Masakrat fashiste dhe martirët e vetëshpallur

Masakrat nazifashiste ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe qëndrimi mospërfillës i institucioneve shtetërore të ditëve të sotme

Dr. Arqile Veshi

Ngjarjet me karakter historik e patriotik të popullit shqiptar janë të dokumentuara, baza ligjore ekziston por nuk vlerësohen nga organet përkatëse se nuk ka vullnet politik për të njohur e vlerësuar fshatra e krahina të ndryshme të vendit që pushtuesit nazifashistë i torturuan e masakruan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, përcaktohen se me termin e fjalës “Masakër” kuptohen: “Vrasjet dhe therjet e njerëzve të pambrojtur në masë dhe në mënyrë mizore”. Në këtë përkufizim gjen konkretizim veprimtaria e gjerë e pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj popullsisë së pambrojtur të popullit shqiptar në shumë fshatra e zona të vendit, si në Jug dhe në Veri. Ata e kishin sistemin e tyre të veprimit për të bërë masakra e vrasje masive ndaj popullsisë gjatë operacioneve luftarake apo marshimeve nga një drejtim në një drejtim tjetër me qëllim që të terrorizonin popullin dhe ta trembnin atë për të mos mbështetur dhe kontribuar për ecurinë e Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar dhe arritjen e fitoreve të njëpasnjëshme për çlirimin e Atdheut. Këto dukuri e konkretizuan gjatë gjithë periudhës së pushtimit dhe në shumë zona e fshatra të ndryshme gati në të gjithë territorin e vendit tonë.

Kështu, më 6 korrik 1943, ndodhi “Masakra e Borovës”, ku trupat gjermane për t’u hakmarrë ndaj pritës së partizanëve që u organizua në kthesat e Barmashit kundër divizionit gjerman që hyri në tokën shqiptare nga Greqia, ndërmorën masakrën më të madhe që ata bënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata jo vetëm rrafshuan fshatin, por u morën jetën 107 njerëzve të pafajshëm, kryesisht gra, pleq e fëmijë. Gjithashtu më 4 shkurt 1944 nazistët gjermanë dhe kuislingët shqiptarë, të tërbuar nga zgjerimi dhe sukseset e LANÇ, kryen reprezalje dhe bastisje nëpër shtëpitë e popullit të thjeshtë tiranas dhe vranë brenda një nate 84 persona të pafajshëm dhe arrestuan 300 persona të tjerë.

Veprime ushtarake nazifashistët i kryenin jo pa qëllim ndaj fshatrave dhe krahinave me më shumë mbështetje për LANÇ, si e tillë është vlerësuar e sulmuar edhe krahina e Pezës në afërsi të Tiranës. Atje janë zhvilluar shumë aksione e beteja luftarake, si ajo e fashistëve italianë në shtator të vitit 1942 dhe në qershor 1943, si dhe nga nazistët gjermanë në tetor e nëntor 1943, nga të cilët fshatrat e Pezës u dogjën dhe u shkatërruan tri herë. Si rezultat i këtyre masakrave të bëra ndaj popullsisë vendase, në zonën e Pezës humbën jetën 114 persona, nga të cilët 17 ishin gra e 14 fëmijë të moshës nga 7 deri 14 vjeç. Veprime të tilla u kryen edhe në zonën e Jugut të Shqipërisë nga mund të përmendet masakra e Nivicë-Bubar e Shën vasil që për shkak se popullsisë e kësaj zone në bashkëpunim me forcat e Brogadës VI Sulmuese u bënë rezistencë forcave naziste për të lëvizur nga Saranda në drejtim të Vlorës dhe ata së bashku me forcat balliste, të drejtuara nga Idriz Jazo, kryen masakrën ç’njerëzore ndaj popullsisë së fshatrave të asaj krahine duke pushkatuar 50 burra, nga të cilët 34 niviciotë, 16 shëvasjal, 2 borshiotë dhe 2 qipariotë, si dhe dogjën 22 shtëpi, rrëmbyen 3000 krerë bagëti të imta dhe 300 krerë gjedh, si dhe dogjën 100 dynym tokë të mbjellë me grurë dhe përvetësuan shumë grurë e mallra nga familjet e plaçkitura. Gjithashtu është për t’u theksuar edhe masakra në fshatrat Zhepë-Draçovë në rrethin e Përmetit që bënë nazistët më 11 korrik 1943, e ku vranë barbarisht 60 njerëz të pafajshëm e shumë të tjerë si këto.

Referuar dokumenteve me karakter historik të LANÇ kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, rezulton se kudo që ata zhvilluan operacione ose luftime, si në Arbanë më 9.10.1943, në Drashovicë nga 15.9-4.10.1943, në 2.01.1943, në Leskovik, 16-25.03.1943 në Gëziq të Mirditës nga 21-26.10.1944; në Kodrën e Kuqe Tiranë më 7.10.1942; në Konispol 5.08-23.09.1943, në Reç të Shkodrës, 30-31.08.1943, në Shpal të Mirditës nga 18-20.10.1944, në Gjormë të Vlorës më 30.12.1942 dhe 02.01.1943 në Krujë nga 22-24.09.1943, në Përmet nga 1-6.07.1943, në Vig më 21.08.1944, në Vithkuq nga 26-29.08.1943 dhe në Tiranë nga 29.10 deri më 17.11.1944 etj. Krahas luftimeve me forcat partizane, veprimet e nazifashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë, janë shqoëruar edhe me veprime me karakter masakrues e terrorizues ndaj popullsisë vendase, duke bërë masakra nga më çnjerëzoret, si vrasje masive, përfshi gra e fëmijë, djegie e plaçkitje masive me motivin që ku shkelte këmba e çizmja e tyre, të mbetej “tokë e djegur”.

Për të gjitha këto ngjarje historike, gati në të gjithë vendin, të tërheq vëmendjen fakti se organet e pushtetit, si në qendër dhe në bazë dhe institucionet përkatëse e sidomos institucioni i Presidencës, nuk kujtohen dhe nuk evidencohen ngjarje e data të tilla dhe në përvjetorët apo festa të ndryshme për çdo krahinë, jo vetëm të kujtohen këto ngjarje historike, si pjesë e rezistencës së popullit ndaj pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë, por edhe fshati apo krahina me kontribut më të madh. E themi këtë sepse vetëm disa krahina e ngjarje, si Peza, Borova, Kuçi, Vranishti e ndonjë tjetër, janë vlerësuar nga organizata ndërkombëtare dhe janë shpallur krahinë ose fshat: “Martir i Luftës së Dytë Botërore”, kurse institucionet tona shtetërore, e sidomos institucioni i Presidencës, jo vetëm që nuk i ka të evidentuar këto ngjarje që rritin vlerat e popullit dhe Atdheut tonë, por edhe kur bëhet ndonjë kërkesë nga organet e bazës apo shoqata e organizata me karakter patriotik, nuk denjon që t’i studiojë e t’i vlerësojë sipas kompetencave e dispozitave ligjore në fuqi, sepse këto lloj ngjarje të mëdha e të vlerësuara një nga një e në tërësinë e tyre, përbëjnë një brez nderi e lavdie të popullit tonë. Pa dashur ta politizoi problemin por më ka tërhequr vëmendjen që institucioni i Presidentit me shumë se njëherë ka dekoruar krahinë e Postribës në Shkodër që u ngrit dhe protestoj më 1946 kundër pushtetit demokratik që doli nga lufta. Pra, harrohen dhe anashkalohen heronjtë dhe qëndrestarët e vërtetë dhe vetëshpallen martisrë ata që nuk e meriotojnë, ata që kanë bashkëpunuar edhe me pushtuesit. A nuk është ky një paradoks qëduhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

E megjithatë për shkaqe politike të ditëve të sotme edhe mund të jetë e pranueshme, por problemi qëndron tek një anshmëria e vlerësimit të këtyre ngjarjeve me karakter patriotik e historik pasi veprimet e popullsisë shqiptare e sidomos krahinat e lartë përmendura luftuan e u masakruan në luftë kundër nazifashistëve që kishin pushtuar vendin dhe kontribuuan fuqimisht për çlirimin e Atdheut por fatkeqësisht nga organet shtetërore si në qendër dhe në bazë nuk vlerësohen e shpërblehen qoftë moralisht me tituj nderi si krahina apo fshatra “Martir të Luftës së Dytë Botërore”.

Pra ngjarjet janë konkrete në gjithë Shqipërinë, dokumente me karakter historik ka për çdo ngjarje, baza ligjore ekziston por fakti që nuk veprohet tregon që nuk ka predispozicion e vullnet politik për të njohur e vlerësuar ngjarjet patriotike të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dokumentimi dhe vlerësimi i këtyre veprimeve antinjerëzore që fashistët italianë dhe nazistët gjermanë kryenë ndaj popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk lë asnjë ekuivok për karakterin e padrejtë të pushtimit që iu bë Shqipërisë më 7 Prill 1939 dhe luftimeve që u zhvilluan deri më 29 nëntor 1944 e në të njëjtën kohë vërteton drejtësinë, ndershmërinë dhe trimërinë e popullit shqiptar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që bëri për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit të vetë nga i gjithë populli shqiptar prandaj jo vetëm nuk duhet harruar por edhe duhet vlerësuar qoftë edhe moralisht.


30 Korrik 2018