Për dy përhapës së dritës e diturisë, Xhevdet e Safet Kofina
Nga Bashkim Koçi
Për mungesë iformacioni edhe mund të gaboj, madje dikush tjetër edhe mund të më qortojë për vlerësimin maksimal që kam për fshatin Fterrë në rrethin e Vlorës, për numrin e madh të djemëve e vajzave që ajo ka përgatitur në fusha të ndryshme të shkencës, të teknikës, arsimit dhe kulturës. Por edhe sikur të ketë ndonjë fshat tjetër në Shqipëri, që ka tregues më eksilentë, kam mendimin që Fterra meriton të konsiderohet vend heronjësh, “hambar” kuadrosh e specialistësh, fshat që ka nxjerrë me shumicë njerëz të cilët kanë inspiruar në shekuj për arsimim e dituri. Për të “sfiduar” mendimin ndryshe po sjell disa shifra e fakte që, për të qenë me këmbë në tokë, janë disi befasues, të lenë me gojë hapur. Fshati Fterrë, përshembull, kurrë nuk ka patur më shumë se 100 shtëpi. Bukur! Tani le të sjellim “prodhimet” e saj në fushën e arsimimit, të përgatitjes së kuadrove e specialistëve dhe të nivelit të tyre teknik e profesional. Vetëm shkollën për mësuesi e kanë mbaruar mbi 150 djem e vajza. Kanë përfunduar arsimin e lartë më shumë se 300 fteriotë dhe shkollat e mesme të përgjithëshme e profesionale mbi 500 të tillë. Nuk gjen asnjë degë të shkencës e të dijes ku fteriotët të mos kenë dhenë ndihmesën e tyre të vyer. Numërohen 11 personalitete që mbajnë titujt Profesorë e Doktorë Shkencash, si dhe një numër jo i vogël mësimdhënësish që kanë meritur titujt “Mësues i Popullit” e “Të Merituar”. Fterra, ky fshat tipik shqiptar, ka nxjerrë pedagogë, shkrimtarë, artistë, ushtarakë, inxhinierë, ekonomistë, mjekë, agronomë etj. Përfaqësohen të gjitha shkencat. Por dashuria për arsim e dituri është një nga tiparet më dalluese ku midis shumë ftreriotëve na u desh të përzgjidhnim krenarinë e përfaqësimit të tyre, dy vëllezër, Xhevdet e Safet Kofina.
“Profesor Xhevdeti” i qytetit të Vlorës
Kush dëshiron të mësojë, ai që ka vendosur të bëhet dikushi në jetë e gjen mënyrën për të arritur qëllimin, ashtu si mund të gjejë edhe arsyen tjetër përse nuk mund ta arrijë këtë gjë. Për çka po them vlen një shembull i jashtëzakonshëm, të cilin na e sjell, ashtu si në përralla, jeta e një mësimdhënësi të përmasave kombëtare, “Mësuesit të Popullit” Xhevdet Kofina. Ai lindi më 1903 në një familje arsimdashëse, por shumë të vobegët nga ana ekonomike. Që në hapat e para të jetës së tij ka diçka që tregon se “e përpjeta” për të arritur tek ësndrrat do të ishte paksa e lodhëshme. Katër klasë të shkollës fillore i përbylli aty në fshat, në Fterrë, dhe një klasë tjetër, të pestën e kreu në fshatin më të afërt, por goxha larg për të mbërritur deri atje, në Kuç të Kurveleshit. Në të pesta vitet që bëri doli me nota shumë të mira. Por për arsye ekonomike babi u detyrua t’ja ndërpriste vrullin e filluar për shkollim, duke e dërguar të punonte në Qeparo, tek familja Sava, për të siguruar ca të holla vetëm për të zënë ndonjë shteg të halleve të shumta të familjes.
Por fati mund të të gjejë edhe në kohërat më të zymta, nëse vetëm një person kujtohet ta ndezë dritën. Për Xhevdet Kofinën “ndezësi i dritës” për të çarë në rrugën e shkollimit dhe të diturisë u bë një emër shumë i dëgjuar i kohës, arsimdashësi dhe patrioti i flaktë Jani Minga. Dhe Jani Minga dinte të zgjidhte, dinte ku i përzgjedhuri i tij mund të jepte shumë për përparimin e gjuhës shqipe. Ai i dha mundësinë për të vijuar shkollën e famëshme të mësuesisë, Normalen e Elbasanit.
Nxënësi i ardhur nga fshati Fterrë e filloi punën me zell, nuk përmbahej për të qëndruar i pari në listën e nxënësve të përparuar në mësime. Siç janë shprehur bashkëkohësit e tij, ai për të përvetësur programin mësimor nuk dinte të kacavirrej, por vraponte. Dhe ky seriozitet e vendosmëri për t’u bërë mësues i përgatitur, sipas kërkesave që kishte shkolla me emër të madh, Normalja e Elbasanit, solli ashtu natyrshëm propozimin që i bëntë drejtori emërmadh Aleksandër Xhuvani Ministrisë së Arsuimit. “Bursisti nga Kurveleshi, Xhevdet Kofina, thuhej në shkresën përciellëse, që ka dëftyer zotësi të madhe për t’u bamë mësues filloreje, e me kohë do të bahet nga më të mirët mësues, do të ishte mirë të dërgohej në Austri, në Akademinë Pedagogjike.” Është pak domethënës edhe fakti që pas emërit të Xhevdet Kofinës propozohej midis të tjerëve edhe nxënësi, shkencëtarit të ardhshëm të gjuhësisë, Eqrem Çabej. Ishte viti 1926.
Por bursa, për fat të keq, nuk iu dha. Në një farë mënyre edhe vullneti i Xhevdetit u shua për të shkuar tek ëndrra e madhe. Por ai kish mësuar se investimi për të mësur, për dituri ishte dobiprurës për të gjithë jetën ndaj vendosi që me ndihmën e familjes të “zbrazte kuletën” e të shkonte dy jet për specializim në Zvicër për mësues foshnjoreje.
Mësuesi i ri Xhevdet Kofina dinte se jo gjithmonë mund të merrte atë që donte, por nëse herë pas here do të kërkonte të bënte më të mirën, mund merrte çfarë i duhej. Vetëm me punë autodidakte arriti të lartësonte emërin e tij, duke arritur të bëhej mësues jo vetem për shkollën fillore, por edhe për shkollën e mesme. Parashikimi i Drejtorit të Normales, Aleksandër Xhuvanit se “do të bahet nga më të mirët mësues” u tejkalua.
Për mësues Xhevdet Kofinën jeta ishte përgatitje e gjatë për diçka që ndodh vit pas viti në punët që kryen. Atij iu desh të punonte në shumë shkolla të ndryshme në të gjithë vendin. Emëri i tij u bë i njohur në Përmet, në Ersekë, në Sarandë, në Gjirokastër e gjetkë. Kudo la gjurmë të njeiut të shkolluar, por veçanerisht tek nxënësit, të cilët i trajtonte më shumë dashuri.
Vitet kur ai kreu detyrën e mësuesit në shumë rrethe të Shqipërisë së Jugut i përkisnin fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të vendit nga nazifashistët. Xhevdet Kofina diti të mbante anën e duhur, atë të mësuesit patriot, por edhe të vendosur për të mos u bërë pjesë e të keqes. E kërkuan të regjistrohej në Partinë Fashiste, por nuk pranoi, pavarësisht se ishte e detyrueshme për nëpunësit e asaj kohe. Perkundrazi, ai agjitonte kundër fashisteve. Faktet historikë tregojnë se u vu në ballë të demostruesve të qytetit të Ersekës në ditët e para të prillit të vitit 1939. Edukimin patriotik mësues Xhevdeti e trajtonte si të ishte lëndë e veçantë, por ajo që e bënte të veçantë këtë “lëndë” ishte sepse ai e spiegonte me shpirt.
Duhet të kesh një zemër të madhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të ngutëshme që ka vëndi në çaste të vështira, ashtu siç ishin ato të arsimit në kohën e luftës dhe të pasluftës. Xhevdet Kofina për këtë çështje madhore qëndroi në skalionin e parë. Në ato vite, pra pa mbaruar lufta ende, ai u muar me organizimin e shkollave në zonat e lira dhe të çliruara. Dhe frutin e kësaj pune, ai e pa me sytë e tij, e pa tek fryma që përcolli tek nxënësit e tij, siç ishte ai i “Heroit të Popullit” Ali Demi.
Shënja më e madhe e suksesit për një mësues është kur ai guxon për t’i zgjeruar “kufijt” e tij të dijes dhe të mësimdhënies, për të kontribuar ca më shumë sesa në hapësirën e një shkolle. Në të gjitha udhëtimet që bënte jashtë vendit si në Itali, Austri, Greqi, Zvicër apo Stamboll e Izmir, profesori kthehej që andej “i ngarkuar” me libra. Ai i lexonte librat jo për t’u zbavitur, por se atje gjente fuqinë për të bërë më të mirën. Dhe kjo mahni për të lexuar libra nuk e la pa sukses. Për veprimtarinë e tij si mësues i shquar, u zgjodh delegat, së bashku me Lame Xhamën, i cili edhe ai gëzon titullin “Mësues i Popullit” dhe Mustafa Luçin, në Konferencën e Dytë arsimore të qarkut të Gjirokastrës, e cila i zhvilloi punimet më 29 gusht të vitit 1944 në Lipë të Përmetit. Mrbitën në Përmet duke kaluar grykave të malëve, në këmbë, nën shoqërinë edhe dy të rinjëve të tjerë, po nga Fterra, përfaqësues të rinisë komuniste, Ismet Elezi e Dilaver Shkurti. Në këtë konferencë, si të gjithë pjesëmarrësit, iu caktua detyra e organizimit dhe të funksionimit të shkollave të Kurveleshit të Sipërm, të cilën e përbushi me shumë sukses.
Vendosmëria e tij për të qënë në krah të fitimtarëve ishte as më pak e as më shumë, por ashtu si e një mësuesi patriot. Ua hapi zemrën, au hapi shpirtin, ua hapi edhe dyet e shtëpisë. Aty në Fterrën e tij të dashur, aty ku kishte shtëpinë e prindërve, dyert u hapën kanat më kanat për të strehuar luftëtarët. Aty gjeti strehë edhe komandanti i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, i cili mbeti mik për tërë jetën, Islam Radovicka.
Pas çlirimit të vendit Xhevdet Kofina u emërua mësues në qytetin e Vlorës. Në Vlorë, në qytetin e tij të dashur, punoi gati në të gjitha shkollat e qytetit. Shkelqeu në lëndën e letërsisë, aty ku edhe dikur do të goditej nga një plumb “qorr” i ardhur nga mendësia e tij e palëkundur se “dituria nuk ka vlerë nëse nuk i thuaj të gjitha”. Në gjimnazin “Ali Demi”, në një orë mësimi, ai “lajthiti” dhe guxoi të trajtonte figurën e Faik Konicës. Ky rast u bë shkak për ta ulur në detyrë, ta transferonin në një shkollë 7-vjeçare. Por shpejt, shumë shpejt, për shkak të përgatitjes së tij të gjithanëshme, për nivelin e lartë profesional, e çuan njëherësh në shkollën Tregëtare dhe në gjimnazin “Ali Demi”. Kur në Vlorë u hap shkolla e mesme pedagogjike “Jani Minga”, Xhevdetin e vunë në krye të listës për të dhënë Matematikën Racionale. Tashmë Vlora i thërriste “Profesor”. Fuqitë mendore dhe fizike, zemrën e tij, i vuri në shërbim të nxënësve, madje dhe të atyre që vazhdonin pedagogjiken me korrespondencë.
Bëhesh i vetëdijshëm se e ke kryer mirë detyrën si mësues kur nxënësit e tu e kanë bërë hapin e madh drejt diturisë. Xhevdet Kofina e kishte kryer mirë këtë detyrë. Nxenesit e donin dhe e dashuronin me gjithë shpirt, sepse kështu i dashuronte dhe ai ata. Po sjellim diçka pikante nga puna e tij si mësus. Po të ngelej nxënësi në ndonjë lëndë apo edhe në klasë, Profesor Kofina, siç e thirri Vlora, bënte njërën. Fajin nuk e ka nxënësi, këmbëngulte ai, por mësuesi. Sipas tij, lënia e nxënësit në klasë ishte paaftësi e mësuesit, ishte pasojë e stilit dhe metodës së mësuesit në procesin mësimor-edukativ.
Jetën e tij ai e shkriu për mësimin, për diturinë. Ishte 30 qershor i vitit 1965 kur mësues Xhevdeti bënte konsultime me nxënësit maturantë të shkollës pedagogjike “Jani Minga” në lëndën e Matematikës Racionale. Ishte shumë vapë, por Profesori nuk e kishte ndërprerë punën, i kishte vazhduar konsultimet për t’i çuar zgjidhjet deri në fund. Ndoshta edhe për shkak të moshës, lodhja po e kapiste. Nxënësit kuptuan diçka që nuk po shkonte mirë me shëndetin e Profesorit ndaj edhe i thane, iu lutën të ndërpriste spiegimin, sepse kishte kaluar edhe orari i drekës. Por Profesor Xhevdeti Kofina nuk donte ta lëshonte shkumësin nga dora. Dikur, në një çast, u dëgjua zëri i tij i mekur: I nderpresim konsultimet, kishte mërmëritur, do të vazhdojmë këtu ku e lamë mbasdite. U kishte caktuar edhe orën. Dhe ishte nisur për në shtëpi, të cilën e kishte aty, fare pranë shkollës. Sa vajti në shtëpi, hemoragjia cerebrale i bëri gjemën, i mori jetën. Të nesërmen, më 1 korrik, Profesorin e përcolli për në banesën e përjetëshme një Vlorë e tërë.
Për kontributet në luftë e në punë është nderuar me shumë urdhëra e dekorata ku midis tyre mund të veçojmë atë të “Urdhëri i Flamurit”, “Mësues i Merituar” dhe titullin e lartë “Mësues i Popullit”.
Sa qe gjallë betohej vetëm “Për flamur”
Dëshira dhe pasioni për mësur e shkolluar në fisin Kofina ishin me rrënjë të thella. Në shekuj. I pari i tyre, Lazo Kofina i Parë, ishte sekretar personal i Zenel Gjolekës në kohën e Tanzimatit. Edhe Lazoja i Dytë bashkë me Sami e Eqerem Kofinën, kishin luftuar me armë në dorë kundër turqve. I ati i Xhevdet e Safet Kofinës, Hamiti, u burgos gjatë luftës italo-greke dhe doli që andej në saje të mënçurisë së tij, si njeri i shkolluar e që diti të bëhej avokat e vetvetes përpara, siç thoshte ai, “të madhit” të Greqisë.
Safet Kofina, i cili ndoqi rrugën e të vëllait për t’u shkolluar, të Xhevdetit, ishte shumë më i vogël, plot 13 vjet. Por ky fakt solli tjetrën, që ai të ishte më i përkëdhelur, madje edhe “i priviligjuar”. Pasi mori mësimet e para në fshat, familja e dërgoi në Ersekë për të përfunduar plotoren, siç quhej atëherë, sepse drejtor shkolle ishte i vëllai, Xhevdeti.
Cilido mund ta mësojë rrugën e shkollimit për veten e tij, por kur ke përpara një “usta”, siç kishte Safeti të vëllanë, gjërat bëhen më të lehta. Ai e këshilloi që të konkuronte për të vazhduar studimet në shkollën teknike amerikane, e cila kishte për drejtor të famëshmin Harri Fullc. Konkursin e bëri për të mundësuar studimet për mësuesi, të cilin e përballoi me shumë sukses. Ishte viti 1930, kur ai sapo kishte mbushur moshën 14 vjeç. E filloi shkollën, duke i mësuar lëndët me shumë zell, por nuk arriti ta përfondonte mbasi ajo u mbyll për t’u rihapur pas vitit 1933. Të afërmit tregojnë se, pas kësaj që i ndodhi, i kish dalë bursa për në Itali. Nuk qe e thënë të shkonte. Ditën që do të nisej nga porti i qytetit të Durrësit, ai u sëmur, madje shumë rëndë, aq sa familjarët vendosën që të kthehej. Dhe nuk shkoi. Ai në kujtim të kësaj ngjarjeje mbajti një fotografi, çkrepja e së cilës u realizua përpara nisjes së grupit të studentëve drejt Italisë.
Meqë ai në shkollën Harri Fullc përgatitej për mësues, shumë nga kontigjenti i këtyre nxënësve shkoi pranë shkollës Normale të Elbasanit, aty ku kishte mbaruar edhe i vëllai, Xhevdeti.
E përfundoi Normalen dhe mori titullin “mësues” në vitin 1938 kur edhe do të merrte emërimin për në Tropojë, në Dragobi.
Nuk mund të jesh mësues nëse kujdesi dhe shikimi për të shpërndarë dituri kufizohet aty, brënda mureve të klasës, tek nxënësit që të kanë ofruar për t’i shkolluar. Mësues Safet Kofina aty në Dragobi u gjend përpara një realiteti të dhimbshëm, që kur i vinte përballë atë të fshatit të tij të lindjes, tmerrohej, dëshpërohej shumë. Sepse në shkollë gjeti vetëm 9 nxënës, e ndërsa ata që mund dhe duhej të vijonin shkollën ishin me dhjetra. Injoranca, sipas këtij mësuesi patriot, nuk ishte mungesa e njohurive për dije e kulturë, por refuzimi për të nxënë shkrim e këndim. Dhe ai guxoi të luftonte me injorancën. Vetëm për dy vjet, aq sa iu dha mundësia të qëndronte në Dragobi, e çoi numërin plot në 143 nxënës ku midis tyre kishte edhe shumë vajza. Dhe më bje ndërmend në këto çaste “kontributi” që po japin mësuesit e shekullit të XXI-të në rritjen numurit të të rinjëve analfabetë.
Mësues Safet Kofina në vitin 1940 u emërua në shkollën e Golemit të Kurveleshit. Ai aty, por edhe në shkollat ku do të punonte më pas, mësoi se më shumë se gjithçka në vërtetësinë e gjërave, ndikonte eksperienca, përvoja e drejtëpërdrejtë në përballjen me jetën. Ai nuk harroi kurrë praktikat në shkolën amerikane ku drejtori i saj Harri Fullc tregohej “xhelat” me nxënësit me qëllim që ata të ishin të përgatitur për jetën. Për të ilustruar sjelljen e Fullcit me konviktorët, Safeti tregonte gjithnjë rastin, i cili ish bërë sebep për të mësuar biçikletën. Drjtori e kish urdhëruar të çonte një zarf në postë, duke menduar se nxënës Safeti dinte t’i jepte biçikletës. Nga ajo ditë, në të cilën u bë me turp, ai mori një biçikletë me qera dhe iu desh t’i bënte gjunjët copë, t’i gjakoseshin nga “bjerë e ngrihu”, deri sa e mësoi.
Detyra si mësimdhënës i dha privilegjin që të njihte shumë fshatra, shumë karaktere njerëzish, të cilët ndikuan në formimin e tij si “filozof” në trajtimin e problemeve që i dolën në procesin mësimdhënës. Nga viti 1942 e deri në vitin 1952, pra për 10 vjet “shëtiti” si mësues në fshatra të shumtë, nga Nivica e Kurveleshit, Llakatundi e deri në Gjorm të Drashovicë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme e që vendasit e përjetuan me shprehjen “si në vitet kur kishim mësues Safet Kofinën”.
Ashtu si edhe vëllai i tij, mësues Safet Kofina talentin si mësimdhënës e tregoi në shkollat e qytetit të Vlorës. Posa zbriti në Vlorë ai u ngarkua me detyrën e drejtorit në shkollën “1 Maji” e pastaj për rreth 10 vjet inspector në seksionin e arsimit, drejtor në shkollën në Ujin e Ftohtë, drejtor i konviltit të shkollës pedagogjike “Jani Minga”, drejtor i shkollës “Ismail Qemali” dhe katër vitet e fundit, përpara se të dilte në pension, u caktua me detyrën e drejtorit në shkollën “Qemal Gorishova”.
Dituria e asnjë njeriu, qoftë edhe e një mësimdhënësi, nuk mund të tejkalojë përvojën. Nëse numëruam vendet e punës, nëse në një farë mënyre sollëm të plotë “hartën” aq interesante ku mësues Safet Kofina punoi për më shumë se 40 vjet, synuam të hedhim dritë jo vetëm tek vendosmëria e tij për të qënë gjatë gjithë kohës “qiri që digjej” për të përçuar tek dhjetra breza nxënësish diturinë, por edhe se ky njeri ka lënë një trashëgimi praktikash e përvojash të cilat nuk vjetërohen kurrë. Fjala vjen, Safet Kofina ishte dhe do të mbetet shembulli i mësuesit që ndërlidhte shkëlqyeshëm teorinë më praktikën, ashtu si e kishin mësuar kur studjonte te Instituti Amerikan Harri Fullc. Kur ai u caktua drejtor konvikti në Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” mundësoi të aktivizonte mësues dhe nxënës, duke shfrytëzuar hapësirat e tokës apo mbetjet ushqimore për të prodhuar, aq sa të mundnin, perime, vezë e mish si ushqim suplementar për konviktorët.
Por gjëja që e bëri që të mbahej mend edhe më shumë mësues Safet Kofinën ishte diçka shumë e thjeshtë, shumë njerëzore, nga më të zakonëshmet, por me vlera të larta në komunikimet e sinqerta me njerëzit. Në mjedisin familjar, midis miqësh, në rrugë, në takime solemne etj., kur vinte puna për saktësinë e asaj që tregonte, për ta bërë të besueshme ashtu si ishte e vërteta, ai betohej “Për Flamur!”. Nëse ai për vërtetësinë e një gjëje zinte për bé Falamunin, çdo muhabet mbyllej, konsiderohej vendim “i formës së prerë”.
Kur doli në pension kohën e mbushte me veprimtari të ndryshme shoqërore e kulturore, por edhe duke lëvizur bregut të detit, nëpër rrugët e qytetit të tij të dashur, Vlorës, me biçikletën e tipit gjerman “Diamant”. Ai priste si rrallëkush tjetër Ditën e Mësuesit, 7 Marsin. I shkonin për ta uruar me dhjetra si autoritete të rrethit, nxënës, kolegë, shumica e të cilëve kishin kaluar nga dora e tij. U nda nga jeta më 28 Tetor të vitit 2018. Për veprimtari dhe punë të shquar si mësues ai është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit III dhe titullin “Mësues i Merituar”.
Nuk di se cili është ai mendimtar që ka thënë këtë shprehje vlerësuese për mësuesin: “Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, i krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë”. Ashtu si mund t’i konsiderojmë këta dy vëllezër, këta dy mësues që punuan për të hapur dyert e diturisë, nga fshati Fterrë i Vlorës.
29 nëntor 2018