është bamirës i madh”. (el-Enfal, 29)

Aje­tet rreth kësaj temë janë të shumta dhe të njohura, kurse prej hadi­theve ja disa:

53. Trans­me­tohet nga Ebu Hurej­re r.a. që thotë se e kanë pye­tur Pej­gam­be­rin: “O I Dërguari i All-llahut, cili është njeriu më i ndershëm?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Ai që është më i devotshëm”. (Të pranish­mit i) Thanë: “Nuk të pye­tëm për këtë”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “Jusufi është pej­gam­ber i All-llahut, bir i pej­gam­be­rit të All-lla­hut, bir i pej­gam­berit të All-llahut, bir i dostit (halilit) të All-llahut”. Thanë: “Ne as për këtë nuk të pyetëm!” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Atëherë për të parët e arabëve po më pyetni? Më të dalluarit prej tyre në xhahilijjet do të jenë më të dalluarit në Islam nëse vetëdijësohen (e pranojnë Islamin)”. (Muttefekun alejhi)
54. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet kjo botë (dunjaja) është e ëmbël dhe tërheqëse dhe vërtet All-llahu juve në të ju ka bërë mëkëmbës (zëvendës), Ai ju vështron si vepro­ni, andaj ruajuni dunjasë dhe ruajuni grave, sepse vërtet intriga (fi­tneja) e parë e Beni Israilëve ka qenë për shkak të grave”. (Muslimi)
55. Nga Ibni Mes'udi përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “O Zoti im, unë të lutem Ty për udhë­zim (përudhje), për devotshmëri, për ndershmëri dhe për pavarësi (nga njerëzit)”. (Muslimi)
56. Nga Ebu Tarif Adij ibn Hatim et-T'aij r.a. përcillet se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Kush betohet me betim për diçka, e pastaj vëren diç më të devotshme (se ajo për të cilën është betuar), le ta marrë (apo veprojë) atë që është më e devot­shme (duke e thyer-shkelur beti­min!)”. (Muslimi)
57. Nga Ebu Umame Suddejj ibn Axhlan el-Bahilij r.a. përcillet se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-lla­hut s.a.v.s. duke e mbajtur hutbenë në Haxhxhin lamtumirës ku thotë: “Frikësojuni All-llahut, falni pesë kohët e namazit, agjëroni muajin e agjërimit, jepni zekatin e pasu­ri­së suaj dhe respektoni udhë­heqësit tuaj, kështu do të hyni në Xhe­nnetin e Krijuesit tuaj”. (Tir­mi­dhiu në fund të kaptinës për namazin thotë: hadith hasen sahih)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe kur besimtarët i panë aleatët, thanë: Kjo është ajo që na pat premtuar All-llahu dhe Pej­gam­be­ri i Tij; All-llahu dhe I Dërguari i Tij e kanë folur të vërtetën dhe kjo atyre vetëm ua ka forcuar besimin dhe bind­shmë­rinë”. (el-Ahzab, 22):

“Ata të cilëve kur u thanë njerëzit: “Po tubohen njerëzit për shkak tuajin, kini fri­kën”, ajo ua forcoi be­simin dhe thanë: “Na mjafton All-llahu, eh sa Zot i mirë është Ai” dhe u kthyen aleatët me mirësinë e All-llahut. Nuk i qëlloi (besim­tarët) kurrfarë e keqe dhe pasuan kënaqësinë e All-lla­hut. All-llahu është i mirë pa masë”. (Ali Imran, 173-174)

“Ti kij bindje (mbështetje) në atë që është i gjallë, që nuk vdes”. (el-Furkan, 58)

“...Dhe besimtarët vetëm tek All-llahu le të mbësh­te­ten!” (Ibrahim, 11)

“..E kur të vendosësh, atë­he­rë mbë­shtetu tek All-lla­hu”. (Ali Imran, l59)

Ajetet për urdhrin e mbështe­tjes (në All-llahun) janë të shumta dhe të njohura. I Lartmadhërishmi thotë:

“Kush mbështetet tek All-llahu, pa dyshim Ai i mjafton atij”. (et-Talak, 3)

“Besimtarë të vërtetë janë ata, zemrat e të cilëve kur përmendet All-llahu mbu­shen me frikë, e kur u lexo­hen ajetet e Tij, ua shtojnë be­si­min dhe që mbështeten vetëm te Zoti i tyre”. (el-En­fal, 2)

Ajetet për vlerën e tevekkulit janë të shumta dhe të njohura. Në vazhdim po i the­ksojmë hadithet mbi këtë temë:

58. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r. anhuma se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “O Zoti im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam be­suar, në Ty jam mbështetur, te Ti jam kthyer dhe në emër Tënd hasmohem. O Zoti im, i mbështetem madhërisë Tënde, nuk ka zot tjetër përveç Teje, të më ruash nga lajthitja. Ti je i gjallë që nuk vdes, kurse xhinnët dhe njerëzit vdesin”. (Muttefekun alejhi)

Ky është transmetim i Mu­s­limit kurse Buhariu e ka shkur­tuar.

59. Trans­me­tohet po ashtu nga Ibni Abbasi r.a. se ka thënë: “Has­bunall-llahu ve ni'me-l-vekil” (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës). Këtë shprehje e ka thënë Ibrahimi s.a.v.s. kur e kanë hedhur në zjarr. E ka thënë Muhammedi s.a.v.s. kur (armiqtë) i kanë thënë: “Vërtet njerëzit (ar­miqtë tuaj) kanë tubuar grumbull të madh kundër jush, andaj frikëso­huni. Përkundrazi, kjo ua shtoi e ua forcoi besimin (besimtarëve) dhe thanë: “Hasbunall-llahu ve ni'me-l-vekil” (Na mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbro­jtës)”. (Buhariu)

Në një transmetim tjetër nga Ibni Abbasi r.a. thuhet: “Fjala e fundit e Ibrahimit s.a.v.s. kur e kanë hedhur në zjarr, ka qenë: “Hasbijall-llahu ve ni'me-l-vekil” (Më mjafton All-llahu, Ai është më i miri mbrojtës)

60. Trans­me­tohet nga Umeri r.a. se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Sikur ju të mbështeteshit në All-llahun me mbështetje të njëmendtë, do t'ju furnizonte siç i furnizon shpezët, gdhijnë të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur”. (Tirmidhiu thotë: hadith ha­sen)
61. Trans­me­tohet nga Ebu Umarete el-Berá ibn Azib r. an­huma se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “O filan, kur të biesh në shtratin tënd, thuaj: 'O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova kah Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti - duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka nga Ti vendstrehim as vendshpëtim për­veç te Ti. Kam besuar në Librin Tënd të cilin e ke shpallur dhe në Pej­gam­be­rin Tënd që e ke dër­guar'. Nëse vdesish atë natë, do të vdesish me iman, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi”. (Muttefekun alejhi)

Në një transmetim tjetër të dy sa­hihëve thuhet: “Më ka thënë I Dërguari i All-llahut s.a.v.s.: “Kur të nisesh për në shtrat merr abdest sikur për namaz, pastaj bjer në anën tënde të djathtë dhe thuaj atë që u cek më lartë”. Pastaj tha: “Bëri këto fjalët të fundit që i thua (para gjumit)!”

62. Trans­me­tohet nga nëna e be­simtarëve, Ummi Seleme, emri i së cilës ishte Hind bintu Ebi Umejje Hudhejfe el-Mahzumijje r. anha, se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. kur dilte nga shtëpia e tij thoshte: “Në emër të All-llahut, mbështetem në All-lla­hun: O Zoti im, të drejtohem për mbrojtje të mos lajthitem e as të më lajthis dikush, të mos rrëshqas e as të rrëshqitem nga dikush, të mos bëj zullum e as të më bëjnë zullum, të mos injoroj kënd, e as mos të injorohem nga të tjerët”. (Hadithi sahih, e trans­me­tojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerë me senede sahih. Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih. Ndërsa ishte në shprehje të Ebu Davudit)
63. Nga Enesi r.a. trans­me­tohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush thotë - kur del prej shtëpisë - Në emër të All-llahut, jam mbështetur në All-llahun dhe nuk ka kurrfarë fuqie as forcë për­veç në All-llahun - i thuhet atij: “Je i udhëzuar, i mbrojtur dhe i ruajtur, dhe prej tij ik djalli”. (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu etj. Tirmidhiu thotë: hadith hasen. Ebu Davudi e shton këtë fjali: “Djalli i thotë djallit tjetër: “Si ia del me njeriun i cili është i udhë­zuar, i ruajtur dhe i mbrojtur?”)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Ti shko rrugës së drejtë siç je urdhëruar”. (Hud, ll2)

“Atyre që thonë, Zoti ynë është All-llahu e pastaj qën­drojnë në këtë, u vijnë en­gjëjt: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni por gëzohuni Xhennetit që u është prem­tuar”. Ne jemi miqtë tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni tërë ato që dëshirojnë shpirtrat tuaj dhe çdo send që të kërkoni. Si shpërblim nga ai që fal dhe është mëshirëplotë”. (Fussilet, 30-32)

“Ata që thonë: Zoti ynë është All-llahu dhe qëndro­jnë në këtë, të mos frikëso­hen as të mos pikëllohen! Ata janë banorë të Xhen­netit. Aty do të mbesin përgjithmonë si shpërblim për atë çka kanë punuar”. (el-Ahkaf, l3-l4)

64. Nga Ebu Amri - ose Ebu Amrete - Sufjan ibn Abdull-llahu r.a. trans­me­tohet se ka thënë: “Thashë: O I Dërguari i All-llahut! Më thuaj për Islamin atë për çka nuk do të kem nevojë të pyes askënd përveç teje”. Tha: “Thuaj, e besoj All-llahun, pastaj vazhdo me ngulm (në këtë)”. (Muslimi)

-Për kalueshmërinë e kësaj bote, për tmerret dhe çështjet e tjera të Ahiretit, për mangësitë dhe vetedukimin personal dhe nxitjen e vetvetes në korrektësi

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj! Unë ju këshilloj vetëm një gjë. “Ngrihuni ndaj All-llahut me sinqeritet, dy nga dy, ose një nga një, e pastaj mendoni”. (Sebe, 46)

“Në krijimin e qiejve dhe të tokës, edhe në ndërrimin e natës e të ditës ka me të vërtetë argumente për ata që kanë mend. Për ata që për­mendin All-llahun në këmbë, edhe ulur, edhe ratë dhe men­dojnë thellë për krijimin e qiejve dhe të tokës. O Zoti ynë, Ti nuk e ke krijuar këtë më kot, qofsh lartësuar! Dhe ruana prej dënimit të zja­rrit”. (Ali Imran, l90-l9l)

“A nuk i shikojnë devetë si janë krijuar. Edhe qiellin - sa lart është ngritur. Edhe malet - si janë vënduar. Edhe tokën si është zgjeruar? Ti këshillo - Ti je vetëm këshillues”. (el-Ga­shije, l7-2l)

“Pse ata nuk shkojnë nëpër botë të shohin si për­funduan”. (Muhammed, l0) Ajetet për këtë temë janë të shumta, kurse prej haditheve, është hadithi i theksuar më lart: “Njeri i mençur është ai i cili e kontrollon vetveten”. (Hadithi nr. 51 i kësaj përmbledhjeje)

- Që ta pranojë atë me seri­ozitet dhe pa kurrfarë ngurrimi -

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Por ju bëni konkurren­cë me vepra të mira..“ (el-Bekare, l48) dhe thotë:

“Dhe shpejtoni për të kërkuar falje nga Zoti juaj dhe për në Xhennet, gjerësia e të cilit kap qiejt dhe tokën, e është përgatitur për të de­votshmit”. (Ali Imran, l33).

Ndërsa prej haditheve për këtë temë janë këto:

65. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “Erdhi një njeri te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe i tha: “O I Dërguari i All-llahut, cila sadaka e ka shpërblimin më të madh?” Tha: “Të japësh sadaka kur të jesh i shëndoshë e koprrac, e frikësohesh nga varfëria, dhe e dëshiron pasurinë. Mos e vono këtë gjer kur të vjen shpirti në fyt, e atëherë të thuash: “Jepjani këtë atij dhe këtë atij tjetrit, ndërsa kjo qysh më herët veç ka qenë e tij”. (Muttefekun alejhi)
66. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se I Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Bëni vepra të mira para se t'u gjejë njëra prej shtatë soshëve: Mos pritni t'u gjejë varfëria e rëndë, ose pasuria që ju masht­ron, ose sëmundja që ju dëm­ton, ose pleqëria që ju shkatërron, ose vdekja e shpejtë, ose dexhxhalin - ai është më i keqi që pritet e nuk ka ardhë, ose çasti i fundit - kurse çasti i fundit do të jetë më i ziu dhe më i hidhuri”. (Tirmidhiu që ka thënë: hadith hasen)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Ata, të cilët bëjnë luftë për ne, Ne do t'i drejtojmë me siguri rrugëve tona; Ndërkaq All-llahu është me të vërtetë në anën e ba­mi­rës­ve”. (el-Ankebut, 69)

“Por përmende emrin e Zotit tënd dhe Atij përkushtoju plotësisht!” (el-Muzemmil, 8)

“Dhe adhuro Zotin tënd sa të jesh gjallë (deri në vdek­je)” (el-Hixhr, 99)

“Ai që punon mirë, sa grima - e sheh atë”. (ez-Zel­zele, 7)

“...Ndërsa të mirat që tek All-llahu i siguroni për vete qysh më parë, do t'i gjeni edhe më të mëdha tek All-llahu dhe do të fitoni shpër­blim edhe më të madh”. (el-Muzemmil, 20)

“...Dhe çkado që jepni për të mirë, All-llahu me siguri e di”. (el-Bekare, 273)

Ajetet mbi këtë temë janë të shumta dhe të njohura.

Kurse prej haditheve të kësaj teme janë këto:

67. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se I Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Kushdo që tregon armiqësi ndaj mikut (velij) Tim, unë do t'i shpall luftë. Me asgjë robi Im nuk mund më mirë të më afrohet, pos me atë me çfarë Unë e kam obliguar dhe vazhdimisht robi Im më afrohet me vepra të mira (nafile), derisa ta dua, e kur ta dua, Unë bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon; syri i tij me të cilin sheh; dora e tij me të cilën sulmon fuqishëm; këmba e tij me të cilën ec. I këtilli nëse më kërkon diç, do t'ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbrojë atë”. (Buhariu)
68. Nga Enesi r.a. trans­me­tohet se Pej­gam­be­rit s.a.v.s. i është për­cjellur nga Krijuesi i tij i Madhëri­shëm i cili ka thënë: “Kur të më afrohet robi Mua një pëllëmbë, Unë atij i afrohem një krah; kurse nëse ai Mua më afrohet një krah, Unë atij i afrohem një pash, dhe kur të më vjen ai duke ecur, Unë i vijë atij duke vrapuar”. (Buhariu)
69. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r. anhuma se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Në dy begati janë të papërfillshëm shumica e njerëzve, e ato janë: shëndeti dhe koha e lirë”. (Buhariu)
70. Nga Aisheja r. anha trans­me­tohet të ketë thënë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ngrihej natën (për namaz) aq gjatë saqë këmbët i patën pël­citur (nga dhembjet), andaj unë i thashë: “Përse po vepron kështu o i Dërguari i All-llahut, kur t'i ka falur ty All-llahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet?” Ai tha: “A nuk dua që të jem rob falënderues?” (Muttefekun alejhi)

Ky është citat i Buhariut. Si ky është edhe në sahihajn në transmetim të Mugire ibn Shu'be.

71. Trans­me­tohet se Aisheja r. anha ka thënë: “Kur vinte dhjetëshja (dhjetë ditët e fundit të Ramazanit) i Dërguari i All-llahut s.a.v. e gjallëronte natën (me ibadet), e zgjonte familjen e tij, angazhohej më tepër dhe vetmohej (për ibadet dhe izolim prej grave)”. (Muttefekun alejhi)
72. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari i fortë (në besim) është më i mirë dhe më i dashur tek All-llahu se sa besimtari i dobët, dhe te secili ka dobi. Kujdesu për atë që të sjell dobi. Kërko ndihmë nga All-llahu e mos u bëj i dobët.Nëse të godet diçka, mos thuaj: sikur të veproja kështu do të ndodhte kjo, por thuaj: All-llahu e ka caktuar dhe çka ka dashur Ai ka vepruar. Sepse “lev-i” (sikur të...) e fillon veprimin e djallit”. (Muslimi)
73. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Xhehennemi është i rrethuar me epshe, kurse Xhenneti është i rrethuar me vështirësi”. (Muttefekun alejhi)
74. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbe­sin veprat e tij”. (Muttefekun ale­jhi)
75. Nga Ibni Mes'udi trans­me­tohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Secilit prej jush Xhenneti i është më i afërt se sa rripi i sandalles (lidhë­sja e këpucës) së tij, e po ashtu është edhe Xhehennemi”. (Buhariu)
76. Nga Ebu Abdull-llah - Ab­durrahman Thevbán, shërbëtor (mevlá) i të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s trans­me­tohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s., duke thënë: “Të re­komandoj të bësh shumë sexhde, sepse ti nuk bën asnjë sexhde për All-llahun e që All-llahu të mos lartësojë ty nga një shkallë dhe ta shlyen me të nga një mëkat”. (Muslimi)
77. Trans­me­tohet nga Ebu Safván Abdull-llah ibn Busr el-Eslemij r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që jeton gjatë dhe bën vepra të mira”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
78. Nga Ebu Mes'ud Ukbe ibn Amr el-Ensarij r.a. trans­me­tohet se ka thënë: “Pasi u shpall ajeti i sadakasë, ne asokohe punonim si hamej, pastaj erdhi një njeri dhe dha shumë pasuri sadaka. (Të pranishmit) Thanë: “Dëshiron të tregohet”, pastaj erdhi një njeri tjetër dhe dha një tas sadaka. Thanë: “Vërtet All-llahu është i panevojshëm për këtë tas!” Me atë rast u shpall ajeti: “Ata që përgo­jojnë besimtarët në dhënien vull­netare të kontributeve, madje i përbuzin edhe ata të cilët japin me përpjekje të madhe.” (et-Tewbe, 79) (Muttefekun alejhi)
79. Nga Seid ibn Abdul-Aziz, nga Rebija ibn Jezid, nga Ebu Idris el-Havláni, nga Ebu Dherr Xhun­dub ibn Xhunade r.a. përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. trans­me­ton nga All-llahu i Gjithëfuqishëm, që ka thënë: “O robtë e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar edhe ndër ju, prandaj mos i bëni dhunë njëri-tjetrit. O robtë e Mi! Të gjithë ju jeni të la­jthitur, përveç atij që e përudhi Unë, prandaj kërkoni udhëzime nga Unë, do t'ju përudhë. O robtë e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, pran­daj kërkoni t'ju ushqej, do t'ju ushqej. O robtë e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e veshi Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë, do t'ju vesh. O robtë e Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, kurse Unë i fali të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni nga Unë falje, do t'ju fal. O robtë e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini tek ajo me çka Mua dëm do të më shkak­tonit që të më dëmtonit, as që ndonjëherë do të arrini tek ajo që Mua dobi do të më sjellë, që të më kontribuonit. O robtë e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të devotshëm, si zemra më e devotshme e njërit nga ju, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim në asgjë.

O robtë e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit nga ju, kjo nuk do ta pakësonte sundimin Tim në asgjë. O robtë e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju dhe njerëzit nga ju dhe xhinnët nga ju të ngriheshi (qëndroni) në një vend dhe dëshi­rat dhe lutjet Mua të m'i drejtoni, dhe Unë t'i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do ta zvogëlonte atë që kam Unë përpos sa zenë vend gjilpëra kur ngulitet në det. O robtë e Mi! Çdo gjë varet nga veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, kurse për të cilat Unë do t'ju shpërblej. Kush gjenë mirë, le ta falënderojë All-llahun kurse kush gjenë të kundërtën, mos ta fajësojë askë përveç vetvetes”. (Muslimi)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“A nuk ju kemi lënë të je­toni mjaft, e ai që ka dashur të mendojë ka pasur mjaft kohë, madje ju erdhi edhe Pej­gam­be­ri!” (el-Fatir, 37)

Ibni Abbasi dhe dijetarët tjerë islamë rreth kuptimit të këtij ajeti thonë: “A nuk ju kemi lënë të je­toni 60 vjet” dhe këtë e provojnë me hadithin që do të theksohet më poshtë. Thonë edhe për 18 vjet ose 40 vjet. Po ashtu, El-Hasani, el-Kelbiu dhe Mesruki transmetojnë nga Ibni Abbasi se kur ndonjëri prej medinasve mbushte 40 vjet, vetmohej për ibadet. Kurse për pjesën e ajetit: “Madje u erdhi edhe Pej­gam­be­ri” Ibni Abbasi dhe Xhumhuri thonë: “Ai është Pe­j­gam­be­ri Muhammed s.a.v.s.”, e ka pasur edhe mendime të tjera. Kurse hadithet mbi këtë temë janë:

80. Nga Ebu Hurejre trans­me­tohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “All-llahu e arsyeton njeriun që ia ka shtyer exhelin derisa t'i ketë mbushë gja­shtëdhjetë vjet”. Dijetarët thonë: Kuptimi i hadithit është: Pas këtij afati (gjashtëshjetë vjet) All-llahu nuk i jep rast njeriut të arsyetohet.
81. Trans­me­tohet nga Aisheja r. anha se ka thënë: “Pasi u shpall sureja En-Nasr (“Kur vjen ndihma e fitorja e All-llahut”), i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. nuk ka falë asnjë namaz e të mos ketë thënë: “Suhbhaneke rabbena ve bi ham­dike, All-llahummagfir lî” (Lavdia të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar. O All-llahu im, më fal) (Muttefekun alejhi)

Sipas një transmetimi tjetër në dy sahihët nga Aisheja r.a. trans­me­tohet: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. shpeshherë thoshte në kërrusjet (ruku') dhe në sexhdet e tij: “Sub­hânekall-llahumme rabbenâ ve bihamdike, All-llahu­mmag­fir lî” (Lavdia të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar, O All-llahu im, më fal), duke e bërë kështu te'vîl Kur'anin. Te' vîl i Kur'anit do të thotë: veprim i asaj që urdhërohet në Kur'an sipas fjalëve të La­rtmadhëri­shmit: “Fe sebbih bi­hamdi rabbike ve-s-tagfirhu” (Ti madhëroje Zotin tënd me lavdëresa dhe kërko falje nga Ai). Sipas një tra­nsmetimi të Muslimit, I Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. e shpeshtoi të thoshte para se të vdesë: “Subhânekall-llahumme ve bihamdike estagfiruke ve etubu ilejke” (Lavdia të qoftë Ty, All-llahu im dhe qofsh i falënderuar, te Ti kërkoj falje dhe pendohem). Aisheja r.a. thotë: “I thashë: O i Dërguari i All-llahut, ç'janë këto fjalë të reja që po i thua?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Mua më është dhënë një shenjë (alamet) për um­metin tim, që kur ta shoh, të them: “Idhâ xhâe nasrull-llahi ve-l-fet'hu” (Kur vjen ndihma e All-llahut dhe fi­torja) e deri në fund të sures”. Ndërsa sipas një transmetimi po ashtu të Muslimit, i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. shumëherë thoshte: “Sub­hânall-llahi ve bihamdihî, Estagfirull-llahe ve etubu ile­jhi” (Lavdia i qoftë All-llahut dhe qoftë i falënderuar, kërkoj falje nga All-llahu dhe tek Ai pendohem). Ka thënë (Ai­sheja): “I thashë: “O i Dër­guari i All-llahut po të shoh shpesh se thua: “Subhanall-llahi ve bihamdihî. Estagfirull-llahe ve etubu ilejhi?” Pej­gam­be­ri tha: “Më ka la­jmëruar Krijuesi im se unë do të shoh një shenjë (alamet) në um­me­tin tim, dhe kur ta shoh atë ta shpeshtoj thënien: “Subha­n­all-llahi ve biham­dihi. Estagfi­rullahe ve etubu ilejhi”. Unë e kam parë atë, e ajo është: “Idhâ xhâe nasrull-lahi ve-l-fet'hu.” (Kur vjen ndihma e All-llahut dhe fi­torja. Dhe i sheh njerëzit që po hyjnë në fenë e All-llahut grupe-grupe. Ti madhëroje Zotin tënd me lavdëresa dhe kërko falje nga Ai! Ai me të vërtetë e pranon pendimin. (en-Nasr: 1-4)).

82. Trans­me­tohet nga Xhabiri r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Secili njeri do të ringjallet (në Ditën e gjykimit) në gjendjen në të cilën ka vdekur”. (Muslimi)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“...Dhe çka të bëni nga të mirat, All-llahu me siguri e di atë”. (el-Bekare, 215)

“Çkado që të bëni mirë, All-llahu e di.” (el-Bekare, 197)

“Ai i cili punon mirë, sa grima - e sheh atë” (ez-Zel­zele, 7)

“Kush ka bërë mirë, ka bërë për vete.” (el-Xhathije, 15)

Për këtë temë ka shumë ajete. Sa u përket haditheve, ato janë mjaft shumë dhe të panumëruara, po i theksojmë disa sosh:

83. Trans­me­tohet nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade r.a. se ka thënë: “I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, cila është vepra më e mirë?” Tha: “Besimi në All-llahun dhe lufta (xhihadi) në rrugën e Tij”. I thashë: “Cili lirim robërie është më i miri?” Ai tha: “Ai që është më i vlefshëm për familjen e tij (aty ku ka shërbyer) dhe që është më i shtrenjtë në çmim”. I thash: “Nëse nuk mund ta bëjë?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Ndihmoji atij që bën mjeshtëri, ose bëni mjeshtëri atij që nuk di mjesh­tëri”. Thashë: “O i Dërguari i All-llahut, e çka mendon nëse unë nuk mund të bëj diç nga dobësia?” (Pej­gam­be­ri) tha: “Ruaju mos u bësh keq të tjerëve, e kjo do të jetë sadaka jote për veten tënde”. (Muttefekun alejhi)
84. Nga Ebu Dherri r.a. po ashtu trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Çdo mëngjes për çdo nyje (të trupit) tuaj ka sadaka. Çdo tesbih - lavdërim (të shprehurit subhanall-llah) është sadaka; çdo tahmid - falënderim (të shprehurit elhamdu li-l-lah) është sadaka; çdo tekbir - madhërim (të shprehurit All-llahu ekber) është sadaka; urdhëresa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër të keqes është sadaka. Krejt këtë e zëvendësojnë dy rekate namaz nafile të paraditës (duhâ)”. (Muslimi)
85. Trans­me­tohet përsëri nga Ebu Dherri r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Më janë prezentuar veprat e ummetit tim, të mirat dhe të këqijat. Ndër veprat e tyre të mira e kam gjetur edhe lar­gimin nga rruga atë që i mundon kalimtarët. Kurse ndër veprat e tyre të këqija bën pjesë edhe pështyma e cila nëse bëhet në xhami (në ndonjë mënyrë paraqitet e) nuk groposet”. (Muslimi)
86. Po ashtu trans­me­tohet nga Ebu Dherri r.a. se disa njerëz kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, pasanikët na tejkaluan me shpër­blime, ata falin namaz si ne, agjë­rojnë si ne, kurse (përveç kësaj) nga teprica e pasurisë së tyre japin sadaka”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “A nuk ju ka dhënë All-llahu edhe juve me çka të bëni sadaka? Vërtet, çdo tesbih (lavdërim All-llahut) është sadaka, çdo tekbir (madhërim All-llahut) është sadaka, çdo tahmid (falënderim All-llahut) është sadaka, çdo tehlil (thënia: La ilahe il-lall-llah) është sadaka”. Urdhë­resa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër të keqes është sadaka, edhe marrëdhënia seksu­ale (bashkëshortore) është sadaka”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a edhe kur ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie epshore ka shpërblim? Tha: “Më thuani, nëse epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka për të mëkat? Po ashtu nëse e përdor në hallall do të ketë shpërblim”. (Muslimi)
87. Përsëri trans­me­tohet nga Ebu Dherri r.a. i cili thotë: “Më tha Pej­gam­be­ri s.a.v.s.: “Assesi në asnjë mënyrë mos e nënçmo asnjë vepër të mirë, po qoftë edhe ta takosh vëllain tënd me buzëqeshje”. (Muslimi)
88. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur lind dielli, duhet dhënë sadaka. Nëse pajton dy veta - edhe kjo është sadaka, nëse dikujt i ndihmon që të hipën në kafshën e tij, ose i ndihmon që barrën ta ngarkojë në kafshën e tij (kalë ose deve) edhe kjo është sadaka, edhe fjala e mirë është sadaka, çdo hap të cilin e bën për të shkuar në namaz është sadaka, edhe largimi nga rruga i asaj që i pengon kalimtarët është sadaka”. (Muttefekun alejhi)

Kurse në Sahih të Muslimit sipas transmetimit të Aishes r.a. thuhet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet secili njeri prej Beni Ademëve është krijuar me 360 (treqind e gjashtëdhjetë) nyje. Kush e madhëron All-llahun (duke thënë: All-llahu ekber), kush e falënderon (me elhamduli-l-lah), kush i bën tehlil (duke thënë: La ilahe il-lall-llah), kush i shpreh lavdi (tesbih), kush i kërkon falje (istigfâr), kush e mënjanon një gur, një ferrë apo një kockë nga rruga e njerëzve, ose urdhëron për të mirë, ose ndalon kundër së keqes (shpërblimi i tij është) sa 360 (nyjet), ai atë ditë do të ecë i shpëtuar nga zjarri”.

89. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kush shkon në xhami për namaz në mëngjes ose në mbrëmje, All-llahu për këtë do t'i përgatisë atij gosti (në Xhennet) në mëngjes ose në mbrëmje”. (Muttefekun alejhi)
90. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “O ju gratë mus­limane, asnjëra nga ju mos ta për­buzë shoqen fqinje të saj, qoftë ajo edhe për një thundër deleje”. (Muttefekun alejhi)
91. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Imani (besimi) është gjashtëdhjetë e disa apo shtatëdhjetë e disa degë: Më e vlefshme është fjala: “La ilahe il-lall-llah” (nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut), kurse më e ulta është të larguarit nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët. Edhe turpi është një degë e imanit”. (Mutte­fekun alejhi)
92. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etja e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë që han baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë”. Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lartë dhe i jep të pijë qenit. All-llahu për këtë e falënderon dhe ia fal mëkatet”. (As'habët i) Thanë: “O i Dërguari i All-llahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Në gjithçka që ka mëlqi të lagur ka shpërblim”. (Muttefekun alejhi)

Në transmetimin e Buhariut theksohet: “E falënderon All-llahu, ia falë mëkatet dhe e fut në Xhennet”. Kurse në një transmetim të Buhariut dhe Muslimit (ku kjo ngjarje thek­sohet më gjerësisht), thekso­het: “Një ditë një qen u soll rreth pusit, pasi që etja e kishte kapluar për vdekje. Atë e sheh një lavire dhe horre prej Beni Israilëve e cila e zbathi këpucën e saj dhe me të i dha ujë qenit derisa e ngopi; për këtë vepër iu falën mëkatet”.

93. Ebu Hurejre r.a. po ashtu thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet e kam parë një njeri duke u dëfryer në Xhennet për shkak se kishte prerë një dru i cili i pengonte në rrugë duke kaluar muslimanët”. (Muslimi)

Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Një njeri has në një degë të lisit në mes të rrugës, e thotë: “Pasha All-llahun, unë këtë do t'ua largoj muslimanëve që mos t'i mun­dojë”. Andaj u fut në Xhen­net”. Kurse në një transmetim të Buhariut dhe Muslimit: “Duke ecur rrugës një njeri e gjen një degë të ferrës dhe e largon. All-llahu e falënderoi atë dhe ia fali mëkatet”.

94. Ebu Hurejre r.a. trans­me­ton se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush merr abdest bukur e mirë, pastaj shkon në namaz të xhumasë, atje hesht dhe dëgjon (hutben), i falen mëkatet e bëra në mes të dy xhumave dhe tri ditë më tepër. Kush argëtohet në xhami me rërë (dhe gjëra të tjera), e ka zhvlerësuar dobinë e xhumasë”. (Muslimi)
95. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur një rob musliman, apo një besimtar merr abdest, kur e lanë fytyrën, prej tij bien të gjitha mëkatet e syve të tij me të cilët ka shikuar, bashkë me ujin ose me pikën e fundit të ujit. Kur t'i lajë duart, i bien të gjitha mëkatet e duarve me ujin ose me pikën e fundit të ujit, derisa të dalë i pastër nga mëkatet. Kur t'i lajë këmbët e tij, i bien të gjitha mëkatet e këmbëve bashkë me ujin ose me pikën e fundit të ujit, ashtu që ai mbetet plotësisht i pastër prej mëkateve”. (Muslimi)
96. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Pesë namazet - prej njërit deri te tjetri, namazi i xhumasë - prej njërit deri te tjetri dhe prej një ramazani gjer në ramazanin tjetër, janë pastrues të mëkateve në mes tyre - nëse ruheni prej mëkateve të mëdha”. (Muslimi)
97. Nga Ebu Musa el-Esh'arij r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Një rob (musliman) kur të sëmuret, ose kur të jetë në rrugë, i shënohen (shpërblimet) njësoj sikur ka qenë i shëndoshë dhe në shtëpi”. (Buhariu)
98. Trans­me­tohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Çdo vepër e mirë është sadaka”. (Këtë hadith e trans­me­ton Buhariu, kurse Muslimi e trans­me­ton prej Hudhejfes r.a.)
99. Xhabiri r.a. thotë se i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Asnjë musliman nuk do të mbjell një fidan e të mos ketë për çdo fryt që hahet prej tij sadaka, e edhe për atë që i vidhet ai ka sadaka, edhe për atë që i humbet ka sadaka”. (Muslimi)

Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Secili musliman që mbjell një fidan (pemë) e prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t'i jetë kjo sadaka deri në Ditën e Gjykimit”. Kurse në një transmetim tjetër po ashtu të Muslimit thuhet: “Për çdo pemë apo bimë që mbjell muslimani e prej tyre ushqehen njerëzit dhe kafshët, ai ka sadaka”. Transmetimi i këtillë është prej Enesit r.a.

100. Trans­me­tohet nga Adijj ibn Hatim se ka thënë: “E kam dëgjuar Pej­gam­be­rin s.a.v.s. duke thënë: “Frikësohuni (ruajuni) nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme”. (Muttefekun alejhi)

Në një transmetim tjetër po nga ky transmetues, Buhariu dhe Muslimi theksojnë hadi­thin në tërësi si vijon: “I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Secilit prej juve Kri­juesi i vet do t'i drejtohet drejtpërdrejt (me të folur-pyetje) pa përkthyes. Do të shikojë nga ana e tij e djathtë, e nuk do të sheh tjetër gjë veçse veprat e tij (të mira). Pastaj do të shikojë nga ana e tij e majtë, e nuk do të sheh tjetër gjë veçse veprat e tij (të këqija). Do të shikojë përpara vetes e nuk do të sheh tjetër veçse zjarrin (e Xhehennemit) para fytyrës së tij. Andaj, mbrohuni nga zjarri (i Xhe­hennemit), qoftë edhe me gjysmë hurme, e kush nuk e gjen këtë, atëherë me fjalë të mirë”.


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3