Politika e Ali Pashë Tepelenës me Rusinë

-Sipas monografisë voluminoze: "Lidhjet e shqiptarëve me Shën Petërburgun në rrjedhat e historisë", të autorit Prof. Dr. Vladimir Misja-

Kjo monografi prej 486 faqesh, botuar në Tiranë vitin e kaluar, më 2006, u promovua në mars të këtij viti, në sallën e Akademisë së Shkencave. Pjesëmarrësit ishin të shumtë. Folësit vunë në dukje arritjet dhe vlerat e këtij libri, që nga gama e gjerë e trajtesës në mënyrë shkencore, paraqet interes për lexuesit.

Libri është ndarë në katër krerë. Dy të parët, bëjnë fjalë për qytetin e Shën Petërburgut dhe vlerat e tij arkitektonike, kulturore e artistike. Dy krerët e tjerë kanë të bëjnë me lidhjet e shqiptarëve me Shën Petërburgun në mote dhe jepen të dhëna jetëshkrimore të studentëve shqiptarë të profileve të ndryshme, që kanë studiuar në atë qytet. Pra, dy kapitujt e fundit kanë të bëjnë direkt me ne shqiptarët. Në pjesën e parë të kreut të tretë me titull: "Lidhjet e hershme të Shqipërisë me Shën Petërburgun", ka të dhëna me interes për këto lidhje, duke filluar nga viti 1711 dhe arrin deri në vitin 1926. Midis tyre, në faqet 168-169 të librit, shkruhet edhe për ato të periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Menduam që këtë pjesë të librit ta ribotojmë në këtë organ shtypi:

"Krahas pashallëkut të shkodrës, nën sundimin e Mahmud Bushatit, Rusia kishte interesa të ndërsjellta me pashallëkun e Janinës në jug të Shqipërisë, që ishte nën sundimin e Ali Pashës. Ndikimet e Rusisë, ndaj Turqisë, për fatin e popullsisë së krishtere në trevat e Shqipërisë dhe Greqisë, kanë qenë një nga arsyet kryesore, që e kanë shtyrë Ali Pashën të krijonte lidhje të ndërsjellta me Rusinë, gjatë periudhës 35-vjeçare (1787-1822) të sundimit të tij në pashallëkun e Janinës, E para lidhje i përket periudhës 1787-1791.

Në qershor të vitit 1791, në ishullin Kalamos në Detin Jon, ku gjendej shtatmadhoria e komandantit të forcave ushtarako-detare të Rusisë për detin Mesdhe, të gjeneralit V.S.Tomari, që arriti delegacioni i Ali Pashës. Ndërmjet dy palëve, u arrit marrëveshja, që parashikonte njohjen e Ali Pashës si "sundimtar" nën mbrojtjen e Rusisë. Në gusht të vitit 1791 në brigjet e Danubit u arrit marrëveshja e paqes ndërmjet G. A. Potjomkinit dhe Ali Pashës, i cili ishte përfshirë në luftën me forcat e Vezirit të Madh.

Ali Pasha, megjithëse kishte lidhje të ngushta me Francën, prirej që të mos ishte i lidhur, por të mbronte interesat e tij.

Sipas admiralit të flotës ruse Ushakov, i cili për një kohë të gjatë ka pasë marrëdhenie politike me Ali Pashën, ai karakterizohet në këtë mënyrë: "Nuk duhet llogaritur që Ali Pasha është krejt i përkushtuar ndaj francezëve. Ai është dinak, përpiqet që të jetë i pavarur dhe sundimtar, nga veprimet e tij vihet re, që ai mban atë anë, e cila është më e fortë". Në vjeshtën e vitit 1798 forcat ushtarake të Ali Pashës sulmuan garnizonin francez dhe pushtuan Butrintin, Prevezën dhe Vanicën. Shumë nga banorët që kishin bashkëpunuar me francezët u dënuan. Parga mbeti e paprekur, sepse ishte nën mbikëqyrjen e forcave të admiralit Ushakov. Pas largimit të forcave franceze, nga ishujt e Detit jon, u krijua Republika e Shtatë Ishujve të Bashkuar, nën protektoratin e Rusisë".

Megjithëse kjo pjesë është jo shumë e gjerë, prapëseprapë hedh dritë për politikën që bëri Ali Pashë Tepelena, me Rusinë, si një nga Fuqitë e Mëdha të kohës.


Dr. Zihni Haskaj - Historian

Gazeta "Tepelena jonë" maj 2007