Marrëveshja për bazën e Pashalimanit, si erdhën anijet nga Rusia në Shqipëri

ARKIVA/ Botohet e plotë marrëveshja për bazën detare në Gjirin e Vlorës, më 12 shtator 1957. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Arif Hasko, nënshkroi ndihmën e madhe ushtarake nga BS-ja.



Të gjitha vendet që u prekën nga Lufta e Dytë Botërore, dolën të dërmuar. Por jo aq sa Shqipëria e cila edhe para kësaj lufte njihej si vendi më i varfër i Evropës. Një dekadë pas përfundimit të kësaj Lufte, vendi ynë ende nuk kishte arritur që ta “merrte veten”. Pasojat e luftës ndjeheshin shumë, si në drejtimin ekonomik, ashtu edhe në atë strategjik, pa llogaritur “linja” të tjera. Ndërkohë një miqësi e shkurtër dhe e prishur me Jugosllavët, kishte lënë gjurmët e saj në shumë segmente të jetës ekonomike dhe ushtarake. Pikërisht për këto arsye, duke e parë veten të “pa mbështetje”, Shqipëria po tentonte gjithnjë e më tepër afrimin me vendet e Bllokut Komunist. Dhe në këtë kuadër, bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Sovjetik do të ishte dhe më frutëdhënësi.

Kur krerët e popujve të Lindjes në Evropë realizuan një pakt, që mori emrin “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, Shqipëria u radhit mes 8 vendeve që firmosën këtë marrëveshje, e cila për shkak të qytetit ku u mbajt u quajt “Traktati i Varshavës”. Pavarësisht kontradiktave që vendi ynë kishte me fqinjët, aderimi në këtë Traktat i ofronte Shqipërisë një siguri më të plotë. Për më tepër, firmosja e këtij dokumenti nisi të ketë efektet shumë shpejt. Euforia u vu re, kur më 12 shtator 1957, Shqipëria arriti të firmosë një marrëveshje me Bashkimin Sovjetik, mbi krijimin e bazës ushtarake detare në Gjirin e Vlorës. Nëndetëse, kater siluruesa, anije të madhësive të ndryshme e deri në avionë, ishin “dhuratat” e para të Moskës zyrtare. Ndërsa, vite më vonë lista e armatimit do të vinte duke u shtuar.

Më poshtë, botohet nga gazeta “Dita” e gjithë marrëveshja e 12 shtatorit 1957, për krijimin e bazës ushtarake detare në Gjirin e Vlorës.


Marrëveshja

Marrëveshje mes Qeverive të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, mbi krijimin e bazës ushtarake detare në Gjirin e Vlorës.

-Qeveritë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, me qëllim forcimin e mbrojtjes së Republikës Popullore të Shqipërisë, ndjenë nevojën për të përfunduar në mes tyre këtë marrëveshje dhe për këtë qëllim caktuan të plotëfuqishmit e tyre:

-Qeveria e Republikës së Shqipërisë – shefin e Shtabit të Përgjithshëm, shokun gjeneral-major Arif Hasko.

-Qeveria e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike – Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Ushtarake Detare, shokun admiral Fokin V.A

Ata pasi shkëmbyen plotëfuqishmërinë e tyre, të gjetura në formën e duhur dhe të plotë, arritën marrëveshje si më poshtë:


Neni I

-Përfaqësuesit e të dy anëve janë dakord që në periudhën 1957-1958 të kryhen një seri punimesh në Gjirin e Vlorës, për sigurimin e bazës së nëndetëseve dhe të anijeve luftarake mbiujëse, që i jepen Republikës Popullore të Shqipërisë nga ana e Bashkimit Sovjetik.

-Punimet e radhës së parë për krijimin e bazës ushtarake detare do të kryhen në periudhën 1957-1958, në mënyrë që në tremujorin e parë të vitit 1958 të sigurohet bazimi i anijeve luftarake dhe anijeve ndihmuese, të treguara në lidhjen Nr.1.

Në rast se do ta kërkojë situata, me marrëveshje në mes ministrave të Mbrojtjes së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, në bazë të vendimit të Qeverive të tyre, në bazën ushtarake detare dhe në portet e Shqipërisë mund të dislokohet përkohësisht një pjesë e Flotës Ushtarake Detare të BRSS.


Neni II

-Në përshtatje me nenin I të kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë merr përsipër që në periudhën 1957-1958 të kryejë punime ndërtimi për fortifikimin e objekteve të bazës, ndërtim depo e të tjera, sipas lidhjes Nr.2.


Neni III

-Arritja e anijeve luftarake dhe anijeve ndihmuese të caktuara për dorëzim të Republikës Popullore të Shqipërisë do të kryhet në tremujorin e parë të vitit 1958, menjëherë me gatishmërinë e objekteve të radhës së parë të bazës.

-Pas dorëzimit të anijeve luftarake të Republikës Popullore të Shqipërisë, kryerja e shërbimit në anijet e deri në fund të përgatitjes së ekuipazheve shqiptare do të bëhet nga efektivi i Bashkimit Sovjetik. Efektivi i Bashkimit Sovjetik në periudhën e përgatitjes së ekuipazheve shqiptare do të qëndrojë në Shqipëri si instruktor.

-Në mbarim të përgatitjes së ekuipazheve shqiptare do të qëndrojë në Shqipëri si instruktor.

-Në mbarim të përgatitjes së ekuipazheve shqiptare të anijeve, në rast kërkese nga Republika Popullore e Shqipërisë do të mbeten specialistët e nevojshëm si instruktorë në këto anije luftarake ndihmuese.

-Pas marrjes dhe përvetësimit të anijeve të lehta të mbrojtjes kundra nëndetëseve dhe të anijeve ndihmuese nga ekuipazhet e Republikës Popullore të Shqipërisë, përdorimi i tyre do të bëhet nga Republika Popullore e Shqipërisë.

Përdorimi operativ i nëndetëseve do të kryhet sipas planeve të akorduara në mes të Komandës sovjetike dhe shqiptare. Kompletimi i nëndetëseve me efektiv deri në kohën e zëvendësimit të ekuipazheve sovjetike me ekuipazhet shqiptare do të kryhet nga Bashkimi Sovjetik.

-Furnizimi i anijeve, armatimi, pajisjet dhe dhënia e ndihmës teknike për krijimin e bazës ushtarake detare në Gjirin e Vlorës do të kryhen nga Bashkimi Sovjetik pa shpërblim.

Sigurimi i anijeve të dorëzuara Republikës Popullore të Shqipërisë me llojet kryesore të furnizimit dhe me municione do të kryhet nga Bashkimi Sovjetik.


Neni IV

-Për të siguruar parrezikshmërinë e pikëpamjeve të navigacionit, lundrimit të anijeve luftarake dhe ndihmuese në ujërat e veta, Republika Popullore e Shqipërisë në periudhën 1957-1958 rivendos në funksionim mjetet ekzistuese të navigacionit dhe ndërton mjete të reja plotësuese, sipas lidhjes Nr. 3.

-Bashkimi Sovjetik në periudhën 1957-1958 do të kryejë në ujërat e Republikës Popullore të Shqipërisë një kompleks punimesh hidrografike dhe do të furnizojë me pajimet e nevojshme për përgatitjet e specialistëve të shërbimit hidrografik.


Neni V

-Për forcimin e mbrojtjes së Gjirit të Vlorës, në periudhën 1957-1958, ndjehet e nevojshme të vendoset në mënyrë plotësuese një grup artilierie kundërajror, me përbërje tri bateri dhe dy bateri artilerije kundër katerave. Furnizimi me pjesë materiale do të bëhet nga Bashkimi Sovjetik.


Neni VI

-Me qëllim që të sigurohet kryerja e punimeve për ndërtimin e fortifikimeve të nevojshme bregdetare të bazës ushtarako-detare në Gjirin e Vlorës, Bashkimi Sovjetik do të sigurojë:

-Përpilimin, lidhjen dhe dorëzimin Republikës Popullore të Shqipërisë të projekteve të fortifikimeve bregdetare të bazës ushtarake detare.

-Furnizimin me pajisje për ofiçinën e riparimit të anijeve dhe fortifikimeve të tjera bregdetare.

-Ndihmën teknike dhe konsultimet për ndërtimin e fortifikimeve bregdetare dhe montimin e pajisjeve.


Neni VII

-Kjo marrëveshje është përfunduar për një periudhë prej 10 vitesh dhe automatikisht zgjatet edhe për aq kohë, nëqoftëse asnjëra nga palët nuk i paraqet kërkesë palës tjetër, gjashtë muaj para skadimit të afatit 10-vjeçar, mbi dëshirën për të ndërprerë këtë marrëveshje.

-Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë, me nënshkrimin e saj.

-Përfunduar në qytetin e Tiranës, 12 shtator 1957, në dy kopje, secila në gjuhën shqipe dhe ruse. Të dy tekstet kanë të njëjtën fuqi.


VITI 1960

Përbërja e Bazës Detare-Vlorë

12 nëndetëse

-2 me ekuipazh shqiptar

-2 me ekiupazh të përbashkët ruso-shqiptar

-8 me ekuipazh rus

2 baza lundruese

2 dragamina të mëdha

6 dragamina të vogla

8 anije luftarake tip “Gjuajtës”

2 rimorkiatorë të mëdhenj

Skuadrilje – Karta Silurues

Anije ndihmuese – topograf, manjetike, çisterna, polumbarë


STRATEGJIA

Enver Hoxha u ftua për vizitë në Moskë në prill 1957, ku u nënshkrua një marrëveshje e re ekonomike dhe iu falën kreditë e pashlyera deri në vitin 1955. Ai i ofroi BS-së ishullin e Sazanit për ta përdorur atë si bazë ushtarake, një ishull i vogël, 5,5 km katrorë, por një pikë e favorshme në hyrje të kanalit të Otrantos, 5 km nga bregdeti shqiptar dhe pika më e afërt me Italinë, 65 km. Ky akt ndodhi në tetor, kur në Shqipëri erdhi për vizitë ministri i Mbrojtjes, Zhukovi. Në të vërtetë, kjo kërkesë nuk ishte e re. Edhe Stalinit i ishte ofruar Sazani për t’u kthyer në bazë ushtarake ndërkombëtare për kampin socialist, por ai nuk kishte pranuar. Këmbëngulës, Hoxha ia kërkoi këtë gjë Hrushovit, i cili e dha pëlqimin, në kundërshtim me Molotovin. Ky i fundit, madje, ka qenë i mendimit që Shqipëria bashkë me Gjermaninë Lindore të mos jenë as në Traktatin e Varshavës, pasi “po të preket Shqipëria, ne na duhet të luftojmë”. Sipas një protokolli ushtarak midis Shqipërisë dhe BS-së, më 12 shtator 1957, në Shqipëri do të vinin disa nëndetëse, katër që në vitin 1958. Një muaj më pas Zhukovi premtoi për tetë nëndetëse të tjera. Por shqiptarët nuk ishin ende të përgatitur, personeli, logjistika etj. Kështu, do të vinin specialistë sovjetikë. Pikërisht këtë moment e shfrytëzoi E. Hoxha për të propozuar që Baza e Vlorës të ishte e nivelit të lartë dhe të bëhej bazë e Traktatit të Varshavës. Kështu u bë dhe më 3 prill 1959 u nënshkrua protokolli përkatës për këtë qëllim.



PASHALIMANI

Fundi i Bazës së përbashkët

Acarimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik erdhi menjëherë pas mbledhjes së Bukureshtit, në të cilën u shfaqën përplasjet mes dy ideologjive. Deri në atë kohë shqiptarët punonin në mënyrë shumë korrektre e miqësore së bashku me rusët. Por gjithçka në bazën e Pashalimanit bëhej në bazë të dublantëve. Në Shkollën e Marinës punohej me intensitet, për faktin se në kontratën me rusët ishte përcaktuar që pas tre vjetësh nëndetëset do të merreshin në dorëzim nga marinarët shqiptarë. Kontrata ishte bazuar në marrëveshjen e përbashkët të shtetit shqiptar me Traktatin e Varshavës, si anëtar i saj prej disa vitesh. Instruktorët sovjetikë kishin lavdëruar për përparimin që kishin bërë marinarët shqiptarë në procesin e njohjes së nëndetëseve dhe anijeve ndihmuese. Ndërsa disa prej tyre, ishin shprehur se tashmë qëndronin formalisht në Bazën e Pashalimanit, pasi efektivi marinar ishte plotësisht i aftë të kryente detyrat luftarake nga më të vështirat. Këto cilësi marinarët shqiptarë i kishin treguar në stërvitjet e shpeshta të asaj kohe. Në këtë periudhë vihet re që rusët po zëvendësonin këshilltarët e tyre ushtarakë në të gjithë repartet e ushtrisë dhe sidomos në flotën e Pashalimanit dhe shkollën e Marinës. Po kështu, rusët vepruan edhe me efektivin marinar që asistonte në mjetet e lundrimit, së bashku me efektivat shqiptare. Më 26 maj 1961, tetë nëndetëse dhe një anije lundruese, të drejtuara nga ekuipazh sovjetik, u larguan nga Baza e Vlorës.


Përgatiti: Leonard Veizi/ DITA

20 tetor 2018