Nga Muharrem Xhafa

Pardje morëm pjesë me shumë shokë të tjerë në festimet organizuar në Pezë për 76-vjetorin e Konferencës së Pezës.

Çfarë u vu re?

1.-Pjesëmarrja e njerëzve ishte shumë më e vogël se çdo vit tjetër.

2.-Për hir të së vërtetës, fjalimet dhanë mesazhe të drejta, po niveli i “autoriteteve” të shtetit, pjesëmarrës për nderimin e ngjarjes së madhe të Pezës, ishte tepër i ulët: Asnjë prej autoriteteve qendrore të shtetit! Po të ishte një vizitë te Janullastosi, fetare ose për shëndetin e tij, do të kishin shkuar edhe Presidenti, edhe Kryeministri, edhe kryetarë të partive politike!

3.-“Mitingu” ishte mizerabël. As 10 metra larg nuk dëgjohej fjala e oratorëve! Në një dasëm pezake, do të tundej pylli i Pezës nga këngët, vallet, muzika! Mund të thuhet se atmosfera e mitingut i ngjante një ceremonie mortore deputeti.

4.-Opozita nuk merrte pjesë; dëshmi e qartë e qëndrimit të saj kundër LANÇ-it dhe ngjarjeve themelore tê luftës antifashiste. Më shumë se herë tjetër, mitingu i Pezës këtë vit dëshmoi se politika, populli e vendi ynë janë të ndarë e të përçare dhe se nazifashizmi pret momentin të shpërthejë, për shkak, kryesisht, të heshtjes së shtetit e të mungesës së veprimeve të tij!

5.-Si gjithnjë, në televizion u transmetuan për publikun jo përmbajtja e mitingut te Pezës, po shfaqja e ndonjë kënge a fotoje e Enver Hoxhës, kënduar e mbajtur me të drejtë nga komunistë të PKSH-së.

Mesazhi ynë:

Zotërinj të shtetit shqiptar!

Qëndrimi kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i Opozitës e forcave regresive që e mbështesim, dihet! Po ju, krerë të shtetit e të qeverisë, të Pozitës, nëse e respektoni me sinqeritet LANÇ-in, ose organizojini ashtu si u ka hije ngjarjet e saj ose mos u tallni me to! Ose mirëmbajini, restaurojini e nderojini simbolet e LANÇ-it, që ende nuk i keni shembur, ose mos u tallni me to! Ishte një ironi turpi këtë 16 shtator në Pezë, ndërsa oratorët flisnin, pas shpinës së tyre, memoriali i Pezës heroike rënkonte dhe i përqeshte: atij i kishin rënë pllakat, ishte i pa lyer, i dëmtuar!

Mos bëni demagogji me LANÇ-in!

Edhe diçka tjetër që ju me siguri ju djeg shumë. Është fjala për organizatorin e Konferencës së Pezës, Enver Hoxhën, pra për udhëheqësin e PKSH-së dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i cili u shkakton drithma edhe sot e kësaj ditë bashkëpunëtorëve të djeshëm e të sotëm të fashizmit dhe armiqve të Shqipërisë. Çështja e Enver Hoxhës nuk duhet trajtuar si çështje nostalgjie, sepse nuk ka të bëjë aspak me nostalgjinë! S’arrij “të kuptoj” mirë pse njerëzit e përdorin fjalën nostalgji me qëllim të keq, kur kjo fjalë nuk ka kurrfarë përmbajtje negative. Nostalgji do të thotë mall, dashuri, respekt, në veçanti për dikë, për një njeri, i cili ka bërë gjëra të mëdha të mira për popullin, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij dhe ka hyrë thellë në memorien e kombit, siç është rasti i Enver Hoxhës.

Njeriu ka mall për atdheun, për vendlindjen, për shtëpinë, për prindërit, për një shok a mik me të cilin e ka lidhur gjatë puna, jeta e që i janë gjindur njeri-tjetri ne “dite të mira e të keqja”! Çfarë të keqeje ka këtu?! Në këtë kuptim nostalgjia është forcë progresi, jo pengese për të ecur përpara. Gjithkush duhet të jetë i qartë se njeriu kujton me mall e nostalgji gjerat e mira, jo gjërat e këqija, njeriun e mirë, jo njeriun e keq! Si koncept e dukuri shoqërore, ok, nostalgjia evokon, risjell të shkuarën në momentet që jetojmë. Por, kur nuk jeton vetëm me të shkuarën, ai nuk e pengon progresin, as ka të bëjë me konservatorizmin. Sikur edhe të dojë, njeriu nuk jeton dot me të shkuarën, por as ecën përpara pa njohur e pa respektuar vlerat e së shkuarës. Përpjekjet për të mohuar vlerat e së shkuarën socialiste e arritjet e epokës së Enverit, i bëjnë dem shoqërisë. Po, nostalgjik është ai që jeton me të shkuarën, me ato doke e zakone, me vlerat e arritjet e së shkuarës, që kërkon t’u japë zgjidhje fenomeneve të sotme me ligjet, normat e zakonet e një periudhe tjetër të zhvillimit shoqëror. Po jo ai njeri që nderon e respekton te shkuarën. “Dozat e nostalgjisë” për socializmin dhe Enver Hoxhën, sigurisht shtohen e bëhen më të forta, kur e sotmja borgjeze mohon, shkatërron e nuk respekton vlerat e asaj epoke të lavdishme, që nisin me LANÇ-in, kur vendi populli katandisen në shërbëtore të botes.

Enver Hoxha nuk i mposhti Ahmet Zogun e mbretërinë e tij me fjalime e sharje, po me transformimin e vendit e ndryshimin e jetës e të jetesës se popullit në dobi të tyre! As që mund të bëhet fjalë për nostalgji, kur Enverin e do më shume se gjysma e popullsisë së vendit dhe sondazhet e mediat me emër të botës e klasifikojnë si udhëheqësin më të madh të shqiptarëve! Kënga për Enverin s’është nostalgji e çështje nostalgjie, po respekt e çështje respekti për çfarë i dha Enveri popullit të vet! Injorantët e trajtojnë si çështje nostalgjie!

Në këtë çështje jam plotësisht me Tërmet Peçin, kryebashkiakun e Tepelenës. Bravo i qoftë! E tregoi veten sojlli dhe qoftë me iso në një këngë për Enverin dha një mesazh të fuqishëm për shqiptarët.

Mos u tremb, Tërmet!

18 shtator 2018