Letra e Eqrem Çabejit dhe poema e Lasgush Poradecit

Moikom Zeqo

(Nga arkivi i Thoma Kacorrit)

Në kryeqytetin e Sofias në Bullgari në 20 prill 2002 jam takuar me shkrimtarin dhe dijetarin Thoma Kacorri, i cili me ftoi edhe në shtëpinë e tij .

Aty më tregoi arkivin e tij shumëvjeçar, plot materiale të pabotuara, që lidhen me histtorinë kulturore të shqiptarëve të Rilindjes Kombëtare në shekullin e XIX dhe më pas.

Thoma Kacorri më dhuroi edhe faksimilet e dy dokumtave të rëndësishëm, atë të një letre që i kishte dërguar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej në 1967, si dhe një poemë të herëshme, të panjohur të Lasgush Poradecit, të botuar në 1923.

Po i bëj publike për herë të parë, këto dy dokumenta, të arkivit të Thoma Kacorrit, i cili ka vite, që ka mbyllur sytë, por unë, nuk mund të harroj kurrë, mikëpritjen e tij, proverbiale, në Sofie dhe mirësinë, për të më dhënë dokumentet në fjalë.


LETRA E EQREM ÇABEJIT PËR THOMA KACORRIN

Tiranë, më 19.2.1967

I nderuar Koleg, i dashur mik!

Që kur u kthyesh prej Bullgarie, me ato kujtimet e bukura, që mora së andejmi, kam dashur të Ju shkruaj e të Ju falemnderit edhe me shkrim për pritjen miqësore, që Ju personalisht më bëtë gjatë ditvet të Sofjes.

Gjeta atëhere disa punë , që duheshin kryer ngutësisht këtu.

Desha pastaj të Ju shkruaja me rastin e vitit të ri, për të Ju uruar shëndet, suksese në punë e gjithë të mirat, po përsëri erdhën disa punë në mes.

Prandaj së pari Ju lutem për vonesën e përgjegjes letrës Suaj më datë 30.XI., të vitit të kaluar.

Mendimi Juaj qe Urdini jezera, Urdina reka në malet e Riles te kenë të bëjnë me shq.hurdhë, duke marrë parasysh që atje pranë ka dhe një toponim Malovica, duket të jetë afër menç – me gjithë se nuk përjashtohet mundësia që aty të përmbahet rum.urda “djathe” e qe te kemi te bejmë me një stan djatharësh rumunë dikur në ato anë (dihet se Jireceku e të tjerë dijetarë kanë vënë në dukje toponimet rumune në Bullgari).

Sa për shq.hurdhë, Gustav Meyeri në Fjalorin etimologjik 154 e le të pashpjeguar, po e rijep dhe ne Alb.Studien III 32. Jokli, Studien zur alb. Etymologjie und ortbildung 30 v., 89 e 97 e vendon te rrenja indoevropiane uer-,ur – “i laget”, sh. Dhe Walde-Pokornyr i 268. Ribezzo, Rivista d’Albania i,II (1940) 124 shën.2 e afron me lituanishten skardua “i repjeta”.

Fjala shfaqet në shqipen për herë të parë te Fjalori i Blankut (Bardhit) f.82. dhe vetë nuk kam ardhur në një përfundim për punën e burimit të saj.

Ju lutem të më drejtoheni pa kursim e çdo herë që Ju duhet ndonjë sqarim lidhur me ndonjë çështje të shqipes. Më vjen keq që këtë herë nuk jam në gjendje të Ju jap sqarime të plota, por edhe për këtë çështje jam përsëri në dispozicionin Tuaj.

Zojushes sonë Sokolova.

Mbetem me të falat më të përzemërta për Ju dhe Familjen Tuaj, edhe nga ana e sime shoqeje.

Me rast lutem u jepni të falat e mia shokëve të Ambasadës sonë në Sofje. /Eqrem Çabej


LASGUSH PORADECI, POEMA E TIJ

KËNGA E “SHQIPËRISË SË RE”

(Koh e shkuar në Vllahi)

Koh” e shkuar në Vllahi

Ishte larë me flori

Se luftonin veç për ti,

Veç për famë e madhëri.

Shqipëri moj Shqipëri


Mun në qëndren e Vllahisë,

Në qytet të Bukureshtit,

Mbiri zëri i Shqipërisë

Si zëmbak në mes të sheshit.

Mbiu atje ku politika

Nuku dij ç’ësht helm- i gjakut,

Ku shëndriu Elenë Gjika

E Kuvendi i Naço-Plakut,

Ku i mblodhi porsi dhentë

Bijtë e tij Tërpo-Vasili,

Ku këndoi Naim-i shenjtë

Dukë thirrur si bilbili.


O! moj kohërat e arta!

O! moj zembërzat e dlira

Me ç’gëzim ju shkruan karta


Kur ja sheh nër shoqërira:

Drita-plakë e Diturija

E Bashkimi edhe Shpresa;

Edhe Liria e Shoqërija

E Sofia Mbretëresha…

Cilado sa mund m’ë mirë,

Sa m’e zjarrtë cilado;

E nër to gjith një dëshirë,

Gjith një shpresë nëpër to-

…S’rron-o! jo, njeriu i urtë,

se kështu pat thënë Zoti,

Prandaj vdes me shpirt të gurtë

Edhe humb si pikë loti;

Humbi pra dh’Elenë Gjika,

Humbi fjal e Naço Plakut,

Pa zu prapë politika,

Zu të rrjedhë lumi-i gjakut:

Atëhere i ndolli dhentë

Dh’e bekoj Tërpo Vasili…

Fluturoj Naimi-i shentë

Duke qarë si bilbili.


O! moj kohërat e arta

O! moj zembërzat e dlira!

Me ç’të zi ju shkruan karta

Ndaj s’u sheh nër shoqërira.

Ju kaluat porsi hije

Kur shndrriu në terr në shkretë.


O! moj zemra shentërijë

Që më s’ini-atje ku qetë

Ah! Q’aherë zu të shtrijet

Rëndë-e keq linçoj i zisë,

Po ka nxirë vetëdijet

Me çdo vend të Rumanisë

Dh’e u helmua Shqipëtari,

E vajtoj prapë prej së qari

Uturiu gjith Bukureshti.


O! moj kohërat e arta

O! moj zembërzat e dlira!

Se me ç’mall ju shkruan karta

Nër këto vështirësira.


Sepse ja, në dhe të huaj,

Një fletore zu të nisë,

Që të jetë zëri juaj

Edhe zëri i Shqipërisë

Zu të nisë duke dalë

“Shqipërijeza e Re”:

Kur bën fjalë me ngadalë…

Kur godet porsi rrufe…

Sepse kjo’sht’-!udh” e mbarë

E ndërgjegjes së kulluar:

Duke ngarë e duke sharë,

Edhe duke përgjëruar

E kështu shkoj mot- i dytë

E si-i treti u pat vdarë

Mot i katërt mbylli sytë

Që sot nis një mot i ri,

As t’u flakeshim o Zot!

Qajmë, o-nënë Shqipëri,

Qajmë., – e derdhim pika lot.


Shqipëri! Moj nëna jime:

Më ke rritur me thërime.


Shqipëri! Të qofsha falë

Të kam nënë, më ke djalë.

(E botuar fillimisht në organin “Shqipëria e Re” Konstancë, Rumani, 29 korrik 1923, e zgjodhi BAKI YMERI)


21 Korrik 2018