Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut e të shtetasit

Neni 102

Liritë dhe të drejtat e garantuara të njeriut e të shtetasit nuk mund të merren e as të kufizohen, përveç në rastet e parashikuara me Kushtetutë. Liritë dhe të drejtat e njeriut e të shtetasit mund të kufizohen gjatë kohës së luftës ose të gjendjes së jashtëzakonshme sipas dispozitave të Kushtetutës. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare e etnike, sociale, pronësore ose pozitës shoqërore.

Neni 103

Liritë dhe të drejtat realizohen, ndërsa detyrimet përmbushen në bazë të Kushtetutës. Me ligj mund të caktohet vetëm mënyra e realizimit të lirive dhe të të drejtave të caktuara kur kjo është parashikuar me Kushtetutë ose kur kjo është e domosdoshme për realizimin e tyre.

Neni 104

Pjesë përbërëse e rendit kushtetues të Kosovës në rrafshin e lirive dhe të drejtave të njeriut e të qytetarit janë edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në rast të papajtueshmërisë së normave të Kushtetutës me normat ndërkombëtare, aplikohen normat të cilat janë më të favorshme për njeriun.

Neni 105

Secili mund të kërkojë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të caktuara me Kushtetutë dhe ligj nga gjykatat kompetente, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe nga Ombudspersoni, në mënyrë të parashikuar me Kushtetutë dhe ligj. Garantohet mbrojtja gjyqësore e ligjshmërisë së akteve individuale të administratës shtetërore dhe të institucioneve të tjera të cilat ushtrojnë autorizime publike, në mënyrë të parashikuar me ligj.