Populli shqiptarë në Kosovë është në " pikën e vlimit "
Populli shqiptar në Kosovë, është "në pikën e vlimit" ( Botuar në gazetën Shekulli, 27-02-2007 )
Letër e nënshkruar, Besnik Bardhi |
Shtrohet pyetja: A e meriton Kosova dhe populli i saj nje tretman kaq johuman, kur është në pyetje përcaktimi i fatit dhe ardhmërisë së saj? Populli shqiptar në Kosovë, doli i stresuar dhe i dërrmuar nga lufta e vitit 1999. Humbjet në njerëz, ishin jashtëzakonisht të mëdha. Zhdukja e një numri të madh të njerëzve, mbetet ende plagë e hapur dhe e pashëruar. Dëmet materiale që shkaktoi Serbia në Kosovë, ende askush nuk i llogariti me saktësi. Të mirat materiale u plaçkitën pa mëshirë nga okupatorët serbë.Aktualisht Kosova kalon një krizë të rëndë ekonomike, popullata e saj, që moti ballafaqohet me varfëri të skajshme. Afër tetë vite që pasuan pas luftës në Kosovë, kishin në vehte elemente të diskriminimit kolektiv dhe provokime nga më të ndryshmet. U zhvillua një politikë hipnotizuese, e cila kishte për qëllim zbehjen dhe frenimin e kërkesave legjitime të popullit shqiptar, për realizimin e synimeve të tyre. Dhunohej në mënyrë të vazhdueshme dhe institucionale dëshira dhe kërkesa e drejtë për vetëvendosje. Pas gjithë këtyre skenareve, populli shqiptarë në Kosovë është "në pikën e vlimit". |