U mbushën gati 90 vjet qysh se u botuen n'gjermanisht dy vllimet të përpiluem nga Dr. Ludwig von Thalloczy, me titullin „Illyrisch-Albanische Forschungen". Nja 40 vjet mbas atij botimi i u shtrue Mustafa Kruja me e përkthye shqip vllimin e parë, tue zgjedhun ato pjesë qi ai gjykonte mâ të përfaqsueshme për Shqipninë, me titullin „Vëzhgime iliro-shqiptare". Në dorshkrimin e tij gjindet në fillim nji faqe me titullin „Parathanë e Përkthyesit". Ajo faqe mbeti e bardhë, mbasi vdekja e zuni para kohës, në 1958. Ka shpëtue nji faqe tjetër me këto pak rrjeshta:" Në qoftë se âsht thânë qi kjo vepër të shohë ndonji herë dritë e shtypun, dëshiroj qi mundsisht këtë barrë t'a marrë përmbi vete nji kompetent. Mund të ketë gabime qi un i kam lanë me i krye ma vonë e s'i a kam mbërrîmë. Gabime e të meta, në qoftë se do të ndreqen e do të plotsohen, të shënohen prej kuj u bânë." Kompetenta në këtë lândë sigurisht nuk mungojnë në Shqipní e përtej, por familja ka vendos me e botue siç âsht, me shpresë qi mu ky botim të shkaktojë interesë jo vetëm ndër studjozët e historisë shqiptare me recensione dhe komentime të tyne, por edhe në nji qark mâ të gjânë lexuesësh qi duen me nxânë mâ tepër mbi Shqipninë e atëhershme dhe mâ të hershme. „Siç âsht" don me thânë edhe në gjuhën gege, me bindje qi kjo gegnishte do të kuptohet mirë prej çdokuj në botën shqiptare edhe sot. Njikohsisht nënkuptohet se interesi kryesor i lexuesvet do të përqëndrohet në përmbajtjen e veprës origjinale e hartueme nga studjozët austro-hungarë. Trajtohen ngjarjet dhe rrethanat historike të qytetevet dhe krahinavet kryesore të Shqipnisë etnike prej origjinet deri në fillim të shekullit XX me shpirt vëzhgimi i përkrahun nga nji morí dokumentash të vërtetueme dhe nji objektivitet qi âsht cilsí primare e nji historjani. Përkthyesi i ka shtue tekstit origjinar shënime e komentime të veta, (të dallueme me shkrolat A,B,C,...) shpesh herë të përthellueme dhe të përhapuna, si plotsim i veprës kryesore, për sa i përket tre kapitujt e parë. Për të tjerët fati nuk e lejojë: edhe nji shtojcë mbas tekstit themelor, nji diftues analitik mbi emnat veçorë ndër mâ të randsishmit, mbeti vetëm te shkrola A. Mâ në funt botohet këtu nji „Fjalorth" i Përkthyesit mbi fjalë të përdoruna në tekstin shqip. Kjo pjesë mund të shihet si nji minjaturë dhe nji esé i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe qi Mustafa Kruja hartoi gjatë 15 vjet pune, dhe qi, gati për shtyp në 1943, hupi në furín e ngjarjeve ushtarake dhe politike të Shqipnisë n'atë kohë e mbas. Nji falënderim i nxehtë i detyrohet atyne qi e kanë bâ të mundun me kshilla e me veprime botimin e këtij libri, veçanërisht Z.it Willy Kamsi, Z.it Gjovalin Çuni, Z.it Ardian Ndreca .

Bashkim Merlika