Një ëngjëll prej Kosove m'u ul sot,në prehrin tim

NJË ËNGJËLL PREJ KOSOVE M’U UL SOT, NË PREHRIN TIM

Nga Këze (Kozeta) Zylo, Friday, 04-01-2008, 10:58pm (GMT)

Letërsia, arti, shkrimet, publikimet, kanë privilegjin që të lidhin me njerëz nga të gjitha fushat, anë e mbanë Globit. Këto lidhje falë Internetit, gazetave, forumeve, të afrojnë komunikime nga më interesantet, të sjellin pranë shpirtit, Perëndeshën e frymëzimit! Kjo Perëndeshë sot m’u ul pranë në prehrin tim, një ëngjëll prej Kosove: Medlina Bardhi!

Sapo ka feksur agu i mëngjesit dhe unë po kryej rutinën e zakonshme, po kontrolloj e-mailat në kompjuterin tim. Jemi në ditën e dytë të tragjedisë botërore, vrasjes makabre të një prej grave më karizmatike të Globit, ish kryeministres Pakistaneze Benazzir Bhutto. Jo pa qëllim po e përmend këtë fakt, pasi në homazhin që shkruajta për këtë Zonjë, të botuara në gazeta të ndryshme dhe website, mora disa e-maila nga njerëz të thjeshtë dhe personalitete të ndryshme anë e mbanë botës, sigurisht me së shumti ishin vëllezër të gjakut tim, pa dallim feje, por vetëm na bashkon shqiptarizmi dhe lufta kundër murtajës së zezë, terrorizmit. E kush më shumë se Kosova mund ta ndjejë luftën për Liri, luftën për Pavarësi, kush? Pikërisht kauza e Zonjes Bhutto e cila dha jetën për Lirinë e Pakistanit, më bashkoi me këta njerëz të shumtë duke kontaktuar me e-maila. E-maili që më preku më shumë sot në këtë fllad mëngjesi që duket sikur ma sjell Atdheu im, ishte i ardhur nga Mjeku Gjakovar, Dr.Besnik Bardhi, i cili shkruan:

...Lexova shkrimin tënd për vrasjen e zonjës së madhe Bhutto, sinqerisht u përlota unë dhe familja ime. Kjo figurë karizmatike e saj edhe më tutje do të punoj dhe do të bëjë mrekulli në Pakistan, post mortum. Të ngushëlloj nga zemra...

Pasi mbarova e qullosur nga lotët, vizitova websitin e Doktorit nga Gjakova. Sa shumë u emocionova, kurrë më shumë se këtë herë nuk kam qenë aq pranë faqeve të ndryshme në website, e ja papritur si një ëngjëll i vërtetë, një vogëlushe e shëndetshme e bukur, me duket sikur me krah flatrash vjen si lajmëtare në xhamin e ballkonit tim, dhe bashkohet me tingujt e Lirisë, që shumë popuj akoma nuk e kanë dëgjuar trokitjen, edhe pse në këtë fillim shekulli! Ajo është Medline Bardhi, ëngjëlli që lindi në kohën kur shteti më i fuqishëm në botë Amerika i doli në krah Kosovës për Lirinëe ëndërruar, është ëngjëlli që familja e saj e pagëzoi me emrin e Madeline Allbright. Emrin ja pagëzuan vogëlushes në shenjë respekti për ish sekretaren e Shtetit Amerikan, Madeline Allbright e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për cështjen e Kosovës. Fotoja me dy emra të njëjtë, por me moshë dhe kombësi të ndryshme, ngjason si dy pika uji, pasi i ka bashkuar: Endrra për Lirinë. Këtë kishte ndjerë gruaja e shtetit Amerikan, me origjinë hebre, Madeline Allbright, kur nazizmi kërcënonte Lirinë e popujve, këtë po ndjente dhe familja e vogëlushes, kur makina kriminele e shetit Serb, me Sllobodan Miloshevicin kishte kryer dhunimet dhe masakrat më të egra që ka parë historia e njerëzimit.

Me këtë emër të pagëzuar ishja njohur nga shkrimet e ndryshme në gazeta, por dhe nga lajmet ne ABC news, CNN, ku jepej fotoja dhe emri i bebit të lindur në Gjakovën e përgjakur, por që populli luftonte për të qenë i lirë. Dhe ja sot u lidha me këtë familje fisnike, na bashkoi lufta kundër terrorizmit, na bashkoi përkrahja e forcave përparimtare kudo në botë. Por memorja ime në këtë kohë nuk kishte si mos të sillte shumë emra me kuptim dhe tepër simbolik, që janë vendosur nga familjet për fëmijët e tyre në botë, nuk kishte si të mos më sillte aq pranë, oh, aq pranë, emrin e nenës sime Liri lindur ne kohen e fashizmit, maj 1939, pagezuar nga ungji i saj Shaban Muci, ardhur nga Amerika, ai ëndërronte Lirinë...

Ja pra këta emra sa kuptimplotë dhe simbolikë, komunikimi i ngrohtë prej Gjakove, vendit ku ka nxjerrë me qindra intelektualë dhe luftetarë, më dha flatra duke fluturuar e lirë në ëndërrimin tim dhe gjithë shqiptarëve, e të qëndroj në Kosovën e Pavarur së shpejti! Njëkohësisht në mendje po më endet thënia e një prej shkrimtarëve më në zë: Brian Aldiss i cili thotë: Një shkrimtar duhet t’i thotë vetes së tij, jo sa para ka mbledhur nga librat, artikujt, por sa njerëz e kanë lexuar librin, shkrimin që ke botuar!

Së fundi më lejo të të pëergëzoj unë dhe familja ime në këtë prag të Vitit të Ri! Ëgjëlli im sot, Madline Bardhi!

Të uroj të rritesh sa më e shëndetshme dhe të pafsha Senatore e Kosovës, një senatore në Parlament, që të luftosh për të drejtat e njerëzimit!

Cila është familja Bardhi dhe historia e emrit të vajzes? Marr nga Interneti publikuar enkas per Madelinen

Më quajnë MEDLINA BARDHI, jam e lindur në Gjakovë me 01.11.1999. Babi im quhet Besnik Bardhi, ndërsa nana, Shqipe. Kam edhe një vëlla të vockël që shumë e dua, ai është Betimi, i cili tani është 4 vjeqar. Në familjen tonë jeton dhe gjyshja ime, Taibja, e cila shumë më do dhe po aq unë e dua. Unë linda menjëherë pas lufte, në Kosoven e lirë. Ishte fat i imi dhe vellaut tim Betimit që u lindëm në liri, nga se shtatë fëmijet e tjerë para meje nuk jetuan dot. Ata si duket nuk deshën të jetonin në atdheun e robëruar. Me siguri unë dhe vëllau im Betimi do ta kishim të njejtin fat, sikur të kishim lindur në kohen e sundimit të okupatorëve dhe bishave sllave. Ne gjakonim lirinë, Zoti i Madh dëgjoi lutjet tona. Ne jetojmë, sepse dhe Kosova sot jeton e lirë... Të gjitha këto i kam dëgjuar nga babi im, me thënë të vërteten tani kam filluar t'i kuptoj mesazhet të cilat ai m’i përcjellë çdo ditë.

Tani e kam kuptuar pse njerëzit e njohur dhe të pa njohur më thërrasin me aq dashuri: Medlina. Në kohën e luftës së tmerrshme në Kosovë nana ishte shtatzënë. Gjakova digjej flakë, së bashku me këtë qytet të lashtë digjeshin dhe masakroheshin dhe banorët e saj të pafajshëm. Bishat sërbe së bashku me mercenarë rusë dhe shumë kriminelë të tjerë vranë shumë banorë në këtë qytet. Kishin vendosur ta zhduknin Gjakovën dhe shqiptarët nga faqja e dheut. Nuk i kursyen as foshnjet në shtëpinë e Vejsave, ku u masakruan 22 gra dhe femijë. Në ato çaste rrezonte vetem një shpresë, në një anë ishte USA dhe në anën tjetër USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS. Prindërit e mi, duke parë angazhimin e pakursyer të miqve tanë amerikanë për ta shpëtuar popullaten shqiptare nga shfarosja, u betuan ato ditë se nëse lind djalë do t'a pagezojnë Klinton dhe nëse është vajzë, do ta ketë emrin e të madhërishmes znj.Ollbrajt. Prindërit e mi shpëtuan nga lufta së bashku me mua.

Letër dërguar Znj.Albright si Mirënjohje e pakufishme për Amerikën, Clintonin dhe Znj.Albright
Shkëlqesisë së Saj Madeleine Albright
Sekretare e Shtetit
Të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, D.C.
USA.

Shkëlqesisë së Saj Madeleine Albright
Sekretare Shteti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, D.C.
U.S.A.


E nderuara Madam Albright:

Kam nderin e veçant të i shkruaj këtë letër shkëlqesisë Suaj duke shpresuar se do t'ju gjej shëndosh dhe me bekime të Zotit.

Më quajnë Besnik Bardhi. Jam një shqiptar etnik nga Kosova. Kam lind në qytetin e lashtë të Gjakovës, ku jetoj dhe punoj. Jam mjek, specialist i otorinolaringologjisë.Kam studiuar ne Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, kurse specializimin e kam perfunduar në Universitetin e Zagrebit, në Kroaci.

Arsyeja që po ju shkruaj këte leter është e natyrës shpirtërore: Jam i martuar qe tetë vjet dhe gruaja ime ështe një zonjë e mrekullueshme dhe bujare, mirëpo ne nuk patem fat të bëheshim me fëmijë për shkak të disa dështimeve të njëpasnjëshme.

Mirepo, më në fund, ndodhi mrekullia! Ne ndjemë vetën të bekuar qëkur muajin e kaluar gruaja ime lindi një vajzë shumë të bukur. Dhe ajo jeton. Ajo është një engjul i vërtetë. Ajo është fëmijë i luftës që lindi në liri. Edhe pse qenje e njomë, ajo duket se kishte gjakuar lirinë dhe kishte lakmuar të lindte në Kosovën e lirë.

Gjate fushatës sërbe të spastrimit etnik në Kosovë shoqja ime dhe unë, sikurse dhe tërë populli i Kosovës, kemi kaluar muaj të terrorit dhe vuajtjes që nuk shprehet dot me fjalë. Në ato ditë e netë lufte në Gjakovë, çdo natë kishte peshën dhe tmerrin e Natë së Shën Bartolomeut. Secili priste radhën se kur do të vritej. Njerëzit e ndjenin vetën më fatlum nëse fundi do të iu vinte nga plumbi. Ajo që i frikesonte ata më së shumti ishte mundësia e përjetimit të masakrave, përdhunimeve ose poshtërimeve të çfarë do forme në sy të pjesetarëe të familjës, farefisit dhe miqëve. Kjo ishte më e rëndë se vdekja!

Siç e dini, serbët bënë krime barbare ndaj popullatës civile shqiptare. Vetëm gjatë një rasti tragjik, në qytetin tonë, serbët vranë dhe pastaj dogjën 22 gra dhe fëmijë të familjës Vejsa. Në një situatë të tillë si ne ferr, ne druanim jo vetëm për jetën tonë po, madje dhe më shumë, edhe për jetën dhe sigurinë e fëmijëve të Kosoves, duke përfshire dhe fëmijen tonë ende të pa lindur, që pati fatin të durojë gjithë trazirat fizike, mendore, dhe emocionale që ne përjetuam. Gjatë atyre ditëve të errëta, rrezonte vetëm një dritë dhe një shpresë. Gjithë shpresat dhe lutjet tona ishin drejtuar nga Zoti dhe nga SH.B.A.

Gjatë atyre ditëve jam betuar: në qoftë se mbijetojmë luftën dhe me lind djal, do t'ia vë emrin W. J. Clinton, e nëse më lind vajzë, atëherë ajo do ta ketë emrin Medlin. Qëndrimi i drejtë dhe konstruktiv i politikës së SHBA ndaj zgjidhjës së konflikit në Kosovë, bëri që ne të mos humbnim shpresën dhe vetbesimin dhe prandaj, na ndihmoi që të mbijetojmë gjithë ato tmerre. Sikur Shtetet e Bashkuara të mos kishin intervenuar në Kosovë, populli shqiptar i mbetur atje do të shfarosej.Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi falë Mbrojtësve të Lirisë dhe të Humanizmit të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Asgjësimi i paramenduar i shqiptarëve të Kosovës nga serbët nuk ndodhi falë vizionit human të Presidentit Clinton dhe të vendosmerisë Tuaj të palëkundshme për të mbrojtur vlerat e civilizimit modern.

Shkëlqesia Juaj , Zonja Sekretare e shtetit, ja përse bija ime, engjulli im, është e bekuar që ka emrin Tuaj!

Tash e tutje, mbi kokën e saj si dhe mbi kokat e gjithë fëmijëve të Kosovës, do të rrezatoj brerorja ( aureola ) e hirit Tuaj të madhërishëm, e jo thikat e përgjakura të krimineleve serb. Dashamirësia dhe humanizmi Juaj do t'i mbrojë fëmijët e Kosovës, ashtu që ata të kalojnë ditët e fëmijerisë të lumtur dhe pa frikë se dikush do t'i vret ata ose prindërit e tyre. Unë e konsideroj këtë fëmijë dhuratë të Zotit në qiell, dhe të Juajen, si misionare në tokë. Ju na dhuruat jetën edhe një herë. Kjo vajzë, prindërit e saj, dhe besoj se i gjithë populli shqiptar në Kosovë, do t'u jenë përjetesisht mirënjohës Juve dhe SHBA.

Shembëlltyra Juaj dhe ajo e Presidentit Bill Clinton tashmë nderohen aq shumë anë e mbanë Kosovës. Për mua, familjen time, qytetin tim, dhe, do të thosha, për mbarë Kosovën, do të ishte një nder i madh sikur Ju të pranonit kërkesën tone të sinqert që ta bekoni bijën tonë duke u bëre Ndrikulla e saj, në mënyrë që një ditë Medlina jonë e vogël, duke ndjekur shembullin Tuaj, të bëhët e madhe si që jeni Ju e madhërishme në sytë dhe zemrat e popullit liridashës të Kosovës, të cilët shpëtuan nga vdekja e sigurt falë dashurisë guximit dhe humanizmit Tuaj. Falë dashurisë, guximit dhe humanizmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleateve të saj!

Zoti ju bekoftë Ju dhe familjën Tuaj!
Zoti e bekoftë Amerikën!
Me respekt të thellë,
Juaji
Dr. Besnik R. Bardhi
Gjakovë, Kosovë