Dilaver Goxhaj

(Diskutim për librin “Përjetësia e dyfishtë”, me autor Bedri Islami)

Bedri Islami para se të shkonte në emigracion ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me shtypin e përdritshëm, sidomos me gazetën “Zëri i Popullit”.

Por si shkrimtar, Bedri Islami e ka nisur veprimtarinë me vjersha, si poet. Fillimi i tij poetik duket se nuk është thjeshtë çështje moshe. Përveç faktit të njohur që letërsia jonë më së shumti është një “letërsi poetësh”, sidomos në këto tre dekadat post-moniste, në formimin letrar poetik të Bedri Islamit duhet mbajtur parasysh edhe vendlindja e tij: Shkodra, që ka qenë e mbetet një nga qytetet që ka nxjerrë e nxjerr poetë kombëtarë. Duket që qysh në foshnjëri Bedriu duhet të jetë mëkuar me këngët shkodrane dhe me poetët e mëdhenjë shkodranë, ku prin korifeu i poezisë shqipe Gjergj Fishta.

Më pas shohim se fusha kryesore e veprimtarisë letrare e Bedri Islamit është monografia, por pasi ka lënë gjininë e dramës.

Them se Bedriu e ka si veprimtari kryesore të tij gjininë e monografisë, pasi është autor i disa prej tyre, dhe kjo në një periudhë 10 vjeçare, ku vlen të theksohen “Enigma e një vrasjeje të trefishtë”, “Lëvizja – lindje e përgjakur”, “I vërteti”, dhe “Përjetësia e dyfishtë”, të cilën po e promovojmë sot, por, nuk duhet harruar se kohët e fundit ka filluar të lëvroi edhe gjininë e romanit, të cilin e ka nisur me “Vrasja e Lulit të vocër”.

Gjininë e monografisë dhe të romanit Bedri Islami ka gati një kohë dhjetë vjeçare që i ka nisur, dhe kjo, faktikisht, menjëherë pasi ka mbaruar Lufta për Clirimin e Kosovës. Pa dyshim që kjo ka lidhje me detyrën që ai ka pas për zhvillimin e kësaj lufte clrimtare, i cili ka drejtuar në vitin e fundit të saj, forcën politike që inicoi, organizoi dhe udhëhoqi atë Luftë Clirimtare, LPK-në, Lëvizja Popullore për Kosovën.

Me të katër këto monografi që përmenda, ku monografinë “Përjetësia e dyfishtë” unë e cilësoj si veprën më të mirë të tij të derisotme, pa hezitim unë do të thoshja se me këtë gjini ai renditet ndër shkrimtarët më seriozë profesionistë europianë të monografive. Përmes këtyre monografive, Bedriu, me sa duket, i ka vënë vetes qëllim të paraqesë rolin historik të disa figurave të shquara të asaj lufte dhe rolin udhëheqës të LPK-së në luftën për çlirimin e Kosovës; ka për qëllim të na tregoi me fakte konkrete formimin e vetëdjes revolucionar në valët e ndeshjeve politike e ideologjike në dy dekadat e fundit të të qenit Kosova koloni e Serbisë, 1980-1999; në këto monografi, e veçanërishtë te “Përjetësia e dyfishtë”, ku autori trajton gjithë veprimtarinë e organizatës ilegale “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” (L.R.S.SH.), platforma e së cilës kishte për qëllim: shpalljen e “Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha territoret e banuara me shqiptarë në Jugosllavi, Bedriu paraqet kalitjen e gjithë anëtarëve të kësaj organizate ilegale me në krye Fehmi Lladrovcin, si shprehës i interesave kombëtare e popullore në periudhën e pas ngjarjeve të vitit 1981 e deri në “Mbramjen e fundit” të tij, në 22 shtator 1998, (vdekja në kuptimin fizik e shpirtëror).

Nisur nga ky pikësynim ideoartistik, Bedriu e ka zënë fillin e subjektit në vitin 1985, ku “për herë të parë në Lëvizjen Atdhetare e ilegale në Kosovë, pas bashkim-shkrirjes, nën udhëheqjen e organizatës, në sekretariatin e saj, caktohet edhe sekretari përgjegjës për cështjet ushtarake, dhe jo rastësishtë kjo detyrë i caktohet pikërisht Fehmi Lladrovcit” (f.30), sikundër e thotë edhe vetë autori.

Monografia për Femi Lladrovcin dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci, “Përjetësia e dyfishtë”, për mendimin tim nuk është thjeshtë një monografi, por një vepër letrare artistike me temë jo vetëm politike por edhe historike.

Në sfondin shumë veprues të ngjarjeve të Organiatës ilegale L.R.S.SH.J, e më pas të LPK-së, jashtë Kosove dhe brenda në Kosovë, e më vonë të ngjarjeve gjatë luftës në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, na është dhënë një tablo mjaft e gjerë dhe e vërtetë e lëvizjes shpirtërore, politike e ushtarake të kësaj organizate, duke i zbuluar në mënyrë bindëse rrënjët shoqërore e klasore të qëndrimeve që mbahen nga shtresa të ndryshme të shoqërisë kosovare ndaj cështjes të së ardhmes së Kosovës dhe ndaj problemit shqetësues themelor: luftës për clirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Lidhjet personale të Fehmi Lladrovcit me Xheva Krasniqin, të dy bij familjesh të thjeshta por me traditë shumë të hershme patriotike, i kanë shërbyer Bedri Islamit për të provuar se trashëgimia familjare vështirë se degjeneron dhe se ajo ngihet e lartësohet më tej nga pasardhësit e tyre, dhe që dimë se një prej njësiteve të para luftarake në Kosovë ka qenë organizuar nga babai dhe vëllezërit e Xhevës. Nuk thotë më kot populli: Floriri fillon të shkëlqejë pasi e ke shtënë në dorë.

Me këtë libër, autori na tregon se kjo dialektikë e zhvillimit historik e çan rrugën jo aq lehtëm, dhe jo aq lehtë mund të pasqyrohet në art, kur ajo kalon nga një brez në një tjetër me të njëjtën përbërje, pothuajse të njëllojtë. Këtu zë fill veprimtaria e këtij çifti që përfundojnë në heronj të Kosovës dhe të çështjes kombëtare.

Bedri Islami nuk e përshpejton fundin e veprimtarisë të këtyre dy personazheve dhe as e ngushton veprimtarinë e monografisë në konflikte e intriga melodramatike që ndodhin gjatë veprimtarisë së tyre ilegale si në Kosovë edhe në Evropë.

Një prej meritave të tjera të autorit është se, duke shkruar një monografi me temë sa politike aq edhe ideologjike e ushtarake, nuk i ka mbështetur shpresat në frazeologjinë politike apo të një tendencioziteti vulgar, por ia ka lënë rrjedhës historike të ngjarjeve që të bëjë vlerësimet e të japë përfundimet, të kurorëzoi fitimtarët e ligjshëm e të ndëshkoi botën e pacifizmit e të vëllazërim-bshkimit që mbisundonte në atë kohë në Kosovë, e veçanërisht në organet e diktaturës të Kosovës, që ishin përplot me shqiptarë, si dhe në shumicën e inteligjencës së atëhershme kosovare.

Përballë kësaj bote të ndyrë, që sundonte në pjesën dërmuesë të asaj inteligjence, e vecanërisht tek e tërë administrata e institucioneve ligjzbatuese, shkrimtari Bedri ka përshkruar një botë të tërë të madhe, të hapur, të gjallë: botën e pasur e të ndritur të studentëve dhe inteleigjencës së re revolucionare kosovare, të viteve ’80 të shekullit që lamë pas, të dalë nga gjiri i popullit të thjeshtë, veçanërishtë nga gjiri i popullsisë fshatare të Kosovës dhe e gjithë viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, që janë gati të sakrifikojnë gjithçka për lirinë e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, deri në bashkimin me shtetin amë.

Pasqyrimi i këtyre dy botëve, shtresës revolucionare të të përndjekurve politikë dhe shtresës tjetër armike e së parës, përbën degëzimet kompozicionale të veprës, që në përgjithësi lidhet me veprimtarinë e Fehmi Lladrovcit, i cili bëhet drejtues i një organizate revolucionare ilegale me shtrirje jo vetëm në të gjithë skajet e trojeve shqiptare në Jugosllav, por edhe në mesin e studentëve shqiptarë në universitetet e Kroacisë e të Sllovenisë; jo vetëm në studentët civilë, por edhe ndër studentët ushtarakë shqiptarë të shkollave ushtarake në Kroaci, Bosnjë e Slloveni, si rast unikal në historinë e lëvizjeve të tilla shqiptare. Po të jetonte Dante Aligieri, këtë shtrirje gjeografike të kësaj force politike ilegale do ta quante “përhapje nëpër shtatë mbretnitë”, që do të thotë nëpër shtatë rrethet e Purgatorit. Dhe kur ky “hero, që i përgjet Skënderbeut”, – sikundër shprehet gazetari anglez David Loyn,b – i cili kishte kaluar nëpër shtatë rrethet e Ferrit, vjen bashkë me bashkëluftëtaren e jetës të luftoi në Kosovë, ca persona që njihnin vetëm Parajsën, por që kishin rrëmbyer drejtimin e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, e urdhërojnë të shkoi e të luftoi direkt në front si ushtar i thjeshtë!

Të dy këta degëzime, përshkruar nga Bedriu aq hollësishtë dhe me emra konkretë, atdhetarë e reaksionarë, i ngjajnë një mozaiku të madh me shumë figura, të cilët autori na i jep me emra realë. Por, që ta kundrosh të plotë këtë mozaik të madh, duhet t’i kesh lexuar të katër monografitë e Bedriut. Gjë që mund ta themi me bindje të plotë, se monografitë e Bedri Islamit, për përgatitjen e luftës clirimtare në Kosovë, do të cilësohen më së shumti vepra historike se sa vepra letrare, ku brezat që do të ulen e të shkruajnë historinë e Kosovës për dy dekadat e fundit të shekullit XX, do ta kenë shumë të lehtë, pa qenë nevoja të gërmojnë shumë nëpër arkivat e Kosovë e më gjerë.

E themi me bindje këtë, duke pasur parasysh se shkimtari ka bërë një punë të madhe përzgjedhëse, ku u është shmangur parantezave të gjata me episode të dorës së dytë, sikundë ndodh rëndom në këtë lloj gjinie letrare. Si rrjedhojë, ndërtimi i monografisë për Fehmi e Xheva Lladrovci i përgjigjet mirë pikësynimit të autorit për të paraqitur luftën që ka bërë e gjithë organizata e L.R.S.SH në shtrirjen e saj epike me dramat e të papriturat reale të saj. Që të njohësh figurën e Fehmi Lladrovcit duhet të kesh lexuar të gjitha këto monografitë të Bedri Islamit.

Bedri Islami e ka vënë veten përballë detyrës që të trajtojë saktësishtë veprimtarinë e kësaj organizate ilegale, e përkrahur nga masa e madhe përgjithësishtë fshatare dhe studentore e popullit, si dhe veprimtarinë e gazetarëve, gjykatësve, spiunëve, analistëve dhe politikanëve kosovarë projugosllavë, të cilët janë armiq të betuar për bashkimin kombëtar.

Duke qenë se kemi të bëjmë me monografi, kuptohet se do të ishte mirë që shkrimtari të zgjatej në disa momente kyçe, për t’i treguar lexuesit se si përfunduan shumë personazhe kundërshtarë të kësaj lëvizjeje ilegale atdhetare, qofshin ata politikanë, gjykatës, profesorë, kuadro policie, gazetarë, botues e redaktorë gazetash; e në mënyrë të veçantë të na tregonte veprimtarinë e mëtejshme të dy anëtarëve të kësaj organizate ilegale atdhetare, njëri prej tyre anëtar i Byrosë Organizative i kësaj organizate që drejtonte Fehmiu, që gjoja rastësishtë i shpëtuan arrestimit masiv të datës 4 nëntor 1985, (f.119). Por, për ta kuptuar më mirë lexuesi veprimtarinë e mëvonshme të tyre, duhet të ketë lexuar edhe monografitë e tjera, pasi janë këta të shpëtuarit rastësishtë që i imponohen udhëheqjes së LPK-së që Fehmiu të mos lejohet të shkojë e të luftoi në Kosovë në rradhët e UÇK-së! Vetëm kur i ke lexuar të katër monografitë e Bedriut për UÇK-në, vetëm atëherë të lind kjo pyetje-vërejtje që thashë. Se si është e mundur që brenda natës së 4 nëntorit 1985 arrestohen më shumë se 100 vetë, e cila “Ishte një ndër goditjet më të ashpra… afërsishtë në të njëjtën orë, që nga lagjet e Prishtinës dhe deri te godinat e studentëve në Zagreb, që nga fshatrat e Drenicës dhe deri tek viset shqiptare buzë liqenit të Pogradecit. Nuk kishin ndodhur asnjëherë arrestime të tilla, me një shtrirje kaq të gjerë; ishte, si të thuash i gjithë kontributi i viseve ku flitej shqip dhe jetonin shqiptarë”, f.116. Po e theksoj: “afërsishtë në të njëjtën orë”! Prandaj lexuesit me të drejtë mund t’i lind pyetja: Kush ia dha UDB-së adresat e sakta të kësaj organizate ilegale, kur organizimi i tyre ishte me sistem tresh?! Pa tjetër, dikush që bënte pjesë në udhëheqjen e lartë të asaj organizate ilegale. Dhe, çuditërisht, sipas këtij libri, i shpëtuan atij arrestimi vetëm dy veta: një nga Tetova dhe një nga Kosova, ku ish anëtari i Byrosë Organizative të saj, më vonë arrin të bëhet një nga figurat kryesore udhëheqëse të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës!

E themi këtë edhe për faktin tjetër shokues, ku shumë nga ata persona që arrestuan gjithë organizatën ilegale L.R.S.SH, si dhe ata që i gjykuan dhe i cilësun Fehmiun dhe shokët e tij nëpër gazetat e tyre “nacionalistë armiq të bashkim vëllazërimit”, ngaqë këta donin bashkim me shtetin amë, çuditërushtë, menjëherë pas lufte janë rivendosur përsëri e po drejtojnë në ato funksione apo janë ngritur edhe më lartë në përgjegjësi të ndryshme shtetërore, duke u emëruar diplomatë, prokurorë, gjykatës, ligjërues në universitete, gazetarë, drejtues edhe sot në organet e policisë e të shërbimeve inteligjente, si dhe drejtues të shumë forcave politike në Kosovë! Dhe këto emërime i kanë bërë ata persona që kishin jetuar vetëm në Parajsë, ata që e urdhëruan Fehmiun, duke i thënë: Shko e lufto ushtar i thjeshtë!

Ngaqë Kosova e pati me shumicë këtë kategorinë e fundit, kategoria antikombëtare, prandaj dhe lufta clirimtare në Kosovë nuk arriti të shtrihej njëkohësishtë në të gjitha viset e Kosovës, që të mund të shndërrohej në kryengritje të armatosur. Dhe shkakun e kësaj mosndodhjeje autori na e jep pjesë-pjesë, në dy monografitë e tjera: “Lëvizja-lindje e përgjakur” dhe tek “I vërteti”, ku elementë të nxitur nga kategoria e bashkim-vëllazërimit pa tjetër që duhet të kenë depërtuar edhe në udhëheqjen e lartë të LPK-së, para se të delte në krye të saj Bedri Islami. Prandaj dhe thashë se këto vepra letrare të Bedriut janë jo thjeshtë monografi, por edhe vepra historike. Këtu qëndron vlera më e madhe edhe e kësaj monografie që promovojmë sot.

Përmes pasqyrimit me emra nga ana e autorit, i tërë asaj pjese të inteligjencës antikombëtare dhe pjestarëve të saj që mund të kenë infiltrar në udhëheqjen e LPK-së, e bind lexuesin se janë ende ata që e bëjnë ligjin në Kosovë, prandaj, në Kushtetutën e Kosovës është theksuar mosbashkimi i saj me shtetin amë; prandaj në atë Kushtetutë është theksuar që ky popull shumicë, 95% shqiptarë, të mos ketë më simbolet e kombit te vet shqiptar, (flamurin dhe himnin); dhe kjo ndodh ngaqë ende është ajo kategori që bën ligjin në Kosovë, prandaj dhe këshilltarët e kryeministrave dhe presidentëve tanë merren nga ajo kategori, që po përpiqen të na bindin se shqiptarët në Kosovë janë komb tjetër, “komb kosovar”.


Tiranë, 19 nëntor, 2018