Mukja dhe dilemat e saj nga largësia e 75 vjetëve
Prof. Xhelal Gjeçovi
Mukja është një ngjarje e njohur dhe e rrahur jo pak nga historianë e studiues të kësaj fushe dhe të kësaj periudhe historike.
Në trajtesat mbi Mukjen, bie ne sy prirja për t’i dhënë asaj një rol e një dimension që, realisht nuk e ka patur dhe s’mund ta kishte, duke e paraqitur si strumbullarin e gjithë zhvillimeve të mëpastajme në vend, ndikimi i së cilës qenka ndjerë biles dhe në Kosovë, një absurditet e një shembull i keq politizimi e zhvendosjeje të ngjarjes aty ku duan ballistët. Mukja duhet parë e duhet inkuadruar në kontekstin historik të kohës.
Ajo ishte një takim, sigurisht më i rëndësishmi i zhvilluar në mes Frontit dhe Ballit, dy forcave politike më të medha në vend, që përfundoi me një marrëveshje në mes tyre, e cila pësoi fatin që kanë patur e vazhdojnë të kenë marrëveshjet në mes forcave politike shqiptare.
Duhet theksuar se, në këtë e kohë, bisedime e marrëveshje të tilla, në mes forcave të djathta e të majta, u bënë dhe në vendet e tjera e në proces u prishën, pasi u pa qartë, se ishte e vështirë të harmonizohen interesat e forcave politike me orientime e me synime të kundërta. Por, ato nuk u gozhduan në polemika shterpe, si tek ne, të cilat vazhdojnë dhe sot duke akuzuar njëra-tjetrën për gjithçka.
Është folur shumë për rolin dhe ndikimin e anglezëve në organizimin e mbledhjes. Nuk mund të mohohet fakti që, misionet angleze ishin të interesuar dhe, me porosi të qeverisë së tyre, u angazhuan në nxitjen e palëve për mbajtjen e mbledhjes.
Dobinë e saj, ata e shikonin në dy aspekte: Së pari, një mareveshje bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashket, mbi bazen e saj, i forcave në luftë do të çonte në fuqizimin e saj, çka do të detyronte okupatorin që të dislokonte këtu forca të shumta ushtarake, për të mbajtur situatën nën kontroll, duke mos ia mundësuar që ato t’i çonte në frontet kryesore ku zhvillonin veprime luftarake aleatët. Së dyti, anglezët shpresonin që një marrëveshje bashkëpunimi në mes tyre, do të çonte në “thyerjen” e monopolit të PK në udhëheqjen luftës e në ndarjen e përgjegjësive dhe me forcat e tjera, nëse, edhe ato do të hidheshin në luftë, siç qe hedhur Fronti Nacionalçlirimtar.
Por, pa mohuar mbështetjen angleze, Mukja duhet konsideruar, në radhë të parë, si shprehje e vullnetit dhe e ndërgjegjësimit të dy forcave politike shqiptare, që për momentin e shikonin të nevojshëm e të dobishëm organizimin e një takimi të tillë.
Palët, në këtë rast, kishin parasysh, më së pari situatën në vend, por dhe zhvillimet e pritshme jashtë, sidomos mundësinë e një ndërhyrjeje të forcave aleate që ndodheshin të dislokuara në Italinë e Jugut, çka do të shënonte hapjen e frontit të dytë, që kishte kohë që përflitej, çka i nxiti palët që të qartësonin pozicionet e qëndrimet në raport me luftën.
Balli sidomos ishte i preokupuar që ardhja e forcave aleate, të mos e gjente jashtë luftës, siç kishte qëndruar deri atëherë, për rrjedhojë dhe larg pushtetit, që po ngrihej. Kësaj do t’i shtohej dhe lajmi mbi rënien e Musolinit, çka shtoi spekulimet për një përfundim të shpejtë të luftes dhe nevojën e ngritjes së shtetit të ri, që do të zëvendësonte atë kuisling, bashkë me shqetësimin që të mos mbeteshin jashtë tij.
Pavarësisht këtyre hamendësive, që shpejt do të sqaroheshin e rrëzoheshin, faktori i brendshëm, udhëheqjet e dy organizatave, ishin ato që do të vendosnin për mbledhjen e përfundimet e saj. Mukja, sido që të përfundonte, do të ishte vepër e tyre dhe përgjegjësia për gjihçka binte mbi ta.
Mukja është payshim ngjarja, për të cilën është diskutuar shumë, por dhe është spekuluar shumë, të paktën në këtë mëshumë se çerekshekullin e fundit, në përpjekje për të justifikuar rrugën që ndoqën Balli e, më pas dhe Legaliteti, pas kapitullimt të Italise fashiste dhe ardhjes së gjermanëve. Siç dihet, iniciativën për oganizimin e takimit, e mori Këshilli i Përgjithshem Nacionalçlirimtar, në mbledhen e zhvilluar, në ditet e para të korrikut 1943.
Në konfuzionin e krijuar pas rrëzimit të sistemit, në fillimet e viteve 90-të, ballistët u përpoqën, me lloj-lloj marifetesh t’ia atribuonin vetes këtë iniciativë, duke e paraqitur si shprehje e preokupimit dhe e angazhimit të kreut të BK Mitat Frashëri për të arritur bashkimin kombëtar.
Mirëpo, përballë dokumenteve që nuk vonuan të dilnin në dritë, e që e sqaronin këtë çështje, hoqën dorë nga ky pretedendim. Sidoqoftë, e rëndësishme është që ftesës së Frontit për bisedime iu përgjigj pozitivisht dhe udheheqja e BK. Në një punim enkas për Mukjen, unë e kam cilësuar mbledhjen, një lëvizje taktike, për të dy palët.
Fronti shpresonte që përmes saj të arrinte në çarjen e Ballit, në diferencimin e forcave brenda tij, në shkëputjen e një krahu të “majtë”, në gjirin e kësaj organizate, që ishte shprehur i gatshëm për luftë, nga krerët konservatorë me Mita Frashërin në krye, që s’kishin ndërmend të luftonin.
Nëse këto përpjekje dështonin, atëhere Fronti kishe në dorë një armë, për të goditur BK në planin politik, si përçarës i unitetit si një organizatë, që nuk do bashkim, sepse nuk do luftë. Mirëpo, këto hamendësime u rrëzuan, për momentin, nga pranimi që Balli i bëri ftesës për bisedime, e sidomos nga fakti që kurrfarë përpjekje për ndarje e përçarje në radhët e Ballit, siç qe përfolur, nuk u pa e nuk u vërtetua. Përballë autoritetit të Mitat Frashërit, zërat që qarkullonin më parë, nuk u ndjenë.
Frontit Nacionalçlirimtar, në mbledhjen e mësipërme të Keshillit të Përgjithshëm, miratoi platformën e bisedimeve, pra çështjet që, sipas tij, duhet të diskutoheshin dhe caktoi delegacionin që do të përfqësonte. Të njëjtën gjë bëri dhe Balli Kombëtar.
Çështja e parë dhe kryesore që, sipas Frontit, duhej diskutuar e zgjidhur ishte lufta, angazhimi në luftë i forcave të Ballit, jo me fjalë e me premtime, siç kishte bërë deri tani, por realisht. Dhe, më tej, caktimi nga kreu i Ballit i përfaqësuesve të kësaj organizate në organizmat e ngritura në Pezë, ose në frymën e saj, siç ishin dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, si dhe në hallkat e tyre poshtë në bazë.
Për Frontin, Mukja konsiderohej si edicion i dytë i Pezës, si vazhdim i saj, pasi dhe këtu çështja që i preokuponte palët e duhej zgjidhur ishte bashkimi e angazhimi në luftë. Për rrjedhojë, nuk shtrohej çështja e likuidimit të organizmave të ngritura më parë, të cilat e kishin kaluar provën e besimit, duke e udhëhequr me sukses luftën, por plotësimi i vendeve dhe me përfaqësues të Ballit, çka do të sillte një rregullim të mëtejshëm të balancave, brenda Frontit, me synim krijimin e një raporti forcash, që shmang çdo diktat të njërës palë, mbi tjetrën, për të cilën ishin të preokupuar dhe aleatët.
Qysh në fillim, pra më 2 gusht 1943, palët ranë dakord që të angazhojnë, së bashku forcat në luftë, ndërkohë që modalitetet e bashkëpunimit e të koordinimit të veprimeve, do të zgjidheshin në proces. Ky ishte padyshim vendimi më i rëndësishëm, nëse marrim të mirëqenë vullnetin e premtimin e bërë aty, e nëse abstragojmë nga ajo që ndodhi në fakt më pas. Mirëpo, në vijim mbledhja do të marrë një zhvillim të paparashikuar, për shkak të propozimit e të insistimit të krerëve të Ballit, për krijimin e një organizmi të ri drejtues të Luftës, të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit të Shqipërisë.
Krijimi i tij çonte në zhvlerësimin e organizmave ekzistues, Këshillit të Përgjithshëm e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, kthimin e tyre në organizma formale, të zhveshura nga çdo kompetencë, pasi ato i kalonin Komitetit. Mirëpo të drejtën për të diskutuar e aq më pak për të vendosur mbi këtë çështje, e cila nuk figuronte e nuk parashihej në platformën e miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm për bisedimet, nuk e kishin delegatët. Kompetencat e tyre ishin përcaktuar në mënyrë taksative në platformën e Këshillit. Aty shihej se ata nuk ishin mandatuar për të diskutuar mbi këtë çështje.
Në përgjigje të njoftimit të Ymer Dishnicës, mbi bisedimet e zhvilluara në ditën e parë, në Tapizë, Enver Hoxha theksonte se në ato pak gjëra të turbullta që na shkruan, na duket se në takimin e parë që keni bërë, orkestrën e ka drejtuar Balli dhe ai ka arritur t’u imponojë diskutimin e çështjeve që i interesojnë atij, e jo ato, që ne kemi miratuar në Këshillin e Përgjithshëm.
Ju nuk jeni aty që të aprovoni çdo gjë që thonë e kërkojnë krerët e Ballit. Me ta duhet të flisni hapur dhe t’u kërkoni, në radhë të parë, që të hyjnë në luftë. Ky është problemi e qëllimi kryesor i mbledhjes dhe për to, duhet të insistoni. Çështjet e tjera do të zgjidhen në proces, pasi të jetë plotësuar ky kusht, pasi të shikojmë, angazhimin e forcave të Ballit në luftë.
Sidoqoftë, ju vazhdoni bisedimet në frymën e platormës së miratuar në Këshillin e Përgjithshëm. Brenda saj duhet të shfaqet dhe insiativa e juaj. Por një gjë nuk duhet të harroni. PK duhet të mbetet siç është, organizatore e udhëheqëse e Luftës dhe jo një fraksion në këtë luftë.
Në Konferencën e Dytë Nacional-çlirimtare, Dishnica e pranon se, të nxitur nga evenimentet që po precipitonin me shpejtësi, ne tejkaluam kompetencat që na ishin dhënë, por këtë e bëmë që të futnim Ballin në luftë. Ne mendonim se, duke lëshuar në këtë pikë, duke u plotësuar këtë kërkesë, me të cilën Balli kushtëzonte vazhdimin e bisedimeve, shmangej dështimi e përçarja, pa nisur mirë nga puna dhe detyrohej Balli që të mbajë fjalën e të hyjë në luftë, pasi premtime kishte bërë dhe herë të tjera, e s`i kishte mbajtur.
Kjo eksperiencë na çoi në mbajtjen e një qëndrimi të tillë. Por, duhet ta dini, shokë, vazhdon Dishnica, se kjo, nuk u arrit menjëherë. Kemi kundërshtuar e luftuar, por në fund e bëmë këtë lëshim nën presion. Ky, thekson Dishnica, qe gabimi dhe lëshimi i parë që do të ndikonte në të gjithë përfundimet e në vendimet e mbledhjes. Në vijim ai bën pyetjen: Ç’i dhamë popullit me këtë marrëveshje? ”Popullit i dhamë tymin, ëndrrën për realitetin, iluzionin e bashkimit fallso. Kurse Lëvizjes shkopinj në rrota. Kësisoj, motorrit nuk i hodhëm vaj, por kokrra rëre”.
Kurse M. Gjinishi, numri dy, pas Dishnicës, në përbërje të delegacionit, do të theksonte, se me këtë marrëveshje, realisht ne e likujduam organizatën e Frontit dhe i hapëm rrugë Ballit, që deri atëherë nuk qe futur ende në luftë, që, pas largimit të ushtrive okupatore, të marrë pa vështirësi drejtimin e shtetit shqiptar. Përgjegjësia për këtë, bie mbi mua dhe Dishnicën, jo se ne kishim pak më shumë shkollë, por se i njihnim ballistët se sa të fëlliqur janë, pasi ishin regjur me dallavere e intriga, e para tyre ndershmëria e Y. Dishnicës, nuk pinte ujë. (Shih AQSH Fondi 14. Diskutime të Y.Dishnicës dhe M. Gjinishit ne Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare, shtator, 1943).
Në mbledhje doli dhe një problem tjetër, Çështja e Kosovës, e ngritur gjithashtu nga krerët e Ballit. Dishnica në letrën e mësipërme drejtuar Enver Hoxhës, thekson se ai u kapërcye pa ndonjë vështirësi, me një formulim të përgjithshëm, as femër as mashkull, siç shprehej doktori, që kjo çështje të zgjidhej pas lufte, me vetëvendosje, siç e parashikonte Karta e Atlantikut.
(Po aty. Letër e Y. Dishnicës, 14 shtator 43). Por, në takimin e dytë në Mukje, atij iu shtua dhe termi “Shqipëri Etnike”, pas insistimit të krerëve të Ballit, që hiqeshin sikur u digjej shpirti për të. Një term i tillë, ishte mirë të evitohej, siç u veprua dhe në Pezë, pasi mund të provokonte reagime të parakohshme, jo vetëm nga jugosllavët, por frika ishte se dhe nga aleatët, pasi Kosova, me Kartën e Atlantikut ishe pjesë e Jugosllavisë dhe aleatët insistonin në respektimin e këtij statusi, përsa kohë vazhdonte lufta, duke evituar çdo diskutim mbi këtë çështje.
Por, gjithsesi, ai që ndryshoi atmosferën dhe tronditi bisedimet, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të udhëheqjes së Frontit Nacionalçlirimtar, ishte padyshim vendimi për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, si organ që do të drejtonte luftën, pasi sillte pasoja të menjëhershme. Vërtet Komiteti ndërtohej mbi baza pariteti, me nga 6 veta për secilën palë.
Por, ndërsa Balli ishte kompakt në përfaqësimin e vet, për rrjedhojë dhe delegatët e tij do të ishin që të gjithë ballistë, Fronti, nga ana e tij, si një organizate pluraliste ishte i detyruar të caktonte si përfaqësues të vet, jo vetëm komunistë, por dhe legalistë e nga radhët e nacionalistëve të tjerë, që kishin aderuar në këtë organizate.
E, nëse këta të fundit, Kupi dhe nacioanlistët e tjerë do të bashkoheshin me Ballin, siç po dukeshin shenjat e siç ndodhi në të vërtetë, atëherë balanca në këtë organizëm do të përmbysej tërësisht në favor të Ballit e të Legalitetit, që deri atëherë, siç u tha nuk qenë angazhuar në luftë. Kurse Fronti, që ishte angazhuar qysh në fillim në luftë dhe e kishte udhëhequr atë me sukses, do të ndodhej në minorancë, si faktor i dorës së dytë, i pa llogaritur e i shpërfillur.
Asnjë forcë politike, e majtë apo e djathtë nuk besoj se do të pranonte një marrëveshje të tillë, që e detyronte të lëshojë pozitat e fituara me luftë, me sakrificat e popullit e me gjakun e dëshmorëve dhe t’i japë Ballit të drejta që s’i takonin.
Në situatën e krijuar, do të imponohej dhe zgjedhja në krye të Komitetit e Hasan Dostit, bashkëpuntor i ngushtë i Mitat Frashërit dhe ish-ministër në qeverinë kuilinge të M. Krujës. Merret me mend se çfarë drejtimi mund të merte lufta, duke pasur Dostin në krye. Sikur të mos mjaftonin këto, në mbyllje të punimeve, do të bëhej dhe një veprim tjetër, hileqar e i pa sinqertë, që do të shtonte, edhe më shumë dyshimet, dhe do të justifikonte reagimet, që do të vinin nga pala tjetër.
Ndryshe nga sa qe vendosur, që në ditën e parë të takimit, që vendimet që do të merreshin, nuk do të publikoheshin, pasi fjalën e fundit, për miratimin ose jo, e kishin udhëheqjet e dy organizatave, të nesërmen e nënshkrimit të marrëveshjes, Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë, doli me një proklamatë, me të cilën njoftohej opinioni publik për vendimet e marra e, në këtë kuadër, dhe për krijimin e Komitetit të Shpetimit, si organ drejtues i luftës, duke e vënë kështu udhëheqjen e Frontit para faktit të kryer.
Marrëveshja e arritur nën presionin e krerëve balliste, që përfituan dhe nga miopia dhe oportunizmi i Dishnicës e Gjinishit, binte në kundërshtim me platformën e bisedimeve, të miratuar në Këshillin e Përgjithshëm dhe në udhëzimet e dhëna, gjatë ditëve të zhvillimit të mbledhjes, të cilat delegacioni nuk kishte qenë në gjendje t’i mbronte. Përballë kësaj situate, nuk do të vonojë dhe reagimi i Këshillit të Përgjithshëm, që, me iniciativën e Enver Hoxhës, do të vendoste anulimin e marrëveshjes, duke e konsideruar atë në kundërshtim me vijën e me qëllimet e Frontit Nacionalçlirimtar.
Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm u miratuan dhe në Konferencën e Dytë Nacioalçlirimtare, të zhvilluar në Labinot, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit 43. Nuk ka dyshim se anulimi i marrëveshjes e vuri në pozitë të vështirë Frontin Nacionalçlirimtar. Atij do t’i duhej të sqaronte opinionin publik mbi arësyet e një qëndrimi të tillë.
Por, ky moment delikat u kapërcye shpejt. Populli do të kuptonte e do të miratonte qëndrimin e mbajtur për Mukjen, i bindur, se ai ishte në të mirë të luftës e të vendit, pasi u pritej rruga ardhjes në krye të njerëzve të njëqind flamujve. Me këtë bindje, populli do të shtrëngonte, edhe më shumë radhët rreth Frontit dhe do të mbushte rreshtat partizane, duke fuqizuar më tej luftën për çlirimin e atdheut.
Kështu, dështuan përpjekjet e Ballit, për të shfrytëzuar këtë moment, për të futur përçarje në radhët e Frontit dhe në mes tij e popullit. Në këtë çështje ndikoi dhe fakti që populli e njihte mirë Ballin, njihte krerët e tij, hilet dhe intrigat me të cilat kërkonin të përfitonin për të zënë kreun e pushtetit e të vendit, pas largimit të forcave okupatore.
Në gjykimin e kësaj ngjarjeje, sot pas treçerek shekulli, dy gjera duhen mbajtur parasysh. Së pari, Fronti vërtetë e anuloi marrëveshjen, por nuk anuloi, nuk e ndërpreu, për asnjë çast, luftën kundër okupatorit, por e vazhdoi atë me të njëjtën vendosmëri, deri në çlirimin e plotë të vendit.
Ndërkohë, edhe pas anulimit të marrëveshjes, ai nuk i ndërpreu përpjekjet për t’u lidhur e afruar me figurat e Ballit që ishin deklaruar për luftë dhe bëri çmos që të riaktivizojë kontaktet e bisedimet me ta. Për këtë qëllim, dy anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, Y. Dishnica dhe N. Spiru u takuan në shtëpinë e R. Jaranit, me H. Dostin dhe i kërkuan atij që të përdorë influencën e vet për kapërcimin e kësaj situate, për krijimin e një klime mirëkuptimi e bashkëpunimi. Por, këtë kërkesë Dosti nuk e pranoi.
Në një intervistë për gazetën “Republika”, Dishnica thekson, se në këtë takim, Dosti deklaroi, se nuk e marr dot përsipër këtë rol, pasi, ne ende nuk jemi të gatshëm të hidhemi në luftë. (Republika, datë 9. 06. 1991). Së dyti, rruga e luftës kundër okupatorit, mbeti e hapur edhe pas Mukjes, për forcat që kishin vullnetin e duhur, për t’iu qasur asaj.
Zhvillimet treguan se Balli nuk e kishte këtë vullnet, që e patën dhe e shfaqën homologët e tij në vendet e tjera, duke e vazhduar luftën. Kësisoj, Balli nuk diti të përfitojë e të shfrytëzojë situatën e krijuar me prishjen e marrëveshjes, për të fituar kapitalin e duhur, për të rrëzuar opinionet e përhapura për të, për të treguar e afirmuar veten si një forcë patriotike e antifashiste.
Për të arritur këtë, nuk mjaftonte fushata e sulmeve pafund, që ndërmori kundër PK dhe Frontit, përderisa ajo të mos shoqërohej dhe me angazhimin e forcave në luftë, siç e kërkonte dhe marrëveshja e Mukjes. Mirëpo deri këtu, Balli nuk mundi të arrijë. Biles, me ardhjen e pushtuesve gjermanë, Balli do të bëjë hapa prapa, duke hequr dorë dhe nga ato pak luftime të dimensioneve të vogla, të ndërmarra në periudhën e pushtimit italian dhe do të nisë bashkëpunimin intensiv me okupatorin gjerman.
Kështu, dështoi një mbledhje, nga e cila priteshin reflektime e vendime të rëndësishme, që diktoheshin nga momenti historik që kalonte vendi. Prof. Kristo Frasheri, fajëson të dy palët për mungesën e vullnetit për kompromis, për të bërë lëshime reciproke. Por, në të njëjtën kohë, thekson se Balli kërkoi në Mukje gjëra që nuk i takonin e nuk mund t’i jepeshin, pasi ende nuk qe hedhur në luftë. (Shih: Referat në Konferencën shkencore me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, 27 nëntor 2014). Siç shihet, lufta dhe pushteti u bënë mollë sherri që i ndau Frontin e Ballin, që nuk i la ato të bashkohen ose të bashkëpunojnë në luftë për çlirimin e atdheut dhe të vijonin të punonin së bashku, dhe pas saj, duke krijuar kështu një traditë të re, që do të ishte me vlerë dhe në ditët tona.
Përplasjet e Enver Hoxhës me Tempon për Kosovën
Disa autorë, vendas e të huaj mbështetin pikpamjen se ishin jugosllavët, ata që urdhëruan anulimin e Mukjes, e, në këtë kuadër flasin dhe për një rol të veçantë të Vukmanoviç Tempos, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇJ dhe anëtar i Byrosë Politike të PKJ.
Sipas tyre, ishte pikërisht Tempo ai që i dha urdhër udhëheqjes së PKSH që të anulojë marëveshjen, pasi aty flitej e mbahej qëndrim për Kosovën e se, përballë presionit të tij, Enver Hoxha qenka thyer e qenka tërhequr nga pozicioni i mëparshëm, duke pranuar të anulojë marëveshjen.
Një pikëpamje të tillë, kanë mbrojtur autorët ballistë, në radhë të parë, të vjetër e të “rinj”, këtu e në Kosovë, bashkë me S. Premten, e krahas tyre dhe një numër autorësh të huaj, të influencuar më së shumti nga propaganda jugosllave e punimet autorëve jugosllavë, posaçërisht nga Dedier, Tempo etj, siç është dhe autorja e njohur angleze E.Barker, autori gjerman B.Tones etj.
Një pikëpamje të tillë ka shprehur dhe kolegu im P. Milo, historian i njohur për kontribute e qëndrime objektive ndaj historisë së vendit. Për mendimin tim, pikëpamjet e tyre ndaj kësaj çështjeje, nuk qëndrojnë dhe arësyet do të përpiqem t’i shpjegoj më poshtë, duke u mbështetur kryesisht në zhvillimet brenda PKSH e në raportet e saj me PKJ e Lëvizjen Jugosllave në këto vite.
Pa mohuar ndikmin e partisë jugosllave, sidomos në fazën fillestare të organizimit të partisë e të luftës, kur ndjehej nevoja për të përfituar nga eksperienca e një partie më të vjetër e me më shumë eksperiencë, siç ishte dhe PKJ, mendoj se nuk është e drejtë, që çdo gjë, që çmohet e vlerësohet si mossukses apo dhe dështim, të lidhet e të shpjegohet me vartësinë nga Beogradi, me mungesën e kurajos për t’u përballur e për të kundërshtuar diktatin jugosllav.
Dokumentacioni mbi Mukjen dhe zhvillimet që u vërtetuan aty, më duket se nuk mbështetin pretendimet e autorëve të mësipërm. Përkundrazi, ato tregojnë se Mukja nuk u anulua për çështjen e Kosovës, megjithëse ajo, si gijthnjë, edhe në këtë rast, pra edhe këtu, pati gjithë vëmendjen e duhur dhe as për shkak të presionit jugosllav për të, pasi dihej fare mirë, nga të dy palët, se fati Kosovës nuk vendosej këtu, e se ata që kishin realisht në dorë zgjidhjen e saj, nuk kishin, për momentin, as vullnetin e as kohën e duhur që të merreshin me këtë çështje, pasi ishin fokusuar tek lufta. Kësisoj, bateritë nuk kish përse të zbrazeshin para kohe.
Nga ana tjetër, duhet patur parasysh se PKSH, nuk ishte foshnja e muajve të parë të lindjes, që të urdhërohej aq lehtë, e aq më tepër për çështje të tilla sensitive, siç ishin Mukja e veçmas Kosova. Ajo e kish të kapërcyer këtë fazë.
Tani ajo ishte një parti e pjekur, me përvojë dhe e mirorganizuar, anëtare e Kominternit, që kishte fituar njëkohësisht dhe besimin e aleatëve, për shkak të angazhimit në luftë. Të gjitha këto e bënin atë të aftë që të kuptoje e, kur duhej, dhe të reagoje ndaj presioneve, nga do që ato të vinin. Këtë e provojnë debatet e shpeshta e të ashpra me përfaqësuesit jugosllavë e me ata anglezë, për çështje të mëdha e parimore. Kjo përvojë e kishte forcuar e kalitur udhëheqjen e Luftes, kishte rritur dhe prestigjin e dinjitetin e saj.
Shefi i misionit britanik, koloneli Palmer, i cili zëvendësoi gjeneralin Dejvis, ka shkruar se kur doja të takoja Enver Hoxhën, më duhej të përgatitesha mirë. Para tij nuk mund të flisja pa përgjegjësi, se ndryshe do të detyrohesha të dëgjoja një leksion, me argumente e sigurisht me kulturë, që më bënin ta admiroja.
Vitet e bashkëpunimit por dhe të ballafaqimeve me anglezët e sidomos me jugosllavët i kishin dhënë mundësi udhëheqjes shqiptare të luftës, që të njihte e të çmonte aq sa duhej, si përfitimet nga raportet me ta, ashtu dhe problemet, që shfaqeshin në këtë rrafsh. Me Jugosllavinë, vend fqinj, i inkuadruar si ne, në të njëjtën aleancë, që udhëhiqnin aleatët, dëshirohej forcimi i bashkëpunimit, aq i nevojshëm, sidomos për ne. Por, kjo nuk do të thotë se tolerohej ndërhyrja në punët e brendshme të Lëvizjes Nacional-çlirimtare. E kundërta, ka qenë prezente.
Kjo shihet qartë dhe në komunimet e në bisedimet e zhvilluara me Tempon, të cilit, sic u tha, i atribuohet më së shumti anulimi i marrëveshjes së Mukjes. Tempo i ka përshkruar me hollësi takimet e bisedimet e zhvilluara me udhëheqësit shqiptarë në dy botime “Revolucioni që rrjedhë” dhe “Lufta për Ballkanin”, që u vunë në qarkullim në vitet 70-80-të.
Nga leximi korrekt i tyre, duke mbajtur parasysh dhe subjektivizmin, që zakonisht është i pranishëm në botime të tilla, por dhe cilësite e tiparet e autorit, i njohur sidomos për ndjenjat megalomane antishqiptare, del e qartë se ai ka dështuar plotësisht në përpjekjet për të imponuar pikpamjet e tij udhëheqjes shqiptare, jo vetëm për Kosovën, por në tërësi për vijën dhe rrugën e ndjekur nga PKSH dhe Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë. Madje, këtë dështim, siç do të shihet dhe më poshtë, ai e ka pranuar dhe vetë dhe ky moment sinqeriteti, jashtë natyres e karakterit të tij të vrazhdë, duhet njohur e çmuar.
Tempo ka ardhur në Shqipëri në praverën e vitit 1943, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e të ashtuquajturit Shtab Ballkanik dhe deri në vjeshten e atij viti ka hyrë e ka dalë disa herë prej këtej. Ardhja e tij nuk korrespondon në kohë me Mukjen, pasi për të ende nuk bëhej fjalë, ende nuk qe vendosur gjë. Por, kishte kontakte dhe bisedime në nivele të tjera në mes Frontit dhe Ballit. Pas kthimit nga Greqia, me Koçi Xoxen, që e shoqëronte, (me të cilin duket se qe rakorduar çdo gjë), ai u ndal në Kucak, ku ndodhej udhëheqja e PKSH.
Papritmas kërkoi organizimin e një mbledhjeje, në të cilën ai do të parashtronte mendimet e tij për problemet që kishte konstatuar, të cilave sipas tij, u qe dhënë zgjidhje e gabuar. Në fillim kërkesa për organizimin e mbledhjes shkaktoi habi e reagime të ashpra tek udhëheqeqësit shqiptarë, të cilët e konsideruan atë një ndërrhyrje të palejueshme në punët e brendshme të një partie të pavarur, në kundërshtim me normat që rregullonin marrëdhëniet në mes partive komuniste, përfaqësuesit e të cilave nuk kishin të drejtë të gjykonin njera-tjetrën, pa iu kërkuar një gjë e tillë.
Këtë gjykim mund ta bënin vetëm organet drejtuese të Kominternit, Komiteti Ekzekutiv dhe Seksioni Ballkanik, por jo partitë, me iniciativën e tyre, pa iu kërkuar dhe pa i autorizuar kush. Mirëpo, pas debatesh të ashpra, më në fund u ra dakort që mbledhja të bëhej dhe aty Tempo të shfaqë mendimet e tij. Në mbledhje, ai do të bëjë sulme e akuza të rënda, duke nxirë gjendjen në parti dhe nivelin, sipas tij të pakënaqshëm të Luftës, për shkak të vijës së gabuar që ishte ndjekur nga PKSH.
Në themel të vërejtjeve dhe kritikave të tij do të ishin raportet e krijuara me Ballin Kombëtar. Bisedimet e ndërmara, në këtë kuadër, Tempo i konsideronte humbje kohe, me pasoja për partinë e për luftën. Sipas tij, Balli qëllimisht i zvarriste ato, për të fituar kohë, për të bërë organizimet e pergatitjet e duhura, për t’iu kundërvënë PK dhe Frontit Nacionalclirimtar.
Në vend që t’i shpallnit luftë kësaj organizate, që po bashkëpunonte hapur me okupatorin dhe në procesin e saj, të bënit diferencimet e duhura, duke shkëputur elementët e shëndoshë, që janë të gatshëm të ngrihen në luftë, nga krerët konservatorë që nuk kishin ndërmend të luftonin, ju, thekson Tempo, i ofruat Ballit bisedime pa kushte e pa fund, kur e dinit se çfarë përfaqësonte kjo organizatë dhe për ç’qëllim qe krijuar.
Një qëndrim i tillë, i gabuar, sipas tij, ka dëmtuar imazhin dhe prestigjin e partisë në opinionin e gjërë, kurse brenda radhëve të saj, ka krijuar konfuzion e pakënaqësi. Për kursin e ndjekur e përgjithësisht për situatën ekrijuar, ai fajëson kryesisht Enver Hoxhën, i cili, sipas tij, kishte ushqyer iluzione për krerët e Ballit, për rrjedhojë e kishte orientuar partinë drejt bisedimeve të pa fund, që të arrinte me çdo kusht një marrëveshje bashkëpunimi me Ballin.
Sapo emisari jugosllav përfundoi ekspozenë e vet, pjesëmarrësit në mbledhje reaguan menjëherë dhe të gjiithë njëherësh, thotë Tempo, kërkuan të merrnin fjalën. Në diskutimet e tyre, të nxehta, ata, në unison, hodhën poshtë kritikat që unë adresoja dhe jusitifikuan e mbrojtën vijën e qëndrimet e mbajtura ndaj problemeve që preokuponin vendin dhe luftën, përfshi dhe qëndrimet e adoptuara ndaj Ballit, të cilat, sipas udhëheqësve shqiptarë, ishin në linjën dhe në frymën e Konferencës së Pezës, të përpjekjeve për të angazhuar të gjitha forcat politike në luftë kundër okupatorit dhe për të gjetur, në këtë kuadër, mundësitë për bashkëpunim me të gjithë faktorët e përfshirë në luftë.
Në këtë mënyrë, misioni i Tempos dështoi. Po të ishte ndryshe, po të ishin pranuar sulmet e kërkesat e tij, atëherë, kontaktet me Ballin do të duhej të ndërpriteshin menjëherë, pasi këtë kërkonte para së gjithash emisari jugosllav, ndërprerjen e çdo kontakti e bisedimi me Ballin dhe shpalljen lufte kësaj organizate. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. As luftë nuk iu shpall asaj dhe as kontaktet me të nuk u ndërprenë. Përkundrazi, ato do të vazhdonin dhe do të çonin më pas në organizimin e Mukjes.
Dështimin që pësoi, në këtë rast, Tempo e ka pranuar edhe vetë. Në letrën drejtuar Titos, më 8 gusht 1943, pak ditë pas përfundimit të mbledhjes në Mukje, ndër të tjera, ai shkruan, se “Vërejtjet për problemet dhe gabimet që kisha konstatuar në veprimtarinë e PKSH, sidomos në qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar, organizatë, sipas tij, e ngjashme me çetnikët në Jugosllavi, që ashtu si ata, nuk kishte ndër mend të luftonte, unë ua parashtrova që në prill udhëheqësve shqiptarë, por ata i pritën me këmbet e para dhe i hodhën poshtë. Këtë qëndrim, thekson Tempoja, ata kanë edhe sot.
Ndryshe nga Greqia, ku tregojnë interes edhe për gjërat më të vogla, në Shqipëri, konkludon Tempoja, në relacionin drejtuar Titos, nuk ekziston dëshira e vullneti që të mësojnë e të zbatojnë përvojën jugosllave. (AQSH. Raport i SV Tempos drejtuar J.Titos, gusht 43).
Në vazhdim, Tempo e informon Titon dhe për pikëpamjet e udhëheqësve shqiptarë, për çështjen e Kosoves. “Enveri dhe Miladini, shkruan ndër të tjera ai, kanë mendimin se organizmat udhëheqëse të Luftës në Kosovë, Shtabi Kryesor i Kosovës duhet të lidhet e të varet drejtperdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm i Shqipërisë; biles Miladini, thekson se Metohia (Rrafshi i Dukagjinit), dhe në linjë organizative partiake, duhet t’i bashkohet PK të Shqipërisë. Këto propozime, thekson Tempo, vërtetë do të ndikonin në gjallërimin e luftës në Kosovë, por ato do të ishin një humbje e madhe për Serbinë” (Po aty).
Siçshihet, preokupimi kryesor i udhëheqësve jugosllavë, nuk ishte lufta në Kosovë, fuqizimi saj, por ruajtja me çdo kusht e kontrollit mbi Kosovën. Këto sugjerime të Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, krijuan shqetësim në udhëheqjen më të lartë të PKJ. Për rrjedhojë dhe reagimi i Titos, nuk do të vonojë. Në letrën e 6 dhjetorit 1943, drejtuar udhëheqjes së PKSH, ndër të tjera, ai theksonte se “Të kërkosh sot ndryshimin e kufijve, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve, që nuk ia duan të mirën dy popujve tanë, që, për këtë arësye, duan të sabotojnë luftën tonë kundër okupatorit. Sot, thekson në mënyrë të prerë Tito, nuk duhet të flitet për ndryshim kufijsh, por për luftë kundër okupatorit”. (AQSH. Letër e J.B.Titos drejtuar KQ të PKSH, 6 dhjetor 1943).
Përplasjet e Enver Hoxhës me Tempon, e përgjithësisht me udhëheqjen e PKJ, nuk janë përcjellë njësoj nga të gjithë pjesëtarët e udhëheqjes së PKSH. Diferencat në gjykimin e kësaj çështjeje vinin nga shqetësimi për pasojat që mund të sillnin përplasje të tilla, në raportet në mes dy partive e dy Lëvizjeve tona. Kështu, në përgjigje të një letre që Enver Hoxha nga Kucaku i kishte drejtuar Nako Spirut, me të cilën e vinte në dijeni për ballafaqimet me Tempon, më 9 tetor 43, N. Spiru i shkruan E.Hoxhës: “Ti e din më mirë çështjen, por gjithësesi, mendoj se duhet të bëjmë kujdes, pasi është një çështje delikate. Mos të lëshohemi në prehër të animozitetit.
Nga animoziteti në animozitet, nuk fitojmë gjë, veçse i qesim sytë njeri-tjetrit. Mirpo, ne kemi nevojë që të vendosim lidhje miqësore dhe bashkepunim të ngushtë. E kërkon interesi i Luftës Nacionaçlirimtare, e kërkon interesi dhe nevoja e çështjes sonë. Prandaj, mundohuni të merreni vesh me Tempon, se armiku ështe një, se armiqtë po afrohen me njeri-tjetrin, prandaj edhe ne duhet të jemi një”. ( AQSH. Letër e N. Spirut drejtuar E. Hoxhës, tetor 1943).
Pak më parë, një reagim të tillë, por të kundërt në përmbajtje, kishte shfaqur Koço Tashkoja, në një letër përgatitur për Kominternin, ku kritikohen ndërhyrjet e Miladinit, në punët e brendshme të Partisë e të vendit, sidomos përpjekjet për të na imponuar qëndrimet ndaj Kosovës, duke na vënë përballë vendimet e Kominternit. (AQSH. Letër e K. Tashkos përgatitur për Kominternin, tetor 1942).
Edhe pas këtyre zhvillimeve, Tempoja do të përpiqet të mbetet faktor në raportet, edhe ashtu të tensionuar, me udhëheqësit shqiptarë. Në kujtimet e tij, ai shkruan se, sapo ka marrë vesh mbi përfundimet e Mukjes, u paska thënë udhëheqësve shqiptarë, se ju çuditeni për atë që ngjau në Mukje dhe fajësoni Y.
Dishnicën e delegacionin që ai kryesonte, kurse në fakt qëndrimi tyre është në përputhje me vijën e me qëndrimet oportuniste që ju vetë keni adoptuar me kohë ndaj Ballit, është produkt i tyre. Sipas tij, edhe reagimi ndaj marrëveshjes së arritur aty, anulimi i saj, nuk ishte qëndrimi që duhej mbajtur.
Do të ishte më pak e dëmshme që, pas nënshkrimit, ajo të mos anulohej, pavarësisht se i fituar, në këtë rast, dilte BK, që ende nuk qe hedhur në luftë, e se harxhet e një kompromisi të tillë, do t’i paguante lufta, e cila rrezikonte të futej në qorrsokak. Mirëpo, sipas tij, anulimi do t’i kushtojë më shumë Partisë, prestigjit të saj, pasi Balli do ta shfrytëzojë në propagandën kundër PK, për ta paraqitur atë si një parti jo serioze, që nuk mban fjalën, që anulon edhe ato vendime që vetë i pranon e i nënshkruan.
Siç shihet, Tempoja, tani na paraqitet në një pamje tjetër, duke na treguar se marrëveshja me Ballin, nuk duhej anuluar. Ai që kundërshtonte me këmbëngulje çdo kontakt me Ballin, që kërkonte që t’i shpallej luftë me armë kësaj organizate dhe akuzonte PKSH dhe Enver Hoxhën për oportunizëm, pasi nuk zbatonin “këshillat” e tij, tani thekson, se marrëveshja me BK, pavarësisht problemeve që krijonte, nuk duhej anuluar. Anulimin e marrëveshjes, ai e konsideron një veprim sektar e të dëmshëm.
Shihet qartë se preokupimi i tij, nuk ishte as Mukja dhe as BK, por udhëheqja e PKSH, që vazhdonte të kundërshtonte ndërhyrjet e tij, të cilat do të mernin trajta të padurueshme, sidomos në ngjarjet e Dibrës, shtator 1943, ku do të akuzojë hapur Haxhi Lleshin dhe Enver Hoxhën se kishin rënë në pozita shqiptaromëdha, duke kërcënuar se kjo do të na shpie deri në përleshje të armatosur, në të cilën do të marrin pjesë dhe komunistët!. (AQSH. Letër e SV Tempos drejtuar KQ të PKSH, shtator 1943).
Qëllimi i gjithë këtyre presioneve ishte që të lodhte e të demoralizonte udhëheqjen e luftës, të krijonte tek ajo bindjen se ishte e pashpresë, në pamundësi që të përpunojë një vijë të drejtë dhe të drejtojë me sukses luftën, pa ndihmën jugosllave, pa zbatuar pervojën dhe udhëzimet e PKJ. Nënshtrimi dhe vartësia nga Beogradi, ishin ato që kërkonte Tempo. Edhe Mukjen jugosllavët e kanë parë e trajtuar në funksion të kësaj strategjie, që të goditej PKSH, roli dhe ndikimi i saj në popull.
Iniciativën për organizimin e Mukjes, e përgjithësisht bisedimet e kontaktet me Ballin, ata i konsideronin si shfaqje të oportunizmit, si deviacion i djathtë, produkt i presionit të së djathtës ekstreme mbi Frontin dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ndërsa anulimin e marrëveshjes së arritur në Mukje do ta cilësojnë një veprim sektar, shfaqje sektarizmi dhe ekstremizmi, si devijim nga e majta ekstreme, që si rregull, i imponohen partisë nga elementët ekstremistë brenda saj, duke aluduar kështu hapur për Enver Hoxhën dhe ata që e mbështetnin.
Kurse, krerët e Ballit, do ta përdorin Mukjen si kokë turku, për t’u viktimizuar e justifikuar para ballistëve të ndershëm që kërkonin të luftohej e jo të bashkëpunohej me okupatorin, duke e paraqitur aleancën e re me gjermanët si rrugën dhe mundësinë e vetme, në kushtet e krijuara pas Mukjes, për t’i shpetuar, sipas tyre, asgjësimit nga lufta civile, e shpërthyer nga komunistët!
Në këtë mënyrë,premtimet për luftë e për Shqipërinë Etnike, të bëra në Mukje, nuk vinin më në shprehje, nuk hynin më në hesapet e në llogaritë e ballistëve; ato do të hidheshin prapa krahëve, por jo për arësyet e justifikimet që sajonte udhëheqja e kësaj organizate, por sepse, sic theksonte H. Fullc, funksionar në Shtabin Aleat të Mesdheut, njohës i mirë i gjëndjes në Shqipëri, me ardhjen e gjermanëve, Balli shikonte një interes më të madh për të punuar me ta. Dhe interesi më i madh për BK ishte pushteti, që nuk arriti ta merrte dot në Mukje dhe shpresonte ta arrinte tani, me ndihmën e gjermanëve.
Konkluzioni që del nga këto zhvillime, që përbën dhe qëllimin e këtij shkrimi, është se anulimi i marrëveshjes së Mukjes, nuk është bërë me urdhër të S.V. Tempos, apo të udhëheqësve të tjerë jugosllavë. Askush deri më sot, as autorët tanë dhe as të huaj, nuk kanë mundur të sjellin urdhrin e Tempos apo të ndonjë udhëheqësi tjetër jugosllav, ose të paktën të japin indikacionet se ku ndodhet, në ç’arkiv ruhet i kyçur ai.
Dhe më tej, as Tempo dhe as E. Hoxha, protogonistë krysorë të kësaj ngjarjeje e që kanë shkruar mbi të, nuk i kanë konfirmuar këto pretendime. Biles, as në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH, nëntor 44, ku, siç dihet, çfarë s’u tha, për secilin, për gjithkënd e për gjithçka, kush s’u kritikua e akuzua, mirëpo asgjë e asgjëkundi nuk thuhet, se Mukjen e anuluam se kështu urdhëruan apo na kërkuan jugosllavët, Tempoja apo Miladini. (Shih AQSH. Proces verbal i mbledhjes së Plenumit të Dytë të KQ të PKSH, nëntor 1944).
A thua ende druheshin ta pohonin këtë fakt, apo ai realisht nuk ekzistonte? A thua Enveri nuk dinte t`i bënte vetë hesapet kur ishin në shprehje, pra në diskutim lufta dhe pushteti, për të cilat po derdhej pa kursim gjaku i shqiptarëve? A thua vërtetë nuk kuptohet, se marrëveshja u hodh poshtë pikërisht për këto dy çështje, të medha e jetike, për të ardhmen e Shqipërisë e se pranimi i saj, duke patur parasysh rrugën që ndoqi Balli pas Mukjes, do të kishte qenë me pasoja të pariparueshme për vendin?
Duke iu përgjigjur ineteresimit të opinionit për këtë çështje, Gjeneral Rrahman Parllaku ka shkruar se marrëveshjen e Mukjes e anuloi Enver Hoxha për çështjen e pushtetit. Kur ishte fjala për pushtet, ai, thekson gjenerali, nuk pyeste as për jugosllavët e as për bashkëpunëtorët e tij.
Faktet e dokumentet për këtë ngjarje, mbi të cilat kam qëndruar gjatë, më kanë bindur me kohë, për çka parashtrova më sipër, në këtë artikull. Unë, sigurisht i kuptoj e i çmoj dhe angazhimet e autorëve që kanë pikëpamje të kundërt, nuk i keqkuptoj e, mbi të gjitha, nuk i vë në një rang, në një paralele, pasi secili ka individualitetet, interesat e qëllimet e veta dhe, është e drejtë e tyre, t’i kenë e t’i mbrojnë. Askush s’e ka monopolin e së vërtetës dhe debatet serioze e të sinqerta, do të na çojnë ose do të na afrojnë me të, me të vërtetën.
Fund
2 - 3 Gusht 2018