Vini Re! Jeni duke lexuar pjesë në punim e sipër. Por mendojmë se ja vlenë të lexohen nga të interesuarit. Për bashkpunim shiko Wikibooks:Kuvendi


Mentor Xhemali[1]
(Përmet 12 Maj 1924 - Tiranë † 9 Prill 1992)
NË ENCIKLOPEDI


Këngëtar i shquar lirik si dhe i këngës popullore përmetare. Fëmijërinë e kalon në qytetin e lindjes. Në mesin e familjes së tij e cila shquhej për dashurinë dhe interpretimin e këngës popullore përmetare, Mentori mori aromën e parë të saj. Megjithëse ende i vogël, punon për bukën e gojës si punëtor në Sarandë dhe në portin e Durrësit. Rreth vitit 1943, si shumë të rinj shqiptarë, rreshtohet në rradhët e ushtrisë partizane për çlirimin e Shqipërisë. Aktivizohet në formacionet muzikore të ushtrisë partizane, dhe me krijimin e Ansamblit të Ushtrisë nga muziktari Gaqo Avrazi merr pjesë në të si korrist. Pas çlirimit të vendit, në vitet 1952-1955 studion për kanto-bas në konservatorin “P.I.Çajkovski” në Moskë. Më pas emërohet si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë ku interpretoi mjeshtërisht edhe shumicën e roleve të cilat ju ngarkuan. Bën një karrierë të rrufeshme, dhe në vitin 1975 vlerësohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në vitin 1977 del në pension. Shumë të njohura janë interpretimet e tij në këngët “Për ty atdhe”, romancën “O ju male” të Çesk Zadejës, ariee Don Bazilios nga opera “Berberi i Seviljes” e XH. Rosinit etj. Me këngën popullore në mënyrë publike merret pas vitit 1977. Regjistron për herë të parë këngë popullore përmetare gjatë xhirimit të filmit “Gjeneral gramafoni” me regji të Viktor Gjikës, së bashku me këngëtarin tjetër nga Përmeti Ylli Zeqiri. Të vitit 1977 janë edhe këngët shumë të njohura për të gjithë muzikdashësit shqiptarë si “Morra rrugën për Janinë” dhe “Zura një bilbil me vesë”. Që pas këtij bashkëpunimi, Mentori vendos një komunikim të përhershëm me qytetin e Përmetit dhe në mënyrë të veçantë me sazet e Usta Laver Bariut, me të cilat regjistron rreth 30 këngë përmetare në Radio-Tirana. Pas viteve ’90, zhvillon një veprimtari të dendur koncertale jashtë Shqipërisë si në Francë, Danimarkë, Hollandë, Belgjikë, Gjermani etj me këngën popullore përmetare në përbërje të sazeve të familjes Lela. Është ky bashkëpunim me një mjeshtër tjetër të muzikës popullore shqiptare si Çobani, që i dha kulturës sonë disa perla të tjera të kënduara nga Mentor Xhemali me këtë formacion po aq të shquar. Me sazet e Lelave, Mentori ka regjistruar dhe publikuar disa këngë në CD e e publikuar në Francë në vitin 1992, realizuar pranë studios diskografike Indigo. Është fakt që këngëtimi i Mentor Xhemalit në këngën popullore përmetare i dha kësaj këngë një përhapje mbarë kombëtare dhe më tej, duke e nxjerrë nga kornizat e një folklori muzikor lokal. Këngëtimi i Mentor Xhemalit si në opera ashtu edhe në këngën popullore mbetet një rast unikal për vlerat që krijoi në këto dy fusha. Ndër këngët e regjistruara nga Mentor Xhemali pranë Radio-Tiranës në vitet 1979-1991 përmendim:

“Porsi pendët e palloit”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 4’ 30’’
“Hajde të dalim nga Lipa”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 4’
“Bilbili me vesë”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 3’
“Morra rrugën për Janinë”, M. Xhemali & Y.Zeqiri, 1979, 4’
“Ç’mi preve baluket”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 5’
“O dhëndër ku vete kështu”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 2’
“Potpuri këngësh dasme”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1979, 3’30’’
297 “Potpuri”, Sazet e Përmetit, 1980, 3’30”
“Rrush i bardh e rrush i zi”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1982, 4’
“Me dhjetë të shkurtit”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1991, 2’.20’’
“Potpuri këngësh dasme”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1991, 5’
“Shami kalemqarja”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1991, 4’.10’’
“O kaposh more kaposh”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1991, 4’
“Kishe dalë në bahçe”, M. Xhemali & Y. Zeqiri, 1991, 3’.20’’

Pak muaj përpara se të vdiste, në Tiranë, më 9 Prill 1992, Mentor Xhemali vazhdonte të këndonte dhe regjistronte këngët popullore përmetare. U përcoll në banesën e fundit me nderime nga i gjithë populli. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Mentor Xhemali, u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Usta Laver Bariut.

Literatur:

  • Frashëri Thoma, “Artisti i Popullit Mentor Xhemali”, gaz. “Drita”, 1970, 22 mars;
  • Cane Nesti, “Artisti i Popullit Mentor Xhemali”, Pionieri, 1977, nr.2;
  • Hajro Riza, “Për të kujtuar një kohë”, Tiranë 1998 etj.

  1. Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare