Mjeda, Gjergj Uashingtoni dhe liria e madhe

Mjeda, Gjergj Uashingtoni dhe liria e madhe


Në 1 gusht 1937, pra 80 vjet më parë mbylli sytë përgjithmonë Ndre Mjeda.

Kishte lindur në vitin 1866 në Shkodër.

Shprehja “mbylli sytë përgjithmonë” është një mënyrë konvencionale e të shprehurit. Sytë e Mjedës, nuk i përkasin misterit të vdekjes. Ata janë sy të pavdekshëm që, në të gjitha kuptimet e imagjinatës poetike, shohin gjithçka, me përdëllim dhe qetësi soktratike, paradokset dhe marrëzitë tona të ditës. Për një simetri, ndoshta krejt të rastësishme dhe aspak dinastike, kemi një rend numrash të përvejtorëve kryesorë të disa datave të Ndre Mjedës.

Në 1887, 130 vjet më parë Ndre Mjeda botoi poemën e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht melankolike “Vaji i bilbilit”. Kurse në vitin 1970, në Vjenë të Austrisë poeti botoi librin e tij të parë dhe të fundit të jetës, të quajtur ne një titull latin ,vezullues dhe të përjetshëm “Juvenilja”.

Ky libër është padyshim një nga librat më të rëndësishëm të poezisë shqipe në 5 shekuj të ekzistencës së saj të shkruar, që nga Gjon Buzuku e deri më sot. Tërë këto data të shënuara, me grishje të thella idesh dhe nocionesh të mëdha.

Nuk di nëse ka ndonjë projekt nderimi dhe përkujtimi Ministria e Kulturës . Ç’dreqin janë tërë këta ministra efemeridë të kulturës, që kanë vetëm lidhje rastësore me kulturën shqiptare, por që nuk kuptojnë asgjë prej thelbit inkandeshent dhe të amëshuar të kësaj kulture.

Të nderosh Ndre Mjedën është veç të tjerash të ridimensionosh sistemin e vlerave të identitetit kombëtar, që për fajin tonë, të shqiptarëve, është i brishtë dhe mjerisht edhe “i harrueshëm”.

Kjo më kujton psalmin biblik kur fisi shtegtar rravgonte anës lumenjve të Babilonisë dhe i vari veglat muzikore për të kënduar, në degët e drurëve, për t’u lëkundur nga era.

Të tjerët edhe mund të jenë, siç u shpreha, pa asnjë vetëkënaqje apo cinizmi të llojit barok, “efemeridë”. Por Mjeda nuk është asnjëherë i tillë, ai është një nga shqiptarët më të shquar, një nga karakteret më të ndritshëm, një lloj heroi semantik, i fuqive të koncentruara të intelektit dhe të shpirtit, i shqiptarisë, ku ai u ngjiz si një bardë i një eposi, dikur në shkëlqim dhe sot në terr.

Në panteonin e poetëve kombëtarë Ndre Mjeda nuk është në turmë. Ai është përherë në krye. Ndre Mjeda ka qenë përherë një kryepoet.

Dhe megjithatë për shkak të një paradoksi, banalisht të pashpjegueshëm, për shkak të një paradoksi që e ka mbështjellë kur ishte i gjallë, por që ka vazhduar edhe pas vdekjes dhe amshimit të tij, Ndre Mjeda shpesh është lënë në hije. Më shpesh heshtin për të. Dhe kjo heshtje është gati sibiline.

Është shkruar shume për Mjedën. Janë botuar libra, studime, janë bërë doktoratura për veprën e Mjedës, janë shpërndarë tituj të kotë shkencorë. Por deri më sot mungon një studim, fjala vjen i llojit të Herald Blumit, që ka shkruar për poetin amerikan Hart Crane etj. studim që në vetvete do të ishte dhe një rizbulim i iluminuar ,jo vetëm në aspektin metafizik të poetikës, por sidomos të abstragimeve metaforike të estetikës së madhe.

As jeta e tij nuk dihet plotësisht.

Shqiptarëve u ka munguar përherë një Stefan Zvajg, që do të mund të na profilizonte disa nga paraardhësit e mëdhenj.

Ndre Mjeda u shkollua në Shkodër në fëmijëri. Më pas në edukimin e tij pati ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923).

Shoqata e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë Shqipërisë për studime dhe specializime. Në fillim Mjeda ndenji tre muaj në pranverën e vitit 1880 në fshatin Cosse-le-Vivien, afër Lavalit, në perëndim të Francës. Më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coelit, në veri të Valencias, në Spanjë, ku studioi për letërsi. Në 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut në Porto Re, në bregdetin dalmat. Në 1884 deri 1887 studioi në një kolegj që drejtohej atëhere nga Universiteti Gregorian i Romës. Në 1887 u transferua në një tjetër kolegj Gregorian në Chieri, në juglindje të Torinos. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip. Subjektet e poezive qenë shqiptare, por në vargun e Mjedës ndihet ndikimi i poetëve të njohur të Italisë, sidomos i poetit të madh Giosue Carducci (1835-1907) i medituesit Giovanni Pascoli (1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Annunzio (1863-1938). Por Mjeda ka njohur shkëlqyeshëm dhe letërsinë latine të antikitetit. Pak njerëz e dinë, por shumica e studiuesve nuk e dinë fare se Mjeda nga 1887 deri në 1891 ka dhënë lëdndën e muzikës në kolegjin Marco Giralamo Vida, në Kremona, buzë lumit Po, qytet, i kompozitorit të famshëm Klaudio Monteverdi (1568-1645) si dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Në 1891 Mjeda studioi disa vjet në Fakultetin Teologjik të Kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloni. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (1850-1900) dhe Holder Pedersen (1867-1953).

Vjersha e Mjedës “Gjuha Shqype” e shkruar në dhjetor 1892 i përkushtohet gjuhëtarit austriak Gustav Majer. Në 1893 poeti ndodhet në Goricia, buzë kufirit italo-slloven, pas 1 viti sërisht në Porto Re, ku dha mësim filozofinë dhe teologjinë dhe shërbeu si bibliotekar. U emërua profesor i logjikës dhe më pas i metafizikës. Në 1898 në gjirin e jezuitëve në kolegjin e Porto Re shpërtheu një konflikt, mesa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk dihen me saktësi. Dihet se Mjeda u përfshi në këtë konflikt dhe për këtë gjë u përjashtua, ose dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit. Në 1899 me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda i cili qe peshkop i Sapës dhe më pas kryepeshkop i Prizrenit dhe kryepeshkop i Shkodrës, sidomos me ndihmën e Preng Doçit (1846-1917), abatin me influencë të Mirditës, që qe edhe vet poet, Mjeda filloi punë si mësues në Vig, në malet e Mirditës. Më pas u shqua në veprimtarinë e shoqërisë letrare “Bashkimi”. Mori pjesë dhe në një shoqatë tjetër letrare “Agimi”. Mjeda ka qenë dhe anëtar i Komisisë Letrare të ngritur në Shkodër më 1 shtator 1916 nën administratën austro-hungareze. Nga viti 1920-1924 ai ishte deputet në Parlamentin Shqiptar. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të Fan Nolit dhe vendosjes përfundimtare të diktaturës së Zogut, në fund të vitit 1924 ai u tërhoq nga politika dhe punoi thjesht si një famullitar në Kukël, një fshat midis Shkodrës dhe Shëngjinit. Në 1930 qe derisa vdiq mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kolegjin Jezuit të Shkodrës.

Në këtë shtjellim të shkurtër dhe lakonik të kronologjisë së jetës së Mjedës, të bën përshtypje numri i madh i studimeve në pika të ndryshme të Europës.

Tërë jeta e tij, ndonëse si deputet e njohu edhe ndikimin dhe shijen e rrezikshme të politikës, u përqendrua në fshatin e vogël Kukël që në njëfarë mënyre është sot panteoni i tij i vërtetë, i kujtesës dhe i lavdisë.

Ndërkaq analiza e poemave të tij është një analizë më tepër shpjeguese dhe komentuese. Sepse është tepër e vështirë të krijosh një përfytyrim dhe një sintezë të denjë dhe absolute për Ndre Mjedën.

Le të marrim poemën e tij që përmban letrat kredenciale të tij të shpirtit, “Vaji i bilbilit”.

Kjo poemë e famshme mbas kaq vitesh nuk e ka humbur aspak plotfuqishmërinë e idesë së lirisë universale.

Mjeda thotë vargjet tronditëse për bilbilin:


“Kafaz ke qiellin,

Epshin pengim.”


Është e njohur në poezinë evropiane “Ode bilbilit” të John Keats. Këtë poezi poeti i prekur nga tuberkulozi, i varfër dhe i pafat në dashuri, e thuri në një kopsht të Hampsteadit, kur ishte 23 vjeç, në njërën nga netët e muajit prill të vitit 1819.

Keats tregon se dëgjoi në imagjinatë bilbilin e përjetshëm të Ovidit dhe Shekspirit. Ai e shkroi poezinë për bilbilin për të krijuar një simbol që tejkalon kohërat.

Jorge Luis Borgesi që i ka kushtuar një ese të mrekullueshme, pikërisht poezisë së famshme të Keats thotë se Keats nëpërmjet miliona bilbilëve konkretë dhe të gjallë, preferoi përjetësinë e një bilbili platonik, që përfaqëson dhe simbolizon gjithçka. Sa herë e kam lexuar poemën e Mjedës për bilbilin, kam parë jo vetëm ndryshimin konceptual midis poezisë që ekziston në të gjitha antologjitë botërore të Keats, por pa asnjë fije kompleksi të nënvleftësimit, apo dhe të inferioritetit, e kam ndjerë dhe e them me bindje se poema e Mjedës për bilbilin, bashkëkohëse me atë të Keats, është më e fuqishme, më përgjithësuese dhe sigurisht më universale.

Mjeda në këtë poemë ka në rrëfimin profetik:

“Bylbyl, ky shekull orë e ças ndrrohet:

Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;

Edhe natyra po don me ndrrue:

Fillo me gëzue.”


Pra Mjeda i shpërthen shkretëtirat e errëta të metafizikës dhe bilbili i tij shndërrit me një transiguracion drite gjithçka.

Ideja kryesore është Liria. Liria dhe vetëm Liria. Mjeda është poeti i madh i Lirisë. Mjeda është femja, udhëtari dhe mendimtari i Lirisë. Ai e ka kuptuar, si pak kush shqiptarë në kohëra se Liria është gjëja më e munguar për kombin shqiptar.

Mungesa e Lirisë e primivitizon përherë këtë komb. Vetëm Liria e ngjall. Vetëm Liria e natyralizon identitetin e vërtetë. Vetëm Liria e përjetëson kauzën. Vetëm Liria e garanton përherë Lirinë.

Në poemat e shquara të tij Mjeda kërkon dëshmi të Lirisë tek paraardhësit, tek historia e harruar e ilirëve, tek mesjeta shqiptare e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe tek shqiptarët e trohitur dhe shpesh shumë të plogët të kohës së tij.

Vetëm Mjeda është i pari poet që ka shkruar me nderim për mbretëreshën Teuta dy herë në poemat e tij.

Tek poema e njohur “Iliria dhe Epiri” janë dhjetë strofa ku ai ka skalitur heroizmin e ilirëve dhe të mbretëreshës Teuta. Ai e përshkruan Teutën si një Amazonë të historisë dhe të mitit e cila “mbështetur në ushtritë e veta, pa e ulur gjunin, para të dërguarve të Romës, me faqe të rreptë i tha Romës së madhe: Mos prit çfarë kërkon prej ilirëve.”

Po nuk mjaftohet vetëm me këtë pikturë heroike.

Tek poema “Lisus” Mjeda e përshkruan me vargje të mrekullueshme përsëri monumentalitetin historik dhe tharmin etik të Teutës mbretërore, nuk di deri më sot asnjë poet shqiptar t’i ketë kushtuar kaq shumë vargje Teutës si Mjeda.

Poeti kërkon të evokojë.

Ai zëvendëson në imagjnatë tërë mungesat dhe boshllëqet e shekujve. Pa dyshim kryevepra e Mjedës e krejt poezisë shqipe dhe një njëkohësisht poemë e mrekullueshme në nivel evropian është poema e quajtur “Liria”.

Në këtë poemë Mjeda duket sikur vikat, sikur klith me gjoksin e shekujve:

“O shqype, o zogjtë e maleve, kallxoni

A shndritë rreze lirije mb’ato maja?

Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë

Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?”


Në pjesën e dytë të poemës Mjeda bën një apoteozë të lirisë amerikane.

Ai e njeh dhe entuziazmohet nga Revolucioni Amerikan i Lirisë, që u zhvillua kundër shkëputjes së Amerikës nga sundimi kolonial i Anglisë. Ai flet për fushat ku rrjedh lumi i Misisipit.

Ai evokon emrin e Gjergj Uashingtonit. Mjeda thotë se “Washingtoni na thërret”. Atëherë populli amerikan u ngrit për të fituar lirinë. Vajti tërë Amerika mbas këtij zëri që e thirri për nderin e lirisë. Dhe “luani i Amerikës e mundi kuçedrën e Anglisë”.

Liria u ndje te punëtori që vuan në vapën e zhegut, liria u ndje në Labrador tek Virgjinia dhe New Jorgu, syni i tregut”. Mjeda thotë “Të lumtë, o Washington”. Dhe liria duke thërritur në Filadelfia koncentrohet në sentencën mjediane “Amerikën e zhgon (e qeveris) Amerikani”.

Në pjesën e tretë dhe të katërt të poemës Mjeda e përshndrit përsëri apoteozën amerikane.

Ai thotë:

“Ty të kjofsha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit

Ti dave terrin e egërsis, e tine

E lakmuesja e gjith dhenave latine

Amerikën e pshtove prei robnimit!”


Në pjesën e pestë të poemës poeti shpërthen (një nga shpërthimet poetike më të mëdha të kohërave) për kontrastin e frikshëm të robërisë së shqiptarëve, në raport me lirinë.

Është pikërisht Mjeda që ka thënë këto vargje të pashlyeshme, të tmerrshme, asnjëherë të tjetërsueshme, kurrët të harrueshme:

“Lirin e keni ju! Na hekra kemi.

Na terr e mjergull, deri në dit ma të vona;

Na pa emen kërkund, pa atdhe, na jemi

Shërbëtorët e të huejve nëpër vende tona!”

Poeti si Demijurg i Lirisë nuk ka frikë asnjëherë ta thotë të vërtetën.

Kjo ka qenë shpesh në shekuj historia e shqiptarëve: “shërbëtorë të të huajve në vendin tonë”. Po pse dreqin ndodh kështu? Pse ka ndodhur kështu? Dhe pse ende mund të ndodhë kështu? Duket sikur ndjenja e pezmit na çon në mungesën e një perspektive. Duket se shpresa zhbëhet, për të humbur përgjithmonë. Duket sikur shqiptarët nuk kanë kauzë dhe asnjë projekt mendor të vërtetë. Të torturuar për mercenarizmin, servilizmin, prej korrupsionit, të krijuar nga klasat politike në shekuj, shqiptarët e kanë të vështirë të dashurojnë me afsh dhe farë pa frikë Lirinë.

Një njeriu të zakonshëm mund t’i lejohet pikëllimi fatalist, zvetënimi.

Por një poeti si Mjeda nuk i lejohet asnjë që nuk ka të bëjë me plotfuqishmërinë e Lirisë. Pra edhe për vetë shqiptarët. Ndaj soneti i fundit i kësaj poeme të habitshme është:

“Por nuk u shuejt edhe, jo, Shqyptaria:

Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti,

Lodhun prej terri ku robnimi e qiti,

Shpreson me e zgjua fluturim mënija.


E kqyrë: ndër male po përhapet shkëndija

E lirimi t’Atdheut: fshehtas shëtiti

Kësollë për kësollë rreth buneve e soditi,

Frymë të re tui shprazun për gjithkahna, hija!


E Skanderbegut që ndër djepa rrisin

Nanat e Hotit djelmnin ushtore,

E idhnim n’anmikun nëpër gji ju qisin.


E Nalt ndër maje, bukuri mbretnore,

Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,

Me thoj t’harkuem Shqypeja Arbënore!”


Ky është soneti epokal i ringjalljes dhe mua më kujtohet çka shkruar i lumi Pholothee O’Neddy: “Liria, ky emër i tmerrshëm, i shkruar në karrocën e stuhive!”

Ndre Mjeda është poet i madh, i një rendi të lartë estetik.

Poemat e tij me sonete janë arritje të pakrahasueshme. Në këtë pikë Mjeda jo vetëm që shkëlqen, por ngrihet mb tërë poetët e tjerë. Mjeda ka shkruar një shqipe të përsosur në vargëzim. Kjo është gjuha e tij e poetikës. Një gjuhë e paimitueshme nga askush.

Mjerisht, Ajme, që Mjeda është një poet gati i papërkthyeshëm në gjuhët e tjera evropiane.

Gjithë jetën time e kam adhuruar Mjedën. Për nder të tij korpusit tim poetik i vura një emër të thjeshtë latin “Miscellanea”, që do të thotë Përzgjedhje, për të krijuar një tingëllim të ngjashëm dhe grishës me titullin e mrekullueshëm latin, “Juvenilja, që do të thotë Rinia, ose Djalëria.

Mjeda i ka të gjitha atributet por dhe vështirësitë për të tërhequr vëmendjen e tërë shqiptarëve por dhe shteteve të shquar.

herë lexoj Mjedën më kujtohet se ç’ka shkruar Whiteman: “There is that I in me – I do not know what it is – but I know it is me”.

Që në shqip do të thotë: “Është diçka tek unë – Nuk e di se çfarë është- por e do që është.”

Tek ne shqiptarët është gjithmonë Mjeda.

Edhe atëherë kur nuk e dimë që ai nuk është. Por ja që ai është dhe do të jetë.

Mjeda si Poet i Lirisë nuk do të harrohet, veçse nese ne do të harrojmë vetveten. Amen!


Moikom Zeqo