Prit sa të shkoj unë- pastaj thinju ti!

(Baladë për dashurinë)

Dhe ne si të shumtit,

koha na ka ndarë,

tridhjetë e ca vite,

që nuk jemi parë!


Me rrugë e pa rrugë,

të gjithë ikët ju,

unë si lis i lashtë,

hodha rrënjë këtu!


Nuk kam si ta di,

bëra keq a mirë,

po unë shtegtimet,

nuk i kam dëshirë!


Sa herë që largohem,

në një tjetër Dhe,

një muaj pa shkuar,

kthehem si rrufe!


Kthehem për të ndenjur,

tek “Glami” në qoshe,

ti s’je kthyer kurrë,

o moj bukuroshe!


Ti s’u ktheve kurrë,

nëpër këto vende,

se në tjetër vënd,

ngrite folenë tënde!


Po për syrin tim,

më mirë që s’je dukur,

se të pa kur ishe,

një Nure e bukur!


Të kam parë kur ishe,

trëndafil me vesë,

dhe ashtu të gdhendur,

të kam në kujtesë!


Të gjithë e të gjithë,

këtu le të vinë,

po ti mos u kthe,

se më prish magjinë!


Nëse do të kthehesh,

se nuk mban dot mall,

për dy sytë e mi,

mos u bëj e gjallë!


Të të mbajnë mënd,

Ylle-siç ke qenë,

se dëborë e kohës,

dhe mbi ty ka rënë!


Ajo pa pushim,

bie Zot-o Zot,

dhe një thinjë tënden,

unë s’e duroj dot!


Dhe një thinjë të vetme,

tek ty s’duroj dot,

në shpirt e në zemër,

do mbytem në lot!


Mos u kthe ta prishësh,

gjithë atë magji,

prit sa të shkoj unë,

pastaj thinju ti!


A.DUKA