Prozë që shkon krahas gjithë ndjeshmërisë lirike të autorit

(Shënime për librin “Thërrmimi i Niagarës” të shkrimtarit Vangjush Ziko)


Vangjush Saro

Proza është një nga aktet e rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit të njohur Vangjush Ziko. Krahas disa monografive, si ajo për qytetin e lindjes dhe më tej, për serenatën, ai ka botuar gjithashtu librat në prozë “Bezhani”, “Dardha” dhe “Borëbardha Flokëthinjur”. (Romancë kanadeze) Thjeshtësia, fryma humane dhe stili poetik, kanë spikatur në të gjitha krijimet e tij, edhe përtej poezisë. Autorin e shqetësojnë dhe e inspirojnë motive të vendlindjes, Korça dhe Shqipëria, por edhe jetët dhe fatet njerëzore në hapësirat e atdheut të dytë, Kanadasë. Edhe në këtë rafsh, Vangjush Ziko është i veçantë në mënyrën se si qaset te lexuesi, duke e përcjellë ngjarjen a meditimin si një bisedë, duke poetizuar me masë dhe pa bujë.

Një nga botimet më të rëndësishme të tij në prozë, është së fundi libri “Thërmimi i Niagarës” (Amazon, 2018) Në skicat, tregimet dhe esetë e këtij libri, që në një titull të dytë mund ta gjenim si një poemë për emigracionin, ka gjetje interesante, mall, dashuri, përvoja, motive e ndjesi të pakonsumuara e, siç edhe pritej, të realizuara me një frymë poetike. (S’mund të ndodhte ndryshe, përderisa jemi në hapësirat krijuese të poetit të njohur.) Në libër, ka edhe dyzime, brengë, merak, ka përpjekje për të kuptuar transformimet në jetën njerëzore dhe në natyrë, dukuritë e reja, përvojat vetiake dhe ato të të tjerëve, në kohë e në vende të ndryshme të botës, por më së shumti në Kanada, ku autori jeton prej disa dekadash.

Prozat e Vangjush Zikos janë të mbushura me mendim, dlirësi e dashuri për jetën dhe njerëzit; ato janë të shkruara thjesht e pa maniera. Në to, nuk ka askund kërkime false e poza, por vetëm rrëfim e meditim të sinqertë, ëmbëlsi në komunikim e, mbi të gjitha, thjeshtësi klasike, që vetëm një autor i spikatur mund ta ofrojë. (“Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” Gëte)

“Flamuri me gjethe panje”, “Windchill”, “Sinfonia e rrugëve”, “Një kartolinë”, “Autobuzi”, “Vetmia e trëndafilave”, “Jehona e një kënge”, “Vetmia jonë moderne” “Bjerrë dëborë e bardhë”, “Kanadezja”, “Thërrmimi i Niagarës”, etj., janë të gjitha krijime të hijshme dhe që të trazojnë e qetësojnë njëherësh. Me shumë finesë, përcillet ndjesia e nderimit dhe e veçanësisë së flamurit kanadez, një gjethe: “Ajo ngjan me një pëllëmbë njeriu, thotë autori, një pëllëmbë fisnike që u zgjatet bijve hallexhinj të të gjitha kontinenteve dhe racave dhe i fton ata në prehrin e vet, duke u premtuar të gjithëve punë, barazi dhe miqësi, pa asnjë dallim ngjyre dhe feje midis tyre.” (“Flamuri me gjethe panje”) Në shumë nga këto proza, autori vizaton peizazhe, si te “Simfonia e rrugëve” “Meditim buzë liqenit”, etj. (Jemi gjithë në natyrën e tij poetike.) Tipari tjetër që bie në sy menjëherë, duke shpjeguar qartazi frymën poetike për të cilën u fol më lart, është prania e heroit lirik. (“Windchill”/ Vetmia e trëndafilave”, etj.)

Personazhet e librit “Thërrmimi i Niagares” janë të tillë që lexuesi e ka të lehtë t’i përfytyrojë. Diku vijnë si portret, (“Shëmbëlltyra e xha Kocit”); diku gjetkë ata rrëfejnë një jetë; më tej, i shohim në kërkim të një enigme, që zgjidhet në fund… Në prozat e V. Zikos, krahas përzgjedhjeve tematike dhe mesazheve atdhetare, ka përherë një ngarkesë njerëzore, çka i bën më të afërta episodet, ndihmon që të përcillen sa më besueshëm ngjarjet dhe të portretizohen më mirë personazhet. Në tregime si “Kanadezja”, “Molla buzë Arktikut”, “Hamshori Nakllan”, etj., krahas rrëfimit intrigues, fillojnë e vizatohen karaktere. Nuk mungojnë në vëllim edhe dramat e mbartura nga vendlindja. (“Gjakmarrja”) Po ashtu, dramat nga jeta e emigrantit, nga përpjekjet e mundimshme për t’u integruar në jetën e re. (“Një zog i krisur emigrant” etj.)

Tregimet dhe skicat e V. Ziko janë të mbushura me detaje jetësore dhe shumë sinqeritet. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” Karlo Goldoni) Le të shohim me këtë sy skicat “Balada e një kokrre qershie”, “Aeroporti Pearson”, etj. Idetë dhe mesazhet qëndrojnë mbi një kolorit stilistik, ku bien në sy epitetet, krahasimet, pyetjet retorike, apostrofat; ngjizja e mendimeve në një re artistike, që bie shi të shëndetshëm, është pjesë e mjeshtërisë së fituar në vite dhe e dëshirës për t’i ndarë mendimet dhe ndjeshmëritë me lexuesit, përmes emocioneve që vetëm arti mund t’i krijojë. Ndonjëherë, midis preokupimeve te tij, shohim edhe trishtimin. Në esse si “Gardhet”, “Hosana, internet”, “Vetmia jonë moderne”, etj. autorin e gjejmë pikërisht të trishtuar, madje mjaft kritik me denigrimin e dëshirës për ndryshime dhe ide të reja; apo ngase teknologjia dhe jeta virtuale e kohës, kur bëhen qëllim në vetvete, dëmtojnë mbretërinë e ndjenjave dhe të intimitetit të vërtetë, duke e deformuar njeriun, qenien si të tillë.

Temat dhe ngjarjet që përshkruan autori diktojnë njëfarësoj edhe në stilin dhe qasjet e tij artistike. Për shembull, “Tempulli”, është shkruar me qetësi, në një meditim të përmbajtur, sikur po realizon një vizatim në heshtje, ashtu si kishat të japin njëlloj prehjeje… Por ndonjëherë, autori i ngre tonet e ligjërimit, bie fjala kur i duhet të shtrojë çështje të rëndësishme të emigrimit (“O tempora! O mores!”) apo kur shkon te një temë kaq shumë e diskutuar sot, siç është lëvizja e lirë dhe prurjet e kësaj dukurie, përzierja e racave, mbijetesa në… një autobus (sikur një shtet) që udhëton me personazhe, ëndrra dhe realitete, gëzime dhe shpresa, probleme gjithaq; (“Autobuzi”). Ndonjëherë ngjarja apo gjendjet e caktuara përcillen nga personazhe të tretë, siç ndodh në tregimin “Një kartolinë”, ku personazhet e vërteta janë disi në largësi, duke u përfytyruar më tepër se sa realë a të cekur nga pena e autorit, madje pothuaj të bërë një me mesazhin e dhimbshën që përcjell tregimi.

I gjithë libri është qetësisht i lexueshëm; gjetjet interesante, sensi poetik, fryma humane, këndvështrimi paqësor e qytetar, thjeshtësia, por edhe dramaciteti, janë cilësitë që e bëjnë të tillë. Gjuha e librit është e pasur dhe e pasuruar nga një jetë e përvojë tjetër; ajo e jetës në emigrim. Është një gjuhë e thjeshtë, mjaft komunikuese, e trazuar ndonjëherë me krahinizma, si për t’i shtuar koloritin dhe nostalgjinë; në shumë episode të prozës së tij, ato shkojnë bukur dhe shkrihen me të tërën, sidomos në tregime të tilla si “Kanadezja”, “Molla buzë Arktikut”, etj.

Më ka pëlqyer gjithnjë të citoj shkrimtarin e njohur Horge Luis Borges: “Nuk doja që librat e mi të lexohen me detyrim, sepse lexim dhe detyrim janë dy fjalë kundërshtuese; leximi duhet të jetë një kënaqësi, dhe një kënaqësi nuk duhet të jetë e detyruar; ajo duhet të jetë diçka që kërkohet vetvetiu”. Kjo i përshtatet më së miri edhe prozës së Vangjush Zikos, prozë që vjen si një plotësim i mëtejmë i relievit letrar të autorit; një pasuri që e lartëson emrin e tij dhe rri mirë në të tërën e veprës.


24 Korrik 2018