Vini Re! Jeni duke lexuar pjesë në punim e sipër. Por mendojmë se ja vlenë të lexohen nga të interesuarit. Për bashkpunim shiko Wikibooks:Kuvendi


Vangjel Leskoviku[1]
(Leskovik 1906 † Vlorë 1970)
NË ENCIKLOPEDI


Vangjel Leskoviku, këngëtar dhe interpretues popullor në gërnetë. Drejtues i sazeve të njohura të Leskovikut të viteve ’30. Enci. Vangjeli, djali i madh i Apostolit dhe Kostandinës fillimisht ju kushtua studimeve për tu bërë prift në qytetin e Beratit. I ndikuar nga traditat e shquara të Leskovikut në muzikën popullore, mëson që në moshë të vogël gërnetën nga mjeshtër si Selimi Leskoviku dhe i jati i Selimit-Asllani. Më 1922, ngre fillimisht në Leskovik sazet e tij, të përbëra nga i vëllai-Mitro Apostol Jorgo me qemane, Theodhor Gulon dhe Kolo Naken me llautë dhe këngëtarë, duke u pagëzuar në popull si sazet më të mira pas atyre të “Selimit & Hafizesë”. Më 1936, largohet nga Leskoviku dhe vjen në Përmet ku përsos më tej stilin dhe formimin e tij si mjeshtër. Krahas sazeve të “Demka & Hajro”, ai së bashku me të vëllanë-Mitron me violinë marrin pjesë si sazexhinj në dasmën e mbretit Zog.Para viteve 1940, i gjithë repertori muzikor i tij, duke përfshirë edhe Kabatë me gërnetë janë të regjistruara pranë “ODEON”-it. Për të mund të konstatojmë se ishte ndjekës i traditës të interpretimeve virtuoze në klarinetë të nisur nga Selim Leskoviku, dhe po në këtë rrugë ai krijoi dhe i dha jetë edhe kabasë që mban emrin e tij. Interpretimet e tij shkëlqejne nga gjenialiteti i perceptimit të fakturës. Nga çdo pikëpamje, Vangjel Leskoviku ishte nje reformator i stilit të quajtur “vënçe” në gërnetë. Ai synoi dinamizimin e lojës së gërnetës nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të pathëna deri më atëhere. Do të ishte pa dyshim një ndihmesë shumë e madhe për ne (për të studiuar intenerarin gjeografik të shtrirjes së lojës së sazeve të Usta Vangjelit), në rast se do të dispononim “defterin” e tij, që sipas bashkohësve ai e mbante gjithnjë me vete për të shënuar “miqtë e rinj” që zinte dhe “avazet e reja” që mësonte, nëpër dasma e muhabete. Pas çlirimit largohet nga Përmeti për në Berat e më pas në Vlorë ku la një ndikim shumë të madh në këngët popullore të këtyre qyteteve. Me sazet në vitin 1950 merr pjesë në festivalin e parë folklorik kombëtar që u zhvillua në Tiranë, si dhe në të tjera aktivitete folklorike etj. Usta Mediu dhe Vangjeli lanë një ndikim themelor në sazet e Përmetit të pas viteve 1940. Meritë e tyre është se në këngët popullore që shoqëroheshin me saze, ata krijuan edhe “pavarësinë” relative melodike të linjave të përcjelljes me vegla nga linja e këngëtarëve. Ndërtimi më i preferuar për sazet ka qenë 1 gërnetë, 1 qemane dhe 2 llauta. Shpeshherë Usta Vangjeli përdorte edhe një ndërtim disi të veçantë me 1 gërnetë, 1 violinë dhe tre llauta. Defi nuk ka qënë përdorur në formacinet e para të sazeve, si në Përmet ashtu edhe në Leskovik. Disqet e Sazeve të Vangjel Leskovikut të regjistruara tek “ODEON-i”:

Pllaka A237193a, ”E qara e Asllanit”.
Pllaka A237193a, “E qara e Asllanit”.
Pllaka A237227a, “Për mi Tepelenë ma kishe shtëpinë”.
Pllaka A237204b, “Penxheren e zotris sate”.
Pllaka A237219a, “Valle më dysh”.
Pllaka A237220b, “Valle më tresh”.
Pllaka A237200a, “Nerënxë të pata thënë”.
Pllaka A237200b, “O ju male me dëborë”.
Pllaka A237201a, “Po kjo kollë e shkretë që të paska zënë”.
Pllaka A237201b, “Po kjo anë e lumit ka bilbila shumë”.
Pllaka A237203a, “Kënga e Gani Butkës”. Prej Vangjel Leskovikut.
Pllaka A237203b, “Rritu moj Bajame se ta shkoj Selvia”.

Veç këtyre sazexhinjve, në Përmet figuronin edhe mjaft formacione të tjera Sazezh të cilat nuk ishin larg nivelit dhe mjeshtërisë së të parëve. Në këtë periudhë, në Përmet zhvillojnë veprimtarinë edhe sazet e Halit Përmetit (në Përmet thirrej edhe me emrin Haliti i Razos), dhe ato të Usta Jonuzit i cili më pas formon sazet e Radio-Tiranës. I konsideruar si më i talentuari i brezit të tij, Haliti shkëlqeu në interpretimet mjeshtërore në klarinetë, interpretime të ngjashme me ato të Selim Asllan Leskovikut. Përveç formacionit të Sazeve me muzikë popullore, bashkëkohësit kujtojnë se ai interpretonte muzikë edhe pranë një orkestretë qytetit të përbërë nga klarineta, violina, mandolina dhe kitara. Vdiq tepër i ri në moshë. Mbledhësi i folklorit përmetar Pano Tase (Përmet 1903 † Tiranë 1978), ka mbledhur një këngë kushtuar vdekjes së parakohshme të Halitit. Kënga titullohet “Seç vajte në Korçë”.

Literatur:

  • Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë 1998l;
  • Tase Pano, “Ç’u këput një yll”, Tiranë 2001 etj.

  1. Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare