Mbi procesin e punës krijuese e studimore të Fan Nolit

Nga prof. Nasho Jorgaqi

Të hetosh e të studiosh në burimet fillet dhe proceset e krijimtarisë së Fan Nolit, do të thotë të hedhësh dritë e të ndihmosh për të njohur e çmuar më mirë vlerat e vërteta të veprës së tij. Duhet të themi që në krye se zgjidhja dhe ftillimi i kësaj detyre ballafaqohet me disa vështirësi jo të vogla, po të kemi parasysh, nga një anë se krijimtaria e Fan Nolit shtrihet në disa fusha dhe, nga ana tjetër, burimet e mirëfillta që do t’i shërbenin njohjes së thellë të problemit janë të kufizuara dhe të tërthorta. Puna krijuese, siç dihet, është një proces i gjatë e i ndërlikuar, pasqyrë e një vargu faktorësh objektivë e subjektivë, ku mpleksen probleme të formimit botëkuptimor e kulturor, aspekte të psikologjisë e të teorisë së krijimit, çështje të teknikës së punës dhe të veçorive të ndryshme individuale.

Rruga që ndjek krijimi i një vepre nga përshtypjet e para e lindja e idesë, në procesin e gjallë të përjetimit e të lëvrimit të lëndës, të gjetjes së mjeteve shprehëse, në përftimin përfundimtar të vetë veprës-të gjitha këto kanë të bëjnë me laboratorin e punës së krijuesit. Në rastin tonë shtrohet detyra që të njihemi nga afër me laboratorin e punës së Nolit: të hetojmë e të zbërthejmë disa prej proceseve të brendshme dhe metodologjinë e punës që ai ndoqi, etapat që çuan në krijimin e veprave të tij madhore.

Fillet e krijimtarisë në jetën e Fan Nolit duhen kërkuar në dhuntinë natyrale, në disa shfaqje të natyrës së tij artistike, por dhe në atë përgatitje e formim që mori qysh në moshë të re. Që për së vogli ai mori një edukatë muzikore, e cila, siç thotë Gëtja, ushqen e nxit natyrat artistike. Pas muzikës, interesat e tij krijuese do t’i stimulojë teatri. Jeta dhe puna e Nolit të ri në një mjedis artistik e bën të shohë nga afër ballafaqimin e artit në jetën e njerëzve. Këtu ai mësoi fillimisht mjeshtërinë e të shkruarit. Gjatë 4-5 vjetëve që shërbeu si sufler në një teatër shëtitës, Noli u mor me kopjimin e roleve dhe redaktimin e pjesëve dramatike.

Ky është kontakti i parë i Nolit me krijimtarinë artistike që u shoqërua edhe me leximin sistematik të një vargu veprash të shquara letrare, qysh në rininë e hershme dhe ku një vend të veçantë do të zërë libri shqip. Libri i parë shqip që lexoi ishte një përkthim i Kristoforidhit, që, sipas Nolit, i dha “një ide se ç’mund të bëjë një gjuhë e gjallë, një gjuhë që kuptohet nga i gjithë populli”.

Më vonë ai do të punonte si kopist te një dramaturg, i cili do t’i diktonte veprat e veta. Një punë e këtillë e bëri Nolin e ri të njihet drejtpërdrejt me përvojën e krijimit , me laboratorin e punës të një shkrimtari. Shpejt ai do të bënte sprovat e para letrare. Do të shkruante dramën e parë origjinale dhe do të përkthente disa drama të huaja për nevojat e teatrit.

Më tej, në kushtet e reja, interesave të veta krijuese ai do t’u jepte një qëllim kombëtar. Në mjedisin patriotik të shqiptarëve të Misirit, ai do të përkthente një vepër madhore të Rilindjes sonë, siç është vepra e Samiut “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Talenti i Nolit do të zgjohet fuqishëm e do të marrë krah në përpjekjet për organizimin e lëvizjes kombëtare në krye të shqiptarëve të Amerikës. Idetë frymëzuese dhe nevojat e kësaj lëvizjeje do ta bëjnë Nolin brenda një kohe të shkurtër gazetar e orator.

Në luftën për kauzën kombëtare në mes të vëllezërve të tij punëtorë të mërgimit, Fan Noli do të farkëtojë, bashkë me idealin politik dhe konceptet e veta ideoartistike, që do ta udhëheqin në veprimtarinë e gjithanshme krijuese. Është pikërisht kjo etapë e parë, etapa e dy dekadave të para të shekullit tonë që do ta përgatisin Nolin për etapën e pjekurisë, atë të viteve 20 e këtej, kur lindën veprat e tij madhore.

Për të hyrë në laboratorin e krijimtarisë së Nolit ne do të mbështetemi në të dhënat e drejtpërdrejta, dhe në mungesë të tyre, do të shfrytëzojmë burime të tërthorta. Në radhë të parë, do të gjykojmë nga dorëshkrimet e disa veprave dhe fletoret e shënimeve, të cilat, ndonëse jo të plota, përbëjnë burimin kryesor. Qëllimit tonë i shërbejnë dhe epistolari, autobiografia, disa nga bisedat e tij dhe introduktet. Studimet e tij historiko-biografike, sidomos monografia mbi Bethovenin na jep dorë për të kuptuar gjykimet e Nolit mbi procesin krijues. Materiale interesante na ofrojnë disa nga kujtimet e bashkëkohësve, librat e bibliotekës së tij personale dhe shënime të ndryshme.

Këto burime na e bëjnë të mundur studimin shkencor të problemit, duke e shqyrtuar procesin e punës krijuese të Fan Nolit në dy aspekte:

Së pari, në përcaktimin e “filozofisë” së krijimit, të koncepteve ideoestetike dhe parimeve të pasqyrimit ideoartistik.

Së dyti, në shqyrtimin nga afër të laboratorit të punës së shkrimtarit, të “teknologjisë” së veprave të tij, të formave dhe mjeteve që ka përdorur autori lidhur ngushtë me etapat e veçoritë e procesit krijues.

“Filozofia” e krijimit të Fan Nolit, (e cila do të meritonte një studim më vete dhe që në këtë rast nuk do të merremi) ka të bëjë me mendimin e tij estetik, me ato parime të botëkuptimit që e kanë udhëhequr në veprimtarinë letrare. Nga kjo pikëpamje duhet thënë se konceptet e tij themelore janë demokratike dhe shpesh materialiste, sepse ai i ka njohur artit funksionin shoqëror dhe i ka analizuar veprat artistike në rrafshin social e historik, duke i dhënë përparësi brendësisë mbi formën dhe duke qëndruar larg çdo mistifikimi dhe fetishizmi të artit.

Mbi këto parime të shëndosha ideoartistike është ngritur e gjithë vepra e tij. Kjo shpjegon dhe arsyet e rolit që ajo ka luajtur në çështjen e çlirimit kombëtar dhe të emancipimit të shoqërisë e të kulturës shqiptare.

1

Krijimtaria e Fan Nolit, siç dihet, paraqitet mjaft e gjerë, por ne do të merremi në radhë të parë me laboratorin e poezisë së tij, e pastaj do të japim disa mendime e të dhëna dhe për fushën e studimeve historiko-biografike.

Poeti ynë i shquar na ka lënë kryesisht 26 vjersha origjinale, të cilat i shkroi me intervale të gjata, në një periudhë kohore prej afro 60 vjetësh. Vjershën e parë “Fryj, moj erë” e botoi në moshën 25 vjeçare, më 1907, ndërsa të fundit “Vdekja e sulltanit” në pleqëri të thellë, më 1964. Shtojmë se poezinë e vet madhore ai e krijoi pas moshës 40-vjeçare.

Duke medituar e gjykuar mbi këto fakte, ne mund të qartësojmë, nga një anë, karakterin dhe tiparet e poezisë noliane, dhe, nga ana tjetër, të zbulojmë burimet dhe rrethanat konkrete të krijimtarisë, motodologjinë e punës dhe manierat e tij artistike.

Në radhë të parë, duhet të themi se poezia e Nolit lindi në momente të rëndësishme historike, se ajo u shfaq në jetën e tij në varësi nga kërkesat e domosdoshme të kohës.

Fan Noli nuk u mor rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me poezi. Ai nuk krijoi në kohë të qeta e ditë të zakonshme. Ai u bë poet në momente të caktuara të jetës sonë kombëtare. Qenë impulset e forta politike që i zgjuan impulse të fuqishme poetike. Poeti shpërtheu në ngjarje të rëndësishme, thirri e këndoi kur e desh çasti historik dhe kulmet e luftës përftuan dhe kulme të poezisë. Këtë e dëshmon fare qartë “Albumi” i tij.

Duke qenë kështu, poezi madhore e Fan Nolit lindi si një poezi politike, e mpleksur me problematikën e kohës, larg çdo tendence meditative dhe mbyllje në vetvete. Në të do të shkrihen emocionet e poetit me patosin e militantit dhe brenda kufijve të poezisë do të ndihet dhe gjykimi i studiuesit të historisë.

Në disa nga ngjarjet e historisë shqiptare, që ai ka përfshirë në fokusin e poezisë së tij, Noli ka qenë subjekt dhe objekt. Prej kësaj vjen dhe prania e elementëve autobiografikë në të. Vetë ai do të pohojë se “më të shumtat e vjershave origjinale, janë pak a shumë autobiografike”. Më vonë, poeti për këtë problem do të thotë: “Shkruani biografinë tuaj, shkruajeni pastaj rishtaz, por pa fshehur gjë…shkruani gjithçka dhe të jeni të sigurt që do të shkruani një libër shumë interesant”. Merita e Nolit qëndron në atë, që duke u mbështetur në përvojën e tij politike, duke përshkruar momente nga jeta e tij, arriti që në vjershat më të mira t’i objektivizojë ndjenjat e mendimet vetjake, të ngrihet mbi to dhe të bëjë disa përgjithësime me vlerë. Ky tipar i poezisë noliane duket qartë në vjershat e viteve 20, që të marra së toku përbëjnë një ditar lirik retrospektiv të luftës politike që ai zhvilloi.

Sado i ndërlikuar e i vështirë që të jetë studimi i procesit të krijimtarisë poetike, nuk është një fenomen irracional, siç orvaten të paraqesin estetët idealistë. Ajo mund të studiohet shkencërisht, duke e parë e shqyrtuar nga afër në të gjitha etapat. Dëshmi për këtë është dhe laboratori i poezisë së Nolit, janë ato etapa nëpër të cilat ka kaluar krijimi i secilës vepër.

Në këtë vështrim, dorëshkrimet dhe studimi tekstologjik i disa prej tyre janë burimi i parë që na jep dorë për të njohur së brendshmi punën laboratorike dhe parimet e tij krijuese.

Etapa e parë e procesit krijues që ka të bëjë me frymëzimin poetik tek Fan Noli, në rrafshin e përgjithshëm na është e qartë, po të kemi parasysh interesat e tij të gjera, lidhjet shpirtërore me fatin e atdheut e të progresit shoqëror, pjesëmarrjen aktive dhe rolin në ngjarjet e rëndësishme të historisë kombëtare.

“Frymëzimin unë e mora nga Rilindja Shqiptare.-pohon Noli për fillimin e veprimtarisë krijuese.-Qëllimi ynë ishte pavarësia e Shqipërisë dhe shpurja përpara e letërsisë dhe kulturës shqiptare ”.

Në krye do të qenë ngjarje e momente nga jeta e kolonisë shqiptare që do të preknin ndjenjat e poetit e do t’i zgjonin frymëzimin. Kështu, ishin dertet e shqetësimet e kurbetçinjve ato që bënë të lindin vjershat “Fryj, moj erë” dhe “Jepni për nënën”. Në to ndihet frymëzimi i hovshëm i çastit, pulsojnë ndjenjat e ndezura dhe rrethana prekëse të kohës. Ai niset për motive konkrete dhe ndjek traditën e shëndoshë të Rilindjes.

“Shqiptarët kurbetçinj ishin fshatarë dhe pak prej tyre kishin ndjekur shkollën,-shpjegoi ai më vonë.-Pra, unë u përpoqa të komunikoja me ta dhe e vetmja mënyrë ishte të flisja me një gjuhë të thjeshtë e të pastër dhe ata ishin mësuesit e mi më të mirë”.

Në periudhën e pjekurisë, në vitet ‘20, kur ai kalon nëpër rrugët e luftës dhe thellon më tej përvojën e nxjerr mësime të rëndësishme prej saj, poezia e tij do të paraqitet si një vokacion origjinal, me cilësi të reja ideoartistike. Frymëzimi i poetit do të rrokë më gjerë jetën dhe historinë shqiptare, do të ngrihet mbi mendime më të thella e ide përgjithësuese. Kjo do të gjejë shprehjen e vet te cikli biblik, po mishërimin më të plotë artistik do ta shohim te vjershat “Himni i flamurit”, “Anës lumenjve”, “Rent, o maratonomak”. Tani nuk do të kemi të bëjmë me frymëzime të çastit nga ngjarjet e ditës. Poezia e periudhës së pjekurisë do të jetë një fryt i një përjetimi të thellë e i një njohje racionale të jetës politiko-shoqërore, të fenomeneve të saj dhe të disa prej përfaqësuesve kryesorë të forcave politike e veç këtyre, fryt i përqafimit të ideve të reja, i patosit të luftës, por dhe i kontradiktave dhe i disa paqartësive të poetit.

Për faktin se si e ndiqte dhe e studionte Noli jetën politike e shoqërore të vendit, janë me interes disa të dhëna arkivale. Në një fletore të poetit, që nga 269 faqe kanë mbetur vetëm 37, gjejmë shënime me të dhëna, konsiderata dhe mendime mbi figurat kryesore politike të kohës. Ai u bën portretin bashkëluftëtarëve dhe kundërshtarëve, patriotëve dhe armiqve të popullit shqiptar, që më vonë do t’i gjejmë të mishëruara në figura artistike të ciklit biblik. Kështu, Ahmet Zogun e quan “nga krerët feudalë të qëmotshëm…,që janë të zotrit t’i bëjnë Shqipërisë të ligë si të duan…” dhe “që ka lindur në kullë të shtëpisë së tij të quajtur Burgu i jetës”. … Kurse për Myfit Libohovën “kryelartësia e të cilit është në disproporcje të tmerruar me vlerën personale”, shkruan se s’është fare i zoti përpunët e larta…dhe kërkon që Shqipëria të qeveriset nga bejlerët, të cilët janë një tokicë… të korruptuar, të pazotë…”.

Në këto shënime ai do të evidentojë përkatësinë klasore, aspekte të psikologjisë së tyre, momente të ndryshme politike dhe pikëpamjen e vetë Nolit për ta. S’është vështirë të kuptohet se ky material jetësor i ka shërbyer poetit për të krijuar figura përgjithësuese si ajo e Barabait apo e Shën Pjetrit e Kirenarit apo e Salep-Sulltanit etj.

Në këtë vështrim janë gjithashtu me interes disa mendime të Nolit që ka shprehur gjatë bisedave apo fjalimeve. Ai do të tregonte episode apo paravoli anekdotike të huazuara nga bibla për të bërë analogji apo për të shpjeguar ngjarjet politike të kohës. Këto, ashtu si dhe vjershat më vonë, s’kishin të bënin fare me fenë por, me sa duket, ai e ndiente veten më të lirë të fliste me një gjuhë alegorike ose t’i shpallte mendimet e veta në forma të tërthorta. Kështu, në një predikim publik, Noli ngjarjet e Qershorit të 24-ës do t’i tregonte me anë të kësaj paravolie anekdotike: “Vajti njëherë Jezui në një tempull çifutësh dhe pa se aty ishin mbledhur një tufë xhambazësh dhe po bënin pazar bagëtish. Atëherë Jezui u zemërua keq dhe nxorri rripin e thirri: “ Hajt, sikter që këndej” dhe me rrip i dëboi nga tempulli i shenjtë. Kështu dhe Zogolli me bejlerët, Shqipërinë, këtë tempull të shenjtë, na e kishin bërë pazar bagëtish. Po ne nuk i lamë. E bëmë si Jezui, i thamë: “Hajt, sikter prej këndej se Shqipërinë e kemi të shenjtë dhe i dëbuam varr-rrëmihësit e atdheut”.

S’është vështirë të kuptohet se prej këtij episodi të treguar nga Noli lindi motive që ai vuri në themel të vjershës “Krishti me kamxhikun”, ku alegorisht shtroi nevojën e përdorimit të dhunës.

Fakte të ndryshme të kultit i shërbejnë poetit për të hequr me paralelizma të tjera në mes episodeve e figurave biblike me ngjarje e fytyra të jetës politike shqiptare të viteve 20. Ai mori skelete e korniza të fosilizuara të Biblës dhe i mbushi me atmosferën e luftës, vendosi në to portrete të figurave bashkëkohore, shfreu dufet politike, vuri diçka nga përvoja e vet, u dha atyre një fizionomi shqiptare. Poeti ndoqi rrugën analogjisë, jo aq se i gjeti figurat e gatshme, sesa nëpërmjet simbolikës biblike që bëri në mënyrë figurative përgjithësime e dha lirisht gjykime të rëndësishme, bëri kritikë e autokritikë, foli me gjuhën e aludimeve për fenomene, ngjarje, persona historikë.

Nën ndikimin e fuqishëm të lëvizjes revolucionare dhe të disa prej ideve të avancuara të kohës, si dhe duke ndier nevojën e një komunikimi më të gjerë, poeti do të shkëputet nga atmosfera e figuracioni biblik dhe do të krijojë elegjitë e pastaj vjershat madhore “Rent, or maratonomak” dhe “Anës lumenjve”.

Në këto poezi gjejmë të pranishëm jo vetëm frymëzimin dhe mendimin e mishëruar artistikisht, por dhe elemente të punës këmbëngulëse për një shprehje sa më të bukur e më të fuqishme poetike.

Këtë përshtypje të krijon studimi i varianteve në dorëshkrim i disa poezive të tij, të cilat me sa duket janë përpunuar në disa drejtime:

a) për të dhënë sa më qartë mendimin kryesor të vjershës dhe idetë e tjera, të renditura sipas rëndësisë së tyre,

b) për të gjetur një shprehje artistike sa më adekuate përmes varianteve të ndryshme të frazës poetike, të spostimit të vargjeve a të strofave, të zëvendësimit të fjalëve, etj.

c) për një tingëllim e muzikalitet sa më të harmonishëm, duke e kombinuar këtë gjë me synimin për një stil konçiz e lakonik e një leksik të zgjedhur poetik,

ç) për ta shkarkuar e lehtësuar nga erudicioni biblik dhe emërtimet e kultit, që shpesh e rëndojnë poezinë e Nolit.

Kështu, vjersha “Moisiu në mal” i është nënshtruar një përpunimi të thellë për të gjetur atë trajtë artistike që do t’i komunikonte lexuesit gjendjen e trazuar të heroit, përsiatjet e tij, ato dufe politike të kohës që janë njëkohësisht dhe të vetë Nolit. Ndihet puna këmbëngulëse për një shprehje të saktë e konçize, disa herë eliptike, e shoqëruar me kujdesin për një kadencë ritmike sa më funksionale. Veçanërisht, autori ka punuar të nxjerrë në pah idenë e Moisiut çlirimtar, duke e bërë këtë në mënyrë të shkallëzuar. Në qoftë se në variantin e parë e gjejmë të përsëritur fjalën liberator disa herë, në variantin përfundimtar epiteti liberator, që bart idenë kryesore të saj, na jepet vetëm në strofën e fundit.

Për t’i dhënë vjershës “Marshi i Krishtit” tonet e kumbimin e një marshi ngadhënjyes, siç e kërkon ideja, autori e ka ripunuar duke e pasuruar me variacione të gjetura ritmike, duke shfrytëzuar efektet sonore të fjalëve, përsëritjet, aliteracionin, efektet onomatopeike, për t’u harmonizuar këto me thirrjen biblike: Hosana!

Variantet e vjershës “Anës lumenjve” flasin për atë punë të ndërgjegjshme që ka bërë autori për t’ia rritur vlerat ideoartistike nëpërmjet zbulimit gradual të gjendjes shpirtërore të heroit lirik, si refleks i situatave nëpër të cilat kalonte lëvizja revolucionare shqiptare e kohës. Notat realiste dhe theksi kushtrimtar i pjesës së dytë zënë vendin kryesor në përpunimin që ka pësuar vjersha. Autori, në strofën e parë, vargun “ëndërroj pa fund pa shpresë” e ka ndryshuar “vajtoj pa fund pa shpresë” sepse i përgjigjet më saktë gjendjes emocionale të poetit. Kjo gjëndje e rëndë dalëngadalë, gjatë meditimeve aktive të heroit, do të ndryshojë, prandaj me të drejtë ai vargun “Ëndërroj pa fund pa shpresë” do ta vendosë në mbyllje të pjesës së parë të vjershës. Po kështu vargu Vaj vatani, mjerë mileti fiton një kuptim më të drejtë në krahasim me vargun “Vaj vatani, qorr mileti”. Zhvendosja e vargjeve-refren “Anës Vjosës, anës Bunës dhe Anës Elbës, anës Spress” nga mesi i strofës, në fund të saj i shërben nënvizimit të ideve të vjershës. Poeti punon për të gjetur foljen më të përshtatshme, në mes disa varianteve, që të japë idenë e rritjes së lëvizjes revolucionare me anë të figurës së goditur të lumenjve. Kështu, ndërmjet foljeve, derdhet, ngrihet, fryhet, ndizet, zgjedh “Fryhet Vjosa, derdhet Buna”. Duke i shqyrtuar nga afër variantet në dorëshkrim të vjershave, tërheq vëmendjen kujdesi i posaçëm dhe puna e hollë e autorit për muzikën e poezisë së tij. Kjo mund të shpjegohet jo vetëm me formimin muzikor, por dhe me faktin se poeti, duke jetuar një kohë në gjirin e lëvizjes demokratike, ka sjellë në poezi jehonën e saj. Prandaj vargu i tij, siç është vënë në dukje, ka karakter auditiv, në të ndihen tingujt e luftës e të shqetësimeve të kohës, buçasin trumbeta dhe boritë e kushtrimit. Vetëm kështu mund të kuptohet tërë ai arsenal mjetesh të forta shprehëse, figurash e fjalësh, ritmesh e rimash, tingujsh e tonesh me të cilën ndeshemi në dorëshkrimet e poetit. Ai e kërkon fjalën, i jep asaj peshë e ngarkesë emocionale, ja nënshtron një përpunimi të hollë stilistikor, e bën të këndojë në ritmin e marshit a të himnit, të kushtrimit a të një monologu rrëfimtar.

Interesimi i Nolit për fjalën vërehet dhe me kujdesin që ka treguar për ta gjetur dhe mbledhur në kohë dhe vende të ndryshme. Mjafton për këtë t’i hedhim një sy fletoreve dhe skedave të tij, ku gjejmë ndërmjet të tjerash fjalë e frazeologji të tilla si liparak, shelbonj, mëlli, thërpinj, thep gllënkë gërdallë etj.

Këto janë vetëm disa aspekte të laboratorit poetik të Nolit, që flasin për burimet e poezisë së tij, për ndërgjegjen artistike me të cilën punonte, për metodologjinë që ai ndiqte gjatë procesit krijues.

Duke folur më vonë për botimin në tërësi të vjershave të tij, Noli do të tregojë:

“Sa për vjershat e mia, unë nuk kujdesesha shumë për to. Mendoja se ato nuk vlenin fare. Zakonisht i botoja nëpër gazeta derisa i harrova krejt. Në fakt i humba 2 a 3 prej tyre. Më vonë u gëzova që gjeta një kopje të vjershës që kisha shkruar më 1914. Ata ma dha një shoku im. Më vonë e harrova fare derisa e humba. Por një shoku im, një admirues, Mitrush Kuteli, i mblodhi të gjitha poezitë e mia dhe i botoi në një libër. Ai i bëri një analizë shumë të bukur disa prej tyre dhe pastaj, kur i lexova, mendova se ato vlenin për t’u botuar. Miku im kishte botuar disa prej tyre, pothuaj gjysmën, sepse ai nuk i kish kopjet e plota të të gjitha poezive të mia…”

Puna e Nolit poet nuk do të na zbulohej e plotë pa njohur dhe analizuar nga afër shqipërimet e tij. Në të vërtetë, energjitë krijuese, talentin dhe pjesën më të madhe të potencialit të vet emocional e artistik Noli ua kushtoi shqipërimeve. Ato u bënë fronti kryesor i veprimtarisë së tij artistike dhe objektivisht luajtën një rol të rëndësishëm në emancipimin e kulturës e të shoqërisë shqiptare në të kaluarën. Shqipërimet e Nolit, duke i parë në rrafshin e përgjithshëm, duhen çmuar, nga një anë si vepra me ideshmëri të lartë e frymë idealiste, me probleme të rëndësishme sociale e politike, me disa të vërteta historike, filozofike e psikologjike, që u bënin jehonë nevojave të shoqërisë shqiptare bashkëkohore dhe nga ana tjetër, si krijime që u takojnë disa kryeveprave të letërsisë botërore, të epokave e të vendeve të ndryshme, të gjinive e të stileve të ndryshme.

Në punën e tij si shqipërues Fan Noli u ndesh me probleme dhe vështirësi të shumta. Ato qenë të natyrës sociale e filozofike, psikologjike dhe etike, por posaçërisht artistike e gjuhësore. Duke qenë erudit e poliglot, duke pasur një sens të hollë artistik dhe një potencial të pasur krijues, i pajisur me një ndërgjegje të lartë pune dhe me një vullnet herkulian, ai do të kapërcejë barrierat e panumërta të mjeshtrave të mëdhenj të fjalës artistike dhe do të arrijë t’i japë veprat e tyre denjësisht në gjuhën shqipe.

Studimet krahasuese të përkthimeve të Nolit me tekstet origjinale kanë bërë të përcaktohen pak a shumë parimet dhe metodologjia që ai ka ndjekur si përkthyes.

Ndërmjet përkthimit të lirë dhe atij autentik, Noli trego se është për të parin, por duke shfrytëzuar dhe elementet e shëndosha të të dytit. Ai e ktheu në një parim krijues dhe praktik të vetën, që duke iu përmbajtur besnikërisht mendimit dhe frymës së origjinalit, ideve dhe gamës së ndjenjave të tekstit, të bëjë ndryshime të formës. Prej kësaj vjen ajo që ai s’i përmbahet gjithmonë masës së vargut të skemës së rimave, numrit të fjalëve e të frazeologjisë. Duke qenë vet poet me forcë të madhe krijuese, duke i njohur dhe shfrytëzuar aftësitë shprehëse të gjuhës shqipe, veçantitë dhe ngjyrimet e saj, Noli synon gjithmonë të rikrijojë vlerat ideoartistike të origjinalit në gjuhën amtare, duke gjetur variante ekuivalente të barabarta ose të përafërta. Për t’i ruajtur vlerat artistike të veprës, ai nuk stepet para asaj që të sakrifikojë fjalët e rimën, qoftë dhe metrin apo vargun. Kjo e bën çdo përkthim të Nolit të tingëllojë në gjuhën tonë natyrshëm, bukur dhe fuqishëm.

Ka mendime që Noli në përkthimet e veta është interpretues artistik, se ai duke bërë këtë, arrin jo vetëm të rijapë kuptimin e tekstit, por dhe ndjenjën dhe tonin e gjuhës, që lidhet me ngarkesën emocionale dhe veçoritë stilistike të origjinalit. Duke iu përmbajtur kësaj metode tek ai gjejmë, krahas përkthimeve me një besnikëri të plotë, pjesë të përshtatura, parafrazime, pasazhe të thjeshtuara, trajta popullore etj.

Fan Noli jo rastësisht përkthimet e veta i quan shqipërime dhe poezitë e përkthyera parafraza. Ai e rikëndoi poezinë e huaj në zërin e tij origjinal, ashtu siç i interpretoi dhe i rikrijoi në gjuhën amtare një kryeveprash letrare. Ai ridha ide të mëdha, depërtoi në procese të thella psikologjike, përshkroi situate komplekse. Fjala shqipe në përkthimet e Nolit tregoi peshën e saj të vërtetë, zbuloi gamën e gjerë emocionale, pasurinë e nuancave dhe të toneve të brendshme, forcën dhe bukurinë metaforike si gjuhë arti.

Siç dihet, përkthimi artistik është një proces krijues i ndërlikuar, një ndeshje e pabarabartë, sidomos kur përkthyesi ka të bëjë me artistë të shquar të fjalës. Kjo kërkon, siç shprehej Noli, forcë herkuliane dhe me këtë ai ka parasysh jo vetëm vullnetin e durimin, punën e mundimshme me fjalën, por dhe formimin artistik, njohjen e gjuhës, aftësinë për të depërtuar në “enigmat” e artit.

Shqipërimet e Nolit janë një varg betejash të fituara në sajë të një përkushtimi të thellë krijues, në një kohë kur në këtë fushë mungonte përvoja e mjaftueshme artistike dhe gjuhës sonë nuk i qenë zbuluar plotësisht pasuritë e aftësitë e saj shprehëse.

Nga kjo pikëpamje, mjafton të kujtojmë se ai përktheu Shekspirin, një autor me një begati gjuhësore kolosale, një artist, që, siç thotë Gëtja, “duke qenë shumë i pasur e tepër i fuqishëm të ve poshtë dhe ka rrezik të të shkatërrojë individualitetin, prandaj përkthyesi –artist duhet të dijë të ruhet prej tij”.

Noli ia doli mbanë kësaj pune, ai kapërceu me sukses barrierat e “grackat” shekspiriane, e ruajti personalitetin e vet, sepse qe po ai që ndërkohë shqipëroi “Rubairat” apo më vonë u “ndesh” me krijues të tjerë të fuqishëm dhe fitoi.

Në përkthimin e Shekspirit, Noli u ndesh në radhë të parë me vështirësi që kishin të bënin me karakterin e gjuhës angleze si një gjuhë monosilabike. E veç kësaj, u desh të përballojë një autor me probleme stilistike gjuhësore të ndërlikuara. Mjafton të përmendim faktin që Shekspiri përdorte gjuhën angleze të shekullit të 16-të, me fjalën e shprehje të vdekura apo arkaike, me një stil herë herë eliptik e të kondesuar, me enigmë e lodra fjalësh. Të gjitha këto probleme Noli i zgjidhi në përgjithësi me sukses në sajë të talentit e të përkushtimit, të punës e vullnetit krijues, të njohjes së gjuhës e sensibilitetit të hollë artistik. Noli iu qas tekstit artistik të Shekspirit, jo vetëm me respekt të thellë, po dhe me një përgatitje estetike e gjuhësore-stilistike. Kështu, pasurisë gjuhësore shekspiriane ai iu përgjegj me një punë të madhe krijuese e hulumtuese për të hetuar, gjetur dhe shfrytëzuar aftësitë dhe rezervat e gjuhës amtare. Mjafton të kujtojmë neologjizmat e kalket që krijoi e sidomos numrin e gjerë të kompozitave që hasim në përkthimet e Shekspirit.

Le të kujtojmë disa kompozita si sedërplotë, kokërrumbull, krye-shkaku, mendje-zjarri, gjumë-vdekje, mendjelartë, perçeegër, ment-pleh etj.

Fan Noli na ka lënë një përvojë shumë të pasur në fushën e shqipërimeve. Kjo përvojë akoma s’mund të themi se është njohur e aq më tepër të jetë studiuar gjerë e thellë, të jetë njohur shkencërisht metodologjia e punës, parimet dhe praktika e tij krijuese e përkthimit.

Puna e Nolit si shqipërues fillonte nga zgjedhja e autorëve dhe veprave të tyre. Ai ka pohuar se nuk duhet përkthyer çfarëdo vepre, se duhen lënë anash preferencat thjesht personale. Praktika ka treguar se Noli ka zgjedhur autorë të shquar, vepra me vlera të mëdha artistike e shoqërore, krijime të spikatura realiste, të lidhura ngushtë me nevojat e shoqërisë shqiptare. Jo rastësisht ai përktheu Shekspirin në veprat e të cilit, siç thotë një studiues, “çdo komb sheh të pasqyruar fytyrën e vet”.

Noli do të rrëfejë se punën për shqipërimet e tij madhore e filloi më 1915, në Vjenë, i nxitur nga qëllimi që t’u japë shqiptarëve një seri kryeveprash të letërsisë botërore. Këtë seri ai e nisi me “Otellon” e Shekspirit.

“Një ditë takova Norbert Joklin,-na shpjegon vetë ai,-albanologun e përmendur, më vonë profesor i Universitetit të Vjenës. I them atij se jam përpjekur të përkthej “Hamletin”, “Makbethin”, “Jul Qesarin” etj. Ai më tha: “Ju duhet të na lexoni përkthimet tuaja”. Një mbrëmje u mblodhëm, doktor Jokli, Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, Faik Konica…Unë i lexova atyre disa pjesë nga përkthimet e mia. Doktor Jokli u entuziazmua nga ato dhe më shtyu t’i botoj me çdo kusht.”

Duke hulumtuar të dhëna rreth punës së Nolit si shqipërues do të konstatojmë se ai bënte një përgatitje paraprake serioze përpara se të përkthente një vepër. Nuk është fjala vetëm për leximin e rileximin e vëmendshëm të tekstit, po dhe për njohje me themel të autorit e të veprës. Këtij qëllimi i shërbente studimi i literaturës kritike, puna për zbërthimin e problemeve ideoartistike që paraqiste vepra, qartësimi i kontekstit historiko-social, analiza gjuhësore e tekstit, afiniteti shpirtëror me veprën dhe komunikimi me autorin etj.

Në tavolinën e punës së Nolit do të qëndronin jo vetëm fjalorët e glosarët, por dhe komentarët dhe enciklopeditë tematike. Kështu, gjatë shqipërimit të Shekspirit, ai punoi seriozisht me komentarët e glosarët shekspirianë.

N. Jokli dëshmon se kur Noli deshi të përkthejë “Faustin” në vitet 20, puna e parë që nisi të bëjë qe studimi i literaturës dhe komentarëve mbi kryeveprën e Gëtes. Nga ana tjetër, duke qenë poliglot, Noli kur shqipëronte një vepër përdorte dhe përkthimet në gjuhë të tjera, për të njohur nga kjo përvojë analogjitë e diferencat gjuhësore e kuptimore të tekstit.

Në punën e përkthimit Fan Noli rëndësi të dorës së parë i jepte dhe zotërimit të gjuhës amtare. Pa njohjen e thellë dhe përvetësimin e gjithanshëm të saj, nuk mund të jepen mendimet e idetë e veprës, s’mund të përftohen atmosfera e tonet e brendshme, nuancat e veçoritë stilistike, shtresimet gjuhësore, bukuria e forca e figurave. Gjuha amtare është materiali me anë të të cilit përkthyesi do të rikrijojë origjinalin me ekuivalencën përkatëse. Sa më mirë ta zotërojë e përdorë gjuhën e tij, aq më i lirë e i pavarur do të jetë përkthyesi si artist, në përkthimin veçanërisht të poezisë.

Parë me këtë sy, Noli na ka dhënë shembullin e një përkthyesi krijues dhe ka arritur rezultate madhore. Arsyet e këtij suksesi duhen kërkuar: së pari, se ai ishte vetë artist i shquar, poet me dimensione jo të zakonshme dhe pjesën më të madhe të energjive krijuese, hovet lirike e forcën epike, mprehtësinë e mendimit dhe freskinë e ndjenjës, gazin shpotitës e notat sarkastike, i derdhi në shqipërimet e tij mjeshtërore. Noli poet ushqeu pa kursim Nolin shqipërues.

Së dyti, Noli, ndonëse vinte nga një ngulim i veçuar shqiptar dhe jetoi vetëm 4-5 vjet në atdhe, ai e zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën amtare. Zotëronte sa fjalën e pasurinë e madhe leksikore të shqipes, aq edhe shpirtin e saj, aftësitë shprehëse, frymën krijuese e ndërtuese të saj.

Janë këto dy arsye kryesore që e bënë Nolin të arrijë rezultate të panjohura deri në kohën e tij në fushën e përkthimeve. Janë gjithë këto që e bënë atë të kapërcejë mbi stadin gjuhësor të kohës, mbi zbrazëtitë që krijonte mungesa e përvojës dhe të mund të jepte një varg kryeveprash në gjuhën shqipe.

Çfarë ecurie ndiqte Noli në procesin e përkthimit?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep ai vetë. “Metoda ime, shpjegon ai, është kjo: “Kur fillova të përkthej “Hamletin” nisa me pjesën më të bukur, përktheva monologun e famshëm “Të rrosh apo të mos rrosh”, ose “Makbethin” nisa ta përkthej duke filluar me pjesën “Nesër dhe nesër”. Po kështu dhe “Otellon” e fillova me përkthimin e pjesës më të bukur dhe pastaj mbusha boshllëqet”.

Noli pohon se ishte gjithmonë i pakënaqur nga puna që bënte mbi përkthimet dhe shton se “Asnjëherë s’i pëlqeja këto dhe gjithmonë hezitoja t’i botoja. Gjithmonë i rishikoja dhe i korrigjoja.”

Ai mendonte se “Kthimi i një vjershe nga një gjuhë tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundshme”. Me këtë, Noli ka parasysh jo aq vështirësitë gjuhësore, sesa faktin që përkthyesi në punën e tij duhet të jetë krijues, të mos mbetet skllav i origjinalit. Vetë poeti ynë në shqipërimet më të mira poetike, sidomos te Shekspiri e Khajami, e zbatoi këtë praktikë krijuese. Duke synuar të transplatojë shpirtin e origjinalit, mendimin autentik të autorit ai ndjeu veten të lirë, nuk u bë rob i fjalës, bëri ndryshime, duke nisur nga ndërrimi i kohëve të foljeve e masës së vargut, në shkurtime e modifikime të pjesshme e deri në rikrijime të njënjëshme, me një shprehje konçize e të fuqishme në përputhje me natyrën e gjuhës shqipe. Kështu, ai do të kritikonte përkthimin mjeshtëror të rubaive nga Fitsxheraldi, duke i quajtur “variante origjinale inglishte të frymëzuara nga Omer Khajami”, por analiza e rubaive të shqipëruara prej tij tregon se të njëjtën rrugë ndoqi dhe vetë Noli, ai i rikëndoi ato lirisht e bukur në gjuhën e tij.

Noli bënte një punë të madhe frymëzuese e të mundimshme, të imtë e të kujdesshme për t’i kaluar veprat që shqipëronte nëpër filtrin e tij artistik.

Le të kujtojmë se sa e gjetur është te shqipërimi i “Korbit” thirrja e përsëritur “Kurrë më” në raport me origjinalin anglisht: “never more”. Specialistët kanë vënë re jo vetëm afinitetin fonologjik të variantit nolian me origjinalin, po dhe ngarkesën e plotë emocionale, tonin e theksuar të trishtimit që bart thirrja.

Është e vërtetë që te “Korbi” Noli gati ka dyfishuar numrin e vargjeve, por vjersha nuk ka humbur asgjë; ai e përktheu me tetërrokëshin popullor duke ruajtur ritmin e origjinalit dhe gjithë ato elemente që përftojnë atmosferën poetike.

Ngjashmëritë në mes origjinalit dhe gjuhës shqipe Noli do t’i shfrytëzonte shpesh me sukses. Kështu, në mes të tjerash, do ndodhë me rubainë 88, për të cilën, Noli, duke pasur parasysh vargun e katërt: “Ku vajti, ah, ku? Ku, ku, ku zbriti?”, shkruan “Kjo rubai s’mund të kthehet në asnjë gjuhë aq mirë sa në gjuhën tonë për arsye se fjala ku me të cilën poeti imiton vajtimin e qyqes ka gjithë atë kuptim në shqipen e në persishten”.

Shqipërimi i monologut të Hamletit “Të rrosh apo të mos rrosh” është një shembull tjetër i punës krijuese të Nolit, po ta krahasojmë qoftë edhe me monologun analog të përkthyer nga Faik Konica, të cilit, siç dihet, nuk i mungonte njohja e gjuhës dhe e letërsisë.

Duke e parë akoma më nga afër metodën si shqipëronte Noli, të tërheqin vëmendjen aspekte të tjera të punës së tij. Ai përpiqej jo vetëm ta njihte e përvetësonte gradualisht veprën që do të përkthente, por dhe ta jetonte atë thellë. Poeti ishte i mendimit se përkthimi poetik nuk mund të arrihet kryesisht në tavolinë, ai duhet të ndjekë një proces përjetimi të vazhdueshëm shtrirë në hapësirë e në kohë. “Merri me vete këto dy vargje,-këshillonte një përkthyes të ri, -dhe mendohu gjithë ditën, ngado që të vesh:në hotel, në tren, në dyshek, në rrugë, veç ki mendjen se të mos të shtypë ndonjë automobil, se unë kam shpëtuar disa herë për qime…”

Në një redaktim të pjesshëm të përkthimit të “Romeo e Zhuljetës” që Noli ka bërë me dorën e tij, do të vëmë re kujdesin që ka treguar për ta bërë veprën të tingëllojë shqip. Korrigjimet e tij synojnë për një shprehje artistike të natyrshme e konçize, përmes fjalës së saktë dhe një ritmikë të gjallë.

Në letërsinë dhe kulturën shqiptare, Fan Noli me përkthimet e tij madhore krijoi një traditë të re. Puna e nisur nga Kristoforidhi, Naimi e Çajupi u zgjerua dhe u ngrit në një shkallë të lartë. Ai jo vetëm e zgjeroi rrethin e autorëve me shkrimtarë të shquar, disa nga të cilët kishin bërë epokë, por hodhi një traditë të tërë duke përkthyer vepra me vlera të mëdha sociale e artistike. Vepra të këtilla bënë një hop cilësor në krahasim me traditën e vjetër që kish të bënte me përkthime letrare e libra të një letërsie të dorës së dytë.

Noli krijoi dhe shkollën e tij të përkthimit, me kritere të shëndosha e parime të drejta ideoartistike, ku gjejmë të hamonizuar besnikërinë e përmbajtjes dhe të ridhënies së elementeve estetike me një veshje gjuhësore të pasur dhe të fuqishme. Mund të themi se shkolla noliane e përkthimit i qëndroi kohës. Përkthimet e tij jo vetëm nuk janë vjetëruar, por metoda dhe principet që ai përdori u ndoqën më vonë nga DH.Pasko, S.Caci, S.Luarasi etj. Nuk ka dyshim që përkthimet tona më të mira kanë në themel traditën e shëndoshë noliane. Së fundi, duhet thënë se përkthimet u bënë për Nolin dhe një shkollë e mirë mjeshtërie.

“Mësuesit e mi,-tregon Noli,-qenë artistët e mëdhenj të veprave që kam përkthyer-Shekspiri, E.A Poe, Servantesi, Ibseni, O.Khajami”.

3

Një kapitull mjaft me interes paraqitet dhe puna e Fan Nolit si studiues. Siç dihet, veprimtaria e tij studimore u përqëndrua kryesisht në hartimin e biografisë shkencore të Skënderbeut dhe të Bethovenit. Të dyja këto vepra na e zbulojnë Nolin si historian e biograf dhe tok me materiale arkivale na japin dorë për të njohur e studiuar nga afër procesin e punës dhe metodologjinë që ai ndoqi.

Në veprën mbi Bethovenin, Fan Noli ka parashtruar qartë një varg parimesh themelore nga të cilat ai është udhëhequr në punën e tij si historian e biograf.

Së pari, në hartimin e një biografie, mendon Noli, duhet të përcaktohet mirë çështja themelore që do të ngrihet, shtrohet dhe zgjidhet në të. Kështu, te Bethoveni ai merr përsipër të zgjidhë, në sfondin e jetës e krijimtarisë së kompozitorit, çështjen “Sa thellë pat rënë ai nën ndikimin e ideve të reja të përhapura nga Revolucioni Francez dhe deri ku arrin të pasqyrohet fryma e kohës në veprën e tij muzikore”. Kurse te Skënderbeu ai shtron e zgjidh “problemin qendror të historisë së heroit” se për se dështuan sulltanët në përpjekjet e tyre kundër tij, duke e parë këtë në prizmin se “faktorë shoqërorë dhe ekonomikë kanë qenë atëherë ashtu siç janë gjithmonë, në rrënjët e gjithë punëve”.

Së dyti, Noli si historian kritik i përmbahet parimit se nuk mund të zbulohet e vërteta pa shqyrtuar pikëpamjet e kundërta lidhur me çështjen që shtrohet. Këtë punë ai e ka bërë me Bethovenin, por në një rreth të ngushtë pikëpamjesh të kundërta. Një punë jashtëzakonisht të madhe për njohjen e pikëpamjeve, e akoma më shumë, për ballafaqimin e shqyrtimin kritik të tyre e ka arritur me historinë e Skënderbeut. Në literaturën shumë të pasur skënderbejane, ai është ndeshur me pikëpamje, argumente e fakte nga më të ndryshmet të cilat i ka shqyrtuar, shoshitur e arsyetuar përgjithësisht me kompetencë shkencore dhe sens historiani.

Së treti, çështja që rreh të zgjidhë historiani e biografi, nuk duhet parë në vetvete, në mënyrë metafizike, e ndarë nga fushat e tjera të dijes e të jetës, ashtu siç nuk duhet shkëputur nga koha kur vepra shkruhet. Sipas tij “Skënderbeu nuk ka qenë një fenomen i veçuar në Shqipëri”, ai ka rrënjë në gjithë historinë e jetën shqiptare.

Së katërti, biografi ndeshet me një varg vështirësish të cilat nuk mund t’i kapërcejë në qoftë se nuk vihet në rolin e dyfishtë. Nga një anë, ai duhet ta çmitizojë heroin, ta zhveshë nga hiperbola, ta shkarkojë nga mitet e legjendat e nëpërmjet kërkimesh e ballafaqimesh ta nxjerrë në dritën e së vërtetës. “Mitet janë hidra me shtatë koka,-shkruan Noli,- kur e pret njërën kokë, dalin dy të tjera menjëherë. Puna e historianit është si ajo e Herkulit: jo vetëm duhet t’i shkulë këto koka të hidrës, por duhet të mbrohet nga të rejat, që të mos i zënë vendin të vjetrave”. Këtë do ta bënte F. Noli me Skënderbeun, duke e dhënë jetën dhe historinë e luftërave të tij “në një prozë të thjeshtë e të pastolisur”, larg legjendave poetike, në një taban shkencor, mbështetur në të dhëna studimore dhe arkivale. Shqyrtimin shkencor të legjendave e miteve me realitetin, ai do ta bënte edhe me Bethovenin për ta dhënë atë si njeri të vërtetë, pa asnjë aureolë. Nga ana tjetër, biografi do të ndeshet me fakte e fragmente, nga të cilat ai duhet të rindërtojë modelin e ngjashëm me origjinalin.

Në të dy rastet, biografit i kërkohet të jetë një shqyrtues kritik, të ndeshet e të përfytet me mitet e faktet, të mbajë qëndrim shkencor serioz.

Së pesti, Noli është për metodën e vëzhgimit, me të cilën nënkupton vërtetimin e fakteve nëpërmjet studimit të kujdesshëm e kritik të burimeve.

Të gjitha këto parime që e kanë udhëhequr Nolin në punën e tij prej historiani e biografi flasin për koncepte të shëndosha shkencore dhe për pikëpamje që objektivisht e çojnë në pozita materialiste, natyrisht të një materializmi paramarksist. Një kufizim i tillë ka bërë që ai të mos u shpëtojë disa mendimeve të gabuara, madje dhe ndonjë të metë themelore të Historia e Skënderbeut, që historiografia jonë marksiste e ka vënë në dukje.

Si punonte Noli si historian, cila ishte metoda dhe ecuria e punës së tij në fushën e studimeve?

Ai vetë, me sa dimë deri tani, nuk ka folur drejtpërdrejt për këto probleme. Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta gjejmë në fondin e pasur të dorëshkrimeve që ai na ka lënë. Ky fond përbëhet në radhë të parë nga materiale të ndryshme që u takojnë studimeve të tij mbi Skënderbeun. Ato i përkasin një periudhe të gjatë historike, që nis nga vitet 20 e vjen deri në fillim të viteve 60. Ndërmjet dorëshkrimeve të shumta duhen dalluar materiale të mirëfillta studimore që lidhen me punën e tij shkencore dhe materiale të ndryshme që janë punime shkollore, pasi kanë të bëjnë me shlyerjen e detyrimeve pasuniversitare, kur përgatitej për të mbrojtur dizertacionin e doktoratës.

Megjithatë, pothuaj të gjitha dorëshkrimet e veprimtarisë shkencore kanë një emërues të përbashkët: ato i kushtohen punës gjigandeske të Fan Nolit për të hulumtuar e studiuar historinë e Skënderbeut. Me këtë punë ai është marrë për disa dekada, duke e intensifikuar veprimtarinë sidomos në vitet dyzetë. Gjatë kësaj kohe ka punuar në mënyrë sistematike, me një metodë e stil pune rreptësisht shkencor.

Fan Noli, me sa rezulton nga shqyrtimi i vëmendshëm i dorëshkrimeve, nuk ka punuar zakonisht në skeda. Ai ka ndjekur një ecuri tjetër. Prej veprave të studiuara që i shërbejnë temës së tij ai ka nxjerrë ekstrate e pjesë të tëra, të cilat i ka shënuar në fletore dhe blloqe të mëdha. Këto shënime, që arrijnë në 3000-4000 faqe, janë rezultat i vjeljes së një literature shumë të pasur nga burime arkivale e studimore. Ato kapin mbi 200 e ca vepra, nga dhjetëra autorë të vendeve e të kohëve të ndryshme. Pjesët e nxjerra janë shënuar në gjuhën e origjinalit, domethënë në disa gjuhë, duke përfshirë këtu edhe në latinisht, osmanisht e arabisht. Fletoret dhe blloqet e shënimeve janë shkruar me një shkrim mjaft të qartë dhe janë mbajtur në mënyrë metodike, secila ka treguesin e autorëve e të titujve të veprave dhe të gjitha këto i ka përmbledhur nën titullin e përbashkët. “Scanderbeg-Rescarche”.

Në renditjen e materialeve, studiuesi ka ndjekur si kriterin tematik, ashtu dhe atë kronologjik, gjithmonë në varësi me synimet e veta shkencore. Vendin kryesor të interesave të tij e zë periudha e mesjetës, sidomos mesjeta e vonë, problemet komplekse të kësaj epoke, ngjarjet e figurat e rëndësishme historike, fenomenet sociale më tipike të kohës.

Studiuesi ynë është mjaft i informuar, jo vetëm për literaturën që lidhet me Skënderbeun, por dhe me një literaturë të gjerë historike, e cila i shërben ndriçimit të epokës dhe problemeve që i është vënë të hulumtojë e të studiojë. Kujdes të posaçëm ka treguar për burimet arkivale, veçanërisht ato turke, pastaj për një varg autorësh me autoritet duke filluar nga ata të shekujve XV e duke ardhur deri në kohën tonë. Vëmendjen e tij e kanë tërhequr edhe albanologët e njohur për historinë shqiptare të mesjetës si L.Talocki, N. Jorga, T.Ippen, K.Paç, N.Jokli, K.Jireçek, M.Shuflaj etj.

Mbi këto materiale të nxjerra Fan Noli ka bërë një punë të madhe studimore dhe këtë dëshmojnë nënvizimet, shënimet e anëshkrimet e shumta. Ato kanë të bëjnë në radhë të parë me njohjen e thellë të historisë së Shqipërisë, por dhe të Perandorisë Turke, të vendeve të Ballkanit, të Rusisë, të Italisë, të Hungarisë etj.

Njohjes dhe studimit sistematik të mesjetës i kanë shërbyer dhe tabelat e shumta kronologjike të historisë së vendeve për të cilat ai është interesuar, skema të organizimit të administratës, të Perandorisë Osmane e të ndërtimit të ushtrive të mesjetës, skema gjenealogjike, harta etj.

Në mes të dorëshkrimeve të F.Nolit gjejmë dhe punime të shkurtra studimore që ai ka kryer kohë pas kohe mbi tema të ndryshme si “Modern Europeam Imperializm” “Imperializm in Egypt From Napoleon to Lord Cromer” (ku flet për Mehmet Alinë dhe shqiptarët në Egjipt), punimi mbi socializmin shkencor të K.Marksit e F.Engelsit, mbi Manifestin Komunist etj. Interesante janë punimet “Studiues in etymology and semantics” dhe “Notes on home and civilization of the indo-europeans”. Duke u marrë me studimin e figurës së Muhametit, Noli i kushton vëmendje problemeve social-historike të Lindjes së Afërt e të Mesme, si dhe rolit që ka luajtur rruga Egnatia në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës.

Në vitet e fundit të jetës ai iu kthye rishtas temës së tij të preferuar, duke shkruar studimin e shkurtër “Probleme të biografisë së Skënderbeut”, ku ngre probleme si ajo e datëlindjes së heroit, çështja e pengjeve etj.

Për interesat e gjithanshme të Fan Nolit flasin edhe mjaft shënime që ai ka mbajtur nga fushat e ndryshme të dijes, nga sociologjia e filozofia, psikologjia e linguistika, nga ekonomia e mitologjia, pa përmendur disiplinat kushtuar arteve dhe studimit të tyre. Gjithashtu fletoret e shënimeve na japin informacion për faktin se me sa kujdes dhe seriozitet i ka ndjekur Noli të rejat e shkencës, bile dhe të teknikës gjatë tërë jetës. Kështu, ai ka mbajtur shënime, formula, skema e skica për energjinë nukleare, për strukturën e atomit e rrezatimin, për televizionin e radion, për masën dhe për lëndën, për format e energjisë, për qelizën nervore, siç ka shënuar të dhëna dhe nga fusha e kimisë, e biologjisë mjekësisë, astronomisë, gjeologjisë etj.

Një burim tjetër i rëndësishëm që hedh dritë në laboratorin e punës së Nolit është dhe biblioteka e tij personale. Megjithëse nuk na ka arritur e plotë, shqyrtimi qoftë dhe bibliografik i saj, na jep një ide për prirjet dhe preferencat e tij sidomos po të nisemi nga mendimi i Nolit se nga librat që lexon një autor mund të përcaktojmë dhe ideologjinë e tij. Shumica e librave të bibliotekës së Nolit i takojnë historisë së artit, muzikës, letërsisë biografike dhe gjuhësisë, pa përmendur librat e shumtë të punës, si fjalorët e glosarët, enciklopeditë, guidat historike etj.

Veprat e letërsisë artistike zënë një vend të vogël dhe kjo na bën të mendojmë se ai i ka lexuar këto libra të huazuara nga jashtë.

Procesi i punës krijuese e studimore të Fan Nolit është i gjerë, kompleks, i shumanshëm. Ne bëmë përpjekjen e parë për të hyrë në të, për t’i hedhur një vështrim të përgjithshëm e për ta shqyrtuar në aspektet kryesore. Problemi mbetet i hapur, qoftë në rrafshin hulumtues, qoftë edhe në atë studimor.


11 Qershor 2018