Letersia e Gergj Fishtes/4
Lafsha
Semiologu i njohur Umberto Eco në eseun “Autori dhe interpretuesit e tij”, shtron një intencë, të cilën e vlerësojmë të rëndësishme ta përmendim në këtë studim, ngase analizon marrëdhëniet e mundshme ndërmjet tekstit letrar dhe interpretuesve të tekstit letrar, nga ana e kritikëve letrar. Kjo intencë kërkimore dhe letrare, shtrohet-analizohet në kontekstin e rolit aktiv që duhet të ketë interpretuesi i letërsisë në parakonceptimin e një ndarje të mundshme mes dialektikës se: ekziston e drejta e teksteve dhe drejta e interpretueseve të tij (tekstit letrar v. ime). Përmes kësaj dialektike të supozuar, nuancat e së cilave janë dy hallka, secila autonome në mënyrën e vet, në esencë, na dalin dy aspekte kualifikuese për statusin e tekstit letrar si autonom, në kuadër të korpusit më të gjerë letrar të Fishtës, duke implikuar edhe autorin origjinal si subjekt të gjithëpushtetshëm në tekstet letrarë dhe duke njohur e pranuar, edhe rrjetin intertekstual, si element konstituiv brendapërbrenda strukturës së teksteve letrare, si filozofi e cila formëson “qenien letrare” (Zhenti). Në këtë kontekst, parakuptohet pozicioni edhe i interpretuesit të tekstit apo teksteve letrare, që gjithashtu ka status autonom, karshi objektit të studimit/interpretimit; pra teksteve letrare. Ky dimension kërkimor, përveç tjerash, mëton hetimin nivelit të letrarsisë në tekstet Fishtës, domethënë karakteristikat dhe kategoritë letrare, të cilat e bëjnë një tekst të dhënë vepër letrare, me një intencë kërkimore që pretendon të analizoj rrafshet ligjërimore (diskurset) si kategori dhe përbërës të ligjëratës letrare të Fishtës. Në këtë sens, ky studim i projektuar nga qasja e analizës së diskursit apo diskurseve letrare, në esencë pikëqëllim ka “deshifrimin” e natyrës ligjërimore në letërsinë e Fishtës (diskurset letrare si kategori që konfigurojnë tekstet letrar të autorit në kuadër të korpusit të gjerë të krijimtarisë së tij letrare që përbëjnë zhanret themelore të letërsisë, epikë, lirikë, dramatikë dhe satirikë). Në këtë arenë kërkimesh, na implikohet përkufizimi i teoricienit të letërsisë, Ian Meclani në eseun Leximi dhe Interpretimi, kur thotë se procesi i leximit dhe interpretimit të një teksti letrar ka në shtratin e tij, së paku dy kategorizime; i pari nënkupton se “roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetoj një lexim; i dyti sugjeron se interpretimi, në të vërtetë vendos kuptim dhe lidhje në një mjedis historikisht të përcaktuar”. Në këtë rrafsh të procesit të leximit dhe interpretimit të letërsisë së Fishtës, autorit më specifik në kulturën letrare shqipe, i cili ka përjetuar vlerësime nga më të ndryshmet, prej atyre në glorifikim, deri në përbuzje dhe mohim të plotë, synojmë të arsyetojmë një mënyrë leximi, që do pretendon të korrigjojë ose arsyetoj një lexim, duke e vendosur në marrëdhënie me historinë e letërsisë shqipe. Për të realizuar sa më esencialisht këtë intencë, duhet praktikojmë atë që na sugjeron teoricieni i letërsisë Roland Barthi për vdekjen e autorit, për hir të vet qenies së tekstit, ngase që kur shkruhet teksti, autori humb origjinën dhe fillon jetën shkrimi. Procesi i leximit, së bashku me procesin e interpretimit të letërsisë, mund të shoqërohet edhe me “konfrontime” letrare, që mund të shkaktojnë mospërputhje pikëpamjesh me interpretime të tjera që kanë dalur rreth korpusit letrar të Fishtës. Konsiderojmë se kundërvënia e mënyrave së më të shumta të shqyrtimit të letërsisë së këtij autori (apo edhe më gjerë, të korpusit të letërsisë shqiptare), vetëm do ta pasuronin sfondin e vlerave letrare dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Mirëpo, edhe do të arsyeton a “dëshmon” bindjen tonë (dhe jo vetëm tonën) se letërsia e Fishtës, i përket përmasave të majave letrare në kulturën e shkrimit shqip. I parë nga këndvështrimi se interpretimi ideal për letërsinë mbetet vetëm një “dëshirë”, ngase kemi të bëjmë me një objekt të larmishëm letrar dhe kompleks, korpusin e vëllimshëm dhe shumëdimensional të autorit do e shqyrtojmë në kontekstin e poetikës së diskurseve narrative dhe kategorive diskurseve si ligjërime letrare. Kjo formë e shqyrtimit të korpusit të gjerë letrar të Fishtës, do të bëhej më e pranueshme nëse pranohet mendimi, të cilin na sugjeron studiuesi Umberto Eco në librin “Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrativ” kur shkruan se: ”Rregulli themelor për t’iu qasur një teksti narrativ (një vepre letrare , vërejtja ime N.U.) është që lexuesi të pranoj heshtazi një marrëveshje fiktive me autorin”. Këto referenca që i përmendëm, më shumë se terma e mendime teorike letrare, shtresojnë një dimension logjik të interpretimit të tekstit letrar, pra letërsisë së Fishtës; dimension i cili korrespondon me esencën e “qenies” së teksteve letrare, esencë kjo e cila mëton të hetohet përmes analizës së imanencës e teksteve letrare. Po i kthehemi edhe njëherë referencës së semiologut Eco të më lartë cituar për arsye operuese, ngase na sugjeron dy aspekte letrare, të cilat i vlerësojmë esenciale për të hyrë në universin e letërsisë së autorit. Po ashtu japin premisat, për dy kategori të rëndësishme të marrëdhënieve mes tekstit letrar dhe deshifruesve të tij, kritikëve letrar:
a) së pari, se ekziston teksti letrar që është unikat, në tersi, me strukturën e shpërndarë në sipërfaqen e tekstit, ndërtuar përmes një rrjeti strukturor shumështresore dhe shenjave letrare, në formë të kodeve informuese letrare që prodhojnë shumësi kuptimore, dhe:
b) së dyti, ekzistojnë deshifruesit e tekstit letrar, që janë, në këtë rast kritikët letrar, të cilët interpretimet letrare i bëjnë sipas një kuadri parimesh kritike letrare dhe estetike karshi objektit të caktuar letrar, në këtë rast korpusit të letërsisë së Fishtës.