Midis familjarëve dhe bashkëfshatarëve të Fan Nolit

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Nuk ishte hera parë që gdhihesha në një ngulim shqiptar në vend të huaj. E kisha provuar këtë situatë disa vjet më parë, në një fshat arbëresh në mes të maleve të Kalabrisë. Tani kjo ndodhte në një cep të Trakës, në mes fushave të saj. Po këtë herë kishte diçka që krijonte raporte të tjera. Fakti që unë kisha ardhur te njerëzit e Nolit dhe Noli ishte nyja e lidhjeve tona, m’i bënte këta njerëz të afërt e të dashur që në krye.

Qysh në mëngjes ka rënë disa herë telefoni dhe më pas dëgjoj të tingëllojë zilja e shtëpisë. Kur ngrihem dhe dal në sallon, gjej dy burra të panjohur, të cilët sa më shohin më buzëqeshin dhe pastaj më rrokin në qafë.

– Mirë se ardhët! – thonë me një shqipe të tingëllueshme dhe rrinë e më vështrojnë të malluar sikur takohemi pas një ndarjeje të gjatë.

Takime të këtilla do të përsëriten kushedi sa herë këto ditë. Miqtë e parë që vijnë të më përshëndesin janë dy mësues të Feresit, Kosta Vizga dhe Jani Bakalli. I pari, një burrë me shtat mesatar, i thinjur, me një natyrë të qetë, që flet ngadalë, i dyti, më i ri, pak i zeshkët, i gjallë dhe i afrueshëm. Duket sikur plotësojnë njeri-tjetrin.

-E ditkeni mirë shqipen – u them i gëzuar.- Nuk e prisja të flisnit kësisoj e të merreshim vesh kaq shpejt.

– E dimë ca pak,- thotë Kosta me zërin e tij të shtruar dhe shton. – Të mos e dinim, aherna si do t’i thoshim vetes shqiptarë. Gjuha të bën ai që je.

– Gjuha të bën ai që je – hidhet Jani, – po kjo shqipja jonë këtejza është fare e zbuluar, ka sa e sa kohë që ka dhënë e ka marrë në kuvend e në mejdan me shoqet rreth e qark. Me elenikanë, greqishten po se po, se atë e flasim përditë, por dhe me turqikon dhe me sllavçen e me ç’të duash. Se në këto vende këtejza kanë rrojtur e rrojnë soj- soj milet e në mes tyre, dhe ne shqiptarët.

– Pse, – pyes unë pak i befasuar, -ju nuk e quani veten arvanitas, si thirren në Greqi shqiptarët?

– Jo, – shpjegon qetë Kosta, — ne e quajmë veten shqiptarë vetëm shqiptarë. S’jemi as arvanitas, as arbëreshë, paçka se vendësit na thërresin alvaniko, sikundër na thonë dhe turqit arnaut. Thonë se me këtë emër janë thirrur shqiptarët në kohën e Bizantit, si e pse nuk e po turqit e trashëguan nga ajo kohë. Këtë e kemi me të thënë e me të dëgjuar. Edhe historinë kësisoj e kemi, të treguar brez pas brezi nga pleqtë. Të shkruara s’kemi.

Dalim kështu te historia e ngulimeve shqiptare, në Trashkë; është biseda më emocionuese e më tërheqëse, po dhe më e vështira kur gjendesh në diasporë. Dëshira e parë, parë është të rrëfejnë e të diskutojnë për prejardhjen.

-Ne brenda një nate u bëmë muhaxhirë, – tregon Kosta me një lloj keqardhjeje.

– Ishim mirë e bukur në fshatrat tona në vilajetin e Edërnesë. Pastajza ngjau ajo që ngjau dhe të gjithë kaluam këtejza. Nga Traka lindore dolëm në Trakën perëndimore. Na ndan vetëm një lumë në mes, por që thirret në tre, emra. Grekët i thonë Evros, turqit Meriç, shqahët Marica, kurse ne, sipas vendit e kuvendit….

Nga tregimet e Kostës dhe të Janit marr vesh për gjendjen e shqiptarëve dhe shpërndarjen e tyre gjeografike në Trakë. Sado që u shpërngulën nga ngulmimet e vjetra, ata nuk u larguan nga viset e pellgut të lumit Evros. Shumica zunë vend këtyre anëve, në fshatrat greke, duke u shpërndarë në vija të drejta nga veriu në jug. Një pjesë qëndruan në fshatrat përqark Oristiadhës e Suflisë, si në Qimono, Sako, Pidhja, Kavili, Dhigla dhe Protoklis. Kurse numri më i madh u ngulën në qarkun Aleksandropulit në fshatrat Feres, Figero, Qipi, Pepel, Jamesti, Poro, Ardhanio. Të tjerë dhe këta qenë më pak, shkuan më në rrethin e Ksanthit, kryesisht në dy fshatra Kipseli dhe Paradhimi. Ata që mbetën i gjen në viset e Greqisë së veriut, në Maqedoninë greke, në anën e Seresit, si në Neohori e Qimisi, po dhe afër Selanikut, në fshatin Kallohor. Është interesant se në përgjithësi shqiptarët e ardhur në vitet 20, jo vetëm që nuk u larguan nga Traka por u përpoqën të mos ndahen nga njëri-tjetri. U ruajtën lidhjet e vjetra dhe shpërndarja e sistemimi u bë mbi bazë fshati. Kështu fshatarët e Ibrik-Tepesë i gjen në Feres e Tiqero, po dhe në Qipi e Kipseli. Të Alltëntashit janë në Paradhini e Feres, të Zallufit në Qimono e gjetkë. Sigurisht këtë shpërndarje e kanë përcaktuar nevojat e jetës, lufta për ekzistencë, rrethanat ekonomike, por nuk duhen lënë anash dhe traditat, faktorët etnopsikologjikë, për të cilët ata krenohen dhe sot e kësaj dite. Sepse secili fshat kishte histori të vetën, me prejardhje të qartë nga Shqipëria, kishte jetën zakonore, veçori të gjuhës, të folklorit, pa harruar kujtimet që ruheshin me fanatizëm, sidomos nga pleqtë.

Mbi të gjitha ajo që i bashkon shqiptarët e Trakës është prejardhja e tyre e përbashkët nga krahina e Kolonjës. Për këtë ata kanë një vetëdije të ngulitur thellë, por brenda bashkësisë secili fshat përpiqet të ruajë dhe të tregojë individualitetin e vet. Madje, disa prej tyre, si Qyteza e Sulltanqoi, Alltëntashi e Zallufi hahen dhe sot, asnjërit nuk pëlqen t’i lëshojë radhë shokut. Secili kërkon të tregojë se fshati i tij është më i miri, më i madhi, më i vjetri e më shqiptari! Por, megjithatë, ekzistonte tanimë një opinion i përgjithshëm se në qoftë se Zallufi përbënte ngulimin më të vjetër, Qyteza ishte qëndra e fshatrave shqiptare në vilajetin e Edërnesë.

—Ç’është e drejta,- tregon Kosta, -me këto fshatra jemi lidhur aq shumë shpirtërisht, sa ato janë bërë pjesë e identitetit tonë. Sido që tek e fundit të gjithë kishin ardhur nga Shqipëria dhe qenë të huaj në vilajet, prapë të parët tanë u mbajtën fort pas gjuhës e zakoneve të veta dhe kthyen ato vende një copë Shqipëri.

—Shqiptari, — shton Jani, — gjënë më të shenjtë ka farën. Të dish kush je e ç’rrënjë ke, ky është kuptimi jetës. Dhe s’ka gjë më të rëndë për ne të na shash ose mohosh farën…

Ksanthia, e cila pasi ka gostitur miqtë është ulur pranë Janit, jep e merr herë-herë në greqisht dhe sido që e pengon gjuha, e kupton mirë për ç’ka flitet. Sytë e saj lëshojnë një vështrim të mprehtë dhe balli i duket i menduar. Kjo vajzë është gjithë temperament, e vrullshme por dhe e përmbajtur kur duhet.

—Edhe unë, -merr të flasë ajo, — megjithëse i takoj brezit më të ri, mendoj për fatin e kombësisë sonë. Nuk është pa kuptim fakti që të parët tanë, po dhe ne vetë, gjendemi në zona kufitare, ku jo vetëm takohen Greqia me Turqinë e Bullgarinë, po ku dhe kalojnë e kryqëzohen rrugët tradicionale të botës dhe kanë ndodhur e ndodhin kontaktet njerëzore nga lashtësia deri më sot. Shqiptarët, nga sa e njoh historinë tonë dhe përpiqem ta interpretoj, asnjëherë nuk kanë qëndruar larg këtyre rrugëve. Gjithnjë i kam pasur për zemër lëvizjet. Shpirti i tyre shtegtar ka synuar të lëvizë hapësira të gjera. Ja, këtu në Trakë, ata gjetën si të thuash, veten. U erdhi për shtat psikologjisë dhe koncepteve të tyre për jetën, po gjetën dhe toka pjellore, gjelbërim ujëra të bollshme. Kështu ngritën jetën, me luftë e sakrifica, brez pas brezi, pa u trembur dhe pa i humbur vlerat që kishin sjellë me vete. Dhe kur mendon të gjitha këto, s’ka si të mos vijë keq, që me kalimin e kohës, fati i bashkësisë sonë sa vjen e vështirësohet e rëndohet. Vetëm pleqtë qëndrojnë të patundur, po edhe qëndresa e tyre është e përkohshme. Atëherë kuptohet qartë perspektiva e bashkësisë sonë…

Ksanthia ka folur me zë të lartë, gati e nervozuar, dhe kjo e bën të rëndë heshtjen që pason. Ajo ndez një cigare. Dy burrat rrinë të menduar. Unë e ndiej në shpirt gjithë sa ndodh dhe, sado që i kam përjetuar këto lloj situatash në mes të arbëreshëve të Italisë, prapë emocionohem bile nis të brengosem. Është ende dita e parë!

– Pleqtë tanë e vuajnë më shumë nga të gjithë tragjedinë e ditëve që rrojmë, – shton Jani. –S’kanë ç’t’ë bëjnë dhe shohin mirazhe në ditë me diell. Ngjiten nëpër kodra dhe përpiqen të shohin nga ana e lindjes, përtej Evrosit. Rrudhin sytë dhe u bëhet se shikojnë vendet nga erdhën, atë tokë të huaj që ata u munduan ta adoptojnë. Shohin me sytë e mendjes dhe të zemrës dhe jo ato të vërtetit. Ndodh që kjo nuk i kënaq dhe atëherë ngrihen dhe marrin rrugën për matanë. Shkojnë shkelin fshatin e tyre, atje ku kanë lindur, ku kanë shtëpinë e varret, përfalen me to dhe pastaj kthehen këtej të munduar nga malli e kujtimet.

Ne më të rinjtë rrimë i dëgjojmë: ata rrëfejnë e flasin sa të dhimbsen. Atëherë, dashur pa dashur, fjalët e tyre kthehen në amanete.

E kuptoj dhe e besoj gjithë sa tregon Jani. Më kishin folur për këta pleq edhe pleqtë turq të Ibrik-Tepesë vite më parë, kur kisha shkuar atje për të parë e nderuar vendlindjen e Fan Nolit. Atëherë më dukej gati e pabesueshme dhe as e merrja me mend se ç’bëhej përkëtej.

Përkëtej kisha ardhur tani dhe tek gjendesha këtu mezi prisja të njihesha me shqiptarët, të vendosur në këto anë, të bisedoja me ta, të shihja se si jetonin e ç’bënin. Përmes tyre, sigurisht, doja të njihja më mirë Fan Nolin, mjedisin nga ai doli, zakonet e psikologjinë e bashkëfshatarëve të tij, Qytezën që e lindi, gjurmët e një kohe të largët.


II

Dalim nga shtëpia dhe ecim nëpër rrugët e Feresit. Dita është bukur, por pak e nxehtë. Fushat e Trakës nuk mund të merren me mend pa diellin mesdhetar. Feresi më ngjan, ashtu siç më kanë thënë, qytet edhe fshat. Ai shtrihet, gati i tëri në fushë, rrëzë kodrave të bleruara të Shën Parashqevisë. Ndërtesat publike dhe magazinat dallohen ndërmjet shtëpive të ulëta dhe oborreve fshatare; përtej shesheve duken gardhet, nëpër rrugë lëvizin vetura e traktorë, karro dhe bagëti.

Kosta dhe Jani më tregojnë se qyteti ngrihet mbi rrënojat e Viresë së lashtë bizantine dhe se emri i tij është i përmendur në histori. Njihet nga grekët me emrin Feres, kurse nga turqit Ferenxhik; po pavarësisht se si quhet, ai ka qenë dhe ka mbetur në këto anë qendër ekonomike, administrative e ushtarake. E kanë bërë të tillë Feresin fushat e begata, ujërat e shumta, pyjet e pasur, fakti se ai gjendet në kryqëzim, ndanë rrugëve tregtare e strategjike.

Janë vende vërtet të bukura e pjellore, ku rrahin erërat e Egjeut dhe të maleve të Rodopit, po ku kanë rrahur dhe erëra të forta kohërave. Mjafton të lexosh historinë e të kuptosh se këto anë si zona kufitare kanë qenë arenë luftërash e teatër ngjarjesh dramatike. Në mes tyre janë gjendur dhe shqiptarët e Trakës, fati i të cilëve është pleksur me fatin e këtij vendi të shqetësuar. Kur mendon për këto nuk mund të mos kesh parasysh dhe jetën e Fan Nolit.

Kalojmë nëpër rrugë dhe pa dashur tërheqim vëmendjen e njerëzve të Feresit. Në një qytet të vogël, një fytyrë e panjohur s’ka si të mos bjerë në sy. Të parët janë pleqtë ata që marrin vesh se dikush ka ardhur nga Shqipëria. Vështrojnë nga tavolinat e kafeneve, anë trotuareve, nga dyert e dyqaneve apo tek shëtisin në rrugë. I sheh të buzëqeshin e të përshëndesin. Të tjerë vijnë e të takojnë, të shtrëngojnë fortë ose të rrokin në qafë. Janë të mallëngjyer. Mallëngjimi i pleqve në këso rastesh është si mallëngjimi i fëmijëve. Të prek, aq i çiltër dhe i vetvetishëm është. Fytyra të molisura nga malli, sy të tradhtuar nga lotët, buzë që dridhen. Pastaj dëgjon të ligjërojë nga gjokset e tyre të ronitura gjuha shqipe, me një tingull të ngrohtë, po dhe disi të veçantë. Ndjen se në jonet e saj kanë rënduar kohërat dhe hapësirat.

Nuk mund të thuash se e ke një përfytyrim të plotë të Feresit dhe të rrethinës së tij, në qoftë se nuk ngjitesh në kullën e lartë të Pirgut. Prej aty soditet panorama e hapur e tepër piktoreske e viseve të Trakës, fushat e saj të gjera, tokat e punuara, brezat e pyjeve, vija e kaltër e lumit Evros, që shkrihet në një me horizontin e pafund. Para hapësirave trakase, Feresi duket i vogël, e megjithatë i përmbledhur e i këndshëm. Nën kullë vjen menjëherë kisha e Shën-Sofisë, ngrehinë e vjetër nga shekulli i 12, imitim i varfër i asaj te Stambollit.

— Gjithë pjesa e andejshme e Feresit, — thotë Kosta duke treguar me dorë nga krahu i majtë,- është lagjja e shqiptarëve. Vendësit e thërrisnin Arvanitiko. Shumica janë familje të ardhura nga Qyteza dhe Alltentashi. Ne këtu përbëjmë gjysmën e banorëve. Të tjerët janë vendalinj. Po ç’është e vërteta me greket rrojmë në miqësi e vëllazëri. Nuk është vetëm feja që na afron, po dhe jeta e përbashkët, hallet e gazet e njëjta. Kjo ka çuar dhe në martesa të ndërsjellta. Kështu si në Feres, ndodh dhe gjetkë; vështirë të themi se kemi probleme. Shqiptari ka burrëri, di t’i respektojë të tjerët, aq më tepër kur në këtë vend ne kemi gjetur strehë dhe mikpritje.

Mua më duket që ka diçka të ngjashme në mes fushave të Trakës dhe atyre të Myzeqesë. Hapësira të kaltra, breza të gjelbër, një tejdukshmëri vezulluese, e mbi të gjitha bukuria dhe pjelloria e tokës.

Jani, tek më vë re që i kam mbërthyer sytë nga fushat më thotë:

— Këto janë dherat tanë, të cilët kemi kaq mote që i punojmë. Të gjithë këtu pothuajse janë reshperë, domethënë bujq, si i thoni ju në Shqipëri. Merren me dhera, i lërojnë, u bëjnë hyzmet me nikoqirllëk dhe kur mban koha, ato japin goxha. Se këtu klima është neqeze e madhe, bën të ftohtë e të ngrohtë pa hesap. Ja, këtë mot, siç e vreni, i kemi të lashtat e mbara. Punojnë të vjetrit, sidomos ata të brezit të mesëm, kurse të rinjtë nuk para kanë qejf të merren me reshperllëk. Më shumë venë në kurbet dhe atje si do që punojnë rëndë, prapë venë. Ka dhe nga ata që mësojnë nëpër shkolla që s’i ka Feresi; në Aleksandropul, në Selanik, në Athinë e gjetkë. Largimi nga fshati në njëfarë mënyrë i ndan nga shtëpia, i shkëput nga gjuha, i ftoh nga zakonet tona dhe këto domosdo sjellin pasoja që ne s’i duam.

Kemi zbritur nga Pirgu dhe shëtisim rishtas. Kalojmë nëpër ca rrugë të ngushta, ndanë gardheve të shtëpive dhe dalim në një shesh të gjerë ku ngrihet një lapidar i mermertë.

—Po gjuha, a mbahet? — pyes dhe e harroj se po bëj pyetjen më të vështirë e më delikate. Miqtë nuk më përgjigjen menjëherë. Mua më duket që secili pret të përgjigjet tjetri.

—Sa për gjuhën, — përgjigjet pas një pushimi Kosta, — ka ikur ajo kohë që mund t’ju gëzonim. Gjuha po humbet, në mos e ka humbur davanë. Po prapë do ta dëgjosh të flitet këtu në Feres, më shumë akoma në Tiqero, po dhe në Kipseli, në Parathimi, në Qipi e ku ka shqiptarë. Nga kush do të dëgjosh do të thuash? Nga pleqtë domosdo. Ata janë që e mbajnë të plotë, siç e suallë andej nga erdhën. Ne të brezit të mesëm, siç na dëgjon e dimë trazuar dhe përpiqemi të mbahemi pas saj dhe ajo pas nesh. S’është kollaj kjo dava. Dava e rëndë shumë që nuk e mbajnë dot shpatullat tona të lodhura nga kohërat, nga hallet, nga gjuhërat që fliten përqark nesh. Sepse jeta na ka bërë dhe nevoja na ka mësuar të japim e të marrim edhe në gjuhët e tjera. Të parët tanë flasin gjuhën e nënës, po dhe greqisht, dhe turqisht, dhe sllavçe.

Papritur dëgjohen zëra fëmijësh dhe zhurma të gëzuara sikur të fluturonin mbi kokat tona trumba zogjsh. Tufa nxënësish me çanta në krah kalojnë para nesh.

— Kjo është shkolla jonë, — nxiton të shpjegojë Kosta. — Është ajo e shkallës së parë. Këtu punoj unë. Pastaj kemi gjimnazin që gjendet pak më tutje. Në të dyja mësojnë fëmijët tanë.

Kalojmë para shkollës dhe takohemi rastësisht me drejtorin dhe disa mësues. Ndonjë flet shqip, të tjerë gëzohen që takohen me një mik të rrallë në këto anë dhe nuk rrinë pa shfaqur habi.

— Kuvendojmë dhe në alvanika, paçka se kemi dhe llafe elenika e turqika. Dëgjoj një zë të këmbueshëm dhe shoh fytyrën e gëzuar të një burri të moshuar. Marr vesh se është shërbyesi i shkollës. – Gjuha shqipe është gjuha e dallëndyshes, si thua zotrote?

Në vend të përgjigjes, rrok në qafë këtë burrë shtat- lartë dhe energjik, ndërsa të tjerët vështrojnë me ca sy të përgjëruar dhe flasin shqip dhe greqisht.

Kjo është shëtitja e parë në Feres.



U ktheva në shtëpi me një ndjenjë ngazëllimi atë mesditë. Kisha përshtypjen se tani isha vërtet në Trakën e Fan Nolit, në mes të bashkëfshatarëve të tij. Sido që nuk ndodhesha në Qytezë, prapë ajo sikur ekzistonte në njëfarë mënyre në këto anë. A nuk ishin njerëzit e saj që e kishin sjellë atë përkëtej kufirit?

Prania e Qytezës më bëhej edhe më e gjallë, kur mendoja udhëtimin tim vite të shkuara në vendlindjen e Nolit. Nuk do ta harroj kurrë, sepse dhe sot kur e kujtoj më kap trishtimi. Kisha vajtur në Ibrik-Tepe dhe Qytezën çuditërisht nuk e kisha gjetur. Ajo nuk ekzistonte më. Fshati, sado i populluar me vendës m’u duk i zbrazët, krejt i shkretë. S’ka gjë më të trishtuar se të gjesh një shtëpi të braktisur. Kështu më ngjante Ibrik-Tepeja atë ditë vere, me gjithë bujarinë e mikpritjen e vendësve të rinj. Ata do te kuptonin gjendjen time dhe do të më thoshin me një përzemërsi prekëse:

– Kanë ikur, morvëlla. Kanë shumë kohë që janë larguar prej këtej. As ne s’i kemi njohur. Në qoftë se doni t’i takoni i keni ja, atje përtej, matanë lumit Meriç, menjëherë pas kufirit. Atje i gjeni, siç kanë qenë këtu. Kështu thonë dhe me të thënë e kemi. Nuk duam t’iu gënjejmë. Miku kurrë nuk gënjehet. Turku s’e gënjen arnautin!

-Këtu të gjithë sa shikoni, kanë qenë arat dhe shtëpitë e tyre. Shumë nga këto janë ashtu siç i kanë lënë ata. Ne s’kishim si t’i prishnim. As varret nuk ia kemi ngarë. Kishën po, se ne kemi tjetër besë. Binaja është po ajo, veç e kemi kthyer në xhami. Duam dhe ne të falemi, siç falen dhe ata në besën e tyre, atje ku janë. Po të ngjitesh te ajo kodra atje, do t’i shohësh fshatrat e tyre, ja përtej Meriçit.

I dëgjoja atëherë këto fjalë të burrave të Ibrik-Tepesë turke dhe sytë më shkonin vetëm nga ajo anë që më tregonin ata.

Disa ditë më vonë, duke u larguar nga Turqia, m’u desh të kaloja kufirin, nëpër rrugën që përshkon Trakën. Fill pas urës që ngrihet mbi lumin Meriç-Evro, m’u shfaqën menjëherë. fshatrat greke. Ishin ato për të cilat më kishin treguar në Ibrik-Tepe. Atëherë nuk ua dija as emrin. Dija vetëm se në një prej tyre që thirrej Feres jetonte një nga motrat e Nolit. Po cili do të ishte ky fshat? Kjo pyetje më mbeti pa përgjigje dhe mbaj mend gjendjen e pakëndshme shpirtërore që m’u krijua. Po kaloja pranë bashkëfshatarëve të Nolit dhe nuk kisha mundësi të qëndroja. Më ngushëlloi vetëm njohja në postën greke të kufirit me një nga doganierët që më tha: “Jam shqiptar nga fisi i Nolit dhe motra e tij është akoma gjallë”. Edhe të tjerë doganierë të kësaj poste, sa herë do të takoheshin me shqiptarë, do të paraqiteshin si farefis të poetit. Në të vërtetë më vonë do të merrja vesh nga xha Jani se asnjërin prej tyre s’e kishin fis, por paraqiteshin si të tillë. Sepse më shumë se emër tjetër, shqiptarët e Trakës i bashkon dhe nderon emri i Nolit.

Tani që kisha ardhur në Trakën greke, edhe pse përjetoja një ndjenjë ngazëllimi nuk isha i qetë. Ishte ky një paradoks rrethanash; apo një nyjë psikologjike kontradiktore, pas së cilës isha mbërthyer? Me sa duket; akoma nuk qeshë mësuar me zhvendosjen që kishte ndodhur, me zhvendosjen totale të bashkësisë së shqiptarëve të Trakës dhe të vetë Qytezës. Këto nuk ishin më atje ku i kishte lënë Noli, po qenë zhvendosur më tutje. Pa lëvizur toka, kishin njerëzit, familjet e fisit, tërë bashkësia nga njëra anë Meriç-Evro në tjetrën. Një tërmet i fuqishëm në historinë e Trakës, një tronditje në fatin e tyre, ja paradoksi i kësaj bashkësie që më kishte vënë mua në mendime e që më duhej të mësohesha. Të mësohesha të bashkoja në një vendlindjen e hapësirat e saj që ndodheshin në Ibrik-Tepe me njerëzit e Qytezës, që ishin hapërdarë nëpër viset e Trakës greke.

Në qoftë se në Ibrik-Tepe kisha shkelur dhe e kisha të qartë tanimë pamjen dhe relievin e saj, njerëzit e këtij ngulimi shqiptar i njihja pak ose aspak. Kur them njerëzit, kam parasysh banorët e Qytezës, ata që kishin lindur dhe kishin jetuar atje, që ruanin në një mënyrë a në një tjetër diçka nga koha e Nolit.

Mendoja këtë gjë dhe dyshoja se mos kisha ardhur me vonesë. Ishte fjala për vite të largëta, që vetëm pleqtë mund t’i mbanin mend e të tregonin. Po a kishte nga këta?


30 shtator 2018