Vini Re! Jeni duke lexuar pjesë në punim e sipër. Por mendojmë se ja vlenë të lexohen nga të interesuarit. Për bashkpunim shiko Wikibooks:Kuvendi
Luçie Miloti[1]
(Shkodër 11 Maj 1929)
NË ENCIKLOPEDI
“Artiste e Merituar”, këngëtare e shquar e këngës popullore qytetare shkodrane dhe më gjerë. Lindi në Shkodër më 11 Maj 1929. Qysh në moshë të re këndon këngën popullore qytetare shkodrane. Siç thotë vetë Luçia “… sefte këndoja këngë ritmike”. Më pas këndon me grupin karakteristik shkodran të Radio-Tiranës, për t’u atashuar përfundimisht dhe për të bërë gjithë karrierën e saj pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Në këtë ansambël, përveç këngëve solo si “Bishtalecat palë-palë”, “N’zaman të asaj furie”, “Çu-çu-rushja”, “Çila sytë me t’pa”, “Këndon bilbili poshtë tek zalli” “Karafil i kuq si gjaku”, “Për mue paska ken kismet”, “Bishtalecat palë-palë”,. Luçie Miloti ka kënduar në shumë duete edhe me këngëtarë të tjerë të shquar popullore si Bik Ndoja “Artist i Popullit”, Xhevdet Hafizi “Artist i Merituar”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit” etj. Ndër këto këngë përmendim: “Karafili me kurorë” me Bik Ndojën; “As aman moj Bakushe”, “Këndon bilbili poshtë tek zalli”, “Hajde moj” me Ibrahim Tukiqin; “Kur jemi bashkë ne të dy” me Xhevdet Hafizin, këngë e cila është kompozuar nga Leonard Deda me harmonizim për korr dhe orkestër nga Çesk Zadeja. Gjithashtu Luçia ka bashkëpunuar me shumë kompozitorë dhe studiues si Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Rud Gurashi, M. Xhediku etj. Pranë A.K.V.P-së ajo ka realizuar repertorin më të gjerë të këngëve të saj të cilin e ka kënduar për publikun e gjerë në gjithë qytetet e Shqipërisë.Luçia u shqua në interpretimin mjeshtëror të jareve shkodrane të cilat janë ndërtuar në një ambitus vokal shumë të gjerë, për të cilat sot, së bashku me Bik Ndojën konsiderohen si reformatorë të kësaj kënge. Në këtë pikë na duhet të ndalemi në faktin se zëri i Luçie Milotit ishte një dhuratë e natyrës për bërë të njohur anë e mbanë këngët e bukura popullore shkodrane, Askush përpara saj, por besoj edhe më pas, nuk do të mund të ngrihet në të tilla maja artistike si ato që Luçia ka lënë me këngët e saj. Zëri i mrekullueshëm i Luçies është duartrokitur edhe në Kosovë, Bullgari, Rumani, Hungari, Kinë, Vietnam, Kore etj. Në një poezi të një poeti kosovar kushtuar Luçie Milotit, pas koncertit që ajo dha në Kosovë shkruhet:
Sillet moti për së mbari
Luçia ka marrë edhe vlerësime ndërkombëtare duke u thirrur si “bilbili i Ballkanit”. Sipas akademik Tish Daisë: Luçia kthehej gjithmonë në skenë për të dytën dhe tretën herë nga duartrokitjet e pareshtura të spektatorëve kudo që ajo këndoi. Gjithashtu Luçia ka drejtuar kursin një vjeçar të interpretimit të këngës popullore pranë Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore. Nga duart e saj kanë dalë artistët e rinj si Liri Rasha, Dova Gjergji, Nikolin Troshi etj. Në këtë bashkëpunim bëjnë pjesë edhe kontaktet me artistët lirikë, të cilët kanë përfituar prej saj, shumë prej teknikave të këndimit të këngëve popullore. Ndër ta përmendim Gaqo Çakon “Artist i Popullit”, Luiza Papën, Fitore Mamaqin etj. Ajo ka kënduar dhe regjistruar mbi 50 këngë popullore brenda karierës 30 vjeçare. Të gjitha regjistrimet e saj janë bërë pranë Radio-Tiranës. Një pjesë e këngëve janë filmuar nga RTV shqiptar dhe nga kinostudioja “Shqipëria e Re”. Në vitin 1984, në qytetin e Shkodrës, RTV Shqiptar, me regji të Osman Mulës realizon një film dokumentar televiziv, mbi jetën dhe veprën e Luçie Milotit. L. Miloti mban titullin e “Artistes së Merituar” me motivacionin: “Interpretuese e rrallë e këngës popullore”. Në vitin 2001, “Maratona e këngës popullore qytetare”, aktiviteti i cili organizohet nga Tv KLAN akordoi çmimin e karierës “Luçie Miloti” për këngëtaren Fatmira Breçani nga Tropoja. Shiko “Maratona e këngës popullore qytetare”.
Literatur:
- Hajro Riza, “Për të kujtuar një kohë”, Tiranë 1998,
- Daija Tish, “Në skenat e tre kontinenteve”, Tiranë 2000 etj.