Pshtjellime të imagjinuara për Ilir Metën

Satirikoni

       Paraintervista

Më 28 nëntor 2010 koalicionisti qeveritar socialist i partisë “djathtiste” të Sali Berishës, shoku Ilir Meta, nuk denjoi të dilte bashkë me Kryeministrin t’i nderonte heronjtë e Kombit. Nuk e përfilli protokollin shtetëror. Që dikush mund të supozojë se ai ishte i “zënë” me punë “më të rëndësishme”, ato punë mund t’i kryente me telefon që nga Palestra Memoriale e Heronjve të Kombit, njësoj siç flisnin me celular ministrat e Berishës, derisa Berisha mbante fjalën përkujtimore. Respekti për ata që dhanë jetën për Shqipërinë, në këtë kohë moderne është veç çështje e protokollit, saqë të mos kujtojë populli se ja - shtetit nuk i bie ndërmend Dita e Flamurit, mëvetësisë, çlirimit të Shqipërisë nga okupimi 500-vjeçar turk. Ndërkaq Berisha, për këtë poshtërim që Iliri ia bëri Ditës së Flamurit, nuk e shkarkoi nga Qeveria, për shkak se Iliri i nevojitet Berishës vetëm si “numër” dhe karburant banal për ta ruajtur mandatin e pushtetit të tij, të cilin mandat i pari ia relativizoi, një ditë pas zgjedhjeve, vetë Ilir Meta, duke hedhur gurë e dru’ në agjencinë investiguese “Gani Bobi”, pak më keq se edhe vetë Edi Rama. “Rasti” Berisha-Meta është një indikacion mjaft i qartë që na e zbërthen çështjen ta zbulojmë edhe fenomenin e mbartjes se të vdekurve politikë nga një parti “kosovare” në tjetrën. Më shkurt, tashmë te shqiptarët dhe ish-shqiptarët, ideologjia programore politike nuk ka rëndësi primare, sidomos kur qëllim i politikës është vetëm pushteti dhe - asgjë tjetër. Sot, kur po e shkruaj këtë kozeri, këtu është dita e ish-festës së madhe komuniste jugosllave, ish-jugosllave dhe tash vetëm socialiste të Shqipërisë. Në redaksi ende s’kemi lajm që të dimë si e ka festuar Iliri ditën e 29 Nëntorit, të cilën më nuk e festojnë madje as doajenët e mendësisë jugosllave në Kosovë.

       Intervista

Satiri: Ilir Daja, i ke 100 euro shpërblim, nëse mund ta gjesh një dokument incizim radioteleviziv ose ndonjë fletë gazete ku ti ta kishe përmendur së paku një herë në jetën tënde - fjalën “shqiptar”!

Meta: Po, janë incizimet e bisedave të mia me Tadiqin në Beograd.

Satiri: Po, por në ato incizime ti po dëgjohesh duke thënë “albanian”, e jo “shqiptar”.

Meta: Kur kanë dashur serbët t’i ofendojnë shqiptarët, nuk u kanë thënë “albanci”, por “shiftari”. Unë nuk e ofendoj popullin tim.

Satiri: Pse s’po thua “unë nuk i ofendoj shqiptarët”, por po thua “unë nuk e ofendoj popullin tim”.

Meta: Sepse nuk dua të më lexojnë si nacionalist. A e di ti se të gjithë vagabondët dhe idiotët fshehën prapa fjalës nacionalizëm.

Satiri: Or, Daja Metë, nuk e kam fjalën për nacionalistët, por për shqiptarët.

Meta: Po pse humb kohë me këso pallavrash, shiko, ekonomia është ajo që e ngre lart dhe e përparon popullin.

Satiri: Cila ekonomi, ajo socialiste, apo ajo kapitaliste?

Meta: Mos me pyet mua, shikoje Kinën.

Satiri: Po veç në Kinë dhe në Shqipëri ka socialistë kapitalistë.

Meta: Pse, a Kina ende s’e paska zgjidhur çështjen e saj kombëtare, a?

Satiri: Ju komunistët e Shqipërisë ende nuk e keni pranuar nacionalizmin (borgjezinë, djathtizmin), por e keni pranuar ekonominë kapitaliste. Kapitalist proletarë nuk ka. Krejt janë borgjezë, pasanikë.

Meta: Po, por krejt populli nuk mund të jetë i pasur, kapitalistë, por kapitalistët janë vetëm një grusht pushtetarësh socialistë (tash në opozitë).

Satiri: Kënd e ke përfaqësuar ti, Ilir, në Beograd, shqiptarët e Shqipërisë, kosovarët, apo “popullin tonë”?

Meta: A nuk me the ti vetë pak më parë se në Beograd nuk e kam përmendur fjalën “shqiptar” por vetëm “albanac”?

Satiri: Ne “kosovarëve” ata na kanë quajtur “shiftari”, por edhe ne i kemi quajtur “shkije” që rrjedh nga fjala “shkërdhatë”.

Meta: Aaaaa, tash e mora vesh, pse ne socialistët, ju kosovarëve ju themi “shkërdhatë”.

Satiri: Po pra, se ju socialistët na keni përzier me shkije, nuk e keni ditur se në Kosovë jetojnë shqiptarët. Këtë gjë jua ka zbuluar Bejkeri, të cilit ia keni vjedhur këpucët. Edushi yt ka thënë në media se Bushit ia vodhët orën djathtistët e Berishës, e jo socialistët e Enverit.

Meta: Lufta për pushtet nuk njeh kompromis.

Satiri: A e di kush më mirë se ju do t’ia qesë faqen e zezë Shqipërisë?

       Aforizma që ndonjëherë do t’i shkruante Ilir Meta

1. Kur i sheh se vetëm debilët bëjnë pasuri të madhe, atëherë të bie ndërmend pse vetëm debilët arrijnë të bëhen politikanë të mëdhenj.

2. Pasanik i madh bëhet vetëm hazarderi që shkon me “krejt ose asgjë” pa u frikuar se e humb pasurinë, kurse politikan i madh bëhet hazarderi që duke bërë politikë, aq i bën a e humb në qorrsokak shtetin e tij.

3. Pasanik nuk bëhesh as pse je socialist, as pse je kapitalist, por vetëm pse je pushtetar.

4. Fazë e tranzicionit politik i thonë asaj kohe kur shteti zhvillon klasën politike në vend se ta zhvillojë bujqësinë dhe industrinë.

5. Kur të bjerë pushteti, më mbetet vetëm pasuria dhe atdhedashuria.

       Kozeri

Presidenti i shtetit që e zgjedh partia

Shqiptarët kanë shumë presidentë të shtetit të tyre: Tadiqin (në Kosovën Lindore), Krasniqin në Kosovën e Kosovës, Topin në Shqipërinë administrative, Vujanoviqin në Malin e Zi, Ivanovin në Maqedoni, Papuliasin në Greqi. Vetëm shqiptarët në Kosovën Veriore nuk kanë president, por atje nuk ka më as shqiptarë, kështu që nuk ka çka iu duhet as presidenti. Fakti faktik që shqiptarët kanë kaq shumë presidentë, është dëshmi se jo populli, por partitë e ndryshme ballkanike ua zgjedhin presidentët. Populli i zgjedh pushtetet, kurse pushtetet ia zgjedhin popullit presidentët. Amerikanët e kanë vetëm një president, madje edhe francezët, kurse vetëm shqiptarët kanë një tufë modeste prej shumë presidentëve. Që të mos biem në sy si nacionalistë, më mirë është ta përdorim fjalën “ballkanik”, por në nëtekstin e hapësirës presidenciale shqiptare (bashkë me pakicat greke, serbe, malaziase, maqedonase). Presidentët ballkanikë të shqiptarëve mblidhen nganjëherë në “samite ballkanike” , por meqë kanë kaq shumë presidentë, ndodh që ndonjëri nga presidentët shqiptarë të mungojë në këto samite, shkak ky që i bën gazetarët të shkruajnë sensacione, kinse senati i presidentëve të Ballkanit e përjashton ndonjërin syresh. Kështu, narrativisht, duket sikur na kthehen vegullitë e përfytyrimet e Senatit të Romës, kur senatorët grumbull e fusin Cezarin në mes dhe ia rrasin thikën pas shpine, secili nga një të futur, që të mos thotë ndonjëri se ai “nuk e ka vrarë cezarin”. Duke pasur shqiptarët kaq shumë presidentë, ata nuk mund të merren vesh cili t’i prezentojë shqiptarët, kështu që, shqiptarët nuk i prezenton askush, madje as Presidenti i Shqipërisë administrative, një figurë e përgjumur kjo nën kokën e Skënderbeut. Duke e parë që shqiptarët me kaq shumë presidentë kanë mbetur si jetimë, punën e përfaqësimit të shqiptarëve e mori në dorë Namik Dokle… më falni - Ilir Meta, dhe u çua e mori rrugën për Beograd. Në të kthyer u ndal në “Luginë” dhe u tha shqiptarëve se presidenti i tyre, Tadiq, tash e mbrapa do t’i ketë parasysh, e që jo, do ta shohë ai çka do t’i bëjë Ilir Meta, të cilit i ka vdekur i Zoti Kishoti. Ndërkohë në Beograd mbaheshin gjykimet e shqiptarëve “terroristë” të UÇPMB-së së Gjilanit që kishin “operuar” në Preshevë. Le t’i gjykojnë “terroristët”, kryesore presidenti i Kosovës Lindore në Beograd, që nga takimi me Ilirin, ende nuk ka ndodhur të vrasë shqiptarë. A ma mirë në burg, a të të vrasin fare. Siç ka thënë Milosheviqi për serbët në Fushë-Kosovë, se askush “nuk guxon me ju prekë”, edhe presidentët e shqiptarëve në samitin e Ohrit kanë thënë njëzëri, askush më nuk guxon t’i prekë me dorë shqiptarët, sepse NATO-ja na ka çliruar: në Preshëve, në Mitroicë, në Podgoricë, në Shkup, në Prishtinë… e sidomos në Tiranë. Jemi të lirë! S’kushtojmë pesë para!