Ndahet nga jeta albanologu francez Christian Gut

Është ndarë nga jeta më 26 nëntor 2018 dhe është varrosur më 30 nëntor studiuesi i fushave të ndryshme të albanologjisë, profesori i shquar, përkthyesi i letërsisë shqiptare, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prof. dr. Christian Gut.

I lindur në Paris, në vitin 1931, Christian Gut kreu studimet për histori e filologji në Ecole Nationale des Chartes dhe i kurorëzoi me një tezë nga historia e së drejtës franceze, për të mbrojtur pastaj doktoratë në es lettres. Kreu disa detyra midis funksioneve administrative, mësimdhënies dhe punës shkencore. Shërbeu në Algjeri, më vonë, si ekspert i UNESCO-s, në Çad, Kongo, Senegal, Qipro, etj. Një kohë drejtoi arkivat e qytetit të Parisit.

Pas diplomimit në Ecole Nationale des Langue Orientales, në vitin 1966, mentori i tij, albanologu i mirënjohur Henri Boissin, i besoi kurset e historisë së popullit shqiptar. Më 1972 hapi degën e historisë dhe të filologjisë shqiptare në Ecole Practique des Hauts Etudes, ku deri në pensionim bëri të mundur përgatitjen e disa tezave të doktoratës.

Për rreth një gjysmë shekulli në shërbimet publike, prej të cilave 35 vjet mësimdhënie universitare, z. Gut ka botuar një mori artikujsh e studimesh, midis të tjerash edhe në revistën “Studime” të ASHAK-ut. Ka dhënë kontribut të çmuar në veprat kolektive me interes të përgjithshëm enciklopedik dhe veçanërisht shquhet angazhimi i tij në përkthimin e veprave të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Ka përkthyer në frëngjisht dhe e ka botuar në Pejë Kanunin e Lekë Dukagjinit që erdhi si rezultat i një pune të gjatë studimi të së drejtës së hershme te shqiptarët.

Në vitin 1996 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 ASHAK botoi monografinë e tij “Pashko Vasa”, njëri nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes kombëtare me të cilin prof. Gut është marrë dendur.

Me vdekjen e tij albanologjia humbi një nga studiuesit e rëndësishëm të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.


4 dhjetor 2018