Mesazhi i shqiptarit nga Vjena: Pse ia dhuroj vilën time Nexhmije Hoxhës

Një shqiptar i Maqedonisë me banim në Vienë, Sali Zuberoski, i ofron Nexhmije Hoxhës një vilë në Manastir.

Në mungesë të një komunikimi të drejtpërdrejtë me zonjën Hoxha, zoti Zuberoski ia ka njoftuar këtë me anë të një mesazhi avokatit Idajet Beqiri, i cili e ka dërguar më pas në redaksinë e gazetës DITA.

“Po jua dërgoj këtë mesazh në Dita, sepse në të vërtetë, unë nuk jam avokat i Nexhmije Hoxhës, por i Rustem Peçit për çështjen që sapo është hapur. Jua dërgoj me kënaqësi për të parë se si reagojnë shqiptarët në momente të tilla. Atë që shteti e bën me dhunën e tij, e amortizojnë shqiptarët me përkrahjen, me solidaritetin që tregojnë”.

Ky person që ofron këtë ndihmë për familjen Hoxha është një shqiptar prej Manastirit, qytetit ku ka lindur Nexhmija afro 98 vite më parë. Por edhe qyteti ku u mbajt Kongresi i famshëm për alfabetin e shqipes 110 vjet më parë.

Gjatë këtyre ditëve ne kemi marrë reagime nga familjet banore të godinave që preken nga Unaza e Re e Tiranës, mes të cilave familjet Hoxha dhe Peçi.

Gazetari Xhevdet Shehu që e ka ndjekur kètë çështje prej disa numrash shkruan sot në DITA:

“Njëzet e tetë vite të shkuara familjen e Enver Hoxhës dhe të Rustem Peçit, me një akt hakmarrës dhe denigrues, i çuan qëllimisht për të banuar në ish-Pularinë e Laprakës.

Në një shkrim të para pak ditëve unë nënvizoja faktin se në atë banesë të Pularisë së Laprakës regjimi i Sali Berishës në gjysmën e parë të viteve ’90 e arrestoi Shefqet Peçin dhe e transportuan me barrelë për në burg ku edhe vdiq. Në të vërtetë qeveria e një çerek shekulli më parë, me këtë gjest, në vend të fitonte pikë, humbi maksimalisht. Duket sikur historia po përsëritet pas 25 vjetësh me një shembull të ngjashëm.

Hoxhajt dhe Peçët i kanë blerë dhe hipotekuar këto hyrje, pra i kanë pronë private dhe megjithëse bëhet fjalë për një godinë të përshtatur dhe arnuar, duket se ishin ambientuar me këtë gjendje. Jetojnë në kushte skajshmërisht të vobekta dhe kush i ka parë apo vizituar është bindur për këtë edhe nëse ka qenë skeptik”.

Më poshtë mesazhi i plotë i z.Sali Zuberoski, botuar sot nga DITA:

I nderuari Idajet Beqiri

Respekt për ju. Më njihni mirë kur ju kishim udhëheqësin tonë të FBKSH. Nga shkrimi juaj te Dita mësova se Nexhmije Hoxha mund të mbesë pa shtëpi për shkak të makinacioneve dhe hakmarrjes primitive. Unë Sali Zuberoski, nga Manastiri, por rezident në Wien të Austrisë prej vitesh, i vë në dispozicion Zonjës Nexhmije Hoxha vilën time në Manastir, falas, pa qera, me qëllim që të jetoj aty me gjithë familjen e saj, duke u bërë pronare e kësaj vile. Me respekt për ju atdhetar i spikatur.

Sali Zuberoski – Wien, Austri


10 Nëntor 2018