Lule në dritare…(Vargje për këngë)
Sa herë kaloj tek një dritare,
që me saksi është mbushur plot,
me gas vështroj se si “padashur”,
një lule çel-një perde lot.
Gjithnjë aty kur i hedh sytë,
i ndjej dy sy që më ngacmojnë,
e një nga një-e ditë për ditë,
të gjitha lulet lulëzojnë.
E prapë e prapë e ndjej vështrimin,
që hedh ngacmime papushim,
një zë pas perdes sikur thotë:
“Djalosh-u dashka pak guxim!.”
Mos më ngacmo ti me vështrime,
se unë jam djalë e s’duroj dot,
dhe sytë nga dritarja jote,
jo-asnjëherë nuk i hodha kot.
I dua lulet në dritare,
se jam i ri e m’i do zëmra,
po shumë më fort se ato lule,
dua çapkënen që rri brënda!
Gjirokastër, 1984
Arben Duka