Nusepashket e Eljanit “pushtojnë” Prrenjasin

Kullat e Prrenjasit, treguese të historisë së këtij qyteti, prej shumë vitesh ofronin pamjen e trishtueshme të gërmadhave. Eljan Tanini është artisti i cili do t’i “pushtonte” ato me nusepashke dhe do t’i risillte për kalimtarët me një pamje ndryshe. Në dy kullat e minierës së dikurshme të hekur-nikelit në hyrje të qytetit janë pikturuar gjithsej 1380 nusepashke…


Kush ka kaluar një herë të vetme në Prrenjas, ka vërejtur në një zonë të këtij qyteti, buzë rrugës automobilistike që të çon në Pogradec e Korçë, dy kulla të larta dhe disa ndërtesa të shkatërruar nën këmbët e tyre.

Dikur ajo ka qenë miniera e Hekur-Nikelit në Prrenjas, sot një vend i braktisur e pa jetë. Por prej disa ditësh nuk është më kështu! Më shumë se një mijë nusespashke kanë “pushtuar” këto kulla duke i bërë të gjithë që të kthejnë kokën nga këto ndërtesa që nuk të ofronin më parë asnjë kënaqësi për syrin.

Artisti Eljan Tanini ka menduar që këto kulla në Prrenjas të kenë një pamje tjetër dhe mesa duket ia ka dal. Ai ka punuar 22 ditë duke pikturuar në to më shumë se 1300 nusepashke.

Nuk ka qenë e lehtë për Taninin që të qëndrojë mbi skelë me orë të tëra në kullat gri të këtij qyteti, duke pikturuar këto bubulake kuq e zi që i japin një tjetër ngjyrë zonës duke i kthyer, pse jo, edhe në objekte të vizitushme nga turistët.

Eljani nuk do të ndalet vetëm në kullat e Prrenjasit.

Projekte të tjera të ngjashme ka në plan, ku beson se zona të ndryshme të braktisura, me pak ide, me shumë ngjyra e fantazi mund të transformohen në vende të vizitueshme dhe të kthehen në distinacione për turistët.

Në këtë intervistë për “Dita” Eljan Tanini tregon se si i “pushtoi” kullat e Prrenjasit me nusepashket e tij dhe çfarë planesh ka për të tjera vende të ngjashme…

-Eljan, shumëkush që ka kaluar në Prrenjas, ka parë disa kulla të braktisura. Pse vendose të ndërhysh me ngjyrat e tua në këto ndërtesa të braktisura?

Kam vite që dua të merrem ashtu siç dua unë me ato kulla. Gjithmonë më kanë tërhequr madhështia e tyre e punës dhe gjigandizmi aspak njerëzor. Ky është një cikël i ri veprash publike ku vetëm fillimi i vjeshtës më ndalon, pasi kam plane edhe me ndërtesa të tjera. E para dhe më e rëndësishmja: Me kullat e Prrenjasit kam një ide në kokë për të cilën kam nisur të merrem. Kullën e madhe dua ta kthej të aksesueshme dhe të vizitueshme. Kam një ide për ta mbushur të gjithën nga brenda me imazhe nga ajo zonë, nga Shqipëria por edhe nga vetë miniera. Të cilës më së shumti, do t’i kushtohet kjo hapësirë e re magjike e vizitueshme. E cila për fat të keq, për momentin nuk ka mundësi të bëhet pa lejet e duhura, pasi puset janë të mbyllura, shumë të larta, por edhe jeta vihet në rrezik nëse hyn në to. Megjithatë, Miniera e Hekur Nikelit në Prrenjas, për mua mbetet nder joshjet më të bukura turistike në Shqipëri nëse kthehet ashtu siç ju thashë më sipër: Për ta shndërruar jo vetëm në një muze të thjeshtë dhe Galeri Arti. Prandaj kush e lexon këtë intervistë të më kontaktojë, sepse është shumë e vështirë të krijosh aksesin për të lëvizur si njeri normal brenda atyre kullave. Të paktën të lëvizet brenda tyre me shkallë druri. Vendosa të ndërhyj me ngjyra pasi ashtu bëhen më joshëse dhe më tërheqëse. Ato kulla nuk janë thjeshtë të mbyllura (ose të braktisura) por në mënyrë natyrore, janë pushtuar nga nusepashket. Nuk kam dashur ta tregoj që në pamje të parë se çfarë janë ato ndërtesa, pasi nuk është në stilin e punës sime që ta bëj këtë. Qëllimi është ta lëmë vizitorin të futet brenda, të kuptojë më nga afër së çfarë është ajo minierë e hekur nikelit.

-Ke zgjedhur të pikturosh nusepashket. Ka ndonjë domethënie?

Kënaqësia e ndërhyrjes me pak ngjyrë në ato kulla në Prrenjas, është e thjeshtë: Desha t’i dhuroja atij qyteti më shumë fat dhe më shumë ndjesi të mirë femërore. Gjë që më në fund u bë. Bubulaket janë kuq e zi, si vetë ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Ato vetë janë e gjithë gjendja emocionale e një Shqipërie si e jona, ku e vetmja gjë e mirë që na ka mbetur në këtë vend për mendimin tim, është gruaja. Është gruaja ajo që e ka mbajtur këtë vend, në të mirë e në të keq. Ndërsa kullat, ose puset e Prrenjasit, jemi ne, është Shqipëria. Mullakuqet në këtë rast, përveç se simbolizojnë fatin e mirë jo vetëm për Prrenjasin, por edhe u urojnë kalimtarëve vendas ose të huaj, fat. Në të gjithë botën, ato janë fat i mirë jo vetëm për njerëzit që u vijnë rastësisht në trup, por edhe për fermerët, që në atë zonë janë të shumtë.

-Prrenjasi administrohet nga një grua. Është kryetarja e Bashkisë ajo që iu ka frymëzuar për pikturimin e tyre?

Mua më pëlqen që ajo Bashki drejtohet nga një grua. Pasi ishte ajo e para që e mikpriti idenë time. Më pas donatorët e bojërave, skelat, grafistët dhe të tjerë. Miranda më ka përkrahur. Bashkë kemi debatuar pozitivisht për shumë gjëra në lidhje me ato kulla. Ama gjithmonë bindem, se një grua në krye të një institucioni publik si Bashkia, është gjithmonë edhe më e ndjeshme. Në rastin tim, në lidhje me ato insekte jo vetëm ekologjike, mendoj se një burrë në post drejtuesi të rëndësishëm, do ta kishte të vështirë të më kuptonte. E për më shumë: Unë nuk desha që ta zhbëja të gjithë betonin e atyre kullave me bojë, por të pushtohej nga nusepashket në mënyrë natyrore. Për këtë vepër të re urbane, më ka frymëzuar pema e madhe që është lartë në tarracën e kullës prej 52 metrash. Te dyja kullat kanë nga 3 pemë që janë mbjell vetë nga natyra. Te kulla më e lartë, ka mbirë prej afro 30 vjetësh një plep që i ka shtrirë rrënjët në një tarracë bitumi. Si rrjedhojë, mbetet frymëzimi im i parë i kësaj lartësie.

-Ka qenë e vështirë, pasi këto ndërtesa janë të larta?

Po, ishte e vështirë dhe e thjeshtë. Ishte e vështirë, punë dhe lodhje 22 ditore. Ndërkohë duhet të përballeshe me vapën dhe erën. Shpeshherë e kam nisur punën në orën 7:00 të mëngjesit, dhe e kam lënë në 8 të darkës, edhe pa ngrënë. Ishte diçka që e desha prej kohësh, e mendoja prej gati 5 vjetësh këtë ndërhyrje sa me bojë dhe sa mjedisore. Lodhja ka bërë të sajën. Tani që po flas me ty, mezi më punojnë duart. Megjithatë më pëlqen. Është lodhje e shëndetshme, nga ato që të bëjnë ta duash punën tënde. Për mua kjo eksperiencë është joga ime e re.

-Kanë përfunduar të gjitha kullat, a ka mbetur diçka tjetër për t’u bërë?

Rrethimi ose pushtimi i parë i nusepashkeve në Prrenjas, tashmë ka përfunduar. Pres nga dita në ditë, të gjej një donator tjetër që të bëj ndriçimin e kullave (puseve) natën. Sepse jam i bindur që puna ime, por edhe simboli i Prrenjasit, natën ngjan më bukur se ditën. Pastaj vjen faza tjetër: Puna mbi hapjen, pastrimin, sigurimin, aksesin, vizitueshmërinë në ato kulla që shohin nga fusha historike e Domosdovës.

-Ke menduar të ndërhysh diku tjetër, në ndonjë qytet të Shqipërisë, pasi gërmadha të tilla nuk mungojnë?

Po, kam menduar. Kam në plan disa gjëra të tjera, ku njëra prej tyre është tejet e lartë. Tani të shohim, sepse varet nga kjo stinë nëse do të ketë reshje, por edhe nga faktorët njerëzorë si gjetja e bojërave, skelave etj… Por si fillim, nuk dua ta flas me askënd se ku gjendet vendi i saktë. Edhe për qëndrimin tim në Prrenjas, nuk i thashë askujt.

-Çfarë do të thotë për ty Eljan që t’i japësh ngjyra një vendi apo diçkaje të braktisur?

Është nga ato çaste që më shijon. Më pëlqen që ngjyrat ndërhyjnë atje ku ka gri, katrahurë, beton, kaos pa arsye dhe braktisje. Të gjithën këtë unë e përdor si sfond për ngjyrat apo idetë e mia. Ama edhe në këtë rast, nuk më pëlqen ta rregulloj të gjithë arsyen e braktisjes, qoftë kjo njerëzore ose jo! Pasi vetë kaosi, është ajo mrekulli e jona që na karakterizon si popull, i cili është në zhdukje e sipër. Pas kësaj pune, jam i bindur se edhe ngjyrat e shpëtojnë botën.


E.Resuli

29 Gusht 2018