Levitiku - Kapitulli 14
|
1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Ky është ligji lidhur me lebrozin për ditën e pastrimit të tij. Ai do t'i çohet priftit.
3 Prifti do të dalë nga kampi dhe do ta vizitojë atë dhe në qoftë se plaga e lebrës i është shëruar të lebrosurit,
4 prifti do të urdhërojë të merren për atë që do të pastrohet dy zogj të gjallë dhe të pastër, dru kedri, nga skarlati dhe hisopi.
5 Prifti do të urdhërojë që të theret një nga zogjtë në një enë prej argjili me ujë të rrjedhshëm.
6 Pastaj do të marrë zogun e gjallë, drurin e kedrit, skarlatin dhe hisopin, dhe do t'i zhytë, me zogun e gjallë, në gjakun e zogut të therur në ujë të rrjedhshëm.
7 Do ta spërkatë pastaj shtatë herë mbi atë që duhet të pastrohet nga lebra; do ta shpallë atë të pastër dhe do ta lërë të shkojë të lirë zogun e gjallë nëpër fusha.
8 Ai që duhet të pastrohet do të lajë rrobat e tij, do të rruajë tërë qimet e tij, do të lahet në ujë dhe do të jetë i pastër. Pas kësaj mund të hyjë në kamp, por do të qëndrojë shtatë ditë jashtë çadrës së tij.
9 Ditën e shtatë do të rruajë tërë qimet e kokës së tij, të mjekrës së tij dhe të vetullave të tij; do të rruajë shkurt të gjitha qimet e tij. Do të lajë rrobat e tij dhe do të lajë trupin e tij në ujë dhe do të jetë i pastër.
10 Ditën e tetë do të marrë dy qengja pa të meta, një qengj femër njëvjeçar pa të meta, tri të dhjeta efe majë mielli, të përziera me vaj, si një ofertë ushqimi, dhe një log vaji;
11 dhe prifti që kryen pastrimin do të paraqesë atë që duhet të pastrohet dhe të gjitha këto gjëra para Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.
12 Pastaj prifti do të marrë një qengj dhe do ta ofrojë si flijim riparimi, me logun e vajit, dhe do t'i tundë si një ofertë e tundur para Zotit.
13 Do ta therë pastaj qengjin në vendin ku theren flijimet për mëkatin dhe olokaustet, në vendin e shenjtë, sepse si flijim riparimi i përket priftit, kështu është flijimi për mëkatin; është gjë shumë e shenjtë.
14 Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi i riparimit dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
15 Pastaj prifti do të marrë pak vaj nga logu dhe do ta derdhë mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë;
16 pastaj prifti do të ngjyejë gishtin e dorës së tij të djathtë në vajin që ka në dorën e majtë dhe me gishtin do të spërkatë shtatë herë pak vaj përpara Zotit.
17 Dhe nga mbetja e vajit që ka në dorë, prifti do të vërë pak në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të riparimit.
18 Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit.
19 Pastaj prifti do të ofrojë flijimin për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për atë që do të pastrohet nga papastërtia e tij; pas kësaj do të therë olokaustin.
20 Prifti do të ofrojë olokaustin dhe blatimin e ushqimit mbi altar; kështu ai do të ketë mundësi të bëjë për të shlyerjen dhe ai do të jetë i pastër.
21 Në rast se ky person është i varfër dhe nuk mund t'i sigurojë këto gjëra, do të marrë vetëm një qengj për ta ofruar si flijim për shkeljen e kryer, si një ofertë të tundur, për të bërë shlyerjen
22 dhe dy turtuj apo dy pëllumba të rinj, sipas mundësive të tij; njëri do të jetë për flijimin për mëkatin dhe tjetri për olokaustin.
23 Ditën e tetë do t'i çojë, për pastrimin e tij, këto gjëra priftit në hyrje të çadrës së mbledhjes përpara Zotit.
24 Dhe prifti do të marrë qengjin e flijimit për shkeljen dhe logun e vajit, dhe do t'i tundë si një ofertë e tundur përpara Zotit.
25 Pastaj do të therë qengjin e flijimit për shkeljen e kryer. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për shkeljen dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që do të pastrohet mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
26 Prifti do të derdhë pak vaj mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë.
27 Dhe me gishtin e dorës së tij të djathtë, prifti do të spërkasë shtatë herë pak nga vaji që ka në dorën e tij të majtë përpara Zotit.
28 Pastaj prifti do të vërë pak nga vaji që ka në dorë mbi skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e tij të madh të dorës së djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të shkeljes.
29 Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që do të pastrohet, për të bërë shlyerjen për atë përpara Zotit.
30 Pastaj do të ofrojë një nga turtujt a një nga të dy pëllumbat e rinj, sipas mundësive të tij;
31 do të ofrojë atë që ka mundur të sigurojë, njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust, bashkë me blatimin e ushqimit; kështu prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për atë që do të pastrohet.
32 Ky është ligji për atë që është prekur nga plaga e lebrës dhe nuk ka mjetet për të siguruar atë që kërkohet për pastrimin e tij".
33 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë:
34 "Kur do të hyni në vendin e Kanaanit që unë ju jap në pronësi, në rast se dërgoj plagën e lebrës në një shtëpi të vendit që është prona juaj,
35 i zoti i shtëpisë do të shkojë t'ia deklarojë priftit, duke thënë: "Më duket se ka një farë plage në shtëpinë time".
36 Atëherë prifti do të urdhërojë që të zbrazet shtëpia para se ai të hyjë për të shqyrtuar plagën, me qëllim që gjithçka që ndodhet në shtëpi të mos bëhet e papastër. Pastaj prifti do të hyjë për të ekzaminuar shtëpinë.
37 Do të ekzaminojë pastaj plagën; në qoftë se plaga që ndodhet mbi muret e shtëpisë ka disa zgavra të gjelbëra apo të kuqërreme që duken më të thella se sipërfaqja e mureve,
38 prifti do të dalë nga shtëpia, te porta dhe do ta mbyllë shtëpinë për shtatë ditë.
39 Ditën e shtatë prifti do të kthehet dhe do ta ekzaminojë shtëpinë; në rast se plaga është përhapur në muret e shtëpisë,
40 prifti do të urdhërojë që të hiqen gurët mbi të cilët ndodhet plaga dhe t'i hedhin në një vend të papastër jashtë qytetit.
41 Pastaj do të urdhërojë që të kruhet pjesa e brendshme e shtëpisë rreth e qark, dhe do ta hedhin suvanë që kanë rrëzuar jashtë qytetit, në vend të papastër.
42 Pastaj do të marrin gurë të tjerë dhe do t'i vënë në vendin e të parëve, dhe do të marrin gëlqere tjetër për të suvatuar shtëpinë.
43 Por në rast se plaga shpërthen përsëri në shtëpi, mbasi janë hequr gurët dhe mbasi shtëpia është kruar dhe është suvatuar përsëri,
44 prifti do të hyjë për të kontrolluar shtëpinë; në qoftë se plaga është e përhapur në shtëpi, kemi një lebër të keqe në shtëpi; kjo është e papastër.
45 Prandaj do ta shëmbë shtëpinë dhe do t'i çojë gurët, lëndën e drurit dhe suvanë jashtë qytetit, në një vend të papastër.
46 Përveç kësaj kushdo që hyn në shtëpi gjatë gjithë kohës që mbeti e mbyllur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
47 Kush fle në shtëpi, do të lajë rrobat e tij; po kështu ai që ha në shtëpi do të lajë rrobat e tij.
48 Por në qoftë se prifti hyn në shtëpi dhe e kontrollon, dhe plaga nuk është përhapur në shtëpi pasi është suvatuar, prifti do ta shpallë atë të pastër, sepse plaga është shëruar.
49 Pastaj, për të pastruar shtëpinë, do të marrë dy zogj, dru kedri, skarlat dhe hisop;
50 do të therë pastaj një nga zogjtë në një enë argjili me ujë të rrjedhshëm;
51 dhe do të marrë drurin e kedrit, hisopin, skarlatin dhe zogun e gjallë, dhe do t'i zhytë në gjakun e zogut të therur dhe në ujë të rrjedhshëm, dhe do ta spërkatë shtëpinë shtatë herë.
52 Kështu do ta pastrojë shtëpinë me gjakun e zogut, me ujin e rrjedhshëm, me zogun e gjallë, me drurin e kedrit, me hisopin dhe me skarlatin;
53 por do ta lërë zogun të ikë i lirë jashtë qytetit, nëpër fusha; kështu do të bëjë shlyerjen, për shtëpinë, dhe kjo do të jetë e pastër.
54 Ky është ligji për çdo plagë të lebrës dhe të qeres,
55 për lebrën e rrobave dhe të shtëpisë,
56 për ënjtjet, puçrrat me qelb dhe njollat e shndritshme,
57 për të mësuar kur një gjë është e papastër dhe kur është e pastër. Ky është ligji për lebrën".