SHQIP
 E PREMETE, 4 KORRIK 2008 | NDRYSHE                                     |PER ME SHUME
 *14-15                                                                 |www.gazeta-shqip.com
              

Vepra ka karakterin e një mozaiku, ku disa kontribute të mëparshme të autorit për këto probleme, të botuara si artikuj, janë ngërthyer në një kuadër më të gjerë, duke i dhënë veprës pamjen e një punimi tërësor. Ajo përbëhet nga tetë krerë, një përmbledhje anglisht, bibliografia, treguesi i autorëve të cituar dhe i emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve
Lexuesit i këshillojmë ta lexojnë këtë vepër, pasi në të do të gjejnë përgjigje për mjaft pyetje e enigma, por edhe do të shohin se gjuhësia nuk mbështetet në fantazi, se analizat e saj u ngjajnë ekuacioneve të matematikës dhe pikërisht për këtë arsye janë të besueshme. Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, pa shumë terma gjuhësorë dhe hollësi të panevojshme, gjuha e tij është e thjeshtë dhe stili i rrjedhshëm, cilësi që e bëjnë të kapshëm edhe për atë që nuk është specialist i gjuhësisë

Zëri i mjeshtrit

Në këtë epokë të “romantizmit patriotik” shqiptar, që ka lindur si shpërdorim i lirisë së penës, nuk janë të pakta botimet që përpiqen t’i nxjerrin shqiptarët si popullin më të vjetër, si popull pellazgjik dhe gjuhën shqipe si gjuhën më të vjetër, si çelësin për të shpjeguar gjithë gjuhët e tjera etj. Në këtë kakofoni zërash, ku djali i tregon babait arat, ku ushtari i mëson gjeneralit strategjinë dhe profani i shpjegon profesorit teorinë, zërat e mjeshtërve të vërtetë të historisë e të gjuhës mezi dëgjohen. Mezi dëgjohen, se po mbyten nga zhurmat e profanëve, të atyre që nuk dinë gjë nga mjeshtëria e historianit, e arkeologut, e gjuhëtarit, të atyre që kanë marrë një arsim të gjymtë nga universitetet tona të gjymta, të atyre të cilëve u duket se me llambën magjike të Aladinit mund të ndriçojnë ato që dhjetëra e dhjetëra breza dijetarësh nuk kanë mundur t’i ndriçojnë. Mes kësaj zhurmërie e potereje të shumëfishuar nga gazetat dhe televizionet, që tek njerëzit e thjeshtë krijon përshtypjen se kanë rënë në ar të kulluar dhe jo në një copë plastikë të lyer me varak të verdhë, zërat e mjeshtërve janë udhërrëfyes për të kuptuar të vërtetën. E tillë është vepra e profesor Shaban Demirajt “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (botuar nga INFOBOTUES), e cila sapo ka dalë nga shtypi. Siç duket edhe nga titulli, në këtë vepër bëhen përpjekje për të hedhur dritë mbi çështje të mjegullta të historisë, siç janë pellazgët, etruskët dhe mesapët dhe lidhjet e shqiptarëve me këta popuj të lashtësisë. Disa nga këto tema, si ajo e pellazgëve dhe e origjinës pellazgjike të shqiptarëve zënë fill që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe janë rimarrë kohë pas kohe prej autorësh shqiptarë e të huaj. Edhe tema e karakterit etnik dhe e gjuhës së Epirit në lashtësi e mesjetë nuk është e re, por është bërë aktuale dy dhjetëvjeçarët e fundit, pas mëtimeve greke për Vorio-Epirin dhe Shqipërinë në jug të Vjosës, të cilat rrethet shkencore greke i kanë shoqëruar edhe me një propagandë agresive e me një literaturë të gjerë, si vepra e vëllimshme “Epiri – 4000 vjet histori dhe civilizim grek” (1997). Qasja e prof. Demirajt ndaj këtyre problemeve nuk është fort e re. Puna e tij më se 40-vjeçare në fushën e gramatikës dhe të fonetikës historike të shqipes, fushë ku gjuhësia dhe historia shkojnë bashkë, i ka dhënë lëndë të mjaftë për t’i parë problemet historike të shqipes nga këndvështrimi i gjuhëtarit dhe për të Lidhur me prejardhjen pellazgjike të shqipes, autori arrin në përfundimin se pellazgjishtja ka qenë një gjuhë e ndryshme edhe nga greqishtja, edhe nga shqipja mbështetur apo hedhur poshtë me argumente gjuhësore teza të ndryshme lidhur me këto çështje. Pa përmendur botimet e tij gjuhësore, ku nuk janë të pakta vrojtimet me karakter historik, përpjekjet e profesorit për të ndriçuar problemet e prejardhjes së shqiptarëve duke shfrytëzuar dëshmitë gjuhësore janë konkretizuar së pari në veprat “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988) dhe “Gjuhësi ballkanike” (1994) për të kaluar pastaj te vepra “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999), të botuar edhe anglisht më 2006, dhe për të ardhur te botimi më i fundit “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”. Ndërsa në dy veprat e para synimi i autorit ka qenë vendosja e shqipes dhe e nënës së saj, ilirishtes, në kontekstin historik dhe gjeografik të Ballkanit, në dy veprat e fundit bëhen përpjekje që dëshmitë dhe dukuritë gjuhësore të shfrytëzohen për të provuar tezat mbi lidhjet historike të shqiptarëve me këta popuj të lashtësisë dhe karakterin etnik jogrek të viseve jugore të Shqipërisë. Ka qenë një veçori e studimeve albanologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, e lidhur me emra historianësh, arkeologësh dhe gjuhëtarësh të shquar, për të shfrytëzuar të dhënat e shkencave të afërta për të provuar autoktoninë e shqiptarëve në këto troje, lidhjet e tyre me ilirët dhe të shqipes me ilirishten. Kësaj fryme i përmbahet edhe prof. Demiraj në veprën e tij më të fundit, ku tezat e tij mbështeten në të dhëna historike e arkeologjike dhe, nga ana tjetër, përbëjnë argumente me vlerë në ndihmë të historianit. Vepra ka karakterin e një mozaiku, ku disa kontribute të mëparshme të autorit për këto probleme, të botuara si artikuj, janë ngërthyer në një kuadër më të gjerë, duke i dhënë veprës pamjen e një punimi tërësor. Ajo përbëhet nga tetë krerë, një përmbledhje anglisht, bibliografia, treguesi i autorëve të cituar dhe i emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve. Kreu i parë i kushtohet çështjes së pellazgëve dhe lidhjes së tyre me etruskët dhe shqiptarët. Duke mbajtur një qëndrim mohues ndaj tezës se pellazgët janë stërgjyshërit e shqiptarëve, autori, duke u mbështetur në autorët e lashtë grekë, pranon megjithatë se pellazgët kanë qenë shtrirë edhe në Epir, ku krijuan tempullin e famshëm të Dodonës, që u përvetësua më pastaj nga grekët. Lidhur me prejardhjen pellazgjike të shqipes, autori arrin në përfundimin se pellazgjishtja ka qenë një gjuhë e ndryshme edhe nga greqishtja, edhe nga shqipja. Vërtet që në shqipen ndonjë dukuri, si p.sh. numërimi me njëzetëshe (njëzet, dyzet, trezet etj.), që nuk e kanë gjuhët indoeuropiane ku bën pjesë edhe shqipja, provon se ilirët e morën këtë sistem numërimi nga një popullsi më e lashtë që gjetën në trojet ku u vendosën. Por dëshmitë nga pellazgjishtja janë aq të pakta, sa nuk mund të thuhet se ky sistem numërimi është trashëguar prej pellazgjishtes. Pra, për autorin, “barazimi pellazg-ilir nuk del i argumentuar as historikisht as gjuhësisht” (f. 51). Për sa i përket mendimit të disa autorëve se etruskishtja ishte gjuhë pellazgjike dhe përpjekjes së tyre për t’i zbërthyer mbishkrimet etruske me anë të shqipes, si p.sh. për ta lidhur Toskanën e Italisë ku kanë banuar etruskët, me toskë dhe Toskëri apo për të shpjeguar disa sintagma etruske, si La fisi fari la me “la fisin, la farën (tribunë)” ose Lan vetin lane uria me “Lanë veten, lanë urinë”, mjeshtri jep këtë këshillë për profanët entuziastë: “çdo krahasim midis shqipes së sotme dhe çdo fjale të një gjuhe tjetër nuk mund të jetë shkencërisht i mbështetur, në qoftë se nuk mbahen parasysh rregullsitë e evolucionit të sistemit fonetik të gjuhës shqipe” (f. 49). Dhe, për ta argumentuar këtë pohim të tij, merr fjalën uria, rrënja e vjetër e së cilës është un (si në gegërishte). Pra, jo vetëm që trajta uri është e re, po e re është edhe mbaresa -a, e cila është një zhvillim i brendshëm jo fort i hershëm i shqipes. Pjesa tjetër e librit i kushtohet karakterit etnik të Epirit në lashtësi, në mesjetë dhe në kohët e reja si dhe gjuhës amtare të banorëve të tij. Edhe këtu merren në shqyrtim dëshmitë e autorëve të lashtësisë dhe të kohëve më të vona. Në polemikë me autorë grekë se popullsia e Epirit “mund të jetë e ardhur dhe të ketë zëvendësuar një popullsi të mëparshme greqishtfolëse a të helenizuar” (f. 74), autori vëren se, së pari, mungojnë dëshmitë historike që mund të hidhnin dritë për ndonjë shpërngulje të tillë popullsie dhe, së dyti, se një popullsi ardhëse nuk mund të helenizonte një popullsi greke, që favorizohej nga sundimi bizantin dhe kisha greke. Në mungesë të dëshmive historike, ai u drejtohet dëshmive të vetë gjuhës shqipe: mënyrës se si janë pasqyruar tingujt latinë në të dhe ndarjes së saj dialektore. Kështu, mbylltorja grykore k para zanoreve i dhe e të fjalëve latine në gjuhën shqipe është ruajtur e pandryshuar, si p.sh. në fjalët peshk, qiell etj., ndërkohë që në bijat e latinishtes është kthyer në një fërkimore ose afrikate alveolare (rumanishte: peste [peshte], cer [çer] dhe italishte: pesce [peshe], cielo [çelo]. Ky shqiptim i këtij tingulli në gjuhën tonë pasqyron “shqiptimin romak të kohës së Augustit” (Gaius Octavius, perandor romak, 63 para Krishtit –14 i erës së re) të tingujve grykorë. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me huazime shumë të lashta të shqipes, që kanë shtrirje në mbarë trojet arbërore. Edhe shembuj të tjerë, si pasqyrimi i një zanoreje o të fjalëve latine në e në shqipen, si në fjalët pomum > pemë, hora > herë, dëshmojnë se ndikimi i latinishtes mbi shqipen ka nisur mjaft herët, që në shek. II para Krishtit. Kjo, nga ana e vet, do të thotë që ilirët i kanë marrë këto fjalë në trojet ku banojnë sot pasardhësit e tyre. Për sa u përket dialekteve, ndarja dialektore e shqipes “parakupton edhe hapësirat gjeografike ku janë zhvilluar dialektet dhe nëndialektet e kësaj gjuhe” (f. 75). Si provë të vjetërsisë së dialekteve, autori sjell dy dukuri të toskërishtes, rotacizmin (kthimin e një n-je midis zanoresh në r) dhe kthimin e zanores a të theksuar në ë: hanë / hënë, dam /dëm dhe ranë / rërë, venë / verë. Nisur nga shembuj të tillë, autori thotë se këto dy dukuri që i dallojnë dy dialektet e shqipes janë të vjetra, të periudhës para ardhjes së sllavëve dhe se “nuk mund të zhvilloheshin veçse në trevat e sotme shqipfolëse” (f. 75), pasi është jashtë logjikës dhe pa asnjë mbështetje historike mendimi që këto dukuri të jenë zhvilluar në territore të tjera dhe të jenë bartur në trojet e sotme të toskërishtes. Si një provë tjetër se banorët e Epirit nuk janë ardhacakë në trojet ku gjenden sot, autori sjell mënyrën se si emrat grekë të qyteteve Aulon, Oricum, Hadrianopolis kanë përfunduar në Vlorë, Orik, Dropull, njëlloj si emrat Durrës, Lezhë etj. në trevat veriore të shqipes. Edhe në këto raste, ndryshimet tingullore të këtyre fjalëve dëshmojnë se ato kanë kaluar brez pas brezi në gojën e shqiptarëve. Përndryshe, po të kishin qenë grekë banorët e këtyre qyteteve, nuk do të kishim rotacizim të n-së te Vlorë dhe as d te Dropull, po dh si në shqiptimin grek Dhropolis të kësaj fjale etj. Në përfundim të shqyrtimit të fakteve historike e gjuhësore të periudhës ilire, mosromanizmin dhe mossllavizimin e ilirëve, të paktën në trojet ku janë shqiptarët sot, në një kohë kur popuj të Ballkanit që u pushtuan nga romakët më vonë se ilirët, si p.sh. trakët dhe dakët, u asimiluan, autori e quan “një nga të papriturat e historisë”. Faktin që “një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t’i rezistonte procesit të romanizmit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik” (f. 150), ai e shpjegon me karakterin tepër konservues të etnosit arbëresh, me sistemin primitiv të jetës në vise kryesisht malore, në bashkësi të mbyllura e me rrugë të pakta komunikimi, dhe me pozicionin gjeografik të trevave të banuara prej tyre, që ishte larg vëmendjes së Perandorisë Romake, e cila i kishte dhënë më shumë rëndësi ruajtjes së kufijve nga dyndjet e fiseve barbare në kufijtë skajorë të saj, siç ishte në Ballkan vija kufitare e Danubit. Edhe me ndarjen e Perandorisë, trojet shqiptare mbetën në skajin perëndimor të Perandorisë së Bizantit, që për këtë arsye e pati të vështirë t’i sundonte arbrit. Për gjendjen etnike të Epirit dhe gjuhën e banorëve të tij pas pushtimit osman, autori u referohet të dhënave onomastike të defterëve osmanë të shek XV–XVI për vendbanimet skajore shqiptare të Epirit, si Arta e Janina të Molosisë së lashtë, Preveza, Ajdonati (Paramithia) e Mazraku në Çamëri (1551 dhe 1583), Dropulli (1519–20), Vurgu (1431–32), Himara (1583) dhe Narta e Vlorës (1583). Në listat e kryefamiljarëve të këtyre defterëve gjenden, së pari, emra të përveçëm e llagape që vijnë prej emrash të përgjithshëm shqip, si Babi, Bardhi, Çuni, Bukëvala, Buzi, Buzëmadhi, Dreri, Lakra, Lula, Prifti, Prushi, Zoto etj. Së dyti, në këta defterë gjenden një numër i madh emrash e llagapesh, që ndonëse me prejardhje të huaj, në gojën e shqiptarëve kanë përfunduar në të njëjtën trajtë si në jug edhe në veri të vendit, si Gjon, Gjokë, Gjin, Lekë, Pal, Pjetër, Dhimë, Kolë, Kond, Ndre etj. Të dyja kategoritë e këtyre emrave janë një dëshmi e pakundërshtueshme se këto troje kanë qenë të banuara nga shqiptarë. Por në çdo rast autori nuk lë pa vënë në dukje edhe se, krahas trajtave shqipe të emrave të grupit të dytë, në defterët osmanë shfaqen me një denduri që me kalimin e shekujve vjen duke u rritur, edhe trajtat greke, gjë që e merr si një dëshmi të shtimit të ndikimit grek në trevat e Jugut. Një vend jo i vogël i lihet në këtë vepër çështjes së tri fshatrave greqishtfolëse në një trevë etnike shqiptare, siç është zona e Himarës. Duke u mbështetur në të dhënat e regjistrave osmanë, në dëshmitë e murgjve bazilianë që vepruan në shek. XVI–XVIII në këtë krahinë, sidomos të atyre me prejardhje greke, në doket dhe zakonet e himarjotëve, si dhe në veçoritë e së folmes së Himarës, autori arrin në përfundimin se gjuha amtare e banorëve të këtyre tri fshatrave është shqipja, ndërsa greqishtja është gjuhë e fituar falë kontakteve ekonomike e tregtare me grekët, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë dhe ndikimit të madh të kishës të shkollës greke tre shekujt e fundit. Sidoqoftë, ai thekson nevojën për studimin e greqishtes së këtyre fshatrave për të përcaktuar lidhjet e saj në ndarjen dialektore të greqishtes, gjë që do të ndihmonte në sqarimin më të plotë të këtij problemi. Si argument tjetër për shqipen si gjuhë rrënjëse e krahinës së Himarës, autori sjell faktin që e folmja e fshatrave të kësaj treve nuk është tjetër veçse një degëzim i nëndialektit lab. Sipas tij, veçoritë e njëjta të të folmeve të bregdetit himarjot me ato të viseve të brendshme të Labërisë mund të shpjegohen vetëm me atë që tipare të njëjta dialektore mund të ndodhin vetëm kur banorët janë vendës dhe në kontakte të pandërprera me njëri-tjetrin. Një dëshirë e hershme e autorit pat qenë të shkruante për mesapët, popullsi e lashtë e Italisë së Jugut. Ndonëse nuk mundi ta bënte këtë në një punim të gjerë – të mos harrojmë moshën e thyer të tij – prapëseprapë mesapëve dhe mesapishtes ai u kushton në këtë vepër një hapësirë prej shtatë faqesh. Pasi shqyrton tezat pro dhe kundër prejardhjes ilire të mesapëve dhe lidhjeve mes mesapishtes e ilirishtes, ai ndalet në analizën e disa të dhënave gjuhësore Përkundër shumë autorësh që i shohin mesapishten dhe ilirishten si gjuhë kentum (ku grykorja k e gjuhës mëmë indoeuropiane ruhet) dhe të ndryshme nga shqipja, që është gjuhë satem (grykorja k ka dhënë një bashkëtingëllore më të përparme), autori mendon se të tria gjuhët janë satem. Përveç kësaj, mesapishtja dhe shqipja kanë të përbashkëta dukuri gjuhësore e njësi leksikore. I tillë është pasqyrimi në a i një zanoreje o të shkurtër indoeuropiane (mesap. ta noman, ta dentan – shqip ata djathë), mbaresa n e rasës kallëzore (mesap. Ana-n, Aprodita-n, enna-n dhe shqip Anë-n etj.), fjalë si bilio/bilia “bir/bijë (bilë)” etj. Pra, sipas tij, krahasimi i fakteve gjuhësore provon se mesapishtja ka lidhje me ilirishten dhe shqipen. [Autori nuk është kategorik në pohimet e tij. Gjykimi i tij është objektiv, i zhveshur nga notat e patriotizmit apo nga pasioni i një fillestari në shkencë, gjë që i bën më të besueshme dhe më të qëndrueshme përfundimet. Kjo mënyrë të shkruari jo si monolog me vetveten, po si dialog, nënkupton edhe praninë e kundërshtarit, por ky duhet të mendohet mirë para se të përgjigjet. Kështu, gjatë gjithë veprës, kur arrin në përfundime të caktuara, autori ngre hipoteza që bien në kundërshtim të hapur me të vërtetat e njohura dhe me bindjen e tij, duke lëshuar pe deri atje sa të supozojë edhe të pamundshmen, por më në fund kërkon që këto hipoteza të vërtetohen. Duke e lexuar veprën, në fillim të krijohet përshtypja se ka përsëritje, sidomos në pjesët ku emrat e përveçëm të krishterë rimerren për çdo zonë në shqyrtim. Mund të kishte edhe një qasje tjetër, ku secili nga këta emra të merrej vetëm një herë duke dhënë shtrirjen e tij në secilën nga trevat. Por një paraqitje si kjo që është bërë këtu, ka të mirën se jo vetëm i vë më në pah gjërat, si afritë dhe dallimet, por edhe lejon që të jepet një inventar i plotë njësish për secilën krahinë.] Duke përfunduar këto radhë, nuk na mbetet tjetër veçse t’i urojmë profesor Shaban Demirajt jetë të gjatë, mendje të kthjellët dhe penë të lehtë. Kurse lexuesit i këshillojmë ta lexojnë këtë vepër, pasi në të do të gjejnë përgjigje për mjaft pyetje e enigma, por edhe do të shohin se gjuhësia nuk mbështetet në fantazi, se analizat e saj u ngjajnë ekuacioneve të matematikës dhe pikërisht për këtë arsye janë të besueshme. Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, pa shumë terma gjuhësorë dhe hollësi të panevojshme, gjuha e tij është e thjeshtë dhe stili i rrjedhshëm, cilësi që e bëjnë të kapshëm edhe për atë që nuk është specialist i gjuhësisë.

Prof. dr. Rami Memushaj