Sociologu i njohur Fatos Tarifa, deri më sot, nuk ka marrë pjesë në debatin e gjerë publik lidhur me rehabilitimin e një figure kolaboracioniste, si Mit’hat Frashëri. Djali i një veterani shumë të nderuar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vetë ai një prej intelektualëve të majtë më të spikatur në vend, Tarifa flet për Luftën dhe fitimtarët e vërtetë të saj, për të vërtetat e historisë dhe “korrigjimet” që përpiqen t’i bëjnë asaj nga koha në kohë, si dhe për humnerën politike e morale që ekziston mes fajit dhe përgjegjësisë individuale, nga njëra anë, dhe përgjegjësisë politike kolektive, nga ana tjetër.

Erion Habilaj: Prof. Tarifa, eshtrat e Mit’hat Frashërit u kthyen në Shqipëri dhe, nën sponsorizimin e qeverisë socialiste, u rivarrosën me nderimet më të mëdha në “Panteonin” e rilindësve tanë të mëdhenj, vëllezërve të shquar Frashëri, pinjoll i të cilëve ai ishte. A ju duket kjo një gjë normale?

Fatos Tarifa: Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe jonormale në sjelljen e eshtrave në atdhe të Mit’hat Frashërit, ose të kujtdo figure të njohur në historinë kulturore të popullit tonë. Unë mendoj, sidoqoftë, se nderimet shtetërore që iu bënë atij me rastin e sjelljes së eshtrave dhe rivarrimit të tyre ishin shproporcionale me figurën dhe vendin e tij në historinë politike e kulturore të popullit shqiptar. Përpara se të mendohej për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashërit, duhej menduar per eshtrat e shqiptarit më të madh të shekullit të 20-të dhe, ndoshta, të vetmit gjeni të kulturës sonë kombëtare, Fan Nolit, të cilat ende prehen në varrezat publike Forrest Hills të Bostonit, përtej Atlantikut.

Mes këtyre dy figurave historike nuk mund të bësh krahasim. Noli, si pak të tjerë (ndër ta do të veçoja tre vëllezërit Frashëri dhe Ismail Qemalin), është ndër ata njerëz të mëdhenj që i kanë shërbyer më shumë se kushdo dhe në shumë drejtime kombit tonë.Dhe, ndërsa për Mit’hat Frashërin sot flitet kaq shumë, ndërsa edhe Ahmed Zogu, mbreti i vetshpallur i shqiptarëve, që e braktisi popullin e vet në prag të pushtimit fashist, ka një monument në Tiranë, Noli i madh thuasje është harruar. Ai Fan Nol, me të cilin do të mburrej çdo popull e çdo vend. Noli meriton t’i sillen eshtrat në atdheun e tij. Noli meriton të nderohet si pak të tjerë në këtë vend. Noli meriton t’u mësohet nxënësve në shkollat tona dhe t’i botohen e ribotohen, nga koha në kohë, për gjeneratat e reja të shqiptarëve, veprat dhe përkthimet e tij mjeshtërore.Noli meriton një përmendore të lartë në zemër të kryeqytetit tonë.

Krahasuar me figurën, meritat, kontributet dhe integritetin moral e politik tëFan Nolit, ato të Mit’hat Frashërit janë shumë, shumë të zbehta e kontraverse dhe unë mendoj senuk do tëmeritonin nderimet e mëdha që iu bënë pak ditë më parë.

Habilaj: Pra, ju mendoni se Fan Nolit i takon një përmendore në Tiranë?

Tarifa: Domosdo. Dhe jo vetëm Nolit. Si mundet të pranojmë një përmendore të Zogut, ndërkohë që Nolin e madh e kemi lënë thuajse në harresë?Edhe Kishën Ortodokse autoqefale shqiptare qëNoli e themeloi ia morëm për t’ia dhënë një greku. Si mundet që Azem Hajdari të ketë një monument më të madh se Ismail Qemali?! Cili popull ka gabuar, ose do të gabonte kaq shumësa ne, shqiptarët, në vlerësimin e figurave tona kombëtare më të shquara?!Pse e përccmojmë historinë tone dhe nuk i vlerësojmë sa duhet njerëzit më të shquar të kombit tonë? Dhe pastaj qahemi se shqiptarët, sidomos të rinjtë, po largohen e duan të largohen nga vendi.

I pyeta dje studentët e mi të sociologjisë se ç’dinë për Nolin dhe vetëm dy a tre thanë se dinin diçka, fare pak, për të. I pyeta se cilët janë, sipas tyre, shqiptarët më të shquar dhe, për habinë time, dikush përmendi Azem Hajdarin. Vallë një brez të tillë duam të rrisim? Pse nuk kemi një monument madhështor të Gjon Buzukut, këtij Martin Luteri të kombit tonë?! Pjetër Bogdani, Çajupi, Avni Rustemi, por edhe Shahin Kolonja, Jani Vruho, Nikoll Ivanaj e të tjerë meritojnë nderimet më të mëdha të brezit të sotëm të shqiptarëve dhe të brezave që do të vijnjë. Ata nuk i kanë shërbyer Shqipërisë më pak sesa Mit’hat Frashëri.

Habilaj: Ceremonia shtetërore që u organizua për rivarrosjen e eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe, sidomos, fjalimi i z. Rama me atë rast, kanë ngjallur debate e kundërshti të shumta, madje edhe protesta të heshtura në shumë njerëz, jo vetëm veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe intelektualë progresitë, që janë ndier të fyer nga fjalët e kryeministrit socialist. Gazeta "Dita", e cila gjithmonë i ka mbrojtur vlerat dhe figurat e mëdha të Luftës, i ka pasqyruar një pjesë të këtyre sentimenteve të lënduara e të revoltuara në faqet e saj. Cili është mendimi juaj për vlerësimin që z. Rama i bëri figurës së Mit’hat Frashërit dhe, sidomos, për apelin gati kërcënues të tij ndaj veteranëve fitimtarë të asaj Lufte heroike?

Tarifa: U preka shumë dhe u vura në mendime të thella të nesërmen e asaj ngjarjeje kur, ndërsa hyra në dhomën e tim eti për t’i thënë mirëmëngjes e për t’i uruar një ditë të mbarë, para se të dilja për punë, ai më tha: “Dua të ndaj diçka me ty. Sot kam vendosur të dorëzoj teserën e Partisë Socialiste. Kjo nuk është më partia e idealeve për të cilat luftuam dhe as përfaqëson më interesat e pjesës më të madhe të brezit tim, që luftuam kundër fashizmit dhe nazizmit dhe çliruam vendin”. I thashë tim eti se kjo ishte zgjedhja dhe vendimi i tij dhe se e kuptoja shumë mirë brengën e tij. Besoj se të njëjtën brengë kanë ndarë dhe ndajnë edhe shumë veteranë të tjerë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pjesëtarë të familjeve të tyre. Më vonë, po atë ditë, im atë më telefonoi për të më thënë se shokët e tij dhe vëllai im më i madh, edhe ai socialist, e kishin bindur qëtë mos vepronte në atë mënyrë, pra të mos e dorëzonte teserën e Partisë Socialiste.“Jam shumë i zhgënyer”, më tha, “por unë do vdes socialist”.

Unë e kuptoj shumë mirë tim atë. Sot ai është 92. Ishte vetëm 14 vjeç kur iu bashkua lëvizjes klandestine dhe vetëm 16 vjeç kur, në vitin 1943, doli partizan, me një pushkë në dorë,që ishte e gjatë gati sa ai vetë.Me një qëllim dhe me një ideal të shenjtë: të luftonte për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë që erdhën pas tyre, si dhe kundër atyre që bashkëpunuan me pushtuesit, në radhë të parë Ballit Kombëtar, të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri.

Vitet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (që janë periudha më e lavdishme në historinë e popullit tonë deri më sot) dhe një jetë e tërë e mbushur me punë, përpjekje e sakrifica për të ndërtuar një shoqëri ku të sundonin barazia ekonomike dhe drejtësia sociale për të gjithë, patën si epilog të tyre përmbysjen e sistemit të socializmit shtetëror, që i kishte premtuar këto të mira, por që nuk i realizoi, dhe për krijimin e të cilit im atë dhe një pjesë e mirë e brezit të tij milituan e kontribuan me ndershmëri dhe idealizëm.

Shumë realitete të padëshiruara të sistemit socialist por, veçanërisht, përmbysja e atij sistemi në fillimin e viteve 1990, që për tim atë, ashtu si dhe për shumë të tjerë të brezit të tij, duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme, madje tragjike, duhet ta kenë deziluzionuar e ta kenë vrarë moralisht e shpirtërisht atë. Sidoqoftë, unë nuk e kam parë tim atë asnjëherë të ligështuar, të rënë moralisht, të lodhur, të pashpresë, të çorientuar, të trembur, të përgjunjur. Të ligështuar tim atë e kam parë vetëm atë ditë, kur veteranëve të Luftës, kryetari Partisë Socialiste u tha të “ulnin kokën” e ta pranonin Mit’hat Frashërin në mesin e tyre si një atdhetar të madh, pa çka se ai drejtoi një organizatë kolaboracioniste. Në fakt, shkaku i ligështimit të tim eti nuk ishte aq sjellja e eshtrave të Mit’hat Frashërit në Shqipëri dhe nderimet që iu bënë nga një qeveri socialiste, por fjalët e z. Rama për ata që “arkëmortin” e Lumos Skëndos e shohin si një “provokim ndaj një historie që e shkruan fitimtarët”. Këtyre njerëzve, ndër të cilët bëjnë pjesë, në radhë të parë, veteranët e Luftës së madhe, pra, edhe im atë, z. Rama u kërkoi “të ulin kokën” e të mos ndihen, me argumentin se edhe regjimi që u krijua në Shqipëri pas Luftës bëri po ashtu krime.

Kjo nuk është një logjikë e drejtë, as e saktë, as bindëse. Dhe unë mendoj se im atë, ashtu si shokët e tij veteranë të Luftës dhe dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë që i çmojnë patriotizmin dhe vlerat e tij, dhe që deri më sot kanë votuar për Partinë Socialiste, kanë të drejtë të indinjohen nga fjalët e kryeministrit.

Habilaj: Rasti i Mit’hat Frashërit dhe nderimet që organizoi për të qeveria socialiste e z. Rama flasin për një marrëdhënie gjithnjë të vështirë mes politikës dhe historisë, apo jo?

Tarifa: Jo vetëm në Shqipëri, por kudo, marrëdhënia mes politikës dhe historisë ka qenë dhe mbetet një marrëdhënie e vështirë. Sidoqoftë, përderisa si politika, ashtu dhe historia, janë objekt i shkencës, unë, siç thoshte Louis Althusser, besoj se marrëdhënia mes politikës dhe historisë paraqitet si “një domosdoshmëri, të cilën shkenca shpreson ta zbulojë”. Detyra jonë është të sqarojmë rrethanat që kanë kushtëzuar e kushtëzojnë marrëdhënien mes politikës dhe historisë, për të kuptuar atë çfarë mund të jetë politizim i historisë, ose ndikim i historisë në procesin politik, ose të dyja këto njëherësh.

Është e vërtetë se historinë e shkruajnë fitimtarët. Por, edhe më e vërtetë është se historinë e bëjnë fitimtarët. Pasi fitimtarët, si çdo brez njerëzor, ndahen nga jeta e largohen nga skena, ata që do të duhej të ishin pasuesit e tyre antifashistë, nuk mund ta zhbëjnë historinë e Luftës duke i bërë humbësit “fitimtarë”. Mohimi i të vërtetave historike, edhe kur kjo është bërë në emër të “korrigjimit” të historisë, shpesh herë ka shërbyer për rehabilitimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit dhe të ideologjive ekstreme të krahut të djathtë; në raste të tjera edhe të krahut të majtë. Unë mendoj se Lufta e Dytë Botërore, si kudo në Europë e në mbarë botën, edhe në Shqipëri, dëshmoi hapur, pa asnjë ekuivok, se cilat forca politike u vunë në krahun e duhur të lëvizjes historike, në krahun e lirisë e të progresit, dhe cilat u rreshtuan në krahun e kundërt, duke bashkëpunuar me pushtuesit e huaj. Të parët përqafuan parimet e lirisë dhe etikën e një humanizmi universal; të dytët i kundërshtuan këto dhe bënë kauzë të përbashkët me forcat më të errëta e me regresive të kohës.

Ky realitet nuk mund të zhbëhet, edhe nëse historia e Luftës shkruhet një mijë herë. Sidoqoftë, unë mendoj se, gjithnjë ka vend që kujtesa për krimet e Luftës nga ana e atyre që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë e nazistë, si dhe kujtesa për krimet e komunizmit më vonë, siç mësojmë nga Lyotard dhe Derrida, të ngrihen mbi një rindërtim serioz e të besueshëm të fakteve historike, sociale, politike e materiale, pa të cilat nuk mund të shkruhet objektivisht asnjë histori.

Unë e kuptoj se koncepti i sotëm juridik mbi drejtësinë është, ndoshta,i pamjaftueshëm për kapërcimin e humnerës politike e morale që ekziston mes fajit dhe përgjegjësisë individuale, nga njëra anë, dhe përgjegjësisë politike kolektive, nga ana tjetër, siç e pranoj edhe faktin që, Enver Hoxha, ashtu si dhe Tito në Jugosllavi, secili në krye të një ushtrie që doli fitimtare nga Lufta e Dytë Botërore, e përdori triumfin në atë luftë për të legjitimuar, ruajtur e forcuar pushtetin evet.

Pavarësisht se tani, në Shqipëri, për Luftën e Dytë Botërore flasin një pluralitet zërash, disa prej të cilëve mundohen, ose shpresojnë që ta nxjerrin plotësisht historinë e Luftës nga axhendat politike, pavarësisht debatit politikisht të motivuar mbi atë luftë, mbi rolin e komunistëve dhe të ushtrisë antifashiste nacional-çlirimtare që ata organizuan dhe drejtuan në luftën e madhe patriotike kundër pushtuesve fashistë e nazistë, të vërtetën për atë luftë askush nuk mundet ta mohojnë, ose ta shtrembërojnë. Ata dhjetëra mijëra shqiptarë që luftuan me heroizëm dhe idealizëm për çlirimin e vendit të tyre nuk mund ta “ulin kokën” e të pranojnë rehabilitimin politik (jo atë letrar e kulturor) të dikujt që, sado të përpiqemi ta mohojmë, ose ta justifikojmë, ka qenë kolaboracionist. Fitimtarët mbeten fitimtarë, edhe nëse fitoren e tyre përpiqen t’ua mohojnë. Dhe këtë unë nuk e them thjesht si djali i një veterani fitimtar në atë Luftë të madhe; këtë e them si një qytetar dhe si një studiues i politikës dhe i shoqërisë në shekullin e 21-të, një shekull, përmbajtja e të cilit, ashtu si dhe gjysma e dytë e shekullit që lamë pas, u përcaktua pikërisht nga fitorja globale në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit.


Intervistoi Erion Habilaj. Botuar sot në DITA


21 nëntor 2018