Labova e Madhe dhe laboviti me tri varre

Prof. Dr. Foto Toti

“E gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte, ne i kemi dhe i hedhim në baltë” / S. Luarasi

Labova është një fshat malor, rreth 700 m mbi nivelin e detit, në krah të majtë të rrugës Tepelenë – Gjirokastër. Labova përcakton kufirin ndarës ndërmjet fshatrave të Rrëzës së Tepelenës dhe fshatrave të Lunxhërisë, që u përkasin Gjirokastrës. Me Zagorinë, Labovën e ndan dhe e bashkon Çajupi

Labova është një vend i bukur, me pyje, me ujëra, kafshë të egra e zogj lloj –lloj, por me tokë buke pak e jo pjellore. Ajo shtrihet në vargmalet e jugut, rrëzë malit Odrie. Duket sikur ky fshat është stisur aty për t’u dhënë njerëzve të vet më shumë për mendjen e për shpirtin sesa për barkun. Në Labovë, ndoshta më shumë se kudo,është jetuar sipas fjalës së urtë: “Shit kalin dhe mëso djalin”.

Zanafilla e jetës si dhe etimologjia e emrit – Labovë, nuk dihen saktësisht. Të dhëna arkeologjike dëshmojnë se Labova ka qenë vendbanim shumë i hershëm. Saktësinë shkencore mbetet t’i vërtetojë arkeologjia e historia. Banorët e parë të Labovës mendohet se kanë ardhur nga fshati Zhulat i Gjirokastrës që përmendet që prej vitit 1081. Në këtë kohë, në Labëri jetonte një prijës i shquar, Papa Zhuli, hartues i Kanunit të Labërisë, i ashtuquajturi “Ligji i Zakonit”, që ishte i ngjashëm me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Papa Zhuli u vra nga bizantët, me të cilët ishte në luftë dhe pas vrasjes së tij, shumë banorë të Zhulatit u shpërndanë, dhe disa prej tyre mendohet të kenë ardhur në Labovë, ku përmenden fiset: Zhapa, Toti, Miha dhe Veshka. Këto familje gjenden në qendër të fshatit ku kanë formuar dhe lagjen e vet: “Lagjia e Mihalzhulajve”, në kujtim të banorit të parë Mihal Zhulati, që ka ardhur në Labovë.

Edhe sot në Zhulat ka familje me mbiemra: Vesho, Zhapo, Toto dhe Miho, çka tregon se me këto fise të kemi një trung të përbashkët. Me kalimin e viteve në Labovë erdhën edhe banorë të tjerë, duke u bërë kështu një fshat i madh dhe i dëgjuar. Nga një regjistrim i vitit 1431 Labova rezulton me 154 shtëpi dhe rreth 1100 banorë.

Me pushtimin e vendit nga ushtritë osmane, sinë të gjithë vendin, edhe në Labovë nuk bëhej më fjalë për zhvillim ekonomik, arsimor e kulturor. Shteti feudal ushtarak osman dhe patriarkana greke lejuan të hapen vetëm shkolla teokratike turke e greke. Por edhe në këto kushte, përpjekjet e labovitëve për gjuhën dhe shkollën shqipe nuk rreshtën. Kështu,më 1860 – ën u hapën në Labovë shkolla shqipe, ku përveç greqishtes që ishte e detyrueshme, përdorej dhe gjuha shqipe. Më vonë kjo shkollë u zgjerua me një foshnjore e fillore, tri klasa qytetse, dy klasa gjimnazi, si dhe shkollë për vajzat. Gjuha shqipe u futjo vetëm në shkollë por edhe në kisha, akt ky shumë i guximshëm dhe i rrezikshëm për kohën. Kështu shërbesat fetare kryheshin në gjuhën shqipe, duke përdorur kështu edhe institucionet fetare si vatra të edukimit dhe atdhetarisë.

Arritja më kulmore për Labovën ndodhi në 4 prill 1910 kur u bë i mundur realizimi i ëndrrës shekullore të labovitëve – hapja e shkollës së parë shqipe. Ky fakt dëshmon qartë për ndjenjat arsimdashëse të labovitëve, duke e bërë kështu Labovën të veçantë jo vetëm për jugun e vendit, por për gjithë Shqipërinë.

Në vitin 1921, në Labovë, u çel kursi tremujor i përsosmërisë së mësuesve të qarkut të Gjirokastrës. Në këtë kurs u kualifikuan 150 arsimtarë të cilët u strehuan e trajtuan më së miri në familjet labovite.

Nuk është rastësi që nga ky fshat i vogël e malor kanë dalë mbi 150 arsimtarë, shumë mjekë të njohur, agronomë, inxhinierë, shkrimtarë, mbi 30 profesorë, mjeshtra të punës dhe shkencës dhe akademikë. Por mbi të gjithë këta, laboviti më i njohur mbetet Vangjel Zhapa, Nderi i Kombit, që i kalon përmasat jo vetëm të Labovës dhe Shqipërisë, por dhe të Ballkanit.

Po kush është ky njeri, ky bamirës i madh me përmasa të tilla?

Vangjel Zhapa lindi në Labovën e Madhe më 23 gusht 1800 dhe ndërroi jetë në Broshten të Rumanisë më 12 qershor 1865. Vangjel Zhapa është pasardhës i një nga familjeve më të vjetra të Labovës. Por, ndërsa për Labovën është shkruar shumë, për Zhapën, për këtë figurë të shquar, këtë bamirës të madh, është shkruar fare pak, madje më shumë është shkruar nga të huajt sesa nga ne shqiptarët.

Para vitit 1990, të flisje për Zhapën, me ironi të quanin “zhapist”, por më vonë, sidomos pas vitit 1990, bashkëfshatarë, simpatizantë dhe dashamirës të shumtë filluan të shkruajnë dhe të evidentojnë meritat e tij. Me gjithë dëshirën e madhe, këta autorë nuk kanë pasur kushtet, aftësitë dhe mundësinë që të realizonin një studim të plotë e të dokumentuar plotësisht për Zhapën.

Bashkëfshatarët tanë të parë, për nder të këtij njeriu, fshatin tonë – Labovë e Madhe e quajtën Labova e Zhapës. Këtë jo se Labova ka qenë çiflig ose pronë e Zhapës, por se me emrin e tij Labovës i rritet vlera, ndërsa Zhapës i përjetohej emri brez pas brezi.

Vangjel Zhapa fëmijërinë dhe shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, Labovë. Në moshën 13-vjeçare ai u largua nga fshati dhe shkoi në Janinë, ku në moshën 17-vjeçare u regjistrua dhe kreu me sukses shkollën ushtarake të hapur aty nga Ali Pashë Tepelena. Në këtë shkollë Zhapa njohu edhe pedagogë të ardhur nga Perëndimi nga të cilët përfitoi nga kultura e tyre, dhe përvetësoi gjuhët frënge dhe italiane.

Pas përfundimit të shkollës Zhapa fitoi gradën oficer dhe mori pjesë në ushtrinë e Ali Pashës, duke luftuar me trimëri të rrallë kundër pushtuesve osmanë. Zhapa , ende i ri, në moshën 24-vjeçare fitoi gradën gjeneral brigade. Kjo gjë u ra në sy turqve, të cilët për ta detyruar që të dorëzohej, burgosën në burgun famëkeq të Janinës edhe nënën e tij plakë dhe plaçkitën e shkatërruan shtëpinë e tij në Labovë.

Edhe pse luftoi, sakrifikoi e u plagos shumë herë në luftë për pavarësinë e Greqisë, Zhapa, si dhe shumë shqiptarë të tjerë nuk u vlerësuan nga qeveritë greke të kohës. Në këto kushte ai u largua nga Greqia, nga vendi që i dha aq shumë dhe, me zemër të thyer e i brengosur nga mosmirënjohja, shkoi në Rumani.

Në Rumani Zhapa nuk shkoi me karroca me flori, siç thonë legjendat, as si nënshtetas grek dhe as si vllaho – maqedonas, siç thonë disa historianë. Ai shkoi në Rumani i varfër dhe i vrarë shpirtërisht, me krahë të fortë, mendje të kthjellët e ide të qarta për të fituar lirinë e munguar dhe vlerësimin e mohuar. Në Rumani Zhapa punoi në fillim si argat dhe me punë të ndershme, të vështirë, vetëmohuese, gradualisht shtoi pasurinë e tij dhe arriti të bëhej një nga latifondistët më të pasur të Rumanisë.

Gjatë kohës që Zhapa jetoi e punoi në Rumani, shkoi edhe për studime në Paris, ku studioi për agronomi. Në Rumani u aktivizua edhe në veprimtari të ndryshme. Ai shkroi shumë artikuj për artin, gjuhën alfabetin rumun dhe kulturën, por në mënyrë të veçantë shkroi për problemet e bujqësisë. Ndër të tjera përmenden monografitë e tij “Trentorul” – brumbulli, paraziti, ku jep këshilla të vlefshme për menaxhimin e fermave të mëdha bujqësore dhe modernizimin e tyre, sipas përvojës së përparuar perëndimore.

Vangjel Zhapa nuk punoi e shkroi për bukën e gojës, siç shkruan në monografinë e tij Dr. Nicola Postolache (Bukuresht 1996), por që dijet të mos i mbante për vete, por t’i bënte pronë e të gjithëve.

Veprat dhe bamirësitë e Zhapës janë të shumta e të shumëllojshme. Veprat e tij ndodhen në Rumani, Greqi, Turqi dhe Shqipëri. Ai ka ndihmuar me miell dhe ushtrinë ruse, gjatë luftës Ruso – Turke etj.

Në Rumani Zhapa financoi për ndërtimin e Akademisë Rumune të Shkencave, për gramatikën e gjuhës rumune, në përkthimin në rumanisht të klasikëve grekë e romakë. La pasuri të shumta të patundshme si pyje, kullota, hotele, mullinj e fabrika. Në Rumani la 66 çifligje, që secili prej tyre jepte 1500 florinj në vit etj. Zhapa çliroi nga robëria ciganët që ndodheshin në pronat e tij dhe u dha atyre lirinë.

Zhapa është iniciuesi dhe sponsorizuesi i lojërave Olimpike. Ai ndërtoi në Greqi, me paratë e veta shkolla, konvikte, rrugë, stadiume etj. I madhërishëm është stabilimenti Zhapa (Zappeon) në qendër të Athinës, që mban emrin e tij. Ndërtimi i kësaj vepre zgjati 20 vite, që edhe sot mbetet nga qendrat më të bukura e më të rëndësishme në Athinë etj.

Zhapa ka lënë vepra e pasuri edhe në Stamboll. Këto gjenden në një nga qendrat kryesore të Stambollit, në sheshin “Taksim”. Aty përfshihen një bllok ndërtesash me 70 dyqane, 5 shtëpi 5- katëshe dhe kishën e Shën Triadhës që është një nga dy kishat më të mëdha të Stambollit. Atje ai ndërtoi dhe shkollën e mesme për vajza që mban emrin e tij “Zappion”.Kjo pasuri, sipas llogarive të vetë turqve arrin në 700 milion lira turke ose 80 milion dollar.

Në Shqipëri, edhe pse në kohën që ai jetoi nuk kishte shtet shqiptar ai, duke siguruar Fermanin e Sulltanit, financoi 127 shkolla, ku përveç greqishtes që ishte gjuha e detyruar, të hynte dhe gjuha shqipe. Gjithashtu në Shqipëri ndërtoi shkolla, kisha, xhami, rrugë dhe vepra të shumta social – kulturore. Ai sponsorizoi Anastas Bykun nga Lekëli për gazetën e parë shqipe “Pellasgos”, alfabetin e gjuhës shqipe, mjekun dhe mësuesit e fshatit etj.

Unë nuk marr përsipër të shkruaj historinë e Zhapës dhe, as të bëj inventarin e pafund të pasurisë së tij. Historia e Zhapës është shkruar e skalitur në veprat e tij dhe pasuria e Zhapës është dokumentuar më së miri në testamentin që ai ka lënë.

Duke shkruar këto rreshta për Vangjel Zhapën m’u kujtua thënia e atdhetarit e intelektualit të mirënjohur Skënder Luarasi, ku thotë: “E gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte, ne i kemi dhe i hedhim në baltë”.

Vangjel Zhapa ndërroi jetë më 12 qershor 1865 në fermën e tij në Broshten të Rumanisë. Në testamentin e tij shkruan: “Pas vdekjes sime ceremonia e varrimit të bëhet në kishën e Broshtenit (Rumani) dhe pas 4 vitesh eshtrat e mia të nxirren nga varri dhe… të rivarrosen përsëri; koka në oborrin ose në hyrje të Stabilimentit të lojërave Olimpike në Athinë që është në pronësinë time, ndërsa eshtrat e mia në oborrin e shkollës në vendlindjen time në Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin. Testamentin e kam shkruar me dorën time dhe e vërtetoj po me firmën time, që të ketë plotfuqishmëri në jetë të jetëve”.

Ky testament u zbatua nga shtetet dhe qeveritë e kohës, deri në Luftën e Dytë Botërore. Më vonë ai u ndërpre për arsye politike. Po kush duhet ta riaktivizojë këtë testament sot në kushtet e reja? Kush duhet ta shkruajë historinë e këtij njeriu?Si qëndron puna dhe si administrohet sot “Fondi Zhapa”? Mendoj që shteti ynë, Qeveria jonë duhet ta ndjekin e ta zbatojnë këtë testament. Akademia jonë e Shkencave dhe Instituti i Historisë mendoj se mund të hulumtojnë për jetën dhe historinë e këtij bamirësi kaq kompleks e vizionar. Po kështu dhe Ministria e Kulturës mund të investojë për shkollën e Labovës si dhe shtëpinë e Zhapës në Labovë, duke i bërë ato vatra të vizitueshme muzeale për turistëvendas e të huaj. Por dhe Kisha AutoqefaleShqiptare, duke qënë se testament është një akt, sa ligjor dhe shpirtëror, mund të japë ndihmesën e vet, të paktën për pjesën që i takon kishës dhe shkollës së Labovës.

A nuk do të ishte një nderim për këtë figurë të shquar shqiptare krijimi i një tradite të bukur që Pishtari Olimplik të ndizet edhe në vendlindjen e Zhapës, në Labovë dhe, së bashku me atë që vjen nga Greqia të sillen në Tiranë ose në qytete të tjera të Shqipërisë, ku mund të zhvillohen olimpiada?

Ky veprim simbolik do të ishte sa një vlerësim për dinjitetin tonë kombëtar aq edhe një injorim ndaj atyre që i mohojnë Vangjel Zhapës shqiptarinë.

Kështu Vangjel Zhapa u bë me tri varre, në histori përmenden shpesh njerëz që kanë dy varre. Një rast i tillëështë i njohur edhe te ne me Ali Pashë Tepelenën. Pashanë pasi e vranë tradhtisht dhe mizorisht, kokën e varrosën në Stamboll, ndërsa trupin në Janinë. Për këtë tragjedi, Ismail Kadare shkruan vargjet pamfletike: “Koka në Stamboll, trupi në Janinë/ Se një varr i vetëm s’ta nxinte lavdinë”.

Njerëz me dy varre mund të ketë shumë, por me tre varre, dhe aq më shumë që një gjë të tillë ta kërkonte vetë njeriu, madje ta linte me shkrim me testament, kur është ende gjallë dhe me bindje e ndërgjegje të plotë, duhet të jetë shumë i rrallë.

Unë që po shkruaj këto rreshta për Vangjel Zhapën nuk jam as politikan, as shkrimtar dhe as historian. Unë shkruaj për një të vërtetë, nga dashuria dhe nderimi që kam për njerëz të tillë, në mënyrë që ata të mos harrohen, por të vlerësohen e kujtohen me respektin që u takon. Unë shkruaj për një të vërtetë historike dhe për t’i dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit.


22 tetor 2018