Pasioni për shqipen i japonezit Ichiro Iura
Studiuesi dhe albanologu i mirënjohur japonez, dr. Ichiro Iura, që pas hapjes së katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Hiroshimës, ka arritur që falë një pune shumëvjeçare të përkthejë e të botojë një sërë veprash dhe shkrimtarësh më në zë të letrave shqipe dhe t’i bëj të njohur falë përpjekjeve të vazhdueshme për publikun japonez.
Kjo përbën jo vetëm një sukses, por edhe një tregues të pakundërshtueshëm për vlerat dhe rëndësinë që bart kjo letërsi në mozaikun dhe zhvillimet e letërsisë së gjithmbarshme. Tashmë, kultura e shkruar shqipe, po shfaqet gjithmonë e më e plotë edhe në gjuhën japoneze.
Veprat e përkthyera dhe të publikuara nga dr. Ichiro Iura, janë si Ismail Kadare: Dimri i vetmisë së madhe, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Endrra mashtruese, Përbindëshi, Nga një dhjetor në tjetrin, Dritëro Agolli: Kalorësi lakuriq, Xhevahir Spahiu: Pezull, Fatos Kongoli: I humburi, Ylljet Aliçka: Parullat me gurë, Betim Muço: Karusel, Betim Muço: L & M, Ermir Nika: Net mëkatarësh, Viktor Canosinaj: Meriyll.
Vlen të përmendet fakti se pas përkthimit të një fjalori japonisht-shqip, me rreth 1000 fjalë, apo përkthimit dhe botimit të romanit “Qyteti i fundit”, të shkrimtarit të shquar shqiptar Petro Marko, si dhe botimi në japonisht i veprës së shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare, veçanërisht romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm për lexuesin japonez dhe, për më tepër, u vu re se kjo vepër kishte tërhequr interesin dhe vëmendjen kryesisht të gjeneratës së re, të përbërë nga nxënës e studentë dhe intelektualë të spikatur.
12 tetor 2018