Nga Sevo Tarifa

(Kujtimet e një bashkëluftëtari)

Lufta për çlirimin e fshatit Dukaj të Tepelenës, rënia në fushën e nderit e dhjetë dëshmorëve, midis të cilëve Heroi i Popullit Mitro Xhani, (Balena), plagosja e njëmbëdhjetë luftëtarëve të lirisë, më kanë mbetur të pashlyeshme e të feskëta në sytë dhe mendjen time, si një nga partizanët adoleshentë, dëshmitar okular i kësaj beteje dhe i rënies së këtij Heroi e të dëshmorëve të tjerë.


25 korrik 1944. Në Dukaj ishte dislokuar batalioni armik “Vermoshi”, i përbërë nga një njësit gjerman, një togë ballistësh, një kompani xhandarësh. Gjithsejt 207 kriminelë, vrasës, hajdutë. Një togë e këtij batalioni armik, qëndronte në Salari, e mbante regjimi kuisling i Tiranës, si një forcë të zgjedhur model, të stërvitur dhe të armatosur më së miri. Në Dukaj do të vepronte batalioni i dytë “Abaz Shehu” i Brigadës VI Sulmuese, në Salari batalioni i III i kësaj Brigade. Obiektivi: çlirimi i fshatit Dukaj.

Forcat armike kishin masakruar e vrarë 12 djem e burra të këtij fsati, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan: i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! (E bëra këtë hyrje të vogël, për ata pseudohistorianë, që shkruajnë e flasin si të jenë kolaboracionistë të pushtuesve të huaj!)


Populli i fshatit Dukaj kërkonte shpëtim nga partizanët. Komanda e Brigadës VI Sulmuese me komandant heroin Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toskën (Vogli), morën të gjitha masat për çlirimin e këtij fshati nga armiqtë gjakatarë, ujqër me dy këmbë. Mitro Xhani (Balena), zv.komisar i Batalionit të Dytë”, me një grup partizanësh e udhërrëfyes dukjotë territorialë, u njoh në vend me terrenin, forcat e armikut, itinerarin, sulmin dhe parashikuan fitoren, sipas parimit: “Njihe armikun më parë se të të njohë ai.”

Natën, duke u gdhirë 25 korriku 1944, batalioni “Abaz Shehu”, me pararojën në ballë, niset nga Damsi, zbret tatëpjetë, në kolonë për një, pa fjalë, pesë hapa larg njëri-tjrtrit. Kalon xhadenë, hedh Vjosën, ecën asaj rruge që gjarpëron nga Dragoti drejt Dukajt dhe pa u zbardhur mirë dita rrethon fshatin. Armiqtë i kishin llogoret të fortifikuara në kodrën shkëmbore që ishte në qendër të fshatit.

Fare afër armiqve u gjend pa pritur prej tyre skuadra sulmuese me 11 partizanë vullnetarë, që kishin shkuar aty barkas, këmba-dorazi. Trupi i tyre mbante erë djerse nga vështirësitë e kalimit rrugë e parrugë dhe në errësirë. Por sytë e tyre shikonin larg, në thellësi. Janë sy të partizanëve,“pararoja” e mendjes së tyre të zjarrtë, të ndritur e të patrembur, që do të ndesheshin me armiq, të cilët tani ndodhen para tytës së automatikëve të kësaj skuadre dhe goditjes së paprerë të batalionit partizan.

Pritej urdhri i luftimit. Dhe ky urdhër u dha: “Para partizanë”! E pashë Balenën që lëvizi në drejtim të armiqve të mbrojtur në llogore të betonuara, ndërsa ai dhe skuadra sulmuese ecnin e shtriheshin duke hapur zjarr e duke zënë “pozicione” në rrethana natyrore, pas ndonjë gardhi, shkurre ose guri të një terreni të hapur, aty përballë armiqve.

Mua më takoi të isha në tatëpjetën afër kodrës shkëmbore, i mbrojtur disi nga një gjysmë muri të rrëzuar me një degë hardhije, që sapo kishte lidhur kokrra. Edhe pse kisha shumë etje për ujë, si partizan nuk mund të zgjatja dorën e të merrja një kokërr! Në çast “e humba” nga sytë Balenën, sepse një predhë e armikut goditi në gurin afër meje, një copë e të cilit, me forcën dhe presionin e tij më gjakosi në ballë e më rrëzoi përtokë. Partizani i moshuar Xhevo Ahmeti, që ishte pozicionuar aty pranë e ndjeu që automatiku im pushoi, kujtoi se u vrava dhe erdhi me vrap. Më gjeti shtrirë, më fshiu gjakun me dy fletë hardhije. Në fytyrën e tij lot hidhërimi, tani lot gëzimi, që bashkëfshatari i tij është i gjallë!

Sa u përmenda, sytë më shkuan përsëri te Balena, i cili vazhdonte duke manovruar në ngjitje drejt pozicioneve të armikut, duke qëlluar kundër tyre. Kjo na nxiti që edhe ne e të tjerë sulmues të ndiqnim shembullin e zv.komisarit, të çanim më shpejt përpara e të ishim krahas e në mbrojtje të tij. Kisha nderin të isha 4-5 metra pranë heroit, po aq larg sa edhe kundrejt armiqve. Zjarri ynë vazhdonte me automatikë, gjithnjë drejt frengjive të llogoreve të armiqve, gjë që i pengonte ata të përdornin pushkën, prandaj dendësuan hedhjen e bombave të dorës.

Beteja po ashpërsohej. Forca të batalionit partizan ngjiteshin përpjetë drejt armiqve në kodrën shkëmbore. Dara e rrethimit të armikut po ngushtohej. “Ti kapim të gjallë”,- u dëgjua një zë partizani. Rreth Shkëmbit të Prerë zhvillohej sulm i paprerë. Në vijën e parë, afër llogoreve të armiqve, mbërriti me shpejtësinë e sorkadhes dhe zuri vend, Mitro Xhani. Ardhja e tij në vijën e sulmit u shtoi guximin partizanëve sulmues.

Nisi këngën automatiku që shkrepej nga dora e trimit Mitro Xhani, predhat e të cilit shkonin drejt frengjisë në llogoret e armiqve. Dëgjoheshin alarmi dhe gërthitjet e tyre, me një fjalor banal, gjithë të shara çnjerëzore kundër luftëtarëve. Vazhdonin që, në pamundësi të përdornin pushkë nga ato frengji, se u pritej koka, armiqtë luftonin me bomba dore. Balena ishte në rrezik, fare afër zjarrit armik.

Ndërkaq, përmes atij zjarri të dendur të armikut me bomba njëra pas tjetrës, mbërriti në tym e flakë skuasdërkomandanti Mehmet Karabolli, i cili në një dorë mbante kapelën e kokës me granada angleze e në dorën tjetër pushkën. Iu afrua Balenës, i cili zgjati dorën dhe mori një prej tyre. E pamë që i hoqi siguresën dhe menjëherë e vërviti në llogoren e afërt të armikut. Llogorja u hodh në erë, armiqtë brenda saj u vranë, nuk dëgjohej më asnjë fjalë e tyre, nuk hidhej asnjë bombë tjetër. Por… në çast, zhdukja e llogores armike bëri të duket trupi i Mitros dhe një nga armiqtë që ishte në llogoren tjetër më tej, merr shenjë e plumbi i tij e godet në ballë…

Ra si një lis Mitro Xhani! Automatiku i tij pushoi. U kuptua se zv.komisari u vra. Rreth trupit të tij u mblodhën partizanët që ishin aty pranë, rreth e qark në vijën e parë të sulmit. Ata që ende s’e dinin që ra Balena, vazhdonin sulmin. Sa u mor vesh, u ndezën gjakrat e luftëtarëve. Tani në sulm nuk ishte vetëm skuadra e sulmit e forca të tjera partizane, por i gjithë batalioni. Partizanët që ishin aty afër, qëndronin në nderim rreth trupit të shtrirë të Mitros. Frymëmarrja e tij nuk dëgjohej më, por sytë ende qëndronin të hapur, sikur po shikonin sulmin partizan që vazhdonte, sikur shihnin fshatin Dukaj të çliruar! Edhe pse jeta e Balenës u shua, automatikun trimi s’e lëshonte nga duart. Buzëqeshja e tij e trëndafiltë donte të thoshte: “Vazhdoni luftën, shokë. Rroftë Shqipëria e lirë! Lamtumirë!”.

Rreth trupit të Mitros bisedohej si do t’i thuhet Athinasë, shoqes së tij të jetës. Sytë e luftëtarëve ishin mbërthyer te Balena. Kur… Athinaja, duke parë partizanë në grup, mbërriti vetë! Sytë i shkuan te Balena shtrirë në tokë, nga balli me gjak varur faqeve. Vuri re partizanët me sy të përlotur dhe tha: “Shokë, trimat nuk qahen. Qahen me zemër”! Dhe në vend të lotëve nisi kënga. “O shokë të mbajmë/ dy minuta zi/ U vra Mitro Xhani/ Nga Piqerasi”.


Hakmarrje! Zjarri goditës i partizanëve po shtohej. Ishte kulmi i luftës të asaj beteje të ashpër. Era e barutit mbushi atë hapësirë. Armiqtë delnin nga llogoret me duar përpjetë, disa dhe me shami të bardhë në dorë! S’dinin ç’të bënin. Nga t’ia mbanin. Disa shkonin te shkolla e fshatit, e cila ishte gjithashtu e fortifikuar dhe po sulmohej e ata vriteshin, të tjerë armiq hidhnin pushkën. Kishte ikur “burrëria” e tyre që pretendonin se ishin të tillë. Dëgjoheshin si refren dy fjalë: “Jam dorëzu”! Ishin me fytyrë të egërsuar. Me trup të përkuluar. Me frikë në palcë. Me sy të shqyer. Prej tyre kishte që vriteshin duke luftuar në tërheqje, të tjerë zbrisnin përroit për të shpëtuar kokën, por ishin të rrethuar dhe kapeshin rob.

Disa armiq fshiheshin nëpër shtëpi fshatarësh, por këta i dorëzonin te partizanët. Njëri prej xhandarëve që ishte strukur si miu në vrimë, doli në verandën e një shtëpie, dridhej si purteka dhe thoshte “Jam dorëzu”, por pushkën “Novanta uno”, me fishek në gojë e sigurecën hequr, e mbante në duar dhe nuk po e hidhte, përkundrazi donte të vristë dy partizanët që kishte përballë, por në këtë rast mori plumbin ballit, nga të dy luftëtarët, njëri nga të cilët ishte skuadërkomandanti trim Hulo Kullai! Më tej një xhandar tjetër rënkonte i plagosur rëndë. Një ballist, të cilin e kishte kapur plumbi “dum-dum” i partizanëve, digjej si qiriri. Disa robër mblidhnin dhe ngarkonin e shkarkonin materiale luftarake e të tjera të vjedhura në shtëpitë e fshatarëve.

Batalioni armik u asgjësua. U vranë 12 nazistë, 134 xhandarë e të tjerët ballistë. Shpëtuan vetëm 5 armiq, me komandantin e batalionit Dod Nikolla, që iku fshehurazi me bisht në shalë buzë Vjosës dhe shkoi në Vlorë i çmendur, duke thirrur : ”207, 207, 207”…, (aq sa ishte efektivi i batalionit armik). U kapën rob: (4 gjermanë, njëri marshall); 59 xhandarë, (midis tyre 1 toger, 1 kapter e dy rreshterë); 4 italianë; 17 ballistë. Robrit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Të tjerë u lanë të lirë.

U kapën 5 mitralozë të rëndë dhe 6 të lehtë; një sasi e madhe armësh e municionesh, 10 revolverë,10 orë xhepi, 3 dylbi, 15 kafshë ngarkuar me sende ushqimore, veshmbathje e sende të ndryshme, që i ishin grabitur popullit. Midis tyre ishte edhe paja e vajzës së Isuf Hysenajt, e cila u gjend në valixhet e mercenarëve dhe iu dorëzua familjes, sepse ishte caktuar data e dasmës për martesën e saj!

Kur batalioni u nis nga Damësi për betejën e Dukajt, itendenti i batalionit, Nase Doko nga Umelica, u ndau partizanëve “racionin” e bukës me një “thua” djath dhe i porositi: ”këtë e kini për sonte dhe për nesër”, por Sharra, partizani i njohur më “hamës” i batalionit, u përgjigj: “kjo mua s’më del as për sonte, jo ta lë për nesër, do ta ha të gjithë, se e di që duke fituar mbi armikun, do zëmë edhe bukë e ushqime për të ngrenë”! Dhe të nesërmen krahas materialeve të sipërme, në çantat e armiqve u gjetën me bollëk jo vetëm bukë gruri, por edhe mish të pjekur, vezë, raki, biskota e deri mjaltë. Doli fala e Sharrës!…Beteja e Dukajt përfundoi me fitoren e thellë të partizanëve.


Çlirimi i Dukajt u la me gjakun e Mitro Xhanit, të dëshmorëve të tjerë dhe të partizanëve të pagosur, njëri nga të cilët u nda nga jeta të nesërmen e sulmit. Të gjithë nuk i bënë dredha plumbit. Luftuan trimërisht. Fitorja e kësaj beteje shënoi datën e çlirimit të fshatit Dukaj më 25 korrik 1944. Atë ditë, në kodrën shkëmbore ziente kënga dhe vallja e partizanëve dhe e dukjotëve. Qeshnin e gëzonin pleq e fëmijë, burra dhe gra. Në vitet që pasuan, 25 korriku do të kthehej në festë popullore.


25 Korrik 2018