Lufta, interesimi i anglezëve për të fituar Shqipërinë

Nga Auron Tare

Artikulli i botuar në gazetën Dita mbi disa dokumente britanike për Marrëveshjen e Mukjes ka ngjallur interes për lexuesit. Për këtë arsye dhe për t’ju përgjigjur më mirë interesimit të tyre për këto ngjarje historike për Shqipërinë po botojmë edhe disa të dhëna të tjera shkëputur nga një libër që pritet të dalë së shpejti mbi rolin e shërbimit britanik në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Nëse do të kthehemi sërish në kohën e interesimit të zbulimit britanik ndaj Shqipërisë, do të kuptojmë qartë se ky interesim i madh ishte në kuadër të një plani sekret që SOE sapo kishte krijuar për Jugosllavinë dhe Greqinë ku Shqipëria do të luante një rol të rëndësishëm.

Kumbari i SOE, Winston Churchill së bashku me një grup shumë të ngushtë bashkëpunëtorësh po përpunonin një politikë sekrete, e cila kishte si synim final krijimin e një konflikti gjermano-rus në Ballkan si dhe mundësinë e angazhimit të këtyre dy forcave në teatrin ballkanik. Britanikët mendonin se përplasja e këtyre dy fuqive të mëdha ushtarake do të sillte një ndryshim në politikën europiane, duke i shndërruar ata në një faktor serioz përballë kundërshtarëve, të cilët do të kishin shpenzuar shumë energji në konfliktin e tyre.

Ndoshta, pakti i famshëm i mos sulmimit Ribentrop-Molotov duhet parë në këtë këndvështrim të ri dhe duhet gjykuar në dritën e dokumenteve të reja. Ka shumë mundësi që shërbimet gjermane apo ato ruse janë njohur me Planin Sekret të Çurçillit, dhe për të shuar çdo iluzion anglez ndaj një përplasje të mundshme gjermano-ruse, vendosen të firmosin Traktatin e famshëm të Mossulmimit.

Megjithatë, sipas dokumenteve të kohës, politika sekrete e Çurçillit ishte për “futjen e Jugosllavisë me çdo mënyrë në teatrin ushtarak” (A K (PRO HS5/166). Kjo politikë sekrete ishte mbajtur e tillë edhe nga një numër i anëtarëve të qeverisë dhe në veçanti nga ‘Foreign Office’. Situata në Jugosllavinë e kohës ishte shumë e ndërlikuar, ku një pjesë e politikës vendase ishte pro gjermane.

Politika britanike në Jugosllavi ishte e ndarë në dysh, pasi Ministria e Jashtme Britanike nëpërmjet Legatës së saj dhe konsullatave mbante kontakte me një elitë të ngushtë të politikës jugosllave me pikëpamje pro britanike.

Ndërkohë, sipas dokumenteve të deklasifikuara, Seksioni D/SOE dhe SIS kishte krijuar një rrjet të gjerë kontaktesh në shoqërinë jugosllave, kontakte të cilat përfshinin jo vetëm një pjesë të errëta të shoqërisë jugosllave, por edhe grupe me pikëpamje të hapura pro komuniste, por që me gjithë përpjekjet e SIS, “nuk kishte zbuluar dot emrat e liderëve të tyre” (AK HS5/398). Këto kontakte shqetësonin seriozisht Legatën britanike në Beograd si dhe ambasadorin anglez, Ronald Cambell i cili nuk dëshironte që një pjesë e personelit të tij të përfshiheshin në operacione sekrete apo të mbanin kontakte me shtresa të dyshimta të shoqërisë jugosllave.


Sipas dokumentacionit të SOE, në Ambasadën Britanike në Beograd kishte një tension midis SD/SOE dhe trupit diplomatik. Për këtë arsye, politika e ndjekur nga ‘Foreign Office’, e cila nxiste një politikë neutrale të Greqisë dhe Jugosllavisë, binte ndesh me përpjekjet sekrete të Ministrisë së Luftës Britanike (frymëzuar nga Çurçilli), e cila në mënyrë të fshehtë po krijonte një atmosferë lufte. Por, gjithsesi, duhet thënë se në Jugosllavinë e vitit 1940 seksioni D/SOE (Sektori D, drejtori e metodave jo konvencionale) si dhe SIS, (Shërbimi i Fshehtë i Inteligjencës) kishin njohuri më të mira mbi gjendjen reale të politikë dhe ekonomisë së vendit. ‘Foreign Office’, ndërmjet ambasadorit Cambell udhëzonte qeverinë jugosllave për të ruajtur me sa mundeshin neutralitetin me italianët, tashmë fqinjët e rinj në Ballkan. Ndërkohë, SOE kërkonte me çdo kusht që Jugosllavia të krijonte kushtet për një sulm ndaj shpinës italiane në Shqipëri.

Se çfarë mendonin oficerët e SOE mbi rolin e vendeve Ballkanike, shikohet mjaft qartë në një prej dokumenteve të drejtuar qendrës në Londër. Nga ky dokument duket qartë se vendet ballkanike, e në veçanti Jugosllavia dhe Greqia shikoheshin si një pjesë e lojës së politikës sekrete të Ministrisë së Ekonomisë së Luftës për të provokuar një konflikt ruso–gjerman. Dokument PRO HS5/938, Raporti i D/H2 nga Beogradi 2. Gusht. 1940: “SOE në Beograd beson se është e qartë që vendet ballkanike nuk duhet të kenë interesa të veçanta, por interesi i tyre duhet t’i nënshtrohet interesit të Qeverisë së Madhërisë së Tij për të provokuar një konflikt midis USSR dhe Gjermanisë”.

Gjatë kësaj periudhe, MIR (MIR dega ushtarake e sabotimeve), nën udhëheqjen e Sir John Shea kishte studiuar në mënyrë të gjerë kapacitetet ushtarake jugosllave si dhe mundësinë e rezistencës ndaj një sulmi italian. Ndërkohë, SIS kishte një rrjet kontaktesh shumë të mira në Shtabin Jugosllav, ushtrinë, Forcat Ajrore si dhe përdorte për qëllime spiunazhi konsullatat në Zagreb, Split, Dubrovnik, Lubjane, Shkup.


Kontaktet në nivele shumë të larta, inspironin jo vetëm një lloj besimi në influencën britanike të qeverisë së regjentit Paul, por në fakt shërbimet angleze po mendonin edhe për pozicionin e influencës angleze edhe pas lufte. Në një Memo Sekrete të dërguar nga George Taylor, zv/drejtori i SO/2, (SOE) në raportin e tij PRO HS57912 shkruan se: “Kontaktet e vendosura do ta vendosnin Britaninë në një pozicion shumë të favorshëm në qeveritë e pas luftës”.

Ky raport i shkruar nga një funksionar i rëndësishëm i Shërbimit Sekret tregon qartë se britaniket kishin mundur të angazhonin në favor të tyre një pjesë të mirë të shoqërisë politike jugosllave. Ndërkohë, Sektori D po përgatiste planet mbi një luftë eventuale në Ballkan, duke përpunuar edhe një sërë metodash jo konvencionale të cilat do të implemetoheshin nga rrjeti i agjentëve sekretë të saj. Deri në çfarë ekstremesh Sektori D ishte i gatshëm të shkonte, mund të kemi një ide nga një pasazh i shkurtër i Memorandumi Top Sekret të Nëntorit 1940 me titull: “Funksionimi dhe Organizimi i Sektorit D”.

“Helmimi i burimeve të ujit si dhe përhapja e baktereve si mënyrë sabotazhi nuk rekomandohet, por përhapja e sëmundjeve te bagëtitë, drithërat, patatet, inkurajohet dhe natyrisht çdo mënyrë sabotazhi ndaj stacioneve elektrike, rrjetit të komunikimi si dhe qendrave të prodhimit”. PROHS5/935


SIS dhe Shqipëria

Infiltrimi i grupeve guerrile në Shqipëri. Kush e financoi lëvizjen anti-italiane në Pezë? Misioni Sekret i Sir Jocelyn Percy për të evakuar Mbretin Zog nga Parisi.

Pushtimi italian i Shqipërisë në 7 Prill 1939, kishte bërë të mundur që rrjeti modest i shërbimit sekret britanik në Shqipëri, i përbërë më së shumti nga disa anglezë që jetonin në Mbretërinë Shqiptare, të kishte ndaluar së funksionuari.

Për këtë arsye, në pranverën e vitit 1940, me marrjen e vendimit politik në Londër se Shqipëria do të ishte pika e parë e goditjes ndaj interesave italiane ne Ballkan, Seksionit D i Shërbimit Sekret filloi hartimin e një plani të hollësishëm. Në Londër, Jo Holand, shefi i MIR dhe George Taylor, shefi i Zyrës për Ballkanin, Seksioni D i SIS, hartuan një plan paraprak dhe tashme fokusi i këtij plani u zhvendos nga Londra për në Beograd.

Zyrës së SIS në Beograd iu dha drita jeshile për të filluar operacionin në Shqipëri, pasi mendohej se kishte kushtet e përshtatshme për të organizuar një “lëvizje anti-italiane e përbërë nga elementë shqiptarë të emigruar atje që kishin kontakte edhe me zbulimin jugosllav”. Raporti i Alexander Glen, TNA PRO HS5/912.

Gjithsesi, plani i Seksionit D ishte koordinim edhe me një zhvillim paralel në Greqi, ku u mendua që të infiltroheshin një sërë rekrutësh të SIS për të krijuar trazira paralele me grupet guerrile që do të hynin në Veriun e Shqipërisë nga Jugosllavia. (Mbi planin e SIS në Greqi do të flasim në kapitullin e ardhshëm).

George Taylor, shefi i rrjetit ballkanik kishte besim se personeli i tij në Jugosllavi i udhëhequr nga tregtari i armëve Julius Hanau, një figurë e njohur në rrethet me influencë të Beogradit, do të mund të gjente personat e përshtatshëm për këtë Mision të rëndësishëm të zbulimit anglez. Hanua u evakua nga Beogradi pasi zbulimi anglez mësoi se ai ishte në listat e ekzekutimit që shërbimi gjerman do të bënte sapo të hynte në Jugosllavi. Mbante gradën e nënkolonelit. Për punë e tij në Ballkan u dekorua me medaljen e Shërbimit të Shquar. U dërgua në Kajro më 1943, por vdiq nga një infarkt në zemër. (Dosja e tij personale mban shënime interesante mbi aktivitetin e tij për SIS ne Jugosllavi dhe vetëm një). Ishte ky personazh i cili do të ishte edhe personi i parë që do të fillonte konkretisht punën në terren për organizimin e operacionit. Në dosjet e Shërbimit Sekret me arkivat britanike, ruhet edhe një prej letrave të para të dërguara nga George Taylor mbi fillimin e operacionit për Shqipërinë.

Në prill të ‘40-s, në këtë letër dërguar Julius Hanau ai i bën të qartë njeriut të SIS në Beograd platformën e re të SIS për sa i përket synimeve të Italisë në Ballkan dhe nënvizon se, “masa urgjente duhet të ndërmerren përpara se situata të përkeqësohet me tej”. Seksioni D, shpjegon në letrën e tij Taylor, do të krijojë lidhjet me grupet shqiptare të cilat janë në Jugosllavi dhe të mundohet “për të infiltruar grupe guerrile në brendësi të vendit si dhe të bëjë furnizime me armë ndërmjet kufirit greko-jugosllav për këto grupe sabotatore”. Julius Hanau kishte kontakte të mira me shërbimin jugosllav dhe me sa duket ka kërkuar ndihmën e tyre për të hartuar një listë me kandidatë potenciale për këtë mision. Gjithsesi, problemi parësor që Hanau kishte në përmbushjen e këtij misioni ishte survejimi i vazhdueshëm që shërbimet italo-gjermane i bënin atij dhe rrjetit të tij në Beograd, duke krijuar shumë problem për operacionin e Shqipërisë.

Në Jugosllavi, shërbimet gjermane dhe ato italiane ishin mjaft të rëndësishme, aq më tepër kur Musolini po kërkonte të zgjeronte influencën e tij në bregun Dalmat, ndërsa gjermanët tashmë kishin dalë në Hungari. Gjermanët përdornin zyrën gjermane të turizmit në Beograd si bazë për operacionet e tyre sekrete dhe për të survejuar rrjetin ballkanik të SIS të drejtuar nga Hanau. (Raporti i DH/4 mbi aktivitetin e kundër spiunazhit italian në Jugosllavi), Ekipi i Julius Hanau në Beograd, ndërkohë kishte në radhët e tij atasheun naval Aleksander Glen, i cili do të shfaqet shpesh edhe në brigjet shqiptare gjatë viteve 1943-44, John Bennett, Julian Amery, djali i ministrit të Shtetit për Indinë si dhe korrespondenti i gazetës ‘Time’ për Ballkanin, Ralp Parker.

Julian Amery, i cili do të luante një rol të rëndësishëm në të ardhmen e misioneve britanike në Shqipëri, e filloi karrierën e tij në radhët e SIS në një kohe mjaft të rëndësishme për misionin Shqiptar. Amery, një djalë shumë i ri në atë kohë, në fakt deri më atëherë kishte qenë më shumë i përfshirë në veprimtari ilegale dhe sipas tij, ai (Julian Amery), “përdorte rrjetin ilegal çifut i cili merrej me nxjerrjen e vizave në Ballkan për informacion në dobi të Shërbimit Sekret Britanik”.

Ndërkohë, kontaktet e Julius Hanau me shërbimet jugosllave dhanë edhe rezultatet e para. Shërbimet jugosllave kishin sugjeruar si kandidatë potencialë për misionin e Shqipërisë, vëllezërit Kryeziu, nga Gjakova. Kryezinjtë vinin nga një familje e madhe dhe me mjaft influencë nga të dyja anët e kufirit. Vëllai i tyre i madh, Ceno Bej Kryeziu, dikur kishte qenë kunati i Zogut, por me pas i vrarë në një atentat misterioz në Pragë. Me sa duket, shërbimet italiane i kanë pasur në vëzhgim familjen e Kryezinjve, pasi në dosjen e SIS ka edhe dokumente të cilat janë marrë nga dosjet sekrete të shërbimit italian dhe janë vënë në dispozicion të SIS.

Sipas këtyre dokumenteve, mund të nënvizojmë disa të thëna interesante. Dosja WO204/9559: “Gani Bej Kryeziu, ish- kapiten i ushtrisë jugosllave i kthyer në Shqipëri me 1924 me Zogun, me pas u emërua prefekt i Kukësit. Mbante lidhje të vazhdueshme me autoritetet serbe… Pas vrasjes së të vëllait, Ceno Bej, rekrutohet nga shërbimet jugosllave. Gjithmonë një pro serb ka dëmtuar interesat shqiptare me aktivitetin e tij. Është rekrutuar nga ‘Inteligjent Service’ anglez dhe ka organizuar një bandë prej 300 vetash në bashkëpunim me një oficer anglez duke penetruar ne Shqipëri, deri në Shalë.

Ka informacion se për këtë aktivitet ka marrë 12 milionë dinarë… Jeton tashmë në Beograd me të vëllanë, Hasanin dhe me vëllanë e vogël, Said një komunist i ri që ka studiuar në Paris”. Në fakt, familja Kryeziu do të luante një rol të rëndësishëm në planet e aleatëve kundra pushtimit gjerman në Kosovë dhe të dhënat e Shërbimit Italian se Kryezinjtë ishin të implikuar me shërbimet serbe, duhen marrë me rezerva.

Kryezinjtë, sigurisht kërkonin që ta shtrinin influencën e tyre sa më gjerë dhe do të kërkoni të bënin aleanca në interes të tyre. Fakti se ata njiheshin si një forcë krahinore anti-italiane, do t’i rreshtonte ata natyrshëm në krahun e fuqive anti-italiane, por me sa duket nga rekomandimet jugosllave për shërbimin anglez, mendohej se ardhja në pushtet e një lideri i cili kishte marrëdhënie të mira me ta do të kishte mjaft interes për politikën jugosllave. Megjithatë, burimet angleze kishin informacionin e tyre, dhe për Kryezinjtë ata kishin edhe referencat e tyre të cilat të bën të mendosh se Kryezinjtë kishin marrëdhënie mjaft të mira me Qeverinë Jugosllave dhe bashkëpunimi i tyre ishte më i thellë se sa mund të pranohej nga të dyja palët. (Arkivi Britanik, TNA Dosja HS 7/212), thuhet se: “Sipas burimeve tona në Ministrinë e Jashtme Jugosllave, Gani Beu merrte 10 mijë dinarë në muaj nga burime sekrete të kësaj Ministrie”.

Ndërkohë, jugosllavët ju ofrojnë anglezëve një listë me emra për Operacionet Shqiptare. SIS mundohet të përzgjedhë personat më të përshtatshëm nga kjo listë. Kuptohet qartë nga dokumentet e kësaj periudhe se askush nga ekipi i SIS ne Beograd nuk kishte ndonjë njohje të mirë mbi Shqipërinë. Disa ekspertëve anglezë ju ishte kërkuar ndihmë për të përpunuar një sërë dokumentesh mbi çështjet shqiptare, gjithsesi ekspertiza nuk ishte e mjaftueshme për një mision kaq të veçantë. Përveç disa prej ish-oficerëve të Xhandarmërisë së Zogut, kishte shumë pak ekspertë të mirëfilltë të çështjeve shqiptare. Emri i një Dr. Malcom Burr entimolog (një profesion shpesh i përdorur nga shërbimi sekret) del për një periudhë kohe në disa prej dokumenteve të kohës si një tjetër specialist për Shqipërinë i përfshirë në këtë operacion sekret.

Ai ka përgatitur disa prej memorandumeve mbi Shqipërinë, por gjithsesi jo të ndonjë niveli të lartë, dhe kjo tregon se SIS nuk kishte një informacion shumë korrekt mbi gjendjen aktuale mbi këtë vend.

Probleme të tilla që në fillimin e operacionit mbi Shqipërinë tregojnë qartë se SIS nuk ka pasur ndonjë rrjet të fortë në Shqipëri përpara pushtimit italian. Në këtë kohë, grupit të Kryezinjve i bashkëngjitet si person mjaft i rëndësishëm me funksionet e këshilltarit edhe Mustafa Gjinishi, një i ri me bindje komuniste, i cili gjithsesi vinte me rekomandimin e tyre në këtë mision. Mustafa Gjinishi, i cili në atë kohë jetonte si emigrant politik në Jugosllavi, më vonë do të bëhej një nga liderët e rëndësishëm të lëvizjes komuniste, por edhe një figurë e komplikuar për historinë e asaj periudhe. E fillon kështu aktivitetin e tij politik në një mision të përgatitur dhe financuar nga Shërbimi Sekret Britanik.

I rekomanduar nga Shërbimi Jugosllav apo jo, deri me tani nuk del qartë përfshirja e tij në këtë shërbim, por nëse kemi parasysh se përgatitja e misionit të SIS bëhej me mbështetjen dhe dijeninë e plotë të jugosllavëve, nënkupton se roli i Gjinishit në këtë mision nuk ishte i panjohur për Jugosllavet.

Mustafa Gjinishi, edhe pas kësaj orvatje për t’u implikuar në këtë mision delikat do të mbante lidhje me oficerët britanikë në Shqipëri. I dyshuar gjithmonë prej Enver Hoxhës si njeri i Shërbimit Anglez, Gjinishi do të vuante kështu faktin se përfshirja e tij në tentativën e dështuar të prillit të 1941 për një rebelim anti-italian në Shqipëri, ishte kryer me mbështetjen e SIS dhe aprovimin e Shërbimeve Jugosllave. Ky fakt me siguri i është përcjellë Enver Hoxhës nga emisarët jugosllavë, të cilët ndoshta kishin dijeni për rolin e tij në dobi të SIS, dhe për këtë arsye Hoxha dhe njerëzit e tij e shikuan atë gjithmonë me dyshim duke e mbajtur në distancë të ngjarjeve të rëndësishme të asaj periudhe.

Në fillimin e vitit 1940, SIS po përparonte në misionin për përgatitjen e krijimit të grupeve dhe tashmë kishin në dispozicion tre grupe kryesore, të cilët kishin filluar edhe kontaktet e tyre në Shqipëri. Një informacion mbi gjendjen reale të Shqipërisë tashme po vinte në tavolinën e SIS në Beograd ndërmjet rrjetit të krijuar nga lista e përzgjedhur nga SIS. Në dimrin e 1940, SIS sipas një dokumentacioni të rezervuar, dërgon nëpërmjet një agjenti të saj shumën prej 500 paund në flori në Pezë. Nga dokumenti që regjistron këtë dërgesë me firmën e Petër Boughey financieri i SD/SOE për Ballkanin, thuhet se: “K/ 76 një person i njohur i kësaj zone i cili ishte tashmë në listën e SIS/SOE si një prej rekrutëve të ardhur nga Jugosllavia, e mori shumën e dërguar në adresë të tij”.

Sipas dokumenteve, në këtë dosje shumë interesante të fillimit të lëvizjes anti-italiane në Shqipëri, një personazh shumë i njohur në zonën e Pezës ishte infiltruar nga shërbimet angleze dhe i financuar nga këto shërbime, i ishte caktuar detyra për të krijuar probleme për italianët. Dokumentet në vazhdim do të hedhin dritë mbi personazhin misterioz i njohur si K/76, i cili i financuar nga Shërbimet Sekrete Britanike dhe i aprovuar nga jugosllavët, do të fillonte një nga lëvizjet e para anti- italiane në Shqipëri. Ka një sasi të madhe dokumentacioni ku agjentët në terren informonin mbi aktivitetin e K/76 dhe përpjekjet e tij për të krijuar probleme në zonën e Pezës. Interesant është fakti se disa prej liderëve të hershëm të lëvizjes anti- italiane e kanë origjinën e tyre në operacionin e organizuar nga SIS gjatë pjesës më të madhe të 1940 dhe tentativës së dështuar të lëvizjes së prillit 1941.

Deri në verën e 1940, SIS/SOE mendonte se shpërndarja e një shume prej 40 mijë paund flori për kapedanet e Veriut do t’i bënte ata mbështetës të planit për krijimin e trazirave në shpinë të italianëve. Jugosllavët kishin premtuar mbështetje në armë dhe municion dhe kushtet dukeshin se ishin pjekur. Por, operacioni nuk do të fillonte dot, pasi gjermanët, pasi kishin sulmuar Norvegjinë dhe Danimarkën, tashmë po marshonin drejt Parisit. Në panikun që i kapi trupat britanike pas pushtimit të Francës, operacioni shqiptar nuk pati mundësi të konkretizohej. Gjithsesi, edhe në këto momente ankthi britanikët u munduan që në shërbim të planit të tyre të përfshinin edhe Mbretin Zog, i cili qëndronte në një vilë të madhe shumë pranë Parisit.

Sipas kujtimeve të një prej protagonistëve të atyre ditëve, Peter Wilkins, Dega MIR e zbulimit ushtarak u mundua që ta tërhiqte Zogun në Angli. Peter Wilkinson, shef i Zyrës Sekrete të SIS të Parisit, shkruan se Drejtoria e Zbulimit Ushtarak Britanik MIR, u përpoq që të evakuonte Mbretin Zog nga Parisi, por pa sukses. Petër Wilkinson: “Në datën 9 qershor, Sir Jocelyn Percy kishte ardhur me një mision sekret i dërguar nga Zyra MIR, për të përgatitur evakuimin e Mbretit të Shqipërisë Zog. Meqenëse nuk kishte mbetur më askush në Zyrën tonë të Parisit, mu desh mua që ta shoqëroja gati gjithë ditës nga Parisi në Versaje, ku Mbreti kishte një vilë të madhe. Mbreti ishte i përzemërt, por refuzonte të largohej nga Franca, por nëse britanikët do t’i dërgonin një anije ushtarake, ai e konsideronte këtë mundësi, sigurisht i shoqëruar nga personeli i tij i shumtë si dhe nga familja e tij e madhe. Pasi u përpoq gjatë gjithë ditës për t’i mbushur mendjen Mbretit, Sir Jocelin Percy u largua i zemëruar nga dështimi i misionit të tij. Unë i sigurova një vend në avionin e fundit për në Angli, i cili u largua në mbrëmjen e datës 11 qershor nga Bucque”.


Shënime:

SOE (Special Operation Executives) ishte një organizate e shërbimit të fshehtë britanik krijuar me urdhër special nga Churchil për luftë jo konvencionale. E specializuar dhe e trajnuar për të operuar në prapavijën armike dhe pjesë e njësiteve guerrile. Shumë aktive në Ballkan ku ka lënë gjurmë dhe ndikime të thella në historinë e pasluftës”

George Taylor ishte një tregtar australian i rekrutuar nga SOE. Për një periudhë 2 vjeçare shërbeu si zëvendës shef i operacioneve të SOE.

Julius Hanau kishte lindur në Afrikën e Jugut, në prill të 1885. I angazhuar në SIS gjatë periudhës së të dyja luftërave botërore në Ballkan, Hanau ishte pjesëtar që në fillimet e krijimit të SOE. Mbante gradën e nënkolonelit. Për punën e tij në Ballkan u dekorua me medaljen e Shërbimit të Shquar. U dërgua në Kajro më 1943, por vdiq nga një infarkt në zemër.


14 Gusht 2018