Letra për Dritëro Agollin/ Parandjenja e Ali Podrimës: Kosova do bëhet një Çamëri e re

Poeti i madh kosovar Ali Podrimja, ka përdorur penën e tij për t’i shkruar disa letra shkrimtarit dhe deputetit, Dritëro Agollit në vitet e 90-ta. Por një letër e botuar pak kohë më parë nga KultPlus, ku ai flet për Kosovën duket se mbetet aktuale edhe sot e kësaj dite.

Pordimja i kërkonte Agollit në vitin 1992 të ngrinte zërin më tepër për çështje kombëtare, ndërsa për Kosovën, kufijtë e së cilër rrezikojnë të preken ai shprehej se mund të kthehej në një Çamëri të re.

Kjo është letra e poetit Ali Podrimja e shkruar më 15 maj të vitit 1992, drejtuar shkrimtarit të madh Dritëro Agollit.


I dashur Dritëro

Unë nuk i zgjedh miqtë sipas partive , por sipas bindjeve kombëtare. E di kahmoti se brenda mundësive të tua ke bërë çmos për çështjen kombëtare . Kurrkush nga ne nuk jemi fajtorë për një të kaluar të zezë. Fajtorë janë ata që e mashtruan popullin.

Mik i dashur, nuk dua të më keqkuptosh por as në Kosovën e okupuar nuk kam mundur të has në aq emra sllavë sesa në Shqipëri: Ç’u deshën ata emra; ç’u deshtë të heqim dorë shpesh nga një pjesë më e shndritshme e historisë sonë. Ne bre, nuk jemi popull qysh nga dje; neve na vjen era lashtësi. Më bëhet se çdo pjesë e trupit tonë na është një degë apo rrënjë e nënës tokë.

I dashur Dritëro , nuk ka ditë që nuk e dëgjoj Radio Tiranën dhe di çdo gjë që po ndodh atje. Mbasi të konsideroj për mik shtëpie, e kam një lutje vëllazërore. Më duket se ti je më i vjetri në Parlament. Kam dëshirë që fjala jote të dëgjohet më shpesh në të mirë të çështjes kombëtare. Harroni , burra , njëherë e përgjithmonë ndasitë partiake , kthehuni çështjes kombëtare. A shihni , po digjet Ballkani e ne ende merremi si fiset afrikane ? A keni sy në ballë ju atje në Parlament , se qenia kombëtare duhet të rimëkëmbet dhe nacionalizmi ( e kam fjalën për atë pozitiv e jo për shovinizëm ) të bashkojë popullin kryepërkrye. Njëherë është ngritur Shqipëria, por nga ndasitë tona ajo mund ta pësojë. Dhe nuk është koha më e Ismail Qemalëve dhe Isa Boletinave.

I dashur Dritëro, kam një parandjenjë të çuditshme se Kosova do të na bëhet një Çamëri e re. Të lutem, si vëlla e koleg të pendës, ndërtoni një Parlament vërtet demokratik ku i vjen era shqiptari, zgjidhini çështjet kontestuese në mes vetit si vëllezër të një nëne e gjaku, mos lejoni në përçarjet e juaja të përfitojnë fqinjët tanë primitivë.

E kam edhe një lutje: Radiostacionet e Kukësit, e Shkodrës dhe të Korçës t’i forconi në maksimum për hir të fëmijëve në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Te ne asgjë më nuk funksionon. Deri në themel i kanë rrënuar barbarët. Ngrite zërin edhe për këtë se të ka hije. Ty më shumë se të gjithë deputetëve të tjerë; ti je autori më i dashur i atyre fëmijëve, që vdesin çdo ditë para tytave të agresorit, e nëpër bodrumet e ndota, duke kërkuar një kore bukë.

Dhe kur të dëgjoj se Ti e ke marrë flamurin në dorë; se Shqipërinë nuk e sheh brenda kufijve administrativë, më e lehtë do të më duket vdekja! Përmes Teje, ua bëj apel edhe intelektualëve të tjerë shqiptarë, pa dallim partie e ndasie, të ngritni zërin kudo dhe kudo të jeni të pranishëm. Nuk ka gjë më të poshtër kur krijuesi nuk është në anën e popullit dhe kur nuk e ngrit zërin për ata që luftojnë për dinjitet kombëtar dhe njerëzor.

I dashur Dritëro, unë kam besim të madh në fjalën tënde. Po Lidhja e Shkrimtarëve ç’bën? Në mjedise evropiane shkrimtarët janë motor i çështjes kombëtare. Pse të mos jetë edhe Lidhja Juaj , më aktive , më e gjallë dhe më e zëshme?

Çdo të mirë Ty dhe familjes , ju kujton

Ali Podrimja


15 Maj 1992