Nga Naun Kule

Në vitet e para të pasvdekjes së Skënderbeut, si nga shumë vise të tjera të Arbërisë, edhe nga fushëtirat e begata të Myzeqesë, emigrimet për t’i shpëtuar nënshtrimit të pushtuesve kanë qenë aq masive sa kanë braktisur fshatra dhe qyteza të tëra.

Emigrimet masive të shqiptarëve, sidomos për në Greqi u bënë në çerekun e dytë të shekullit 14-të për shkak të pushtimit të Arbërisë nga mbretëria serbe e Stefan Dushanit. (Kur armiku vjen nga veriu, shpëtimi gjendet nga jugu!

Që nga mezi i shekullit të 15-të, kur osmanët e pushtuan tërësisht Arbërinë, studiuesit numërojnë shtatë emigrime, të cilat shkojnë deri tek shpërnguljet e shekullit 18-të.

“…Në vitin 1770, një valë e re emigrantësh nga rrethet e Dibrës dhe shumë të tillë nga fshatrat e Myzeqesë shkojnë dhe vendosen në krahinën e Lalës dhe në Bardhuni…”(Greqi N.K)

Por, pas pushtimit osman, vala e emigrimeve masive kishte edhe drejtimin e përtejdetit Adriatik. Shqiptarët kishin një udhërrëfyes në këtë tokë, të premtuar nga mbreti Ferdinand i Napolit, kryetrimit-Skenderbe dhe prijësve të tjerë, miq dhe bashkëluftëtarë të tij. Për atje, siç dihet, udhëtuan edhe familjarët e Skenderbeut-gruaja dhe djali.

Këto mendojmë se janë arsyet pse në këtë mes shekulli, mërguan për në Itali, madje masivisht deri edhe ajka e shoqërisë shqiptare, nxitur dhe pasuar edhe nga bashkëluftëtarë të Skënderbeut, siç bënë princërit Muzakë. Është koha dhe shkaku kur në Italinë e jugut zunë t’i bëjnë vend njeri pas tjetrit ngulimet e para arbëreshe, duke krijuar një “Arbëri të dytë”, shtuar e “gjethuar” deri në ditët e sotme.

“…Trevat e Despotatit të Beratit… ishin nga më të prekurat prej emigrimeve masive të fundfillim shekujve 14-15-të. Në vitin 1392, turma fshatarësh iknin drejt Durrësit” (pra për në Itali-NK)

Dihet se që nga shekulli i katërt para Krishtit, kjo trevë njihej si zonë rivaliteti mes Romës dhe grekërve. Në vitin 48 para Krishtit, Çezari zbarkoi në Palasë me shtatë legjione ushtarësh romakë, mori qytetet Amantia, Apolonia etj dhe u ndesh me rivalin e tij romak Pompeun i cili, mbante Durrësin, në mezin e Myzeqesë, në brigjet e lumit Seman (Apsus).

Pas kësaj njohjeje nga ana e romakëve, në bregun lindor të Adriatikut u vendosën familje romake që merreshin edhe me veprimtari prodhuese, siç ishte familja Caminni, (kaminat në Myzeqe) e cila, u shqua në zejen e poçerisë. Kjo bëri që në shekujt 5-6 pas Krishtit, detin Adriatik romakët, tashmë andej dhe këtej bregut, ta quanin “deti latin”.

Pasuria e kësaj prapatoke ishte kaq e madhe sa përballoi mijëra ardhacakë nga Italia.

Venecianët-shkruan dokumenti venedikas- nuk kanë ara e vreshta të tjera veç detit…”

Ndërkohë, marrëdhëniet mes venecianëve dhe shqiptarëve u bënë aq miqësore deri në krushqi mes familjeve shqiptare dhe venedikasve. Kësisoj, shumë prej tyre bënë edhe pasuri në trevat e Myzeqesë e më tej, siç bëri “…veneciani Jakov Kontureni i cili, në vitin 1319, krijoi fermën e tij në këto anë ku rriste mbi 40 kuaj, 150 lopë, 1300 dele, 250 derra etj.”

Por, pas shkatërrimeve të shumta të luftrave romake qytetet italike të bregut perëndimor humbën shumë fuqi njerëzore sa drejtuesit e qyteteve italike, u detyruan sjellin sa më shumë emigrantë shqiptarë e sllavë (nga Ballkani jugor) që do punonin tokat e mbetura djerrë, do popullonin dhe rindërtonin qytetet e shkatërruar nga luftrat.

Kalldrëmet e mrekullueshme ndër qytetet e Riminit, Fermos, ose kullat e qyteteve Ascoli, Piçentos, etj, janë vepra të këtyre emigrantëve shqiptarë por jo vetëm.

Prijësi Malatesta kërkonte njerëz për të rindërtuar dhe banuar qytete të tilla si Rimini, me marrëveshje që emigrantëve t’u jepeshin toka falas me kushtin e vetëm që t’i punonin.

Gjatë shekujve 16-18-të, vetëm në Siçili, numëroheshin 95 ngulime shqiptare, ndërsa në krahinën e Puljes, në fillim të shekullit 18-të, banonin 55 mijë shqiptarë ndërkohë që, gjithë shqiptarët e vendosur në Italinë e jugut, kapërxenin të 200 mijë vetët.


Por, a kemi myzeqarë, lalë e laljotë në këto shpërngulje masive?

Pa mëdyshje, po. Emërtimet e derisotme, gjuha e ruajtur dhe botimet e krijuesve të shumtë ndër arbëreshët e Italisë, flasin pikërisht për rrënjë të herëshme, shkulur ndër këto troje dhe ushqyer e selitur atje, brez pas brezi me genin dhe mushtin e të parëve nga erdhën.

Le të kujtojmë vetëm njerin prej tyre, Gavril Dara (i riu-1826-1885) në thirrjen e dhimbëshme për kujtimet e luftrave brohoritëse në “motmotin e madh”, përmes vargjeve që ushtojnë këtej e matanë brigjeve, si një thirrje e shekujve për dheun-amë:

“Mori bijë-bijë e Lalës/ Pse më çon në mon’ e shkuar…!?”

apo “Se Berat-se Berat, kënton Mara që me natë …”

Por, ndërsa në Italinë jugore, shqiptarët ikanakë mbrojtën deri më sot identitetin arbëror me të gjithë treguesit shpirtërorë e material; edhe gjuhën, edhe kishën, edhe fenë, fatkeqësisht nuk ndodhi kështu me sivëllezërit e tyre shpërngulur dhe vendosur në ishujt dhe territoret greke. Politika helenizuese e Greqisë së “madhe” ka çuar në asimilimin masiv të bujtësve siç ndodh edhe sot, pasi:“Grekërit nuk vlerësojnë asgjë tjetër veç triumfit të fesë së tyre”

Në historinë e lashtë dhe të re greke, kur kisha dhe shkolla nuk e arrijnë asimilimin dhe shkombëtarizimin e popullsive jo greke, hyn në punë edhe…kama!

“…Nga 20 mijë myslimanët e Lalës (krahinë e Moresë), thuajse nuk mbeti asnjë …. Më të shumtët u vranë. Grekët u prisnin rrugën laljotëve duke i sulmuar në befasi deri sa i grinin me thika”(10)

Kapedani Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaku (kapedani mysliman i laljotëve të Elidës), nënshkruan një marrëveshje për të luftuar sëbashku kundër Turqisë dhe pas çlirimit të Moresë (dhe krahinës së Lalës), do të formonin qeverinë me numër të barabartë ministrash shqiptarë dhe grekë. Projekt i përsëritur ky, i cili mbeti në letër.

Në regjistrimin e parë osman të vitit 1431, Libofsha(Myzeqe), shënohet si fshat me 13 shtëpi (Liboç me 13 hane) Në rregjistrimin pasardhës të vitit 1570, ajo është shtuar në 165 shtëpi. Ndërsa në rregjistrimin e radhës, në vitin 1850, pra pas gati tri shekujsh popullim, në vend të rritej numuri i familjeve ka zbritur në 34 shtëpi.

Pra, shpopullimi përmes emigrimit ka vazhduar gjatë shumë viteve të pushtimit osman. Dihet se popullsia e këtyre anëve ka qenë dhe ka mbetur thuajse krejtësisht e krishtere. Pra, veç barrës së rëndë ekonomike dhe taksave të shumta që duhej të përballonte bujku i kësaj fushe, duhej të përballonte edhe luftën politike të pushtuesit për ta islamizuar ose për ta ndëshkuar me gjithësej si i pafe dhe i pabindur ndaj padishahut.

Kjo shtypje e dyfishtë ka shoqëruar banorët e këtyre anëve gjatë gjithë shekujve të pushtimit osman. Por, ndërsa në fshatrat dhe krahinat e tjera të vendit ky emigrim, i detyruar sidomos nga mungesat ekonomike ka vazhduar deri në dekadat e para të shekullit njëzetë, në Myzeqe, kjo plagë e rëndë shoqërore ishte më e kufizuar. Dhe kjo, ka arsyjet e veta…

Mes tokës pjellore dhe kushteve natyrore më prodhuese të gjithë vendit, bujku i këtejm mund ta siguronte kafshatën. Ndaj dhe emigrimet e banorëve myzeqarë nuk janë nxitur aq shumë nga shtrëngesat ekonomike se sa nga motivet politike.

Patrioti Jorgji Dhamo nga Libofsha, i ndjekur nga pushtuesit sepse i gjetën abetare shqip, në vitin 1906, u shpëtoi duke ikur tek bashkëvendësit e tij në Filadelfia (SHBA), prej nga erdhi dy vjet më vonë, më 1908 , gjithashtu me abetaren dhe libra shqip.

Prifti dhe mësuesi dëshmor, Papa Spiro Saqellari nga Kolkondasi, për ta shpëtuar djalin e vetëm Petron,(1903-1986), nga pengmarrja prej pushtuesve osmanë, që të bënin zap të atin, , e çon tek kushurinjtë dhe bashkëfshatarët në Bukuresht ku kaloi gjithë jetën.

Në gusht,1908, në Berat hapen dy shkolla shqipe, njerën nga të cilat e drejton Babë Dudë Karbunara. Për këtë ngjarje tepër të gëzueshme, shkruan edhe gazeta “Liria” e Selanikut:

”…Jorgji Karbunara dhe Ismail beu folën shqip secili në shkollën e tij, para autoriteteve ushtarake dhe fetare, konsullit grek dhe gjindjes së panumurt, muhamedanë dhe të krishterë…”

Korrespondenti i Myzeqesë, i qahej gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”në Janinë, se: “…Në gjithë Myzeqenë janë dhe tri shkolla turqisht… Njerëzit janë të varfër, të zhveshur dhe fort të paditur.. (13)

Informacionet dhe dëshmitë e këtyre veprimtarive të përbashkët atdhetare janë shkrimet e shumta me autorë dhe vendnisjeje pikërisht myzeqarët dhe Myzeqenë, të cilat i lexojmë sot në gazetat që dilnin në Stamboll, Bukuresht, Kostancë, Sofie, Manastir, Boston, Selanik, Kajro, Janinë, etj. Që në vitin 1902 konsulli austriak njofton qeverinë e tij nga Durrësi se :

“…Në Fier janë grumbulluar fonde për të blerë libra dhe gazeta shqip dhe se… këtu vijnë rregullisht dhjetë ekzemplarë të gazetës “Drita” (Gazeta “Drita” dilte në Sofie, Bullgari).

Rrugëkalimet e shumta të këtejme që siguronin lëvizje për mallrat, njerëzit dhe kulturat , që në lashtësi lidhnin qendra të tilla kulturore si Apolonia, Durrësi e Berati, me degët e rrugës Egnatia me molin e Pirgut, të Spinaricës, Bashtovës, Karavastasë dhe Semanit ishin disa nga udhëkalimet e herëshme të këtyre banorëve me botën dhe kulturën e pertejdetit.

“Subashi i Myzeqesë, psh, në vitin 1907, i shkruan një letër Shoqërisë së Bukureshtit dhe pasi i uron asaj punë të mbara, i kërkon një methodë shqipe dhe një libër që i vlen bujqësisë, …

Gazeta “Drita” që botohet në Manastir, në gusht,1912, nën titullin “Ç’fund do marri kryengritja e përgjithshme?” flet për disa çeta luftëtarësh në Elbasan, Vlorë e Durrës:

“…Në Berat, Fier e Lushnjë, numuri i kryengritësve kapërxen 4000 vetë. Si komandant i kësaj ushtrie të madhe është Zija beu. Në Shqipëninë e poshtëme, nuk ka katund pa një çetë pranë vetes…”

Korrespondenti i Myzeqesë në prill, 1911, shkruan në gazetën “Zgjimi i Shqipënisë” që dilte në Janinë(Greqi), për panairin që është zhvilluar në nahijen e Fierit dhe se aty kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria e jugut dhe e mesme…

Gazeta “Shqipëria e re-Nuova Albania” që botohej në Kostancë të Rumanisë, nën titullin

“Në Myzeqe” dhe “Përshtypje nga vendi ynë” përshkruan një tablo tronditëse të gjendjes së mjeruar të fshatit dhe bujqërve të kësaj treve, në dekadën e dytë tëshekullit 20-të.

Në këtë korrespondencë të bollshme e cila, ndonëse rrok të gjitha fushat e jetës, rreh shumë më tepër problemet e çlirimit kombëtar dhe të botimeve në gjuhën shqipe, atdhetarët dhe mësuesit myzeqarë, gjejnë tek bashkëluftëtarët e tyre jashtë atdheut motivet, nxitjen dhe vendosmërinë për të mos u tërhequr nga kjo luftë atdhetarësh.

“…Priftërinjtë dhe mësonjësit grekër përpiqen t’i ftohin shqiptarët nga kombësia e tyre…-

i shkruajnë një grup myzeqarësh nga Fieri në korrik të vitit 1912, Gazetës “Drita” në Manastir (Maqedoni)

…Lidhja që kemi me ta është vetëm lidhje fetare, por gjaku që na lëvrin nëpër dej është gjak shqiptari… Neve gjer më sot kemi mbrojtur gjuhën tënë dhe tashti e paskëtaj, me këtë gjuhë të shënjtëruar që na kanë lënë prindërit, do të flasim…”

Edhe krijimet me temë patriotike të autorëve myzeqarë, siç është poezia e djaloshit libofsharak, dëshmorit të Luftës NÇl, Zoji Ndreko Libofsha (siç e shkruan ai), e botuar më 1910, në “Kalendarin kombiar” në Selanik, ndihet qartë shqetësimi i madh i autorit 21 vjeçar për fatet e vendit, rreziku dhe nga fqinjët grabitqarë. Poeti i ri myzeqar bënë thirrje për domosdoshmërinë e të mësuarit të shkrimkëndimit shqip, si mjeti i vetëm për të ruajtur identitetin kombëtar.

“Bij të Shqipërisë jemi, shqipëtarë emrin e kemi

Që kur linda gjer të vdes, Shqipëri ty do të thërres…!

Në duam ty të mos harrojmë,

Gjuhën shqipe të mësojmë…!” (20)

Është me interes të theksojmë për këtë temë edhe një shkrim të shkruar nga Faik Konica dhe të botuar në gazetën “Dielli e flamuri” në Boston (ShBA), në të cilin zoti Konica, ankohet se “myzeqarët e Filadelfisë …” nuk iu përgjigjën kërkesës së tij për ta pritur në Filadelfi, sipas bisedave që kishte parabërë. Këta, pra “myzeqarët e Filadelfias… që “shkojnë deri në 700 shqipfolës” nuk e pritën sepse nuk deshën ta ndihnin Konicën të nxirrte në Filadelfia, një gazetë shqipe e cila, siç shkruan Faiku;

“…nuk do shkruante asnjë fjalë për politikë, por do ishte fjeshtë letrare dhe historike…”

Mendojmë se arsyeja e refuzimit të myzeqarëve këtu, ndaj kërkesës së Konicës, është tjetër gjë. Këta njohin përplasjet e këtyre viteve mes dy personaliteteve shqiptare Noli-Konica, dhe nuk duan as t’i nxisin as të bëhen palë me njërën anë, pasi gazeta që do nxirrte Konica, mund të ishte kundërvënie ndaj Nolit.

Por në vështrimin tonë paraqet interes fakti tjetër; cilët qenkan këta myzeqarë që përbëjnë “më se 700 shqipfolës”-siç shkruan Konica, të cilët njohim mirë dhe përkrahin kaq fuqishëm gazetat e patriotëve shqiptarë deri në Amerikë?!

Letra e Konicës na sjellë në vëmendje se në Filadelfia (ShBA), qenkan kaq shumë myzeqarë intelektualë tek të cilët Konica kërkon dhe beson se mund të mbështetet për të botuar gazetë shqip dhe të zhvillojë veprimtari atdhetare. Të kujtojmë këtu se në vitin 1908, kur u hap shkolla e parë shqip e Myzeqesë në Libofshë, patrioti libofshar Jorgji Dhamo u kthye dhe solli libra e abetare shqip, pikërisht nga Filadelfia, ku shkoi në vitin 1906. Pra “shqipfolësit” e Filadelfisë në Amerikë ishin të njohur për intelektualët atdhetarë të Myzeqesë e pse jo, edhe bashkëvendas të tyre.Dokumente të tjerë shkruajnë edhe për organizime a grupime të banorëve në Myzeqe në përkrahje dhe mbështetje të veprimtarëve jashtë Shqipërisë. Këta marrin dhe lexojnë –madje rregullisht- botimet shqip të këtyre Shoqërive.

“…Ka tri muaj që s’kishim marrë gazetën- i shkruajnë myzeqarët në një letër dërguar gazetës “Liri e Shqipërisë” në Sofie(Bullgari),pikërisht nga Libofsha, në muajin maj, 1910.

..Sot e morëm dhe të gjithë anëtarët e saj u gëzuan fort shumë…”

Përmbajtja e kësaj letre dhe e disa letrave të tilla, dëshmojnë se veprimtaria atdhetare dhe arsimore e banorëve të kësaj treve ka qënë objekt pune për ata patriotë dhe se një grup simpatizantësh këtu, shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën shqipe e i presin me padurim…!


Letra për larg nga…Myzeqeja.

Për në Sofie, Bullgari: 15 qershor,1914

Zoti drejtor i gazetës “Liri e Shqipërisë;

Lutem ta kini mirësinë t’u bëni vend këtyre shkrimeve në fletë-zat e z-suaj!

Disa herë kam dashur të shkruaj …për ngjarjet e Myzeqesë, për hidhërimet dhe mundimet e ndryshme, për mëmëdhenë e dashur dhe për vendasit e mjerë që po e pësojnë përditë nga të ndryshmit tiranë.

Nga të krishterët e këtyre viseve; Myzeqe, Fier, Lushnjë, Berat, qenë Papa Spiro Saqellari dhe Papa Dhima, Jani Minga, Jorgaq Semini me gjithë të shoqen, mësonjësen e shkollës të vashave në Lushnjë….z.D.Kolea, z. Zoji (Ndreko-N.K) dhe unë, i nënshkruari i kësaj letre që qemë me qeverinë shqiptare…luftuam sa u prishëm…

…Më 18 janar të vitit 1914, kur çeli shkollën shqipe Papa Spiro Saqellari në fshatin Grabian

në krye u mblodhnë djem e vasha të krishterë e muhamedanë. Por si morën urdhër nga dhespoti i Beratit, të krishterët i hoqnë fëmijtë… Papa Isaija nga fshati Shen Pjetër (Seman-Fier, N.K), çeli një shkollë shqip në katund e cila veproi mjaft kohë. Kur u hap lufta kundër rrebelëve me ta shtënë në dorë atë (Papa Isainë-N.K), e shpunë në Fier, e xhveshnë lakuriq, i varën këmborë në qafë dhe e munduan mjaft duke i thënë:

-Thuaj që jam osmanlli…! I mjeri prift përgjigjej:-Shqiptar linda, shqiptar do vdes…!

Dëshmori Papa Isaija qendroi deri në fund, i duroi të gjitha. Në fund e bënë syrgjyn…

Nga të krishterët e Beratit permend zotin Dudë Karbunara. Një plak 80 vjeç që kishte hapur shkollën shqip në qytet. Kur hynë rrebelët në Berat e munduan mjaft të gjorin plak sa u sëmurë dhe ra në shtresa. I thonin:-Thuaj që jam osmanlli!

-Jo mor burra. Unë, burrë plak t’ju rrej juve!?…Edhe ju jeni shqiptarë…! Jeni si unë…!

Nga Lam Shtëmbari ; Nahija e Lushnjes-Krutja e Poshtëme (23)


Letër nga Libofsha-Myzeqe

Për në Misir, Egjypt: 05. mars, 1909

Zoti direktor;

….Të më dërgosh fletënë “Rrufeja” se ma ka ënda të këndonj. Këtu në Libofshë-Myzeqe, kemi një Mësonjëtore ku mësohet turqishtja prej një hoxhe dhe shqipja prej një të krishteri…Në këtë shkollë bëhen ndonja njëzetë djem myslimanë e të krishterë….

Ka djem por nuk i dërgojnë se të krishterët, dëgjojnë priftërinjtë ç’u thonë.

Këta si grekomanë që janë u thonë:-Mos i dërgoni djemtë se të nxjerrë nga besa ky mësim…Kështu thotë edhe dhespot efendiu i Beratit…! Në shkollat greqisht të Fierit, mësohet edhe shqipja…..

Të falem; Jovan Kristo Ndreko, Libofshë-Myzeqe (24)


Letër nga Lushnja;

Shkëlqesisë së Tij, Uillson;

Kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës-Uashington,

Lushnjë, më 17 mars, 1920

…Shqiptarët i kanë pështetun shpresat e gjallnisë mbi shtyllat e parimeve fisnike të Shkqlqesisë Suaj.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull qi asht m’i vjetri nëBallkan e që ka drejtue vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mos e lini të derdh gjak e me vdek para lakmive imperialiste të fqinjëve, veç sigurimin e kufinjëve të 1913-ës.

Ju lutemi me fuqinë e shpirtit, të mos pëlqeni krasitjen e paarsyeshme si mbi Kosovë dhe Çamëri, mbi kufitë natyral dhe ethnografikë t’ Atdheut tonë të cilat, pas parimeve fisnike të Shk.s’Uaj, nuk munden me qenë të ndara nga mëma e tyre, Shqipëria. Lutemi, n’emën të popullit, pranoni nderimet tona, krejt besnike.

Kryetar i Katunderisë Lushnjes