POEM KOSOVAR
(Mitrush Kuteli)
Qëndrimi
(Kënga e parë)
Jam kosovar
E jam shqiptar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Qe gjysh stërgjysh,
qe bres pas bres,
qe gjithemonë!
Ti shkja thrret
ti shkja bërtet,
gjer lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s'jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s'dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Ilirì:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do te jem
dem baba dem
sa mali të bëhet hì
e hiri mal përsërì