Psalmet - Psalmi 45
|
1 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.
14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.
15 Ato do t'i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t'i bësh princa për tërë tokën.
17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.